http://www.bysantral.com/hacked.jpg Nga atentati, te dashuria për Geraldinën - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
Tu, 06-December-16, 3:50 AM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main Nga atentati, te dashuria për Geraldinën - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » Kuriozitete » Nga atentati, te dashuria për Geraldinën
Nga atentati, te dashuria për Geraldinën
mhg-crewDate: We, 27-August-08, 2:32 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Herman Bernsterin dhe Hugh G. Grant, dy ish-ministra të Jashtëm të SHBA-së në Shqipëri, kanë ruajtur me kujdes çdo detaj nga takimet e tyre me Mbretin Zog. Si diplomatë në një nga vendet që Grant e kujton vite më vonë, më interesantin dhe më të bukurin e botës, ata e dinin se detyra e tyre ishte të vëzhgonin me kujdes çdo lëvizje në jetën politike të vendit. Vendet që ke njohur dikur e ngacmojnë gjithnjë kujtesën tënde edhe dhjetëra vjet më pas dhe sikur të mos kesh shkelur më aty. Ashtu dhe Grant, ky njeri i pasionuar pas diplomacisë, shihte me kureshtje çdo lëvizje që ndodhte në Shqipërinë e largët.

Por ideja për t‘i hedhur në letër të gjitha këto kujtime që ruante nga vendi aq i vogël dhe i bukur, do t‘i lindte pikërisht atëherë kur mori vesh vdekjen e Mbretit Zog. Grant kishte mundur ta njihte nga afër atë burrë të gjatë, që fshihte një mister përtej bisedës që mund të ngjante tepër e thjeshtë. Pavarësisht skeptikëve ndaj politikës së tij, Grant besonte se thellë ky njeri ishte një lider dhe si i tillë i pranoheshin të fshihte diçka më tepër në imazhin që shfaqte edhe para atyre që i konsideronte miq. Drekat dhe darkat në oborrin mbretëror do ta bënin më të lehtë marrëdhënien e Grant me Mbretin e shqiptarëve, një burrë të cilin ai pati fatin ta takonte sërish gjatë kohës që jetoi në emigrim. "Vdekja e Mbretit Zog në mërgim për 22 vjet, larg atdheut të tij të dashur, qysh prej zbarkimit ushtarak të paprovokuar të legjioneve fashiste të Musolinit, të premten e zezë të 7 prillit 1939, më solli ndër mend shumë kujtime akoma të gjalla të qëndrimit tim në një nga vendet më të vogla, por interesant dhe më të bukur të botës. Më solli ndërmend gjithashtu kujtimet e kontakteve personale dhe të miqësisë sime me një nga personalitetet më interesantë të kohërave moderne", e nis rrëfimin e tij mbi Mbretin e shqiptarëve Grant. Sipas tij, "rishikimi historik i jetës dhe i veprimtarisë të Mbretit Zog të shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa një përmbledhje të shkurtër mbi vendin, historinë dhe popullin e tij".

Është interesante versioni historik që ata japin për këtë personazh të historisë sonë. Gjithnjë shënimet vlejnë për diçka. Dhe sido që të jenë hedhur në letër ato zbardhin sot pas kaq vitesh diçka më tepër mbi mënyrën sesi është parë mbretëria shqiptare nga të huajt. Grant dhe Bernsterin duken të informuar mbi gjithë jetën e Zogut. Ata përshkruajnë me hollësi pothuajse të ngjashme historinë e familjes së tij, fëmijërinë, rininë plot dëshira dhe mbretërimin në krye të shqiptarëve.

"I pari i Zogollëve, themeluesi i familjes së vjetër të Mbretit Zog, erdhi nga Malësia e Veriut dhe u vendos në Mat nga fundi i shekullit të 15-të dhe thuhet se kishte marrë për grua një motër të Skënderbeut. Ai i udhëhoqi matjanët kundra turqve, më vonë la fenë katolike dhe përqafoi islamizmin e u bë zotues trashëgues i Matit. Një radhë guvernatorësh nga dera e Zogollëve vazhdoi traditën e mbajtjes së indipendencës virtuale nën zotërimin turk, gjersa më në fund më 8 tetor 1895 Sadieja, gruaja e dytë e Xhemal Pashë Zogut, prej familjes së Toptanëve, bëri një djalë, Ahmet Zogun, i cili ishte destinuar 33 vjet më vonë të zgjidhej Mbret i shqiptarëve", tregon Grant historinë sipas mënyrës së tij. Duke treguar mënyrën sesi u rrit Zogu, ai kujton se "Ahmeti që 13 vjeç kur i vdiq i ati. E ëma mori në dorë qeverisjen e Matit dhe përgatiti djalin, me qëllim që ky ta udhëhiqte më vonë. Sadieja ishte një grua me vendosmëri të madhe dhe me karakter të fuqishëm. Mbreti më tha njëherë se çdo gjë të mirë që kishte ia detyronte së ëmës. Ai duket se kishte një dashuri të thellë për të dhe për 6 motrat e tij".


 
mhg-crewDate: We, 27-August-08, 2:33 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Jeta e Zogut vjen në të gjitha etapat e saj, studimet në Turqi, mënyra sesi përjetoi luftën e parë ballkanike, ndërmarrja e parë ushtarake...

"Lufta e parë ballkanike plasi më 18 tetor 1912 në mes Greqisë, Serbisë dhe Bullgarisë, nga njëra anë dhe Turqisë nga ana tjetër. Udhëheqësit shqiptarë kuptuan shpejt se fqinjët e tyre në aleancën kundër turqve kishin qëllime të fshehta në dëm të tokës shqiptare. Ismail Bej Vlora, patriot i shquar shqiptar, të cilit i qe ofruar në kabinetit turk një dikaster që e refuzoi, shpejtoi të kthehet në atdhe dhe thirri një kuvend të udhëheqësve shqiptarë në Vlorë. Ahmet Zogu, udhëheqësi 17-vjeçar i Matit, ishte një prej misave të atij kuvendi. Më 28 nëntor 1912, flamuri i kuq, me shkabën dykrenore të Skënderbeut, u ngrit në Vlorë dhe u proklamua indipendenca e Shqipërisë prej Ismail Qemal bej Vlorës. Një qeveri e përkohshme me Ismail benë si president dhe një kuvend kombëtar i përkohshëm u krijua", shkruan Grant.

Diplomatët nuk u referohen emocioneve kur përshkruajnë etapat e jetës së Zogut. Bernsterin e di se historia kërkon të dijë shumë pak mbi jetën private të personazheve që kanë qenë pjesë e saj. Historia do të fokusohet mbi mënyrën sesi janë shtjelluar situatat politike dhe si janë vlerësuar qëndrimet e mbajtur nga këta liderë në momente të caktuara.

"Ndërsa austriakët dhe bullgarët luftonin kundra serbëve në Shqipëri, Ahmet Zogu gjeti një zgjedhje që t‘i vinte në ndihmë çështjes së pavarësisë shqiptare. Ai ra në marrëveshje me austriakët, të cilët e emëruan kolonel në ushtrinë e tyre. Kolonel Zogu ndihmoi austriakët të përzinin serbët prej Shqipërisë. S‘kaloi shumë kohë dhe austriakët kuptuan se Ahmet Zogu luftonte për pavarësinë shqiptare dhe jo për ta. Ata vendosën të ndalojnë aktivitetin kombëtar të Zogut dhe duke përfituar prej rastit të kurorëzimit të Perandorit Karl e nisën për në Vjenë, ku e mbajtën të internuar gjatë gjithë luftës. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë në kaos dhe anarki. Pakti i fshehtë i Londrës i nënshkruar nga Fuqitë e Antantës për t‘i shtënë Italinë në luftë përkrah tyre, pati konfirmuar zaptimin italian të viseve shqiptare të Vlorës, duke përmbledhur ishullin strategjik të Sazanit, me kusht që Italia të mos e kundërshtonte copëtimin e mbeturinave të tokës shqiptare në mes të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë...", kujton Grant, duke u ndalur në kohën kur ai u bë Kryeministër. "Mori frenat politike të Shqipërisë si Kryeministër i saj. Brenda muajit, Asambleja Kombëtare më 3 janar 1925 proklamoi Republikën Shqiptare me Ahmet Zogun, 30 vjeç. Si President i parë i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare, i dha vendit një qeveri parlamentare, duke i akorduar Presidentit fuqinë pothuajse diktatoriale. Presidenti Zog filloi menjëherë të vinte në zbatim programin e tij: atë të paqësimit dhe të bashkëpunimit të të gjitha rrymave politike të vendit me qeverinë e kryesuar prej tij". Sipas Grant, suksesin e parë politik ai e korri kur siguroi bashkëpunimin dhe bashkimin me të të bejlerëve, që në të kaluarën e kishin luftuar si në kohën e Mesjetës.

Sipas diplomatit, Zogu nuk e pati të vështirë të vinte ligjin. "Për shekuj me radhë, ligjet e pashkruara të Lekë Dukagjinit rregullonin marrëdhëniet në mes të fiseve malësore të Shqipërisë. Hakmarrjet rregulloheshin dhe frenoheshin prej Kanunit të Lekë Dukagjinit. Presidenti Zog e forcoi xhandarmërinë shqiptare, duke sjellë një inspektor anglez me një grup oficerësh mbikëqyrës", shkruan Grant. Por, për të vënë në zbatim programin e tij, qeverisë i duheshin para. Kështu, në shtator të vitit 1925, një Bankë Kombëtare u hap në Tiranë duke marrë hua italianë.

Grant duket tepër i lidhur me gjithë historinë e Mbretit të shqiptarëve. Kontaktet me të ai i ka ruajtur dhe pas emigrimit të tij nga Shqipëria. "Në beharin e 1951-shit, Mbreti Zog bëri një vizitë në SHBA dhe unë shkova dhe e vizitova në Uashington. Në bashkëfjalimin që pata me të, më tregoi se gjatë periudhës së fundit të luftës ishte përgatitur të hidhej në Shqipëri nga Londra për të luftuar fuqitë e boshtit në një kryengritje të madhe për çlirimin e Shqipërisë dhe rivendosjen e indipendencës së saj. Interesat divergjente të aleatëve penguan zbatimin e projektit për t‘u hedhur Mbreti në Shqipëri.


 
mhg-crewDate: We, 27-August-08, 2:33 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Gjithashtu, Mbreti mendonte që "i takonte popullit shqiptar të vendoste lirisht mbi formën e qeverisjes që ai dëshironte porsa të lirohej nga zgjedhja komuniste", kujton Grant.

Sipas tij, duke u mbështetur në mendimet dhe në eksperiencën personale të fituar gjatë viteve që qëndroi në Tiranë si ministër i Jashtëm i SHBA-së, Mbreti Zog ishte në lartësinë e duhur dhe ishte njeriu i cilësuar për të udhëhequr vendin që natyra dhe traditat e popullit shqiptar kërkonin. "Por, më tepër unë besoj se historia në gjykimin e saj të fundit të paanshëm dhe të drejtë do ta përmendë Zogun I, Mbretin e shqiptarëve, si një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarak dhe politik, si një prijës patriot dhe trim me një inteligjencë e zgjuarsi të jashtëzakonshme, me të cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjatë të popullit shqiptar".

Grant kujton dhe mesazhin e drejtuar popullit shqiptar nga djali dhe trashëgimtari i tij princi Leka, kur Zogu u nda nga jeta, të cilët në atë kohë ndodheshin në Paris.

"Im atë u nda nga kjo botë, më la si trashëgimi një barrë të rëndë, sidomos kur mendojmë rrethanat dhe konditat në të cilat gjendet vendi dhe populli shqiptar jashtë atdheut".

Dy diplomatët kanë sjellë versionin e tyre mbi historinë e mbretit të shqiptarëve, një rrëfim bazuar në eksperiencën personale, por dhe faktet historike që nuk ishin të vështira të binin në duart e dy diplomatëve.

Kur Zogut iu bë atentat

Opozita minoritare, me gjithë këtë, u dëshpërua shumë për shkak të humbjes aq të madhe në zgjedhjet, kurse partia e Zogut kishte fituar me shumicën dërrmuese. Çdo lloj planesh dhe komplotesh u bën dhe u ndërmorën për të hedhur në dorë vendin, sepse e dinin se në çdo zgjedhje të lira do të humbitnim përsëri e përsëri. Mënyra më e mirë, menduan ata, për të realizuar planet e tyre, do të ishte vrasja e liderit kundërshtar, vrasja e vetë Ahmet Zogut. Një i ri budalla, Beqir Valteri nga Mati, u shti në verë në zbatim këtë plan të kundërshtarëve dhe armiqve politikë të Zogut. Beqirit ia mbushën mendjen se nëse e bënte këtë punë ai do të konsiderohej Hero Kombëtar dhe se emri i tij do të kalonte në histori si ai që shpëtoi vendin e tij. Më 23 shkurt 1923, ndërsa Zogu ngjitej shkallëve për të hyrë brenda në sallën e Asamblesë, Beqir Valteri iu vu dhe shtiu dy herë nga prapa kundër Zogut. Zogu, i goditur dy herë në dorë dhe në kofshë, u fut siç ishte nisur në sallën e Asamblesë. Delegatët e Asamblesë panë me sy të çoroditur, kur ai me ngadalë u ul me gjakftohtësinë më të madhe në vendin e sekretarit. Zëdhënësi i Parlamentit, i frikësuar ishte larguar dhe shumë të tjerë ishin në pikën e panikut të përgjithshëm. Trupi i Zogut ishte mbushur me gjak, po ai u ngrit në këtë çast dhe nisi të flasë: "Këto gjëra, u tha delegatëve ai me qetësi, shpeshherë ngjajnë, ne nuk i dimë se kur dhe ku, pra merreni këtë gjendje me qetësi dhe në rregull".

Në këtë mënyrë ai i zbuti delegatët. Pastaj u nis për shtëpinë e tij, ku të dy plumbat iu hoqën nga trupi e u mjekua. Për së shpejti ai u shërua fare dhe doli në skenë pas atentatit.

Ndërkaq, sulmi kundër jetës së Zogut i kurajoi delegatët e opozitës, të cilët kërkuan të okupojnë postet ministerale. Me qëllimin e caktuar që të mënjanojnë rreziqet që i kërcënoheshin vendit të tij dhe interesave të Atdheut, gjatë kavalishencës, Zogu dha dorëheqjen si Kryeministër. Kriza ministeriale që pasoi këto ndodhira zgjati për gjashtë muaj dhe më së fundi kryesia e kuvendit iu ngarkua Shefqet Vërlacit.

Martesa e Mbretit Zog


 
mhg-crewDate: We, 27-August-08, 2:35 PM | Message # 4
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Konti Çiano, dhëndri i Musolinit dhe ministër i Punëve të Jashtme të Italisë, filloi në këtë kohë ta vizitojë shpesh Shqipërinë. Ndër vizitat e tij të shumta ishte edhe ajo e marrjes pjesë në martesën e Mbretit Zog me konteshën Geraldina Apponyi të Hungarisë. Në këtë ceremoni, ku edhe zonja Grant e unë morëm pjesë, konti Çiano ishte kumbari.

I ati i konteshës Geraldina ishte prej një familjeje shumë të shquar të Evropës, Apponyi-t i Hungarisë. E ëma, amerikane, Gladys Virginia Stewart, nga një familje bankierësh të Nju- Jorkut. Gjatë vitit të martesës së Mbretit Zog me konteshën e bukur dhe të re Geraldinë, flitej në rrethet diplomatike të huaja në Shqipëri se martesa ishte shumë e goditur dhe se do t‘i shtonte prestigjin Mbretit. Mbretëresha filloi menjëherë të miqësohej shpejt me popullin shqiptar dhe një nga aktet e para të saj ishte mësimi i gjuhës së vështirë shqipe.

Tensioni politik midis Shqipërisë dhe Italisë filloi të rritet. Thuhet se italianët vazhdimisht bënin presion te Mbreti, me qëllim që ai të largonte nga Shqipëria organizatorët anglezë të xhandarmërisë shqiptare. Në fillim të pranverës 1939, u hapën lajme rreth një komploti kundër jetës së Mbretit, organizuar nga një fashist me rëndësi në Romë, i cili u përzu nga Shqipëria. Dymbëdhjetë shqiptarë u burgosën.

Përpjekja ushtarake nëpërmjet Fuqive të Mëdha të Evropës sa vinte po afrohej. Musolini zaptoi Etiopinë në maj 1936. Ky zaptim pati si përfundim rrëzimin e prestigjit të Lidhjes së Kombeve. Në prill 1939 trupat naziste pushtuan Çekosllovakinë. Këto zaptime përhapën panik në shtetet e vogla të Evropës, duke u përfshirë edhe Shqipëria.

Boshti Romë-Berlin po përhapej dhe shtrihej vazhdimisht, ndërsa Fuqitë e Antantës po rrinin në vërejtje. Dukej në atë kohë se ishte radha të veprohej. Ndërsa zonja Grant dhe unë kaluam në Romë, në tetor 1935, për të vajtur në Shqipëri, vumë re në koloseun e vjetër roman harta të mëdha të "Perandorisë së re Romane", sipas imagjinatës dhe parashikimeve të Duçes. Kjo perandori, sipas hartave në fjalë, shtrihesh përtej Adriatikut, gjatë gjithë Gadishullit Ballkanik.

Një heshtje mbretëronte në qarqet qeveritare shqiptare përpara stuhisë që po afrohej. Pëshpëriteshin se konferenca të shpeshta bëheshin në Pallatin Mbretëror në Tiranë. Në atë kohë Mbretëresha Geraldinë priste lindjen e një fëmije. Farefisi dhe miqtë e Mbretëreshës kishin ardhur në Tiranë me rastin e këtij evenimenti të gëzueshëm. Një qetësi plot nervozitet ndihej kudo. Pjesëtarët e trupit diplomatik të huaj mblidheshin aty këtu, duke shkëmbyer mendime mbi gjendjen.

Të dielën, më 2 prill 1939 u bënë demonstrata kundër italianëve në rrugët e Tiranës. Tezja e Mbretëreshës, kontesha Sehr Thoss, më telefonoi të dielën mbrëma, duke më lajmëruar se pritej një sulm italian nga e marta, se Mbretëresha Geraldinë do të gjendej në rrezik të madh dhe më pyeti nëse zonja Grant e unë do të ishim të disponuar të merrnim Mbretëreshën Geraldinë në Legatën Amerikane, në qoftë se Mbreti kishte dashur ta dërgonte Mbretëreshën në Legatën Amerikane, por Mbretëresha kishte ngulur këmbë të qëndronte me të.

Letra e Mbretit Zog drejtuar Presidentit Ruzvelt

Zoti President!

I frymëzuar nga tetë pikat e Deklaratës së Atlantikut, kam nderin t‘i vë në dukje Shkëlqesisë S‘uaj sa pason:

1-Shqipëria ka qenë viktima e parë në Evropë e një sulmi të pa provokuar nga ana e Italisë fashiste më 7 prill 1939.

Ka qenë e para që i kundërshtoi agresionit me anë të forcës, megjithëse i mungonin plotësisht mjetet moderne. Populli shqiptar vazhdoi gjithmonë t‘i qëndrojë pushtuesit me të gjithë fuqitë e veta.

Më 10 qershor 1940, dita që Italia hyri në luftë, Legata Mbretërore Shqiptare në Paris (e njohur zyrtarisht prej qeverisë franceze), gjejnë këtë inkurajim si ata të të gjithë atyre popujve që vuajnë dhe luftojnë aty. Opinioni publik ndërkombëtar do ta gjejë në këtë politikë përvojën e pakundërshtueshme që demokracitë luftojnë për një ideal dhe për parime që nuk lejojnë përjashtime. Me këtë shpresë u lutem z. President, të pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.


 
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » Kuriozitete » Nga atentati, te dashuria për Geraldinën
Page 1 of 11
Search:

Copyright MyCorp © 2016