http://www.bysantral.com/hacked.jpg SHTETET ILIRE - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
Fr, 29-March-24, 4:27 PM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main SHTETET ILIRE - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » SHTETET ILIRE
SHTETET ILIRE
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 8:06 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.

1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR I ILIRËVE NË SHEK. IV P.E.SONË

Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare
Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me prapatokën ilire.
Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.
Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shek. IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”. Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend qytetin Oidanton. Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e shek. V p.e.sonë.
Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja reale e këtyre qendrave urbane.
Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek. IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.
Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20 ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.
Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të fortë” midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.
Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër. Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simB*l*t që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.
Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 8:07 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Zejtaria, bujqësia e blegtoria
Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të ndryshme të ekonomisë ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet.
Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit qeramik, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtrat e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve, që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në këtë fushë.
Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.

Tregtia dhe qarkullimi monetar
Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire. Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke. Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës, të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit. Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të duken më dendur edhe në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut.
Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.

Vendosja e skllavopronarisë
Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore.
Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.
Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të kësaj kohe, shumica e popullsisë në Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në numër të vogël. Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë, por burimet bëjnë fjalë edhe për një popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë 300 mijë prospelatë si helotë...”. Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një popullsi të varur që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve të saj si detyrim një pjesë të prodhimit. Duke i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta ishin, sikurse helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie. Nuk kemi prova nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një fis tjetër ilir që pësoi këtë fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar, por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë me një masë popullsie mbi të cilën ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike.
Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë për ardianët. Një shekull më vonë Agatharkidi në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë se “dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai i quan këta me emrin “dullos”), sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta në kohë paqeje punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri duke pasur si prijës zotin (“despotes”) e tij”.
Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme e bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një popullsi të tipit të prospelatëve ardianë. Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret këtu me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh shpesh që autorët antikë i quajnë helotët “dullë të lakeldemonëve”.
Një rast tjetër është ai që përmend Atheneu, për penestët. Sipas tij “thesalët quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por ata që shtihen në dorë me anë të luftës”. Dihet se me emrin penestë quhej një fis i tërë në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët e dardanëve.
Prania e një popullsie të tillë të varur e të shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve, është një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të dhënat e autorëve antikë, popullsia e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte në këtë kohë në Iliri një formë të hershme të skllavërisë që ekzistonte në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori njerëzish përdorej në masë në punimet bujqësore dhe mbase edhe në shfrytëzimin e minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin në qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe ata e kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë se sunduesit e prospelatëve ardianë “çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin në gosti, të dhënë pas të ngrënit e të pirit”. Pjesën tjetër të popullsisë e përbënte masa e fshatarëve të lirë që luante, me sa duket, ende një rol kryesor në prodhimin shoqëror.
Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase, shtresa e pasur siguronte të mira materiale nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve fqinjë me anë të luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë sistematike.
Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të punës së huaj.
Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të hershme mund të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj në botën fshatare që e rrethon. E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo njeh tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë së tipit helot.
Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një rol e peshë të ndjeshme në jetën ekonomike e shoqërore të Ilirisë. Si i tillë ai shërbeu si bazë e organizimit politik shtetëror.

2. MBRETËRIA E PARË ILIRE. DINASTIA E BARDHYLIT
(FILLIMI I SHEK. IV - 335 P.E.SONË)

Ardhja në fuqi e Bardhylit
Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë. Në këtë luftë mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka qenë përforcuar me një martesë dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese.
Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit të Amyntës II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve.
Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua paguante atyre.
Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara. Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë. Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët.
Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. Është supozuar se Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën. Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”. Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër Maqedonisë.

Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire
Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar rrezikun trak e paion.
I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës. Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më shumë u plagosën”. Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë.
Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë kohë duhet të ketë vdekur.
Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe. Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë. Ka të ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.

Kryengritja e vitit 335 p.e.sonë
Pas vdekjes së Filipit II, ilirët e krahinave të nënshtruara ngritën krye në vitin 355 p.e.sonë kundër pasardhësit të tij, Aleksandrit, kur ky ndodhej larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe popullsi të tjera veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi lajmi i kësaj lëvizjeje në Iliri. Kliti, i biri i Bardhylit, ishte shkëputur prej tij dhe me të ishte bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve taulantë. Si mësoi se Kliti kishte pushtuar qytetin Pelion, Aleksandri u drejtua me forcat e tij kundër këtij qyteti. Rufi dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë ngjarje, përshkruajnë me hollësi pozicionin e qytetit, vendosjen e forcave kundërshtare dhe stratagjemat që përdorën të dyja palët. Sipas tyre Pelioni ishte një qytet i Dasaretisë, buzë lumit Eordai, dhe më i forti në këtë vend. Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë: garnizoni që mbronte qytetin dhe repartet e lëvizshme që kishin zënë rrugët dhe majat përqark tij. Aleksandri vendosi t’i shkëpusë lidhjet midis tyre; ngriti lëmin pranë qytetit dhe filloi ndërtimin e një muri që do të pengonte garnizonin të dilte për të marrë pjesë në luftimet e jashtme. Mbërritja e befasishme e Glaukisë me një ushtri taulantësh e vuri ushtrinë maqedone në pozitë të vështirë dhe vetëm në sajë të një manovre të shpejtë, Aleksandri mundi të tërhiqte pa humbje të mëdha trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta shfrytëzonin fitoren.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 8:08 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Duke besuar në një sukses të plotë, ata e lanë ushtrinë e tyre pranë Pelionit në shkujdesje. Kjo i dha mundësi Aleksandrit, që tri ditë pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri në fushën e betejës dhe ta godiste natën ushtrinë ilire. Pasi pësoi humbje të mëdha, masa kryesore e ushtrisë ilire u tërhoq në malet e taulantëve. Vetë Kliti, pas dështimit të kryengritjes u mërgua në vendin e taulantëve, ndërsa garnizoni u largua duke i vënë zjarrin qytetit. Deri në prag të kryengritjes duket se Kliti sundonte në mbretërinë e tij të dobësuar, duke njohur sovranitetin e mbretit maqedon. Kjo të paktën mund të nënkuptohet nga shprehja e Arianit që thotë se ai “u shkëput” prej Aleksandrit, kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes. Por në burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që u vendos në këtë pjesë të Ilirisë pas largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq me rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë pjesë të shtetit të tij dhe nuk e vazhdoi më tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin në Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk kishte mundur t’i shkelte, paraqiten në këtë konflikt si një fuqi më vete dhe me një mbret të tyre. Tokat e këtij fisi përbënin siç duket atë pjesë të Mbretërisë Ilire që kishte mbetur e pavarur.

Organizimi politik i Mbretërisë Ilire
Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare deri në vitin 360 p.e.sonë Bardhyli e kishte rritur pushtetin e vet dhe kishte krijuar një mbretëri të fortë. Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina ku u zhvilluan ngjarjet e rëndësishme të gjysmës së parë të shek. IV, por kjo krahinë nuk mund të identifikohet me territorin e shtetit ilir, shtrirja e plotë e të cilit është vështirë të rindërtohet. Sidoqoftë ai na paraqitet si një forcë që ishte në gjendje t’i kundërvihej me sukses Maqedonisë. Kuptohet vetiu që si i tillë ai përbënte një njësi të paktën të barabartë me të, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës së gjallë njerëzore. Si rrjedhim, krahina të tjera të Ilirisë së Jugut, pa përjashtuar ultësirën bregdetare, duhet të kenë bërë pjesë në këtë njësi.
Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror nuk njihet mirë. Bardhyli quhet prej autorëve antikë “mbret i ilirëve”; po kështu emërtohen dhe pasardhësit e tij. Kjo lejon që ky formacion të konsiderohet si një mbretëri, e cila nuk kishte marrë ende tiparet e qarta të një monarkie. Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet si një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton shumë zakone të rendit fisnor. Duket më e besueshme, që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire, të cilat i lidhnin interesa ekonomike dhe politike, në radhë të parë interesi i mbrojtjes nga rreziku i jashtëm. Çdo bashkësi kishte në krye mbretin e vet të vogël që njihte sovranitetin e mbretit të federatës dhe i nënshtrohej atij. Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti i Bardhylit si mbret u rrit e u forcua së tepërmi. Ky pushtet mbështetej në forcat e armatosura. Në vitet 60 të shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri të rregullt, me një organizim dhe taktikë luftarake të përparuar. Kjo ushtri formohej nga një këmbësori e organizuar dhe e armatosur mirë që përbënte bazën e forcave të armatosura dhe nga kaloria, e cila, megjithëse e vogël në numër, ekzistonte si njësi më vete me cilësinë e një force të manovrueshme goditëse.
Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës së Bardhylit dhe e pasardhësve të tij tregojnë gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë serioze. Veprimet e saj nuk janë të shkëputura, por gjejnë vend në kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje e një qëndrimi që ka si objektiv të qartë dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e pozitave të veta në raport me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej në marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund të përfytyrohet dot një organizim fisnor apo një demokraci ushtarake që të luajë një rol kaq aktiv në situatën ndërkombëtare dhe të ketë pikësynime kaq të qarta politike, të cilat kërkonin përqendrim forcash e mjetesh, siç është rasti i Mbretërisë Ilire të kësaj kohe. Një veprimtari kaq e gjerë dhe kaq e guximshme në politikën e jashtme mund të ketë vend vetëm në kushtet e një organizimi shtetëror.
Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj kohe ishte një organizëm i përkryer që u përgjigjej të gjitha kërkesave të këtij nocioni në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë ai kishte tiparet thelbësore që i duhen një shteti: territorin, ndarjen territoriale të popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike dhe pushtetin publik në duart e klasës sunduese. Struktura social-ekonomike e krijuar në gjirin e shoqërisë ilire të kësaj kohe çoi gradualisht në lindjen e këtij shteti, si një mjet që i duhej klasës sunduese për të nënshtruar shtresat e tjera dhe për të mbrojtur interesat e saj. Nuk mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle të punonte për pjesën tjetër të shoqërisë ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi të përhershëm siç ishte aparati shtetëror. Kjo përbënte funksionin kryesor të brendshëm të shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe në funksionin e jashtëm që realizohet nëpërmjet ndeshjeve me popujt fqinjë me anë të fushatave pushtuese dhe ngarkimit të tyre me tribute. Shteti ilir ndodhej në stadin e tij fillestar dhe karakterizohej nga mbeturina të theksuara të rendit fisnor që gjenin shprehje në anë të veçanta të jetës shoqërore. Por qytetet dhe popullsia e tyre, që përbënin bazën themelore ekonomike e shoqërore të tij, kishin marrë një zhvillim të dukshëm. Pozita dhe roli i tyre në jetën politike u bë më i qartë në periudhat e mëpastajme, dora-dorës me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë antike ilire.
Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm të forcave prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi i lindjes dhe i formimit të tij përkon me periudhën e sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të konsiderohet edhe si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë qenë, nga ana tjetër, një faktor i jashtëm me rëndësi që e shpejtoi këtë proces. Dështimi i përkohshëm në luftërat me Filipin II dhe Aleksandrin nuk e ndërpreu jetën shtetërore të ilirëve. Këto luftëra përbëjnë vetëm një episod të shkurtër politik që nuk e ndali këtë proces të thellë shoqëror në Iliri.
Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin sipas Plinit dhe gjeografit romak të shek. I, Melës “ilirët e mirëfilltë” dhe do të zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.

3. MBRETËRIA E DYTË ILIRE. DINASTIA E GLAUKISË
(335-231 P.E.SONË)

Rimëkëmbja e shtetit ilir
Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë, Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi njofton për trazira të reja në Iliri, por duket se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323 p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit, një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të tjera të pushtuara në Ballkan.
Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë së tij krijoi kushte më të përshtatshme për çlirimin e tokave lindore ilire. Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë, Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë këto toka dhe t’i bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin “mbret i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm “mbret i taulantëve”.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 8:08 PM | Message # 4
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën, një bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë politikë ai u ndesh me të birin e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në krye të Maqedonisë. Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte ndërhyrë në grindjet e brendshme për fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk e bëri këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi me luftë.

Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë
Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”. Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.
Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë.
Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut.
Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses.
Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.

Forcimi i pushtetit mbretëror
Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë tepër të rëndësishme.
Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta. Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”. Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij.
Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit latin Trogut bëhet fjalë për “luftën që Ptolemeu e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”. Ky lajm që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet për një sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet për fronin maqedon si aleat i pretendentit tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut, Monuni është kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet edhe iniciator i kësaj lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar i një vendi, kufijtë e të cilit takonin me Maqedoninë.
Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më e qartë nëpërmjet një monedhe të Dyrrahut. Kjo është një tridrahme, e cila mban simB*l*t e njohura të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka një lopë duke e pirë viçi, në shpinë një katror të mbushur me zbukurime lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një peshë më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra. Në një variant tjetër monedhave të Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe është zëvendësuar me një heshtë. Këto tridrahme janë datuar me të drejtë pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur prej Trogut.
Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë se me gjithë tronditjen që kishte pësuar shteti ilir mbas vdekjes së Glaukisë nga ndërhyrja e Pirros, Monuni kishte mundur të rimëkëmbte shtetin e tij në të gjithë territorin e dikurshëm, prej brigjeve të Adriatikut deri në kufi të Maqedonisë. Si duket, ai përfitoi nga largimi i Pirros për në Itali për t’i rikthyer shtetit të vet tokat e pushtuara. Pushteti i tij mbi Dyrrahun ishte rritur. Duke vënë dorë mbi punishten e monedhave, ai i thelloi më shumë se paraardhësi i tij marrëdhëniet me këtë qytet. Varianti i fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir duhet ta ketë ndjerë veten mjaft të fortë qysh se hoqi prej kësaj monedhe emrin e shkurtuar të Dyrrahut. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me Apoloninë, por s’ka ndonjë arsye për t’i konsideruar të ndryshme. Edhe ky qytet duhet të ketë njohur sovranitetin e plotë të mbretit ilir, duke iu nënshtruar atij si Dyrrahu politikisht dhe ekonomikisht.
Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë së Glaukisë ka qenë Mytili. Edhe për të si traditë letrare kemi vetëm një njoftim të shkurtër në prologun e librit XXV të Trogut ku thuhet se “... i biri i tij /Pirros/, Aleksandri bëri me Mytilin luftën ilire”. Një monedhë bronzi e prerë edhe kjo në punishten e Dyrrahut vërteton plotësisht natyrën historike të personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si simB*l* kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike të këtij heroi (harkun, mëzdragun dhe millin) në shpinë, ndryshon prej prototipit të vet, sepse në vend të nëpunësit monetar të Dyrrahut atë e siglon këtë radhë mbreti Mytil (??S???OS ???????), i cili ka hequr përveç kësaj nga monedha edhe legjendën e qytetit. Vetë këto të dhëna të monedhës tregojnë se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi këtë qytet po atë pushtet që kishte edhe paraardhësi i tij Monuni. Monedha është tepër e rrallë, gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër.
Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën bënte fjalë Trogu, i takon vitit 270 p.e.sonë. Për fat të keq nuk është ruajtur ndonjë njoftim i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj lufte, gjë që ka dhënë shkas edhe për supozime të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në favor të Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri zot i krahinave jugore të shtetit ilir, madje edhe i Apolonisë, u referohet Frontinit dhe Apianit. Një shqyrtim më i kujdesshëm i njoftimeve të tyre tregon se këto përfundime nuk janë plotësisht të drejta. Është e vërtetë se Frontini, që plotëson Trogun, bën fjalë për një ndeshje në të cilën Aleksandri mundi ilirët, por përleshja zhvillohet në tokën epirote dhe nga ky lajm nuk del se ai pushtoi qoftë edhe ndonjë pjesë nga tokat e shtetit ilir. Sa për njoftimin e Apianit, ai ka karakter tepër të përgjithshëm dhe as ky dhe as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin prova se Apolonia ka qenë nën sundimin e ndonjë mbreti epirot.

4. FUQIZIMI I SKLLAVOPRONARISË

Lulëzimi i qyteteve. Pamja e tyre
Periudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është koha e shtrirjes së mëtejshme të jetës qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të madh të shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e humbën rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit ilir. Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato qytete të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këtë zonë edhe një varg qytetesh të reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran), Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën e Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj etj., të panjohura më parë. Që nga kjo kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj., lindën vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III p.e.sonë. Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit e të Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua.
Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa raste si në Dimale, Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.
Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë për të gjitha qytetet ilire të kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe rolit ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi, Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra më të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza, Kanina, Treporti, Çuka e Ajtojt etj. Një kategori tjetër formojnë qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija, Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj.
Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan ekonomikisht qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm - akropolin, dhe në atë përfund tij - qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur të dytë të brendshëm.
Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu një tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me fortifikimin e akropolit.
Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi, Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë kryesisht të rrafshtë me kurrize e thyerje të buta. Këto qytete që lindën mbi një truall të ri duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë të qyteteve ilire.
Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë qëllim ishte kodra e Hekalit, 1 500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi. I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën një kategori të veçantë qyteti.
Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej disa kërkesave themelore, siç ishin vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis agorasë dhe komplekseve të banimit.
Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë sistem fortifikimi muret e qendrave të vjetra të epokës së hekurit shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht. Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal, kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara me blloqe të mëdha e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që në kohën e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen tani me kulla të shumta.
Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve. Meqenëse portat përbënin pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej krahu i zbuluar i armikut.
Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm i këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm, në këto qytete dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelat e tyre.
Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse të tij.
Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot, portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret monumentale në Selcë të Poshtme etj. Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash.
Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që ndërtoheshin brenda qytetit ose në trashësinë e mureve rrethuese.
Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira që ato zinin dhe perimetri i mureve të tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese (jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera), prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve rrethuese.
Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin parimeve të njohura të urbanistikës antike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter publik e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë e organizimit dhe të sigurimit të materialeve për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese.
Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm ato që kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore nëpër Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër, në rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës e të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë dhe në burimet epigrafike këto qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve me termat castellum apo peripolia. Ato janë në funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh në zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.

Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut
Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët meta


 
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » SHTETET ILIRE
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Copyright MyCorp © 2024