http://www.bysantral.com/hacked.jpg Roli Historik I Demonstratave Shqiptare Të Vitit 1968 - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
We, 07-December-16, 5:24 PM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main Roli Historik I Demonstratave Shqiptare Të Vitit 1968 - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » Roli Historik I Demonstratave Shqiptare Të Vitit 1968
Roli Historik I Demonstratave Shqiptare Të Vitit 1968
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:45 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Përmbajtja e lëndës:

- Pozita kushtetuese e Kosovës dhe e viseve tjera shqiptare në ish -Jugosllavi, në periudhën 1946-1968;
- Konfliktet politike në mes të forcave byrokratike dhe atye unitariste (për çëllime sunduese), që rezultuan me shkarkimin e Rankoviqit - në plenumin e Brioneve;
- Debatet e nxehta publike për ndryshimin e kushtetutës së vitit 1963 dhe avansimin e statusit të Kosovës në republikë;
- Dyftyrësia e Fadil Hoxhës;
- Demonstratat studentore të vitit 1968 në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare:
- Kush i organizoi Demonstratat e tetorit 1968 në Prizren, në Therandë (ish – Suharekë) dhe në Pejë?
- Kush e përbënte ”Komitetin e Studentëve”, i cili përgatiti demonstratat e nëntorit 1968 ?
- Si u morë vendimi për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës më 27 nëntor 1968 ?!
- Si u zhvilluan demonstratat e 27 nëntorit 1968, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Besianë (ish – Podujevë) ?!
- Demonstrata në Prishtinë;
- Demonstrata në Ferizaj;
- Demonstrata në Gjilan;
- Demonstrata në Besian (ish-Podujevë)
- Çfarë masash politike propozoi Veli Deva ndaj organizatorëve të demonstratave ?!
- Kush i gjykoi - denoi në „emër të popullit“ organizatorët e demonstratave?
- Si u organizuan demonstratat e dhjetorit 1968 në Tetovë?
- Kush u denua për organizimin e demonstratave në Tetovë?
- Përfundim.

Pozita kushtetuese e Kosovës dhe e viseve tjera shqiptare në ish - Jugosllavi, në periudhën 1946-1968

Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, u definua si njësi autonome territoriale - administrative brenda Serbisë e quajtur: ”Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)”. Dhe, ky bashkim i dhunshëm i Kosovës me Serbinë qe vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve të ndarë nga Shqipëria londineze, për faktin se kompaktësisë gjeografike të Kosovës iu shkëputën trevat etnike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi por edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, ku shqiptarët ishin shumicë.
Akti më i lartë juridik-kushtetues i QAKM-s ishte statuti, i cili duhej të ishte në pajtim me Kushtetutën e RFPJ dhe atë të Sërbisë. Pas aneksimit të Kosovës (Republikës së Sërbisë) dhe pas sanksionimit të statutit të QAKM-s, shteti jugosllav e vazhdoi politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve në çdo sferë të jetës. Në të gjitha dokumentet kushtetuese federative dhe republikane, nga viti 1946 deri në vitin 1963, statusi i gjuhës shqipe, ashtu si statusi i autonomisë së Kosovës, erdhi duke u rrudhur dhe në këtë kontekst e gjithë jeta private, shoqërore e politike e shqiptarëve ishte vënë nën kontrollë të plotë të UDB-së, e cila kishte hapur rreth 120 mijë dosje për shqiptarët. Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë (neni 1), ndërkaq Kosova shpallet Krahinë Autonome (neni 111), ndërsa shqiptarët nga nocioni “pakicë kombëtare” me këtë Kushtetutë u definuan si ”kombësi”. Kjo Kushtetutë nuk kishte sjellur ndonjë ndryshim esencial në trajtimin e shqiptarëve, por megjithatë sinjalizonte ndryshime që mund të bëheshin në të ardhmen.

Konfliktet politike në mes të forcave byrokratike dhe atye unitariste (për çëllime sunduese), që rezultuan me shkarkimin e Rankoviqit - në plenumin e Brioneve

Shqiptarët gjatë periudhës 1948-1966 (që në popull quhej si koha e Rankoviqit), u përballën me një fushatë të egër shkombëtarizimi e shpërnguljeje masive nga trojet e tyre stërgjyshore. Krahu shovinist serb, i drejtuar nga Aleksandër Rankoviqi, sekretar i Komitetit Qëndror të LKJ-së, ministër i Punëve të Brendshme dhe nënkryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, gjatë kësaj periudhe pushtetin e vet të dhunës mbi shqiptarët e ushtroj nën ombrellën e kryetarit J.B.Tito. Asokohe A.Rankoviqi, bënte politikën e kuadrove partiake e shtetërore në të gjitha republikat e posaqërisht në Serbi dhe mbikëqyrte të gjitha institucionet partiake, shtetërore dhe ushtarake, madje ai mbikëqyrte edhe punën e jetën private të kryetarit të shtetit e të Partisë -Titos.

Së këndejmi, në fillim të viteve të 60-ta kur kreu shtetëror jugosllavë nisi një reform ekonomike në shkallë vendi, për shkak të pabarazisë ekonomike lindën kundërshtimet e para ndërmjet republikave, të cilat shumë shpejt u shndërruan edhe në konflikte të hapura politike. Kjo situatë e rëndë u shpërfaq në disa mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të LKJ-së, të zhvilluara në nëntor të vitit 1965 e shkurt të vitit 1966. Pushtetarët serb, që me kohë kishin zënë pozita sunduese politike në federatë (UDB, ushtri, polici e në aparatin burokratik), meqë këtë reformë ekonomike me kërkesat e saj decentralizuese, e shihnin si formë të avancimit të Sllovenisë e Kroacisë dhe si një rrezik për dobësimin hegjemonist të tyre, atëherë u vunë në lëvizje për t´iu kundërvënë reformave të tilla.
Në këto zhvillime politike u krijuan dy forca rivale: forcat burokratike decentralizuese në krye me Titon dhe ato unitarise serbe në krye me Rankoviçin. Për t´i sfiduar forcat unitariste serbe në radhët e pushtetit, Titoja në qershor 1966 në mbledhjen e KE të KQ të LKJ-së formoj një komision të posaqëm, për të shqyrtuar veprimtarinë e aparatit të Sigurimit të Shtetit (UDB-së), që drejtohej nga Aleksandër Rankoviç. Dhe, në Plenumin e IV të KQ të LKJ-së të mbajtur më 1 korrik 1966 në Brione, fuknsionarët më të lartë të UDB-së si A.Rankoviç, Svetisllav Dolasheviç... akuzoheshin se kishin keqpërdorur pozitën, se nëpërmjet të rrjetit të gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre në organizatat punuese e madje edhe në parti kishin synuar të vendosnin kontrollin mbi njerëzit e thjeshtë deri tek udhëheqësit më të lartë politik në vend, duke përfshirë këtu edhe vetë Titon. Ky Plenum rezultoi me dorëheqjen e Rankoviqit prej detyrave të partisë dhe të UDB-së, ndërsa në mbledhjen e dhomave të Kuvendit federativ, më 14 korrik 1966 ai dha dorëheqje si deputet dhe nënkryetar i RSFJ-së.
Në tetor të atij viti KQ i LKJ-së e përjashtoi A.Rankoviçin nga LKJ-ja, dhe pasi ka filluar një proces gjyqësor kundër tij dhe bashkëpunëtorëve tjerë është ndërpre, për shkak të numrit të madh të njerëzve, ndër ta shumë personalitete të larta politike, që ishin përfshirë në veprimtarinë kriminale të organeve të UDB-së. Denimi verbal i Rankoviçit, duke u ngarkuar me përgjegjësi për çrregullime serioze në shërbimin e Sigurimit të Shtetit, më shumë ishte një taktikë dinake e J.B.Titos, sepse ai me kohë i dinte të gjitha deformimet që ndodhnin në organët e UDB-së. Në Plenumin e Brionit nuk u tha asnjë fjalë për arsyet e vërteta të shkarkimi të Rankoviçit, pra për kundërshtimin e tij ndaj Reformave ekonomike e ndaj sistemit të vetadministrimit ,sepse fajësimi për shkeljet e shpërdorimet e rënda të përditshme të organeve të UDB-së, ishte një akuzë, e cila nga të gjitha shtresat e popullsisë pranohej më lehtë dhe ngjallte kundër tij një revoltë shumë më masive se sa të denoncojë kundërshtimet e tij ndaj Reformës ekonomike apo vijimsinë e kursit të vetadministrimit, ku iniciatorë ishte vetë Tito dhe grupi i tij.
Në kuadër të fushatës që ndërmori J.B.Tito për të goditur Rankoviçin, një vend të posaqëm kishin edhe shqiptarët. Shkarkimi i Rankoviçit dhe ithtarëve të tij nga postet e rëndësishme shtetërore e partiake, ndonëse ishte goditje serioze për regjimin e egër policor në Jugosllavi, njëherësh vinte në dukje edhe kontradiktat ndërnacionale dhe luftën e ashpër që po zhvillohej për pushtet në gjirin e udhëheqjes së saj. Brenda politikës koniunkturale, për të vendosur një ekuilibër të ri midis klaneve... kreu i PKJ (më pas LKJ-së) J.B.Tito filloi t´u ”buzëqesh” edhe shqiptarëve. Si fillim, pati kujdes të fshinte nga kujtesa popullore krimet e bëra prej vetë atij dhe Rankoviçit, dhe në diskutimet publike për “denoncimin” e veprimtarisë së klanit rankoviçian, u përpoq që ta thejë kompleksin e inferioritetit që u ishte imponuar shqiptarëve.

Debatet e nxehta publike për ndryshimin e kushtetutës së vitit 1963 dhe avansimin e statusit të Kosovës në republikë

Në këto rrethana për shqiptarët u krijua një klimë paksa më e relaksuar politike dhe duke e shfrytezuar këtë krizë të krijuar, një pjesë e intelegjencës shqiptare dhe disa segmente politike filluan të flasin hapur për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë në arsim, kulturë dhe në fusha tjera të jetës politike e shoqërore. Këto hapsira lirije u bënë edhe më të mëdha në vitin 1967, pas fillimit të debatit publik për amandamentet e reja që do të ndryshonin Kushtetutën e RSFJ-së, kushtetutat e republikave dhe statutet e krahinave autonome të vitit 1963.
Në gamën e gjerë të diskutimeve rreth këtyre amandamenteve, në Kosovë nga dita në ditë problemi i pazgjidhur kombëtar u bë mbizotrues. Për pozitën kushtetuese të Kosovës, më 14 korrik 1967 dhoma krahinore e Kuvendit Popullor të KA të Kosovës vendosi formimin e ”Komisionit për studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet dhe plotësimet e Statutit”. Me këtë rast Kryetar i këtij Komisioni u zgjodh Fadil Hoxha - kryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës. Ky komision hartoi ”projektin e propozimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të KA Kosovës”, në konsultim edhe me Komisionin kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe atë të Serbisë. Ky “projekt” më 22 prill 1968 iu dorëzua KE të KK të LK të Kosovës dhe në diskutimet që pati, u vunë në dukje shumë pasaktësi që kishte në Kushtetutën ekzistuese (federative e atë republikane) të vitit 1963, lidhur me pozitën e KA të Kosovës. Në verën e vitit 1968 diskutimet për ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën federative dhe në atë republikane të v.1963, lidhur me pozitën që duhej të kishte KA e Kosovës, u zhvilluan edhe në aktivet politike komunale të LK-së. Debati i parë u zhvillua në Gjakovë më 18-20 gusht 1968, për të vazhduar pastaj në Pejë, në Prishtinë, në Deçan, në Gjilan, në Gllogovc, në Lipjan, në Podujevë, në Prizren etj.
Në këto aktive u kërkua që Kushtetuta federative të garantonte të drejtën e vetvendosjes së shqiptarëve, ashtu si kombet tjera të Jugosllavisë; që Kosova të ishte njësi federale d.m.th republikë; që si ligj themelor i krahinës të ishte Kushtetuta e jo Statuti; që në dhomën e kombeve Kosova të kishte 20 deputetë, sikundër dhe republikat e tjera; që të zyrtarizohet përdorimi i simB*l*ve kombëtare; që emri i krahinës të ndryshohet nga Kosovë - Metohi në Kosova - Kosovo; që Kosova të ketë gjyqin e vet suprem dhe kushtetues dhe të jetë i lidhur me gjyqet respektive në nivel të federatës; që të sigurohet barazia e gjuhës shqipe në nivel federativ; që në kushtetutën federative populli shqiptar të mos emërtohej në mënyrë fyese ”shiptari” por ”albanci”; që të precizohej në këtë kushtetutë e drejta për riatdhesim jo vetëm për pjestarët e kombeve, por edhe për pjestarët e kombësive etj.
Tubimeve të tilla publike, paraprakisht i ndihmuan edhe tri ngjarje të rëndësishme historike, të cilat tek shqiptarët ringjallën dinjitetin dhe krenarinë kombëtare:
- Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968) dhe Simpoziumi shkencor mbajtur në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se kryetrimit Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, ku morrën pjesë studjues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë;
- Konsulta e njësimit të gjuhës Shqipe e mbajtur më 22 - 23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”.
- Manifestimet e shumta, të mbajtura me rastin e 90 vjetorit (qershor 1968) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Meqenëse kërkesa që Kosovës t´i njihet statusi i Republikës, shpejt u përqafua nga poulli shqiptar dhe u bë kërkesë gjithëpopullore, çarqet shoviniste serbe për ta penguar këtë trend të ngjarjeve, më 31 gusht 1968 në një mbledhje të zgjeruar të kryesisë së Komitetit Ekzekutiv Krahinor të mbajtur në Prishtinë, gjykuan ashpër kërkesën që Kosova të bëhet Republikë. Në konkluzionet e miratuara në këtë mbledhje, nën presionin e serbëve u vendos, që ”në Kosovë nuk duhej të shtrohej kërkesa për republikë e vetëvendosje” dhe të ndalohen diskutimet për këtë çështje. Pavarësishtë nga këto vendime, zhvillimet e diskutimeve në aktivet politike të komunave të kosovës treguan qartë se aspirata e shqiptarëve për republikë ishte e fuqishme.
Alternativa e Republikës së Kosovës u shtrua edhe në një takim të delegacionit shqiptar që pati me Titon dhe Kardelin në tetor 1968, mirëpo Titoja (pavarësisht që kjo kërkesë kishte dalur nga tubimet e gjera të popullit shqiptar) në mënyrë diplomatike e kundërshtoj alternativën e republikës, duke deklaruar se ”republika nuk është shkop magjik e as i vetmi faktor që mund t´i zgjidh të gjitha problemet”, dhe konkludoi se ”zgjidhja e statutit të Kosovës dhe sigurimi i të drejtave të plota të krahinës duhet të realizohet brenda kuadrit të RS të Serbisë! Me këtë ”sugjerim” Titoja i mbylli diskutimet në rrugë legale për statusin e republikës.

Dyftyrësia e Fadil Hoxhës

Kundërshtimi i kreut jugosllav, i sinjalizoi qartë strukturat politike në Kosovë, për luftimin e opcionit të Republikës me të gjitha mjetet. Burokracia politike shqiptare, e cila deri në vitin 1966 qe zbatuese e verbët e politikës shoviniste të Rankoviqit, në këto rrethana për të dëshmuar lojalitet dhe basnikri të plotë ndaj politikës së reklamuar të Titos, për Socializmin Vetqeverisës, për vëllazërim - bashkimin e plotë e të slloganeve të tjera, doli hapur kundër kërkesës për Republikë.
Dy qëndrime të Fadil Hoxhës (Kryetar i Komisionit) duket se e vërtetojnë këtë përfundim. Më 22 prill 1968 në mbledhjen e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës F.Hoxha deklaron: ”Gjatë disa mbledhjeve të zhvilluara në Beograd, unë kam thënë se mospranimi i këtyre kërkesave (Kerkesa republikë - vërejtja ime) dhe propozimeve të tjera, të cilat sipas mendimit tonë janë shumë realiste dhe të domosdoshme do të na detyrojnë të kërkojmë mënyra tjera për të gjetur zgjidhje”. Ndërkaq, në tetor të atij viti, në një mbledhje të Kuvendit të Kosovës ai thekson: ”Ne nuk jemi të orientuar për republikën. As Komisioni, as faktorët tjerë politikë të Kosovës, të cilët mbi vete e kanë përgjegjësinë e plotë, e as faktorët tjerë jashtë Kosovës, nuk janë të orientuar për krijimin e republikës”!!
Me këto veprime, Fadil Hoxha dhe përgjithësisht politikanët shqiptar kanë dëshmuar qëndrimet e tyre të dyzuara, pavendosmërinë për t´i tejkaluar kornizat e autonomisë, dhe për t´u përballuar me guxim karshi presionit serb e jugosllav, në mënyrë që të zgjidhet për momentin çështja kombëtare nëpërmjet satusit të republikës. Fushata antirepublikë e zhvilluar nga strukturat autonomiste nuk u mirëprit në popull, e veçanërisht nga intelektualë e studentë, që vepronin në kuadër të organizatave politike ilegale të kohës. Deri në vitin 1968, ndonëse të gjitha grupimet politike ilegale kishin si synim të vetin - çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, pa hequr dorë nga nga ky qëllim, do të angazhohen edhe për jetësimin e opcionit të Republikës, të përfshirë këtu Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe kjo u konsiderua si shkalla e parë për realizimin e bashkimit kombëtar.

Demonstratat studentore të vitit 1968 në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare

Ndonëse viti 1968 njihet si vit i lëvizjeve studentore në Evropë, ku universitetet më të njohura të Francës, të Gjermanisë dhe të Anglisë u përfshinë në valën e trazirave studentore të së”majtës së re”,megjithatë ato nuk reflektuan aspak tek lëvizja studentore shqiptare e Kosovës,për faktin se lëvizja studentore evropiane kishte karakter social,ishte lëvizje shoqërore dhe synonte një rend më të mirë shoqëror, ndërkohë që lëvizja studentore e Kosovës kishte karakter kombëtar,karakter të rezistencës kundër një robërie të egër shekullore. Në qershor 1968 shpërthyen demonstratat studentore edhe në Beograd,të cilat ndonëse u përpoqën të manifestonin jehonën e demonstratave studentore të Evropës,ato u përshkuan me kërkesa ultranacionaliste e shoviniste. Në këto rrethana u planifikuan demonstratat studentore në Kosovë.

Kush i organizoi Demonstratat e tetorit 1968 në Prizren, në Therandë (ish – Suharekë) dhe në Pejë?

Në Kosovë demonstratat e inicuara nga grupimet e organizuara studentore, fillimisht shpërthyen në tetor, vazhduan në nëntor dhe përfunduan në dhjetor 1968. Demonstrata e parë, pas Luftës së Dytë Botërore, u organizua më 6 tetor 1968, në qytetin e Besëlidhjes shqiptare në Prizren. Vatër kryesore e saj ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike ”Xhevdet Doda” në këtë qytet. Në organizimin e demonstratës u shquan studentë, nxënës e arsimtarë të Gjimnazit: Meriman Braha, Isa Demaj, Pashk Laçi, Haxhi Maloku, Zymer Neziri, Gjergj Camaj, Shpresë Elshani, Simon Kuzhnini, Rafet Rama, Lemane Braha, Pjetër Dreshaj, Isë Morina etj, ndërsa u përkrahën edhe nga intelektualë, zejtarë të qytetit dhe fshatarë të fshatrave përreth.
Demonstruesit e grumbulluar në afërsi të SHLP - ”Xhevdet Doda”, tek vendi Qafa e Pazarit (tani Qafa e Kishës), të prirë nga flamuri kombëtarë, që mbanin lartë vajzat Shpresë Elshani dhe Lemane Braha, marshuan në drejtim të sheshit ”Shadërvan” dhe kaluan rrugës kryesore duke brohoritur parullat: ”Rroftë flamuri kuq i e zi!”, ”Rroftë populli shqiptar!”, ”Duajm Universitet!”, ”Duam barazi!” dhe Kosova Republikë!”. Masa e demonstruesve që tashmë kishte arritur në rreth 3 mijë vetë, pas paraklalimit rrugëve të qytetit u grumbulluan në sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Para demonstruesve në shesh, organizatorët: Meriman Braha, Isa Demaj e Zymer Neziri shpalosën Flamurin Kombëtar, ndërsa Haxhi Maloku e mbante në duar me krenari. Pasi iu bënë nderime drejtuesve të LSHP-së, Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit, para shtatoreve të tyre, u lexua edhe një letër ku u paraqitën synimet e popullit shqiptar, që të jetojë i lirë si popujt e tjerë; t´i gëzojë të gjitha të drejtat ashtu si popujt tjerë në Federatë; të flasë lirisht kudo gjuhën e vet shqipe dhe t´i përdorë lirisht simB*l*t e veta kombëtare; të shkollohet në gjuhën amtare nga fillorja e deri në universitet; të ketë punë edhe për shqiptarët, në administratë të përdoret gjuha shqipe etj. Masa e tubuar për të manifestuar kërkesat për barazi kombëtare, nga sheshi i lidhjes, marshuan rrugëve të qytetit për t´u kthyer mëpastaj sërish në sheshin e selisë së LSHP-së dhe nga aty u shpërndanë të qet. Gjatë tërë kohës, demonstruesit ishin nën vëzhgim të forcave të mëdha policore, të cilat për të mos eskaluar situata në përmasa të paparashikueshme, nuk intervenduan për shpërndarjen e tyre. Pas kësaj demonstrate u arrestuan disa nga organizatorët e saj, të cilët pasi u mbajtën 2-3 javë në izolim u liruan, me qëllim që të mos i jepet publicitet kësaj ngjarje të madhe historike.
Një demonstratë e ngjashme me këto kërkesa, dy ditë më vonë (8 tetor) u organizua edhe në Suharekë, nga veprimtarët: Hamëz Morina, Haxhi e Ajshe Bajraktari etj. Ndërkaq demonstrata e tretë u mbajtë më 27 tetor 1968 në Pejë. Organizatorë të demonstratës ishin: Skënder Kuçi, Isa Demaj, Zyber Neziri, Ramadan Blakaj, Xhemail Gashi etj, të cilët për të qenë pjesmarrja sa më masovike në demonstratë shkruan dhe shpërndanë një thirrje drejtuar popullit. Ditën e caktuar, në orën 14 nxënësit dhe studentët e Shkollës së Lartë ekonomike-Komerciale në Pejë, u brumbulluan në oborrin e shkollës Normale ”Ali Kelmendi”. Aty iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës bujqësore ”Boris Vukmiroviq”. Nga kjo qendër shkollore që gjindet në Vitomiricë, demonstruesit, duke ju prirë i riu Skënder Kuçi me flamurin kombëtar në dorë, marshuan rrugës që vjen prej Mitrovicës në drejtim të Pejës, e cila të shpien në qendër të qytetit.
Gjatë rrugëtimit, demonstruesit u përpoq t´i ndalonte Kryetari i Komitetit të Lidhjes së Rinisë së Pejës Lekë Vuksani, por nuk pati sukses. Një pjesë e demonstruesve, ndërkohë shkuan në tregun e qytetit dhe ju bënë thirrje tregëtarëve që t´i bashkohen demonstratës. Me këtë rast tregu u boshatis dhe të gjithë u solidarizuan me studentët dhe nxënësit. Në ato momente numri i demonstruesve arriti në rreth 7 mijë veta. Kjo masë demonstruesish në orën 15 u grumbulluan në sheshin e qytetit, përpara Kuvendit të Komunës dhe aty mbi çoshkun e “Rilindjes” (që ishte përskaj ndërtesës së Komunës) përreth 20 minuta e mbajti një fjalim S.Kuçi. Më pastaj edhe 2-3 të rinjë tjerë hipën përmbi çoshk dhe brohoritën parulla për: flamurin, për Kushtetutën, për Republikën, për universitetin etj dhe masa e tubuar me ovacione të vazhdueshme i përsëriste këto parulla. Meqenëse demonstrata ishte paqësore dhe s´pati dëme materiale, formacionet e policisë edhe pse të përgatitur me të gjitha paisjet për intervenim, nuk patën urdhër për shpërndarjen e demonstruesve, nga frika e eskalimit të situatës në përmasa të paparashikueshme. Me demonstratën e Pejës u përmbyllë cikli i parë i demonstratave shqiptare, të cilat pushteti, duke dashur t´i minimizojë ato, organizatorët e saj nuk i dënoi shumë, përveçse me disa ditë burg për kundërvajtje.

Kush e përbënte ”Komitetin e Studentëve”, i cili përgatiti demonstratat e nëntorit 1968 ?

Vazhdimi i demonstratave në muajin nëntor 1968 shënon artikullim më të zëshëm të kërkesës për vetëvendosje të shqiptarëve. Grupin e organizatorëve të demonstratave të nëntorit 68, që do të quhej “Komiteti i demonstratave” e përbënin studentë të fakulteteve të Prishtinës. Anëtarë të këtij grupimi ilegal politik ishin:

- Osman (Xhemail) Dumoshi, nga Prishtina - student i Fakultetit Teknik dega e Maqinerisë;
- Adil (Murat) Pireva - nga Lupçi i Poshtëm komuna e Podujevës, gazetar student me korrespodencë i Fakultetit Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;
- Selatin (Ismail) Novosella - nga Vushtrria me vendbanim në Prishtinë, student i Fakultetit Filozofik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;
- Ilaz (Ejup) Pireva - nga Lupçi i Poshtëm komuna e Podujevës - student i Fakultetit Teknik-dega e Maqinerisë;
- Xheladin (Jetish) Rekaliu - nga fshati Dobratin i Podujevës, student i Fakultetit Teknik-dega e Maqinerisë;
- Afrim (Ragip) Loxha - nga Peja, student i Fakultetit Teknik - dega e Maqinerisë;
- Skënder (Ismail) Muçolli - nga fshati Bajçinë i Podujevës, student i Fakultetit Teknik, dega e Ndërtimtarisë;
- Skënder (Ibrahim) Kastrati - nga fshati Karaçevë komuna Kamenicës, student i Fakultetit Ekonomik dhe
-Hasan (Hasan) Dërmaku - nga fshati Shipashnicë, komuna e Kamenicës, student i Fakultetit Filozofik - dega e Historisë.
Bërthama e këtij grupi formohet në qershor 1964, vetëm disa ditë pas zbulimit dhe arrestimit të organizatës atdhetare ”Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” LRBSH-së në krye me Adem Demaçin. Ky grup, duke pasur parasysh pasojat e burgosjeve të anëtarëve të LRBSH-së, fillimisht veprimtarinë e tij e përqëndroi në ngritjen ideopolitike, përmes leximit të veprave të ndryshme letrare e historiografike, përmes zhvillimit të debateve për çështje të ndryshme politike dhe pas një periudhe tri vjeçare, në gusht 1967 nis veprimtarinë konkrete në mënyrë të organizuar. Ky grup politik (fillimisht i paemërtuar) me rastin e riorganizimit më 1967, fushëveprimin e vet e përcaktoi duke u bazuar në programin dhe statutin e LRBSH-së, ashtu sikurse të gjitha grupet dhe organizatat tjera të mëvonshme, edhe pse mbanin emra të ndryshëm, programet do t´i kenë të njëjta, të LRBSH-s. Dhe jo rastësisht është thënë se të gjitha organizatat politike ilegale të asaj kohe, ishin vazhdim-transformim i organizatës së Adem Demaçit.

Si u morë vendimi për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës më 27 nëntor 1968 ?!

Gjatë periudhës gusht 1967 - gusht 1968, kur Kosova dhe viset tjera shqiptare jetonin nën ankthin e debatit publik për ndryshimet kushtetuese, ky grup dhe shumë intelektualë të tjerë atdhetarë u kyqën aktivisht në avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës. Në mbledhjet e tyre të shpeshta që mbaheshin në shtëpitë e Osman Dumoshit, të Selatin Novosellës dhe të Adil Pirevës, grupi me seriozitetin më të madh i analizonte rrethanat politiko-shoqërore dhe reagimet e pushtetit serbo-jugosllavë dhe të burokracisë politike shqiptare, kundër vullnetit të Shqiptarëve për të qenë të barabart, në kuadër të federatës jugosllave. Në varshmëri me situatën e krijuar, asokohe grupi i studentëve pas një sërë takimesh në fshatrat Lupç i Poshtëm dhe Bajçinë të Llapit dhe zhvillimit të një ankete gojore me të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, hodhën idenë për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës. Gjatë mujave shtator, tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1968 grupi politik i studentëve që tanimë do të emërtohet me emrin ”Komiteti i Demonstratave”,i bëri të gjitha përgatitjet për organizimin e demonstratave.
Rol të rëndësishëm në organizimin dhe orientimin politik të demonstratave të nëntorit 1968 kanë luajtur edhe atdhetarët: Ismail Dumoshi dhe Metush Krasniqi, të cilët qëndruan në prapaskenë (me insistimin e Osman Dumoshit) me qëllim që të ruheshin nga burgosja, për të vazhduar aktivitetin e tyre pa u hetuar nga UDB-a. Në një takim të mbajtur më 16 nëntor 1968 në shtëpinë e Osman Dumoshit, ku morën pjesë: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Adil Pireva, Ilaz Pireva, Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli, është vendosur që më 27 Nëntor 1968 të organizohen demonstrata në disa qytete të Kosovës, si në: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan. Të pranishmit morën detyra që të përfitojnë sa më shumë nxënës dhe studentë për pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. Më 16 Nëntor 1968 Adil Pireva ka shkruar edhe një thirrje për demonstratë në vargje me titull: ”Eni në demonstratë”. Në Prishtinë është vendosur që demonstrata të filloi nga Fakulteti Filozofik.
Pas aktivitetit një javorë, më 23 Nëntor grupi takohet në shtëpinë e Selatin Novosellës, ku marrin pjesë edhe Xheladin Rekalu dhe Hasan Dërmaku dhe secili raporton për “aktivitetin e vet në përgatitjen e demonstratave”. Në këtë takim u vendos gjithashtu që të shkruhen parollat: ”Duam vetëvendosje”, ”Askush të mos luaj me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, ”Viset e banuara me shqiptarë t´i bashkohen Kosovës”, ”Për të drejtat tona gjakë do të derdhim”, ”Në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, ”Duam Republikë” etj, të shumëzohen ato; të shkruhet një fjalim (që do të lexohet para demonstruesve); të sigurohen flamujë kombëtar etj. Dhe ky takim rezultoi me detyra konkrete: Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku dhe Adil Pireva morën përsipër që të përpilojnë fjalimin; Skënder Muçolli dhe Ilaz Pireva t´i shkruajnë parollat sipas propozimeve të bëra në mbledhje; ndërsa Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli u caktuan si roje e atyre që do ta lexojnë fjalimin para demonstruesve. Përveç këtyre detyrave, Osman Dumoshi ka shumzuar edhe këngën ”Poshtë Padrona padrejtësia... ” të cilën ua shpërndau pjesëmarrësve me qëllim që të këndohet gjatë demonstratave.
Me qëllim të koordinimit, Komiteti i demonstratave angazhoi Xheladin Rekaliun dhe Ilaz Pirevën të kontaktojnë me grupin e Podujevës: Hamit Abdullahu, Hakif Sheholli, Sabit Syla, Hasan Shala etj; ndërsa Skënder Kastratin dhe Hasan Dërmakun të kontaktojë me grupin e Ferizajit: Ramadan Hazirin, Ismet Ramadanin, Hasan Abazin.... dhe grupin e Gjilanit: Rexhep Malën, Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin etj. Në këto takime, grupet u njoftuan edhe me platformën e organizimit të demonstratave.

Si u zhvilluan demonstratat e 27 nëntorit 1968, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Besianë (ish – Podujevë) ?!


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:46 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
1.Demonstrata në Prishtinë
Ndonëse masat e rinisë studentore dhe masat e gjera popullore ishin njoftuar për kohën dhe vendin e fillimit të demonstratave, që në orët e para të pasdites, përkundër forcave të mëdha policore të përqëndruara nëpër udhëkryqet kryesore të Prishtinës, ato ishin tubuar nëpër fushat sportive të qytetit, nëpër konviktet e studentëve, nëpë shkolla fillore dhe të mesme si dhe nëpër vende tjera publike, duke pritur çastin e filllimit të demonstratës. Ashtu siç ishte përcaktuar, demonstrata nisi në orën 16 e 55 minuta, para Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Deri në orën 17 masa e demonstruesve u rrit në rreth 8 mijë veta. Duke qenë në ballë të masës së grumbulluar, organizatorët e demonstratës dhe disa të rinjë me flamuj kombëtar, kolona fillloi marshimin nëpër rrugën: Marshali Tito” në drejtim të qendrës së qytetit.
Demonstruesit, mbanin në duar shumë transparente me parulla të shkruara si:
”Duam vetvendosje deri në shkëputje”,
”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”,
”Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën”,
”LNÇ-ja nuk na solli lirinë!”,
”Duam Kushtetutë!”,
”Duam Universitet!”,
”Duam bashkimin e Preshevës... me Kosovën!”,
”Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim!”,
”Askush të mos luaj me fatin tonë!”,
”Në një dorë kazmën, në një dorë pushkën!”...
Para qendrës së studentëve, tash rektorati i Universitetit të Prishtinës, demonstruesit u përballën me kordonin e policisë dhe gjatë përleshjeve masa e demonstruesve e shpërtheu bllokimin. Pas kësaj fitoreje, masa vazhdoi marshimin rrugës krysore duke brohoritur e kënduar këngën: ”Bashkohuni, bashkohuni!... Ejani mblidhuni këtu, këtu, këtu...!” Masa e demonstruesve pas parakalimit nëpër rrugën kryesore, përgjatë ndërtesës së Kuvendit Krahinor, u grumbullua në platonë (sheshin) përpara Tetarit Popullor. Me këtë rast Osman Dumoshi dhe Skënder Kastrati që të dy ideatorë të kësaj demonstrate u ngjitën mbi kioskën ”Optika” dhe lexuan një fjalim para masës së tubuar.
Masa e demonstruesve leximin e referatit e priti me ovacione duke brohoritur parollat:
”Duam Republikë!”,
”Republikë, republikë!”,
”Duam-vetëvendosje!”,
”Vetëvendosje-vetëvendosje!”,
”Republikë-Kushtetut”,
”Kushtetut-kushtetut!”,
”Duam Universitetë!”,
”Universitet, universitet!”etj.
Masa, me të përfunduar referati, zuri të lëvizte rrugës kryesore drejt Kuvendit Krahinor dhe me këtë rast qyteti buçiste nga brohoritjet për vetvendosje deri në shkëputje, për Republikën e Kosovës, për Kushtetutën, për Universitetin... dhe nga këngët atdhetare:
”Frynë murlani me stuhi
Qielli ç´bubullonte,
Nën flamurin kuq e zi
Skënderbeu luftonte...”,
”Besa besë, besën ta kam dhënë
për Kosovën jetën ka me dhanë!...”.
Masa e demonstruesve që kishte arritur në disa mijëra vetë, u ndalë para ndërtesës së Kuvendit Krahinor, e cila ishte e rrethuar nga kordonet e policisë të paisur me automatik dhe me helmeta në kokë. Me këtë rast masa kërkonte t´ju fliste Fadil Hoxha ose do të hynin me dhunë në objekt të Kuvendit. Ndërkohë masa e revoltuar brohoriti parulla kundër burokracisë politike si:
”Poshtë burokracia!”,
”Poshtë tradhëtarët!”,
”Poshtë Veli Deva!”,
”Rroftë Klasa punëtore!”,
”Rrofshin minatorët”,
”Rroftë fshatarësia”,
”Rroftë rinia”,
”Poshtë Fadil Hoxha”,
”Rroftë vëllazëria shqiptare”...
Para Kuvendit Krahinor, forca të mëdha policore dhe njësitë e zjarrëfikësve, me qëllim të shpërndarjes i sulmuan demonstruesit me shkopinjë gome e vrushkuj uji, ndërsa demonstruesit iu kundërvunë me gurë të kalldermit. Me këtë rast policia e kishte izoluar një numër demonstruesish afër ëmbëltores ”Pçella” (Bleta), përballë ndërtesës së Kuvendit Krahinor dhe i rrihte pamëshirë me shkopinjë gome e me shqelma. Në ato momente një grup tjetër demonstruesish arritën t´i marrin në duar të veta cisternat e zjarrfikësve dhe me ujin e ftoftë sulmuan policinë dhe i nxorën nga rrethimi demonstruesit tjerë. Policia në këto rrethana tërhiqet dhe gjatë tërheqjes kishte mundur t´i ndajë nga turma disa demonstrues, të cilët edhe i arrestuan. Pas këtyre përleshjeve, ku pati edhe shumë të lënduar nga të dya palët, masa e demonstruesve me buçima këngësh e brohoritjesh, vazhdoi demonstrimin nëpër rrugën kryesore, në drejtim të Fakultetit Filozofik.
Mbi një tarac përpara ndërtesës së Fakultetit Filozofik (ku u rikthyen sërish demonstruesit) u zhvillua një tribunë popullore. Aty shumë oratorë folën për vuajtjet e popullit shqiptar nën robërinë serbo (jugo)sllave, për krimet që kishin bërë ata, qysh prej vitit 1912 mbi popullin tonë, për historinë e qëndresës shqiptare kundër kësaj robërie mesjetare etj. Më pastaj u nderuan edhe dëshmorët: Shaban Shala e Fazli Gajçevci, si dhe u fol me pietet për simbolin e qëndresës shqiptare Adem Demaçi, i cili atëkohë vuante dënimin prej 15 vjetësh, nëpër kazamatet serbe, së bashku me shumë të burgosur tjerë. Demonstruesit me të dëgjuar emrin e Adem Demaçit filluan ta kërkojnë lirimin e tij nga burgu, duke brohoritur:
”Rroftë Adem Demaçi”,
”Rroftë Kadri Halimi”,
”Duam lirimin e të burgosurve politikë”...
Strukturat e burokracisë plitike për t´i bindur demonstruesit se duhej të shpërndahen,me qëllim të qetësimit të situatës, kishin caktuar Ismail Bajrën për të biseduar me ta. Ai për t´i shqyrtuar kërkesat e shtruara përmes bisedimeve, kërkojë nga demonstruesit që të formohet një Kryesi të tyre, mirëpo masa e tubuar njëzëri ju përgjigjë se ”Të gjithë jemi kryesi!....”të gjithë jemi kryesi!” Kur pushoi së foluri z.Bajra, filloi të buças zëri i demonstruesve për lirimin e shokëve të burgosur, gjatë këtij demonstrimi. Me brohoritjet ”Lironi shokët, lironi shokët”, masa e tubuar nisi marshimin në drejtim të burgut famkeq të Prishtinës. Nga udhëkryqi, përballë shtëpisë së vjetër të mallrave, masa mori rrugën në drejtim të shtëpisë së armatës (APJ) dhe u grumbulluan para hotelit”Avalla”, në afërsi të burgut. Forcat policore për ta shpërndarë masën e tubuar përdori gazin lotësjellës, shkopinj gome dhe armë zjarri. Në ndihmë të policisë me këtë rast kishin ardhur edhe ushtria. Gjatë kësaj përleshjeje nga breshëritë e plumbave që vinin nga banesat e ballkoneve shtetërore,që gjendeshin mbi hotelin”Avalla”, vritet i riu 17 vjeçar Murat Mehmeti, nxënës i shkollës së mesme teknike në Prishtinë dhe u plagosën shumë të tjerë.
Pas këtij sulmi barbarë nga ana e policisë dhe ushtrisë, masa tërhiqet në mënyrë të çrregullt (kaotike) në drejtim të Kuvendit Krahinor, shkojnë deri te shkolla teknike dhe prej andej marshojne rrugës për t´u kthyer sërish rreth orss 22 të mbrëmjes në oborrin e Fakultetit Filozofik. Gjatë rrugëtimit, masa e revoltuar nga gjakderdhja e shkaktuar, duke brohoritur parullat:
”Gjakatarët-gjakatarët”,
”Barbarët,barbarët”,
”Ja vdekje-ja liri! Më mirë vdekje se robëri”,
”Hakmarrje, hakmarrje”!... i rrotulluan disa automjete dhe me gurë thyen dhjetra vitrina të shitoreve shtetërore.
Në sheshin e Fakultetit Filozofik, pasi u nderua me një minut heshtje dëshmori i sapo rënë i lirisë Murat Mehmeti, para masës folën shumë oratorë nga radhët e studentëve, nxënësve, punëtorëve, minatorëve, fshatarëve etj, të cilët shfryn mllefin e tyre kundër pushtetit titist serbo(jugo)sllavë. Për të qetësuar studentët, me kërkesën e strukturave pushtetore, para masës paraqitet edhe prof.Mark Krasniqi, i cili u bëri thirrje demonstruesve që të shpërndahen, por masa nuk e përfilli kërkesën e tij. Duke brohoritur parulla tani më të njohura dhe duke kënduar këngë të ndryshme patriotike, një pjesë e demonstruesve qëndruan në platonë e Fakulteti Filozofik, deri në orën 3 të mëngjesit, të datës 28 nëntor 1968. Atë mëngjes kur populli shqiptar ishte përgatitur ta festoj ditën e Flamurit, Prishtina ishte vënë në një shtetërrethim të plotë ushtarako-plicor!!

2. Demonstrata në Ferizaj

Demonstrata e dytë për nga fuqia dhe intenziteti u zhvillua në Ferizaj, në orët e para të mesditës së 27 nëntorit 1968. Atë ditë ndonëse ishte ditë tregu në qytet, masa e demonstruesve, të cilën e përbënin nxënës të shkolllës së mesme ”Hivzi Sylejmani”, studentë, punëtorë e fshatarë, lëvizi nga shumë drejtime për në qendër të qytetit… Afër shtëpisë së kulturës, kolonës së demonstruesve u doli përpara Sinan spra , kryetar i Komitetit Komunal të LK të Feizajt, i cili kërkojë që të mos marshojnë në drejtim të qendrës së qytetit, por masa nuk e dëgjon dot. Në këtë situatë një kordon i policisë përpiqet t´i pengojë demonstruesit, por nuk patën sukses. Para demonstruesve (mbi 3 000 veta) të cilët u mblodhën në platonë para ndërtesës së Kuvendit Komunal, mbajti një fjalim veprimtari Ismet Ramadani. Gjatë tërë kohës masa e tubuar brohoritën parulla: ”Duam vetëvendosje!”, ”Kosova Republikë!”, ”Barazi-Liri!”, ”Duam Kushtetut!”, ”Duam Universitet!”.. .Ndërkohë forcat policore të ndihmuar nga ekipi i zjarëfikësve, intervenuan për t´i shpërndarë demonstruesit, mirëpo masa e revoltuar u mbrojtën, duke hedhur gurë dhe gjësende tjera të forta në drejtim të tyre. Meqë përleshjet qenë të spra u lënduan dhjetra demonstrues dhe disa policë. Demonstrata në Ferizaj përfundojë rreth orës 16 dhe zgjati katër orë. Pas shpërndarjes të saj, shumica e pjesëmarrësve shkuan për t´ju bashkuar demonstratës në Prishtinë.

3. Demonstrata në Gjilan

Për organizimin e demonstratës në Gjilan, më 10 nëntor 1968 dy studentë të Komitetit të Demonstratave takohen me Rexhep Malën, Fatmir Salihun dhe Irfan Shaqirin, në këtë qytet. Në takim u caktuan detyrat rasparente e dhe teknike, të cilat duhej të kryheshin për mbarëvajtjen e demonstratës dhe masovizimin e saj. Që nga 21 nëntori grupi organizativ është takuar për çdo ditë në një strehimore (bunker) afër shtëpisë së Fatmir Salihut dhe aty kanë përgatitur parullat që do të barteshin në dorë nga demonstruesit…
Më 26 nëntor 1968 në shtëpinë e Rexhep Malës mbahet mbledhja e fundit e grupit dhe aty finalizohet mbarëvajtja e demonstratës. Në këtë demonstratë u dalluan nxënësit dhe studentët:
Vahide Hoxha-Braha,
Zija Shemsiu,
Fazli Abdullahu,
Xhavit Dërmaku,
Njazi Korça,
Ilmi Ramadani, etj.

Demonstrata filloi në orën 12:05 dhe parakalimi u bë nga shkolla e mesme ekonomike deri të stacioni i autobusve. Në ballë të demonstruesve, numri i të cilëve arrinte në rreth 2 mijë vetë, ishin organizatorët e demonstratës dhe flamuri kombëtar që e mbante në duar raspa Hoxha-Braha, ndërsa Mehmet Emini e mbante flamurin jugosllavë. Gjatë rrugëtimit demonstruesit brohoritën parullat, të cilat edhe i mbanin në duar të shkruara në rasparente:
”Duam Vetëvendosje”,
”Duam Kushtetutë”,
”Kushtetutë-Republikë”,
”Duam Universitet”,
”Duam barabarësi të gjuhës” etj.
Me qëllim të parandalimit, para masës së demonstruesve dolën aktivistët e Kuvendit komunal të LK të Gjilanit, mirëpo masa kishte marrë hovë dhe demagogjitë e tyre nuk mundën ta ndalin dot marshimin nëpër qytet. Meqë strukturat shtetërore dështuan, kundër demonstruesve paqësorë intervenuan forcat policore të paisur me shkopinj gome. Me këtë rast edhe demonstruesit ju kundërvunë me gurë dhe gjatë përleshjeve u lënduan shumë demonstrues por edhe disa “ruajtës të rendit”. Pas 4 orësh, demonstruesit u shpërndanë, ndërsa shumica prej tyre udhëtuan për të marrë pjesë në demonstratën e Prishtinës.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:48 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Referencat

1 A.Lalaj: Kosova - rruga e gjatë drejt vetvendosjes (1948-1981), Tiranë 2000, fq.137-140.
2 Pa vetvendosje – s´ka barabarësi, “Rilindja“, 19 gusht 1968; Vetëvendosja-pjesë përbërëse e mekanizmit vetqeverisës (po aty) 5 shtator 1968; Krahinës kompetenca më të mëdha (po aty) 6-8 shtator 1968; A.Lalaj - vepra e cituar, fq.188-189.
3 A.Lalaj, vepra e cituar, fq.283.
4 Konkluzionet e konsultës gjuhësore të 22-23 prillit të vitit 1968, mbajtur në Prishtinë, ”Përparimi” 1968, nr.3-4, fq.325-326.
5 K.Rexha- „Fati i luleve (Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla), Prishtinë 1993, fq.104. / A.Lalaj: vepra e cituar, fq.334.
6 F.Hoxha: Jemi në shtëpinë tonë, Prishtinë 1986. /”Kosovo, Past and Present”, Beograd 1989, fq.389 /A.Lalaj: Vepra e cituar, fq.335.
7 Dr.Z.Neziri: “Isa Demaj jeta dhe veprimtaria atdhetare, Prishtinë 2002, fq.179 Mr.E.Çeku: Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1941-1981,
Prishtinë 2003, fq.169. /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1884-1990), Gjakovë 1991, fq.504.
8 Dëshmi e Prof.Meriman Brahës dhënë autorit, në korrik 2001 në Prizren.
9 Dr.Z.Neziri: Vepra e cituar, fq.181-182 /Mr.E.Çeku: Vepra e cituar, fq.169.
10 Nga deklarata e Meriman Brahës dhënë autorit, në korrik 2001 në Prizren.
11. Demonstratat popullore të vitit 1968 në Kosovë dhe viset e saja, Zëri i Kosovës“-organ i LPRK-së, Nr.11/12, nëntor-dhjetor 1988, Zvicër, fq.9-10.
12 Po aty
13 A.Pireva: vepra e cituar, fq.38-41.
14 Po aty
15 Po aty
16 Mr.E.Çeku: Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë 2003, fq.170.
17 Sabri Novosella: Flijimi për ëndrrën e lirisë (Rrëfim) Zëri 26 dhjetor 1996, fq.22.
18 Aktgjykimi K.nr.23/69 Gjyqi i Qarkut Prishtinë, fq.3.
19 A.Pireva: vepra e cituar, fq.7
20 Aktgjykimi i cituar, fq.4.
21 A.Pireva: vepra e cituar, fq.53-55.
22 “Zëri i Kosovës“-Organi LPRK-së, artikulli i cituar... nr.11/12 nëntor-dhjetor 1988, fq.8.
23 Po aty
24 A.Pireva: Vepra e cituar, fq.fq.78.
25 Po aty
26 Po aty
27 Po aty
28 S.Novosella: artikull i ctuar, 4 dhjetor 2003, fq.9.
29 Po aty
30“Zëri i Kosovës“....artikulli i cituar, fq.8.
31 S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
32 Po aty dhe libri i cituar i A.Pirevës , fq.112.
33 Po aty
34 A.Pireva: vepra e cituar, fq. 113-115.
35 Po aty
36 Po aty
37 S.Novosella: Në 35 vjetorin e demonstratave të 68-tës, Kosova Sot, 3 dhjetor 2003, fq.9
38 “Zëri i Kosovës“….artikulli i cituar, fq.9.
39 Nga biseda e autorit me Irfan Shaqirin, 15.XI.2004
40 ALK-„Kosovapres“ Prishtinë 28 mars 2001.
41 “Zëri i Kosovës“…artikulli i cituar,fq.9.
42 Po aty
43 Po aty
44 A.Lalaj-Kosova-rruga e gjatë drejt vetëvendosjes(1948-1981),Tiranë 2000,fq.361.
45 Arkovi i Kosovës, fondi i KK të LKK, Dosja: Mbledhja e Komitetit Krahinor, 28.XI.1968. /Mr.E.Çeku: vepra e cituar, fq.172
46 Gazeta”Rilindja”, 30 nëntor 1968 (raport nga mbledhja e KK të LKK-së), /A.Lalaj: vepra e cituar, fq.353.
47 Po aty
48 Aktgjykimi K.nr.23/69 i shpallur nga gjykata e qarkut në Prishtinë (7 prill 1969) fq.1-2.
49 Aktgjykimi i cituar, fq.1
50 Aktgjykimi i cituar, fq.2-3
51 A.Pireva: Gjashtëdhjetëeteta shqiptare, Prishtinë 1994, fq.175-176 52 “Zëri i Kosovës“... artikulli i cituar, fq.10.
53 B.Berisha: Çështja kombëtare shqiptare dhe “ultrakomunistët“shqiptar, Tetovë 1996, fq.192.
54 B.Berisha: Vepra e cituar, fq.192. /Selatin Novosella: Cilat ngjarje i paraprinë demonstratave në Tetovë, Kosova Sot, 8 dhjetor 2003, fq.9
55 Revista ”Koha” Prishtinë, mars 1991, /S.Novosella: Artikulli i cituar, fq.9
56 B.Berisha vepra e cituar, fq.196. /Revista ”Koha” Prishtinë, mars 1991
57 B.Berisha, vepra e cituar ,fq.193, /S.Novosella, artikulli i cituar, fq.9
58 Revista ”Koha” ,Prishtinë, mars 1991 /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
59 B.Berisha: vepra e cituar, fq.197, /Revista “Koha” Prishtinë mars 1991. /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
60 “Zëri i Kosovës“… artikulli i cituar, fq.10
61 Po aty
62 Po aty
63 B.Berisha: Vepra e cituar, fq.198. /S.Novosella: artikulli i cituar, 9 dhjetor 2003, fq.9
64 Revista ”Koha”, Prishtinë mars 1991 /S.Novosella: artikulli i cituar, fq.9
65 Po aty, /“Zëri i Kosovës“, artikulli i cituar, fq.10.
66 B.Berisha: vepra e cituar, fq.198.
67 “Zëri i Kosovës“…artikulli i cituar, fq.10.
68 Sot fillon gjykimi i organizatorëve të demonstratave të Tetovës, ”Rilindja” 1-3 qershor 1969.
69 A.Pireva: vepra e cituar, fq.176-177.
70 B.Berisha: vepra e cituar, fq.199-200.
71 N.Gjeloshi: “Kosova në udhëkryq 1989“, Itali 1997,


 
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » Roli Historik I Demonstratave Shqiptare Të Vitit 1968
Page 1 of 11
Search:

Copyright MyCorp © 2016