http://www.bysantral.com/hacked.jpg Rilindja Kombtare - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
Sa, 28-December-24, 3:57 AM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main Rilindja Kombtare - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Rilindja Kombtare
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:39 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Ne vazhden e pasqyrimit te historise se popullit tone, kjo teme i kushtohet Historise se Rilindjes Shqiptare sipas botimeve te Akademise se Shkencave te Shqiperise.

K R E U I

RILINDJA KOMBËTARE SHQIPTARE DHE
VEÇORITË E SAJ DALLUESE

Rilindja Kombëtare – një epokë e re historike

Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare të popujve të këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në këtë Perandori.

Megjithëse, për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare, krahasuar me vendet e tjera ballkanike, ajo, që në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria e Rumania.

Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.
Proceset e reja, që u shfaqën në jetën politike e kulturore të Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, shënuan fillimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë të tërë historike, shtrihet nga vitet 30-40 të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.
Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.

Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike.

Gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore e shqiptarëve, të formuara gjatë shekujve të parë të historisë së tyre e të konsoliduara veçanërisht në shekujt e mesjetës, mbetën një faktor i rëndësishëm, që shprehte njësinë etnike të popullit shqiptar, që shtrihej në një territor kompakt, dikur më të gjerë, por tashmë i rrudhur gjatë dyndjeve të popujve në Ballkan. Ky territor përputhej përafërsisht me truallin e banuar në lashtësi nga paraardhësit e tyre, ilirët e Jugut. Epoka e Rilindjes solli përparime të mëdha në kulturën e shqiptarëve e në radhë të parë në lëvrimin e gjuhës shqipe, e cila ishte dëshmi e bashkësisë së shqiptarëve, tipari themelor i kombit shqiptar, nyja qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët, pa dallim krahine e feje.

Në gjuhën shqipe u theksuan prirjet për afrimin e varianteve letrare të dy dialekteve (të veriut e të jugut) dhe u hodhën themelet e gjuhës letrare shqipe. Konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtroi si kërkesë të domosdoshme lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, të trashëguar nga shekujt e sundimit osman, që u shpreh në përpjekjet për vendosjen e një alfabeti të njëjtë dhe në zhvillimin gjatë shek. XIX të një letërsie të gjerë artistike, didaktike e publicistike. Gjatë Rilindjes u hodhën themelet e letërsisë dhe të kulturës së sotme shqiptare në tërësi. Në fundin e atij shekulli kultura e re kombëtare nuk ishte më aspiratë, por përbënte, me breza të tërë shkrimtarësh, mendimtarësh, publicistësh e dijetarësh të fushave të ndryshme, një realitet, i cili kishte provuar katërcipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar, si edhe vitalitetin e forcën e tij krijuese kulturore.

Përveç kësaj, mbi bazën e kulturës popullore, me variantet e nënvariantet e shumta, morën shtrirje të gjerë mbarëshqiptare elemente të rëndësishme të fushës materiale e shpirtërore, të mënyrës së jetesës, të veshjeve, të veglave të prodhimit, të ndërtimeve, të krijimtarisë artistike (të folklorit etj.), të cilat u bënë pronë e përbashkët e gjithë popullit.

Në zhvillimin e mëtejshëm të kombit dhe të nacionalizmit shqiptar, si në çdo vend tjetër, ndikuan edhe ndryshimet që ndodhën në jetën ekonomike të Shqipërisë qysh në shek. XVIII e sidomos në shek. XIX. Në këtë periudhë, kur zhvillohet procesi i shthurjes së mëtejshme të feudalizmit dhe i lindjes së ekonomisë së tregut, kur forcohen lidhjet e komunikacionit, ato ekonomike e tregtare ndërmjet qytetit e fshatit dhe ndërmjet qyteteve, si edhe ato ndërkrahinore, kur formohet një treg i përbashkët kombëtar dhe zgjerohen lidhjet tregtare të Shqipërisë me shtetet evropiane, vendin e ndjenjave të izolimit e të partikularizmit të ngushtë, krahinor e provincial, e zunë ndjenjat e interesave të përbashkët të të gjithë kombit e të territoreve të banuara prej tij. U rrit roli i qyteteve, jo vetëm si qendra të administratës osmane, por edhe si qendra të jetës ekonomike e politike të Shqipërisë.

Këto zhvillime, që ndodhën gjatë Rilindjes, sollën forcimin e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët, që u shpreh me vetëdijen e tyre të përbashkët për përkatësinë në të njëjtën etni, në të njëjtin komb, komb që jetonte në një territor të përbashkët, që kishte prejardhje, gjuhë, zakone, formim shpirtëror, kulturë e histori të njëjtë dhe që dallohej nga të tjerët. Këto elemente kishin fituar qëndrueshmëri si rrjedhim i qëndresës shekullore të popullit shqiptar për t’i mbrojtur nga pushtuesit e huaj e sidomos nga ata osmanë; ato u ruajtën e u trashëguan nga shqiptarët edhe në epokën e Rilindjes.

Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Thelbin e saj e përbënte lufta kundër shtypjes kombëtare, jo vetëm me mjete materiale, të armatosura, por në radhë të parë me ato intelektuale, me idetë që argumentonin të drejtën e natyrshme njerëzore të popullit shqiptar për të qenë i lirë e i pavarur kombëtarisht. Ashtu si te popujt e tjerë, kjo do të arrihej vetëm me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar. Këto ide, të përhapura gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpërmjet librave e shtypit, u futën dora-dorës edhe në mendjet e njerëzve të thjeshtë, ndihmuan në formimin te populli shqiptar të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare, e cila mishëronte vullnetin e gjithë kombit.

Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Por këto lëvizje, edhe pse kishin karakter çlirimtar, mbetën prej fillimit deri në fund lëvizje të veçuara e të palidhura ndërmjet tyre. Epoka e Rilindjes krijoi kushtet për bashkimin e tyre, për t’i kanalizuar ato në hullinë e lëvizjes kombëtare. Megjithatë, lëvizje organizativisht të veçuara e pa lidhje me njëra-tjetrën pati edhe gjatë Rilindjes.

Ato dëshmonin se ndërgjegjja kombëtare nuk kishte arritur ende kudo pjekurinë në shkallën e duhur. Konsolidimi i ndërgjegjes kombëtare kaloi përmes një rruge të vështirë, duke kapërcyer prirjet e lokalizmit, të separatizmit patriarkal feudal, të trashëguara nga e kaluara. Të zhvilluara në rrethanat e reja, që u krijuan në shek. XIX, këto kryengritje të shtresave të ndryshme të popullsisë morën tipare të reja, filluan të karakterizohen nga ndjenja e bashkësisë së interesave të të gjithë shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë. Ato u shkrinë dora-dorës në lëvizjen e përgjithshme kombëtare dhe u bënë pjesë e saj.

Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore, që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake në shkallë të gjerë, u kalua në formimin e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare, siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek. XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e fundit të Rilindjes. Themelimi i organizatave të tilla udhëheqëse diktohej si nga shtrirja e njëkohshme e lëvizjes në mbarë trevat shqiptare, ashtu edhe nga karakteri i përgjithshëm kombëtar i objektivave të saj gjatë Rilindjes.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:40 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Programi politik i Rilindjes

Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan dy pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve.

Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane.

Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist.

Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912.

Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre.

Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje.

Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Forcat shoqërore të lëvizjes kombëtare

Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re, e cila shënoi një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare, edhe nga përbërja e forcave shoqërore që e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës së huaj bëheshin, si rregull, në emër të një njësie politiko-administrative të veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare. Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të kufizuara dhe me karakter lokal.
Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore, krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin e forcave më të ndryshme shoqërore të kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi të vetëm.

Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli ndryshime në strukturën shoqërore të vendit. U formua borgjezia kombëtare si një forcë e re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të para. Si një forcë që ishte e interesuar si për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu edhe për krijimin e kushteve për sigurimin e personit e të pronës dhe për zhvillimin e ekonomisë së tregut në përgjithësi, borgjezia, në radhë të parë intelektualët e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol të rëndësishëm si në përpunimin e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe në drejtimin e saj.

Inteligjencia, e cila vinte jo vetëm nga radhët e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë, zuri një vend të veçantë për nga roli i saj në lëvizjen kombëtare të periudhës së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në përgjithësi, përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes, programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në të gjitha etapat e Rilindjes. Nga radhët e saj dolën edhe mjaft nga themeluesit e drejtuesit e organizatave kombëtare që udhëhoqën lëvizjen nacionale.

Në një vend si Shqipëria, ku bujqësia vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin pronarët çifligarë, të lidhur me pronën mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale, që përfaqësonin një shtresë konservatore, e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve ekonomike e politike në vend.
Përveç kësaj, çifligarët e rinj ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi t’u kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe të veçanta të kësaj force shoqërore u përfshinë në programin kombëtar shqiptar dhe luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes, kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë të Rilindjes.

Për bashkimin politik të të gjitha forcave shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm, ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit) në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve në marrëdhëniet agrare, në administratë dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin e drejtuesve të administratës lokale (që vinin nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët u vendosën në krye të administratës civile e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore të lëvizjes kombëtare.

Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes e përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare, të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese të popullsisë. Një vend të veçantë zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut. Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve, të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit, ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm në formimin më të shpejtë politik të bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe me qëndrimet e tyre të herëpashershme në atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt nga gjendja ekonomike me ta.

Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë, me luftën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë së territoreve të saj, ishte një front i gjerë, i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore. Në krye të saj dolën përfaqësues të borgjezisë, të inteligjencies, të çifligarëve (të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë të veçantë të parisë, klerikë atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën një varg i tërë mendimtarësh (që vinin sidomos nga inteligjencia), që u bënë udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë, ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes kombëtare.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:43 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Karakteri demokratik dhe antifeudal i Rilindjes

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë dhe kundër administratës së tyre shtypëse. Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët rilindës kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.

Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte në vetvete një masë demokratike, e cila i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Përveç kësaj, lëvizja kombëtare drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore, kundër parisë gjysmëfeudale turko-osmane (me sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar e ata joturq në tërësi. Kjo luftë, që i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë sistemit ekonomik e politik gjysmëfeudal osman, e dobësoi atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.

Por, në një kuptim më të gjerë, fryma antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në programin e saj, në lëvizjen kulturore, në luftën për lirinë e shkollës e të shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare, që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit ekonomik e kulturor.
Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte në radhë të parë çështjen nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte për zgjidhje edhe çështjen e tokës. Për këtë ndikuan një varg faktorësh, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendet fqinje të Ballkanit.

Në këto vende (në Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik, por edhe si pronare e pjesës më të madhe të tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane, ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë. Kështu që në këto vende konflikti nacional ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta u shkrinë në lëvizjen kombëtare të këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë asaj në të vërtetë, megjithëse jo në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana të tjera shoqërore dhe në një kuadër tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën fe që kishte shumica e popullsisë së vendit. Për më tepër, një pjesë e tyre u përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët. Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar, ishin fshatarë të lirë individualë të zonave malore e kodrinore.

Ata nuk ishin nën varësinë social-ekonomike të pronarëve çifligarë, por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta fshatarë individualë u ngritën kundër kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike të Portës së Lartë, kundër politikës së egër fiskale, kundër shërbimit të detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve që bashkëpunonin me ta për çlirimin e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi, i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve e parisë gjysmëfeudale, por në ato raste kur këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për shtypjen e kryengritjeve.

Në zbehjen e konflikteve sociale dhe të luftës për tokën ndikoi edhe një faktor tjetër i natyrës politike. Në kushtet kur në Shqipëri sundonte një regjim mesjetar e despotik pushtues, me tiparet më të shëmtuara të dhunës ekonomike e politike (siç ishin taksat e rënda, diskriminimi politik, që arrinte deri në mohimin e vetëqenies së kombit shqiptar, ndalimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në shkolla, mungesa e të drejtave më elementare njerëzore, madje edhe masakrimi i popullsisë shqiptare me anën e ekspeditave ndëshkimore), dilnin në plan të parë kontradiktat nacionale midis popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë.

Në këto rrethana nuk mund të shtroheshin për zgjidhje problemet ekonomiko-shoqërore të luftës kundër shtypjes gjysmëfeudale, duke përfshirë edhe çështjen agrare, të tokës; kështu Rilindja mori tërësisht karakterin e një lëvizjeje që duhej të zgjidhte, në radhë të parë, çështjen më të mprehtë politike, atë kombëtare, të zhdukte robërinë osmane, duke krijuar një shtet autonom ose të pavarur shqiptar. Si rrjedhim, aspiratat ekonomiko-shoqërore të fshatarëve dhe posaçërisht ato për tokën nuk u përfshinë në programet e Rilindjes.
Megjithatë, lufta e fshatarësisë dhe e vegjëlisë së qytetit kundër sistemit të rëndë shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë të parë kundër taksave e detyrimeve të tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik, të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.

Iluminizmi

Iluminizmi ka qenë një lëvizje e borgjezisë evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX. Ai drejtohej kundër rendit feudal dhe kulturës së tij, kundër obskurantizmit mesjetar e të gjitha formave të ideologjisë së prapambetur dhe përpiqej për përhapjen e arsimit e të diturisë. Jehona e këtij iluminizmi të vendeve evropiane, ashtu si ajo e ideve të mëdha të Revolucionit francez të 1789-s dhe të revolucioneve të 1848-s që tronditën Evropën, u ndie edhe në Shqipërinë e atëhershme, u pasqyrua në ideologjinë dhe në programin e Rilindjes Shqiptare. Shumë nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (në mënyrë të veçantë ideologët e Rilindjes) ishin frymëzuar nga këto ide përparimtare të revolucioneve evropiane dhe patën nxjerrë mësime prej tyre. Të panumërt ishin gjithashtu shqiptarët, madje edhe disa nga rilindësit e njohur, që kishin marrë pjesë në revolucionet kombëtare të shteteve fqinje, në ato grek, rumun e serb, si edhe në revolucionet e vendeve të Evropës. Këta u bënë të ndërgjegjshëm se idetë e këtyre revolucioneve duhej të përhapeshin e të përqafoheshin edhe nga shqiptarët.

Rilindja shënoi një hapje ndaj kulturës përparimtare botërore nga më të mëdhatë që kishte njohur kultura shqiptare deri atëherë. Ishte koha kur kombi shqiptar vendosi lidhje më të dendura me idetë dhe kulturën përparimtare të popujve të tjerë, përfitoi nga thesari i kulturës së Perëndimit dhe sidomos nga Rilindja Evropiane, nga iluminizmi i saj. Pikërisht nën ndikimin e këtyre faktorëve të rinj u formuan mendimtarët, ideologët dhe iluministët shqiptarë të epokës së Rilindjes.
Përhapja e dijeve, e arsimit dhe e kulturës kombëtare, që përbënte një nga drejtimet kryesore të Rilindjes e të iluminizmit shqiptar, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një nevojë që shtronte zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor i vendit, si një kusht i domosdoshëm i përparimit material e shpirtëror të kombit shqiptar. Rilindësit e kuptuan këtë nevojë historike dhe iluminizmi i tyre i shërbente plotësimit të kësaj kërkese të shoqërisë shqiptare. Përhapja e kulturës dhe e arsimit kombëtar do të ndihmonin në emancipimin e popullit shqiptar nga fanatizmi, prapambetja, intoleranca e nga dasitë fetare, të mbjella nga sundimtarët osmanë.

Por iluminizmi shqiptar kishte disa tipare dalluese në krahasim me atë të vendeve të tjera, duke përfshirë këtu edhe vendet fqinje, që diktoheshin nga gjendja e kombit shqiptar në Perandorinë Osmane dhe nga politika e saj diskriminuese. Duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, qeveria osmane nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Si pasojë, sipas sistemit mesjetar e obskurantist të “miletit” (të kombësisë), të vendosur nga sulltanët osmanë, për turqit myslimani shqiptar, si i çdo kombi tjetër, ishte turk, ortodoksi grek e katoliku latin (italian).

Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake. Në qoftë se Turqia pranoi të hapej ndonjë shkollë e veçantë shqipe, këtë e bëri kur ishte e detyruar ose kur ia kërkonte interesi i çastit, madje priste rastin që t’i mbyllte ato. Prandaj, përhapja e arsimit dhe e kulturës kombëtare u bë një nga çështjet themelore të Rilindjes ndryshe nga ç’ndodhi, p.sh., në tokat greke e të kombeve të tjera ballkanike të Perandorisë Osmane, ku popullsisë i njihej e drejta të arsimohej në gjuhën e vet. Në këto kushte iluminizmi shqiptar nuk mund të mbetej thjesht një lëvizje kulturore. Iluminizmi e veçanërisht lëvizja për shkollën e për kulturën shqiptare mori karakter politik, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur obskurantiste, ku përfshiheshin edhe ato ide konservatore klerikale, që mbështeteshin në interpretimin qëllimkeq të dogmave të veçanta të doktrinave fetare të të gjitha besimeve. Ajo drejtohej edhe kundër politikës tradicionale të asimilimit e të turqizimit të shqiptarëve, që ndiqte prej shekujsh Perandoria Osman




 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:45 PM | Message # 4
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Jo Ne Linje

Postime: 2408

Rilindja Kombëtare
« Pergjigju #15 : 30-03-2008, 18:09:36 » Citim

--------------------------------------------------------------------------------
2. KRYENGRITJET KUNDËROSMANE NË VITET 30-40

Kryengritjet e vitit 1833

Reformat centralizuese të qeverisë osmane, që filluan të zbatoheshin në Shqipëri me dërgimin e nëpunësve civilë dhe ushtarakë turq, hasën në qëndresën e popullsisë shqiptare që nisi me moszbatimin e urdhrave për t’u shndërruar më pas në kryengritje të armatosur.

Pas dy kryengritjeve lokale, që shpërthyen në fillim të vitit 1833 në Kolonjë e në Dibër dhe që u shtypën nga qeveria turke, kryengritja mori një shtrirje të gjerë të panjohur në periudhat e mëparshme në zonën Berat-Vlorë-Delvinë-Çamëri.
Qeverisja arbitrare e Emin Pashës, i biri i Mehmet Reshit pashës, e mbështetur në një terror, si dhe orvatjet për zbatimin e reformës ushtarake ishin shkaqet e drejtpërdrejta që e kthyen pakënaqësinë e popullsisë në një kryengritje që u shtri në krejt Shqipërinë e Jugut. Në fillim të korrikut 1833 ngritën krye banorët e Tepelenës, të cilët shtinë në dorë qytetin. Kryengritja, që udhëhiqej nga Balil Nesho, u shtri në krahinat e Gjirokastrës e të Delvinës. Për shtypjen e saj Stambolli dërgoi forca të shumta osmane, të komanduara nga Emin Pasha.

Shumica e kryengritësve u vendos në Qafën e Peshkëpisë, ndërsa pjesa tjetër, e organizuar në çeta të vogla, u vendos gjatë rrugës për në Peshkëpi. Goditjet që këto çeta u dhanë forcave osmane dhe dezertimi i shumë ushtarëve shqiptarë, të rekrutuar me forcë, e vështirësuan gjendjen e qeveritarit osman. Por këtij i erdhi në ndihmë peshkopi ortodoks i Drinopojës (i Gjirokastrës), i cili, duke njohur mirë pozicionet e kryengritësve, i kaloi forcat osmane nëpër një grykë tjetër. Të papërgatitur për sulmin e befasishëm, kryengritësit luftuan me trimëri dhe, pasi lanë shumë të vrarë, u tërhoqën në fshatin Luzat, ku i shkaktuan Emin Pashës një shpartallim të plotë.

Të nxitur nga kjo fitore, u hodhën në kryengritje edhe banorët e qyteteve të Beratit e të Vlorës. Duke nisur si një kryengritje fshatare, ajo brenda një kohe të shkurtër u kthye në një lëvizje të të gjithë popullsisë, gjeti mbështetje të fortë në banorët e Beratit, të cilët rrethuan kështjellën. Kryengritja përfshiu gjithashtu krahinat e Tomoricës, të Skraparit e të Kurveleshit. Një pjesë e kryengritësve shkuan në ndihmë të forcave që kishin rrethuar kështjellën e Beratit, kurse pjesa tjetër zuri grykat e rrugët nga pritej të vinte ushtria osmane. Rrezja e kryengritjes u përhap në krahinat e Delvinës e të Çamërisë. Jehona e saj u ndje edhe në Shqipërinë e Mesme. Me kërkesën e banorëve të Elbasanit një pjesë e kryengritësve u hodh nga Berati në atë krahinë për t’i ndihmuar ata në luftën kundër administratës osmane.

Në këto rrethana Porta e Lartë, me shpresë se kryengritësit do të shpërndaheshin, e largoi Emin Pashën nga Shqipëria e Jugut. Por në mesin e shtatorit të 1833-it, nën goditjet e fuqishme të kryengritësve, ra kështjella e Beratit. Në qytetin e çliruar të Beratit, kuvendi i përfaqësuesve të të gjitha krahinave kryengritëse miratoi dy kërkesa themelore: t’u ngarkohej shqiptarëve drejtimi i krahinave kryengritëse dhe të uleshin detyrimet ndaj shtetit, duke zbritur në atë masë që paguhej në kohën kur pashallëku i Beratit qeverisej nga feudali shqiptar, Ahmet Kurt pasha.

Shtrirja e gjerë e kryengritjes, që fillonte nga Skrapari e Kurveleshi, në Myzeqe e në Vlorë e deri në Çamëri, e detyruan Portën e Lartë të hiqte dorë përkohësisht nga rekrutimi i ushtarëve nizamë, të shpallte amnistinë dhe të lejonte vendosjen e disa shqiptarëve si qeveritarë në kazatë e Beratit, të Vlorës, të Tepelenës, të Gjirokastrës e të Përmetit dhe emërimin e të tjerëve si komandantë në garnizonet e kështjellave të Beratit, të Gjirokastrës etj. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritjes, por jo e plotë. Të paformuara politikisht dhe me një udhëheqje pa përvojë, forcat kryengritëse u shpërndanë, duke besuar se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e tyre.

Po në vitin 1833 lëvizja kryengritëse përfshiu edhe Shqipërinë e Veriut. Vatra kryesore e saj u bë Shkodra, qyteti më i zhvilluar i vendit. Zbatimi i reformës ushtarake, abuzimet dhe grabitjet e administratës së re shkaktuan pakënaqësi te popullsia qytetare. Por shtresat e pasura të krishtera të qytetit, sipas porosisë së dhënë nga emisarët austriakë, që u kërkonin të mos bashkoheshin me popullsinë myslimane, nuk u përfshinë në lëvizje. Më 10 prill të vitit 1833 u dha kushtrimi për mbylljen e dyqaneve në tregun e Shkodrës. Rreth 4 000 veta të armatosur nga popullsia e qytetit dhe nga malësorët përreth zunë sheshin e qytetit. Në emër të kryengritësve një delegacion i dërguar nga ata kërkoi që veziri Ali Namik pasha të hiqte dorë nga zbatimi i reformave, nga dhuna e grabitjet dhe të vendoseshin rregullat që kishin qenë në fuqi në kohën e qeverisjes së vendit nga Mustafa pashë Bushatlliu.

Por thelbin e këtyre kërkesave e përbënte synimi për një qeverisje autonome të krahinës së Shkodrës. Duke parë fuqinë e revoltës dhe për të fituar kohë, qeveritari, Ali Namik pasha, premtoi se do të merrte parasysh kërkesat e të revoltuarve. Ndërkohë ai mori masa për shtypjen e saj. Më 7 gusht të vitit 1833 ai dërgoi një repart ushtarësh në tregun e qytetit për ta shtënë në dorë. Ky veprim çoi në përleshje të ashpra midis forcave osmane dhe njësive kryengritëse. Pabesia e qeveritarit e shtyti edhe popullsinë katolike të bashkohej me myslimanët. Pas kësaj lëvizja mori formën e një kryengritjeje. Më 8 gusht u organizua një kuvend, ku morën pjesë përfaqësues të lagjeve të qytetit. Kuvendi zgjodhi një Këshill të Përkohshëm, që riorganizoi forcat vullnetare dhe caktoi një delegacion që do të shkonte në Stamboll për t’u ankuar në emër të popullsisë së Shkodrës kundër qeveritarit të sanxhakut.

Kryengritja udhëhiqej nga një Këshill përfaqësues. Kjo ishte një formë e re organizimi që ndeshej për herë të parë në lëvizjen shqiptare. Këshilli përbëhej nga përfaqësues të parisë, të krerëve që ishin pasardhës të Bushatllinjve dhe të borgjezisë zejtare-tregtare të qytetit.
Ndërsa pritej përgjigjja nga Stambolli, Ali Namik pasha, duke thirrur në ndihmë edhe trupat që kishte mbledhur i biri në Ohër e në Elbasan, u orvat të shtypte me forcën e armëve kryengritjen qytetare. Mirëpo këto orvatje dështuan para qëndresës së forcave kryengritëse. Forcat osmane u thyen dhe u tërhoqën me disfatë para se të mbërrinin në Shkodër.

Kryengritja nuk gjeti ndonjë mbështetje te Fuqitë e Mëdha. Edhe qeveria austriake, ndonëse kishte marrë përsipër mbrojtjen e katolikëve, urdhëroi emisarin e saj në Shkodër që të mos pranonte asnjë kërkesë të kryengritësve. Vonesa e përgjigjes së Portës së Lartë u tregoi qartë kryengritësve se kërkesat e tyre mund të përmbusheshin vetëm me luftë e në bashkëpunim me krahinat e tjera të vendit. Përveç lidhjeve që ishin vendosur me malësorët e me krahinat përreth qytetit të Shkodrës, u bënë përçapje për të hyrë në bashkëpunim me viset e tjera shqiptare, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një delegacion u dërgua në Elbasan, ku banorët e qytetit, të ndihmuar edhe nga vullnetarët e ardhur nga Berati, mbanin të bllokuar qeveritarin e huaj.

E ndodhur para një lëvizjeje kryengritëse, që kishte përfshirë tokat shqiptare nga Shkodra deri në Çamëri dhe që krijonte përshtypjen e një kryengritjeje të përgjithshme, Porta e Lartë u detyrua të pushonte nga detyra Ali Namik pashën, të pezullonte përkohësisht zbatimin e reformave dhe të premtonte se do të paguante dëmet që u ishin shkaktuar shqiptarëve gjatë luftimeve. Më 2 dhjetor 1833 Ali Namik pasha, pas tre muajsh rrethimi, u detyrua ta lërë Shkodrën. Në vendin e tij u dërgua Hafëz Pasha.

Ndërkaq, pasi zgjidhi konfliktin me Mehmet Aliun e Egjiptit, Porta e Lartë rifilloi orvatjet për të zbatuar me forcë reformat. Kjo u bë shkak për rigjallërimin e lëvizjes kryengritëse. I shoqëruar nga tetë regjimente të rregullta, Hafëz Pasha filloi të shkarkonte elementët kundërshtarë dhe t’i zëvendësonte me nëpunës të huaj, rriti taksat doganore për mallrat e importuara nga 2% në 5% dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake. Ndërkohë, edhe qeveritari i Shqipërisë së Jugut, Mehmet Hamdi pasha, kishte marrë urdhër të zbatonte reformën ushtarake në këto treva.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:45 PM | Message # 5
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Përpjekjet për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (1834-1835)

Kryengritjet në jug e në veri, me gjithë shtrirjen e gjerë, nuk arritën të vendosnin lidhje midis tyre dhe të siguronin qeverisjen e tokave shqiptare nga nëpunësit vendas. Ndërkohë Porta e Lartë, pasi zgjidhi konfliktin me Egjiptin, u orvat përsëri të zbatonte me forcë reformat. Kjo i dha shkak rifillimit të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri.

Përvoja luftarake e vitit 1833 u tregoi udhëheqësve të kryengritjeve të veçanta në Toskëri dhe në Gegëri se rezultatet do të arriheshin në rast se do të organizohej një kryengritje e përgjithshme me një udhëheqje të vetme. Gjatë verës së vitit 1834 u shkëmbyen mendime ndërmjet përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të vendit, pas të cilave u vendos të organizohej një kryengritje e tillë e përgjithshme dhe u hartua për këtë një plan i përgjithshëm operativ. Sipas këtij plani do të sulmohej në fillim kështjella e Beratit dhe, me të rënë ajo në duart e kryengritësve, gjysma e tyre, së bashku me forcat kryengritëse të Kavajës, të Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë e Shkodrës, do të sulmonin trupat e qeveritarit të Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku me kryengritësit e sanxhakut të Delvinës, do të sulmonin forcat e Mahmut Pashës, që kishte zëvendësuar Emin Pashën në Janinë.

Ky ishte plani i parë operativ për një kryengritje të përgjithshme dhe përbënte një hap të rëndësishëm në luftën çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë bashkoheshin në një lidhje ushtarake mbarëshqiptare dhe merrnin në duart e tyre nismën për të vepruar bashkërisht.

Kryengritjen, ashtu siç ishte parashikuar, e filloi në vjeshtën e vitit 1834 popullsia e qytetit të Beratit, e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur disa ushtarë që kishin ardhur me leje nga Stambolli e nuk dëshironin të ktheheshin në shërbimin ushtarak. Kryengritësit mbyllën qeveritarët në kështjellë dhe ftuan udhëheqësin e njohur të kryengritjeve të mëparshme, Tafil Buzin, për të drejtuar veprimet ushtarake. Ai sapo kishte dështuar përpara Tepelenës, së bashku me Shahin bej Delvinën, kur zbarkoi këtu nga Kreta për të organizuar një kryengritje dhe kishte pranuar amnistinë. Megjithatë, ai erdhi nga fshati i vet në Berat. Brenda një kohe të shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000 vullnetarë. Kryengritësit shtinë në dorë magazinat shtetërore të drithit, të cilin ia shpërndanë popullsisë.

Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat e Vlorës, të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës, të Mallakastrës, të Përmetit e të Beratit, në atë rreze si një vit më parë. Kjo dëshmonte për lidhje të forta ndihme e bashkëpunimi ndërmjet këtyre krahinave dhe për një ngritje të ndërgjegjes politike. Përfaqësuesit e shtatë krahinave u mblodhën në një kuvend në Berat, ku vendosën të formonin një Besëlidhje politike. Atë e drejtonte një pleqësi, e cila si një organ drejtues kolegjial bëri një ndarje pune ndërmjet anëtarëve të saj. Kryetar u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve. Tafil Buzi u ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për lidhjet me botën e jashtme, veçanërisht me Mehmet Aliun e Egjiptit.

Ky i fundit interesohej gjallërisht për kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte si një faktor të rëndësishëm për dobësimin e fuqisë së Perandorisë Osmane, me të cilën prej kohësh ishte në konflikt. Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter ushtarak e ndërkrahinor, por ishte edhe një organ qeverisës, i dalë nga lufta për të zëvendësuar administratën osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes përbëhej nga krerë feudalë, përfaqësues të zejtarëve e të tregtarëve, të klerit e të fshatarësisë.
Në emër të kryengritësve, Pleqësia i paraqiti qeveritarit osman, Hamdi Pashës, kërkesat për të përjashtuar krahinat kryengritëse nga zbatimi i reformave centralizuese dhe për t’u njohur atyre një qeverisje autonome nga vetë shqiptarët. Kërkesat e Pleqësisë nuk u morën parasysh nga Porta e Lartë. Kjo i dha hov më të madh kryengritjes.

Me nismën e Tafil Buzit, në Besëlidhje hynë edhe krahina e Sulovës dhe e Vërçës. Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte, kështjella e Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty u vendos një garnizon i ri i përbërë nga 100 ushtarë. Ata përfaqësonin në mënyrë të barabartë të nëntë krahinat e Besëlidhjes. Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan me kryengritës të dalluar për trimëri. U bë hapi i parë për sigurimin e vetëqeverisjes. Por plani i përgjithshëm operativ i kryengritjes së përgjithshme nuk u zbatua më tej. Porta e Lartë kishte marrë ndërkohë një varg masash për ta penguar realizimin e tij. Ajo u kishte premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve se do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, Hafëz Pasha kishte përforcuar garnizonet e Durrësit e të Kavajës me një sasi të madhe topash e municionesh. Ai thirri në Shkodër mjaft pashallarë e bejlerë që kishin marrë pjesë në hartimin e planit operativ të kryengritjes dhe u premtoi se do të hiqte dorë nga zbatimi i reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan lëkundje e përçarje në udhëheqjen e kryengritjes.

Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër qeveritarit të Shkodrës, ndërsa popullsia e këtij qyteti nuk u ngrit kundër sundimtarit osman. Në ditët e para të janarit 1835 Pleqësia e Beratit, duke u besuar premtimeve të Hamdi Pashës, që miratoi ndryshimet e bëra në administratën lokale, nënshkroi me të një marrëveshje për shpërndarjen e forcave kryengritëse. Kjo shënoi një fitore të Besëlidhjes së nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut pasi u ndërprenë përsëri reformat centralizuese.
Në shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur në postin e valiut të Rumelisë, ftoi mjaft krerë shqiptarë në Manastir, disa prej të cilëve i nisi në Stamboll, kurse të tjerët i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi nuk u paraqit dhe, kur qeveritari osman filloi të shkelte marrëveshjen, nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8 000 kryengritës nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën Vlorë-Berat. Këtë herë kryengritja nuk pati shtrirjen e mëparshme.

Pasi dështoi në Berat e në Elbasan, ai iu drejtua Janinës në krye të disa qindra kryengritësve. Në afërsi të saj Tafil Buzi shpërndau një shpallje, me të cilën u bënte thirrje shqiptarëve të ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut të tyre. Kërkesat kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve dhe i ushtarëve turq nga territoret shqiptare dhe zbritja e taksave në masën e kohërave të mëparshme. Shpallja e Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para ku bëhej thirrje për çlirimin e atdheut. Këtu për herë të parë flitej në emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm të krahinave kryengritëse. Në emër të kryengritësve ai i dërgoi një mesazh Mehmet Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte përkrahjen e tij.

Jehona që gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa e ndihmës së Mehmet Aliut, e shqetësuan qeverinë osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të mos i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa, nga ana tjetër, dërgoi kundër kryengritësve forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese të ashpër e të gjatë kryengritësit nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë armikut. Më 2 maj 1835 Tafil Buzi u detyrua të pranonte amnistinë që i propozoi valiu i Rumelisë dhe të hiqte dorë nga lufta.

Po në maj 1835 shpërtheu një kryengritje e re në krahinën e Myzeqesë. Qindra fshatarë, nën drejtimin e Alush bej Frakullës, vunë dorë mbi çifligjet shtetërore dhe i shpallën pronë të tyre. Kryengritja u përhap nga Myzeqeja në krahinat e Vlorës, të Mallakastrës e të Tepelenës. Numri i kryengritësve arriti në 7 000 veta. Me kryepleqtë e krahinave kryengritëse u organizua një kuvend në fshatin Portëzë të Fierit, ku u formua një Besëlidhje e re. Ajo do të kishte një ushtri të përhershme me rrogë për mbrojtjen e krahinave të çliruara. Shpenzimet për mbajtjen e saj do të përballoheshin prej të ardhurave të çifligjeve shtetërore. Krahinat e besëlidhura do të drejtoheshin prej kryepleqve vendas dhe vetëm këta do të kishin të bënin, në emër të Besëlidhjes, me pushtetin qendor për të dorëzuar detyrimet ndaj shtetit. Me këto vendime të kuvendit synohej të realizohej një autonomi ndërkrahinore.

Mirëpo, kryengritja e Myzeqesë nuk pati sukses për shkak të dëmeve që i solli veprimtaria përçarëse e qeveritarëve osmanë e sidomos të paqëndrueshmërisë së agallarëve e të bejlerëve vendas, të cilët, kur Porta e Lartë u premtoi se nuk do t’i prekte interesat e tyre, lidhën me të një marrëveshje bindjeje dhe nënshtrimi.
Rënia e përkohshme e lëvizjes kryengritëse në Shqipërinë e Jugut dhe trysnia që ushtroi Stambolli, e shtynë qeveritarin e Shkodrës, Hafëz Pasha të rifillonte zbatimin e reformave centralizuese dhe të shkelte premtimet e dhëna. Ai hoqi nga aparati administrativ e ushtarak vendasit e padëshiruar, ngriti taksat doganore nga 2-5 për qind, vendosi taksa të reja “të jashtëzakonshme” dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake.

Për të zbutur këto masa qeveria osmane i dërgoi në ndihmë një ushtri prej 10 000 vetash. Popullsia e Shkodrës nuk iu bind urdhrave të tij dhe kundërshtoi të gjitha orvatjet për të zbatuar reformat. Kështu filloi një kryengritje e re shumë më e madhe se simotrat e saj me qendër në Shkodër. Më 18 maj 1835 qeveritari osman zuri tregun, kurse regjimentet e ushtrisë së rregullt morën kodrat rreth qytetit. Po atë ditë ai urdhëroi të arrestohej Hamza Kazazi, ish-komandant i rojës së qytetit, i hequr nga detyra prej Hafëz Pashës. Krisma e pushkës së Hamza Kazazit ngriti në këmbë gjithë qytetin. Luftimet zgjatën atë ditë gjashtë orë dhe përfunduan me tërheqjen e forcave qeveritare, që lanë shumë të vrarë e të plagosur.

Qëndresën e qytetit e udhëhiqte Këshilli i Ri i Përkohshëm, ku bënin pjesë përfaqësues të borgjezisë tregtare (Haxhi Abdurrahmani e Kasem Hoxha), të mjeshtërve zejtarë (Hamza Kazazi e Dasho Shkreli), të çifligarëve (Hysen bej Bushati, Ali bej Bajrami dhe Jusuf Beu) dhe një përfaqësues i klerit të ulët islam (Haxhi Idrizi). Hamza Kazazi u ngarkua me drejtimin e veprimeve ushtarake. Këshilli i Përkohshëm njihet në literaturë edhe si qeveri provizore. Si në asnjë kryengritje tjetër, këtë herë u hartua një strategji e taktikë e qartë.

Forcat kryengritëse u organizuan në bazë lagjesh dhe gjithmonë ishin në pozita sulmi. Me qytetarët shkodranë u bashkuan vullnetarë nga Postriba, Gjakova, Peja, nga Malësia e Mbishkodrës, Ulqini, Podgorica, nga krahinat e Mirditës, të Matit e të Dibrës. Qindra kryengritës nga Dibra e Mati iu përgjigjën planit operativ të kryengritjes së përgjithshme dhe zbritën në drejtim të Elbasanit. Kështu, kryengritja përfshiu gati gjithë Shqipërinë e Veriut. Gjenerali francez Kybjer, komandant i forcave të Mesdheut, e quante kryengritjen një revolucion, duke i dhënë kuptimin e një lëvizjeje me një shtrirje të gjerë dhe me synimin për të flakur zgjedhën osmane.

Në pamundësi për ta shtypur me forca ushtarake, Hafëz Pasha kërkoi të dinte kërkesat e kryengritësve, të cilat ia paraqiti një delegacion i dërguar prej tyre. Kryengritësit kërkuan largimin e Hafëz Pashës nga Shkodra, dorëzimin e kështjellës një shqiptari dhe anulimin e taksave të vendosura gjatë reformave centralizuese. Një nga emisarët francezë në Prevezë shkruante në ato ditë se kryengritësit pretendonin një pavarësi të plotë ose të formonin një shtet të ngjashëm me Serbinë.

Hafëz Pasha nuk mund të pranonte kërkesa të tilla, prandaj kërkoi ndihmën e Portës së Lartë. Kryengritësit thyen forcat osmane në përleshjet që u bënë më 23-24 maj, më 2 qershor, më 9 qershor, më 24 qershor dhe më 6 korrik 1835. Më 14 korrik kryengritësit thyen në Lezhë forcat e valiut të Rumelisë, me të cilin qenë bashkuar edhe disa pashallarë shqiptarë. Pas kësaj fitoreje kryengritja u shtri në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Porta e Lartë u detyrua të dërgojë një ushtri të rregullt prej 30 000 vetash, një nga më të mëdhatë e asaj kohe, që u vu nën komandën e sekretarit të sulltanit, Vasaf Efendiut.

Në pritje të këtyre forcave, valiu i Rumelisë hyri në bisedime me kryengritësit për të mënjanuar ndeshjet e armatosura. Ai u dorëzoi atyre një dokument (ferman) të rremë, me të cilin sulltani gjoja pranonte kërkesat e tyre.
Por lufta e gjatë kishte dëmtuar shumë zejtarët e tregtarët shkodranë, që qenë gati të largoheshin prej saj. Pjesa më e vendosur e udhëheqjes së kryengritësve, si Haxhi Idris Boksi, Dasho Shkreli etj., e kuptuan kurthin dhe e vijuan luftën. Por në ndeshjen me ushtrinë osmane më 1 shtator 1835, në afërsi të Lezhës, kryengritësit u thyen dhe u detyruan të tërhiqen drejt Shkodrës. Nga kjo gjendje e vështirë ata nuk mundën t’i nxirrnin as kryengritësit dibranë e matjanë që godisnin nga prapa krahëve ushtrinë osmane, as thirrja e Tafil Buzit drejtuar popullit shqiptar për të mos furnizuar me ushqime ushtrinë osmane. Më 18 shtator 1835 ushtria osmane, që ishte nisur nga Lezha e Ulqini, hyri në qytetin e Shkodrës.

Pjesa më e vendosur e kryengritësve u largua drejt zonave malore.
Për të mos e acaruar më tej gjendjen, Porta e Lartë bëri disa lëshime, e largoi Hafëz Pashën nga Shkodra dhe e zëvendësoi shërbimin e rregullt ushtarak me një taksë në të holla, ndërsa sanxhaku i Shkodrës u përjashtua nga zbatimi i reformave centralizuese deri në vitet 50. Por këto ishin vetëm disa fitore të pjesshme të kryengritësve, të cilët synonin vendosjen e një qeverisjeje autonome të vendit.

Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 përfshinë një pjesë të mirë të trevave shqiptare, ato nuk arritën të shndërroheshin në një kryengritje të përgjithshme, me një udhëheqje të vetme dhe me veprime të bashkërenduara. Arsyet duhen kërkuar jo vetëm në epërsinë ushtarake osmane, por edhe në papjekurinë politike të kryengritësve dhe sidomos në lëkundjet e mjaft prej krerëve feudalë e të bajraktarëve, që braktisnin luftën sa herë që Porta bënte disa lëshime ose premtonte të kënaqte interesat e tyre partikulariste.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:46 PM | Message # 6
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Kryengritjet shqiptare të viteve 1836-1839

Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 u shtypën, gjendja në Shqipëri nuk u qetësua. Porta e Lartë ishte e vendosur të zbatonte reformat dhe priste rastin e volitshëm për të shkelur premtimet që u kishte bërë shqiptarëve. Por edhe shtresat e gjera të popullsisë shqiptare ishin të vendosura të mos i pranonin ato dhe barrën e rëndë që sillte zbatimi i këtyre reformave. Ndërkaq, përballë qëndresës së përgjithshne të shqiptarëve, Porta e Lartë u detyrua të ndërrojë taktikë, hoqi dorë nga zbatimi i menjëhershëm i reformave në të gjitha tokat shqiptare, duke i vënë në jetë pjesë-pjesë. Në të njëjtën kohë, para zbatimit të tyre, bëri për vete mjaft krerë feudalë të lëkundur. Në këto rrethana kryengritjet, edhe pse vazhduan pareshtur, nuk arritën të merrnin një shtrirje të gjerë, në rrafsh kombëtar, por mbetën të kufizuara në caqet lokale ose krahinore, që i dha mundësi Stambollit t’i shtypte më lehtë.

Në verën e vitit 1836 shpërtheu kryengritja në krahinën e Vlorës, e udhëhequr përsëri nga Tafil Buzi, por ajo nuk zgjati shumë. Pas një viti rifilloi në përmasa më të gjera në Myzeqe.

Qëndresa e armatosur u shtri edhe në trevat veriore të vendit, në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe në krahinën e Dibrës. Në vjeshtën e vitit 1836 popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit e të Tërgovishtës nuk pranoi të regjistroheshin ushtarët rezervistë. Në fillim të vitit 1837 u ngrit popullsia e Matit, dëboi qeveritarin e huaj dhe e detyroi valiun e Rumelisë të risjellë atje Haxhi pashë Matin, të shkarkuar pas kryengritjes së Shkodrës.

Në qershor të vitit 1837 kryengritja e drejtuar nga Alush bej Frakulla përfshiu krahinën e Myzeqesë. Në ditët e para të qershorit 1837 kryengritësit u ndeshën me forcat osmane përpara qytetit të Beratit dhe i thyen ato. Kundër tyre u hodh Emin Pasha, me një ushtri prej 5 000 vetash, që mbërriti në fillim në Berat për të kaluar më pas në Myzeqe. Në një përleshje të pabarabartë në fshatin Frakull kryengritësit u mundën. Alush Frakulla me 150 veta u kapën dhe u dënuan me punë të detyruar. Megjithëse kryengritja u shtyp, Emin Pasha nuk guxoi të zbatonte reformën ushtarake.

Po në verën e vitit 1837 lëvizja kryengritëse u shtri në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Plavës e të Gucisë, ku shpërtheu qëndresa e armatosur kundër rekrutimit të ushtarëve nizamë e kundër taksave që shoqëronin reformat. Kryengritësit gjakovarë shpartalluan forcat qeveritare, shtinë në dorë qytetin e Gjakovës dhe shpallën vetëqeverisjen e krahinave të tyre. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritësve, por në një zonë relativisht të kufizuar. Kjo u dha mundësi forcave osmane, të përkrahuara edhe nga krerë vendas, ta shtypnin lëvizjen brenda një kohe të shkurtër.

Më ndryshe u zhvilluan ngjarjet në krahinën e Dibrës e në atë të Prizrenit. Në vjeshtën e vitit 1837 rreth 8 000 kryengritës nga Dibra e Sipërme dhe e Poshtme iu kundërvunë përpjekjeve të Portës së Lartë për kufizimin e vetëqeverisjes lokale të kësaj krahine. Kryengritësit rrethuan qytetin e Dibrës së Madhe dhe mblodhën në katundin Krifcë Kuvendin e tyre, i cili kërkoi nga të dërguarit e valiut të Rumelisë zëvendësimin e një nëpunësi të huaj, të caktuar prej tij me një shqiptar si edhe garancinë për të mos dënuar asnjë kryengritës. Vendosmëria e kryengritësve e detyroi Portën e Lartë të pranonte kërkesat e tyre. Kështu në krahinën e Dibrave u ruajt tradita e qeverisjes prej nëpunësve vendas.

Në ditët e para të muajit gusht të vitit 1839 kryengritja përfshiu qytetin e Beratit, që varej atëherë nga sanxhaku i Vlorës. Qindra qytetarë sulmuan selinë e qeveritarit të Beratit, i cili mundi të shpëtojë duke u mbyllur në kala. Kryengritja u shtri në tërë krahinat e sanxhakut të Vlorës. Në Kuvendin që u mbajt në qytetin e Beratit përfaqësuesit e kryengritësve i paraqitën sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, në emër të të gjithë Shqipërisë së Jugut, kërkesën për vendosjen e një administrate civile e ushtarake shqiptare në të gjitha hallkat shtetërore. Si qeveritar i përgjithshëm i saj u propozua Ismail Pasha, nipi i Ali pashë Tepelenës dhe djali i Veli Beut. Kryengritësit mendonin se emri i mirë i kësaj shtëpie do të ndikonte në bashkimin e shqiptarëve dhe të tokave të tyre. Në shtator 1839 kryengritësit shtinë në dorë kështjellën. Në këto rrethana Porta e Lartë u detyrua të pezullojë përkohësisht reformat centralizuese.

Në mesin e shtatorit të vitit 1839 lëvizja kryengritëse u shtri në Prizren, banorët e të cilit rrëmbyen armët dhe e detyruan qeveritarin osman, Ismet Pashën, të largohej nga qyteti. Një delegacion i kryengritësve i kërkoi Portës së Lartë që të hiqte taksat e reja, t’u jepej fund grabitjeve, t’i njihej sanxhakut të Prizrenit një qeverisje autonome, duke e shkëputur njëkohësisht nga varësia e drejtpërdrejtë ushtarake nga qeveritari (myshiri-mareshali) i Rumelisë. Ky u orvat të përdorte mirditasit dhe kapedanin e tyre për të shtypur kryengritjen. Por mirditorët, tek të cilët ishte forcuar tanimë vetëdija politike, nuk pranuan të luftonin kundër vëllezërve të tyre. Porta e Lartë u detyrua që edhe në këtë sanxhak të ndërpriste zbatimin e reformave centralizuese.

Si rrjedhojë e kryengritjeve shqiptare të viteve 30 reformat centralizuese nuk u çuan deri në fund, mbetën në gjysmën e rrugës. Porta nuk arriti të zëvendësonte, në gjithë administratën lokale, nëpunësit vendas me turq. Krahina e Shkodrës u përjashtua nga reformat dhe mbeti kështu deri në mesin e atij shekulli. Reformën ushtarake Stambolli u orvat ta vinte në jetë në Shqipëri nëpërmjet ekspeditave të njëpasnjëshme ushtarake, që mobilizonin me forcë ushtarët nizamë e rezervistë, ndërsa reforma gjyqësore nuk arriti të zbatohej.

Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844).

Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut

Në vitet 1843-1844 Kosova dhe trevat lindore shqiptare u bënë vatër e njërës prej kryengritjeve më të fuqishme kundërosmane të gjysmës së parë të shek. XIX, e cila, sipas emrit të udhëheqësit të saj, është quajtur Kryengritja e Dervish Carës.
Në Shqipërinë e Veriut reformat e Tanzimatit u shpallën zyrtarisht në vitin 1843. Shpallja e tyre shkaktoi një valë të re kryengritjesh që morën shtrirje të gjerë ndërkrahinore. Qendra kryesore të tyre mbetën qytetet. Zëvendësimi i funksionarëve shqiptarë me nëpunës të huaj dhe urdhri për rekrutimin e ushtarëve nizamë ishin dy shkaqet e drejtpërdrejta të shpërthimit të kryengritjeve në këtë zonë. Në verën e vitit 1843 ngritën krye banorët e Prizrenit, që dëbuan nëpunësit e rinj turq. Këtë ngjarje e ndoqën kryengritjet në Prishtinë e në Gjakovë. Ushtria osmane e përforcuar kundërveproi menjëherë dhe nuk e pati të vështirë t’i shtypte këto lëvizje lokale. Veprimet e ushtrisë u shoqëruan me terror e grabitje.

Kryengritja e Dervish Carës filloi në Shkup më 21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit 1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin e Hajredin Pashës, u shtuan përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve të rinj. Kryengritësit hynë në konflikt të armatosur me ushtrinë osmane. Në nëntor kryengritësit çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844, pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën. Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja, përveç Dervish Carës, udhëhiqej edhe nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca etj.

Në shkurt 10 000 kryengritës të armatosur hynë në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu një Këshill të kryengritjes dhe përqendruan pushtetin në duart e veta.
Agjitatorë në vise të ndryshme të Kosovës, si në Vranjë e Leskovc, i bënin thirrje popullsisë të hidhej në luftë kundër pushtetit osman. Të tjerë ishin dërguar në krahinat fqinje për të siguruar mbështetjen e popullsisë së tyre. Udhëheqësit e kryengritjes u bënë thirrje që të ngriheshin kundër sundimtarëve osmanë edhe banorëve të krahinave të tjera të Shqipërisë, duke theksuar me këtë rast se ata duhej të bashkoheshin me kosovarët, sepse ishin vëllezërit e tyre.

Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova, ku me kryengritësit u bashkua edhe popullsia maqedone. Pas Kumanovës u çliruan Presheva, Bujanovci, Vranja, Gryka e Kaçanikut, Leskovci e viset e tjera veriore të Kosovës. Në muajt e parë të vitit 1844 kryengritja u përhap në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e deri në Shkodër, ndërsa në pranverën e vitit 1844 kryengritja kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare, nga Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore e verilindore të Kosovës, në të cilat shqiptarët vendosën pushtetin e tyre. Garnizonet ushtarake turke u detyruan të mbylleshin në kështjellat e qyteteve.

Shtrirja e kryengritjes dhe fitoret e saj në Kosovë e në Fushën e Pollogut ngjallën shpresa edhe në popullsinë e krahinave të tjera të vendit. Qeveria osmane i trëmbej përhapjes së saj të mëtejshme dhe shndërrimit në një kryengritje të përgjithshme shqiptare. Prandaj autoritetet osmane hynë në bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Gjatë bisedimeve kryengritësit i kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte funksionarët osmanë të pushtetit lokal, që nuk dinin gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë dhe të njihte autonominë e Shqipërisë, në suazat e Perandorisë Osmane, ashtu siç ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830.

Këto kërkesa nuk u pranuan nga Stambolli, prandaj bisedimet dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë, krahas përgatitjeve ushtarake për shtypjen e kryengritjes, shpalli edhe një amnisti për ata që do të dorëzonin armët dhe premtoi se nuk do të përdorej forca për rekrutimin e ushtarëve të rregullt. Me këto masa ajo synonte të ngjallte lëkundje në radhët e kryengritësve.

Porta e Lartë, nga njëra anë, premtoi se do të hiqte dorë nga nizamët e tatimet e reja, ndërsa, nga ana tjetër, filloi të sjellë forca të shumta që i përqendroi në Manastir. Për të shmangur kthimin e saj në një kryengritje të përgjithshme, me përmasa mbarëshqiptare, Porta e Lartë përqendroi në Manastir 32 000 ushtarë, të komanduar nga Omer Pasha, që më 18 maj kaluan në mësymje kundër kryengritësve dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt Shkupit, Tetovës, Kumanovës e Karadakut (Malit të Zi) të Shkupit. Luftime të ashpra u zhvilluan në Grykën e Katllanovës nga 13-17 maj 1844. Përleshja më e përgjakshme ishte ajo që u bë më 18 maj në afërsi të Banjës së Katllanovës, në të cilën u vendos fati i kryengritjes në Fushën e Shkupit. Pas një qëndrese të fuqishme kryengritësit, të ndodhur përballë një ushtrie që kishte epërsi teknike, që përdori gjerësisht artilerinë, u detyruan të tërhiqeshin. Pas luftimesh të ashpra që vijuan edhe pas kësaj beteje, më 21 maj ushtria osmane, që kishte epërsi mbi kryengritësit, arriti të merrte Shkupin, ku bëri arrestime të shumta të pjesëmarrësve të kryengritjes, një pjesë e të cilëve u dërgua për t’u gjykuar në Stamboll.

Në maj-qershor ushtritë osmane të Omer Pashës, pas luftimesh të rrepta me kryengritësit, pushtuan Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin dhe Vranjën, ndërsa në mesin e korrikut morën të gjitha qendrat nga Kaçaniku deri në Prishtinë. Prej andej u hodhën për të shtypur qëndresën e kryengritësve në Prizren, në Pejë, në Gjakovë e në Shkodër, ku bënë arrestime të shumta. Kryengritësit kudo u bënë ushtrive osmane një qëndresë të ashpër, e cila qe më e fuqishme në Kërçovë, në Tetovë e në Gostivar. Me rivendosjen e pushtetit osman në këto qytete u arrestuan shumë udhëheqës të kryengritjes. Pas shtypjes së kryengritjes, në korrik 1844, Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve, trajtohej më shumë si vend i pushtuar sesa si provincë e Perandorisë Osmane.

Pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë e në Pollog, ushtria osmane, në vjeshtën e vitit 1844, u përqendrua në sanxhakun e Dibrës, popullsia e të cilit ishte hedhur në kryengritje kundër zbatimit të reformës ushtarake dhe anulimit të vetëqeverisjes lokale të krahinës. Por forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën e Mavrovës. Pas këtyre ngjarjeve Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha.

Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushën e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh. Kuvendi i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t’i përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë. Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën.

Luftime të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët. Ato përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre. Për t’u hakmarrë forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane.
Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.

Lufta e vendosur e dibranëve pati jehonë në viset e tjera shqiptare. Në mesin e majit të vitit 1845 rreth 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës u ngritën kundër qeveritarit të saj dhe e detyruan atë të largohej nga qyteti për në Prizren. Kryengritja u përhap në viset malore të Rekës, të Bytyçit, të Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqit, që u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë dhe të Sokol Aramit. Rreth 8 000 kryengritës sulmuan në maj të atij viti qytetin e Gjakovës dhe e çliruan atë. Por valiu i Rumelisë hodhi kundër tyre ushtri të shumta dhe mjaft mercenarë, të rekrutuar nga viset malore të Shqipërisë së Veriut. Pas luftimesh të përgjakshme, që vazhduan mbi një muaj, kryengritja u shtyp.

Mehmet Reshit pasha urdhëroi arrestimin e atyre që kishin marrë pjesë në kryengritje. Në të njëjtën kohë sulltani, për të qetësuar gjendjen, fali rreth 2 000 shqiptarë, të burgosur në Stamboll pas shtypjes së kryengritjeve të viteve të fundit. Megjithëse ushtria osmane i shtypi kryengritjet shqiptare të këtyre viteve, Porta e Lartë, edhe pse e shpalli Tanzimatin, u detyrua ta ndërpriste edhe për disa vjet zbatimin e sistemit të ri në Shqipërinë Veriore.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:47 PM | Message # 7
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Kryengritja e vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut

Në Shqipërinë e Jugut Porta e Lartë e shpalli me bujë Tanzimatin (dekretin e Gjylhanesë) më 1845, në një ceremoni të organizuar në Janinë. Por kishte vite që vendi po i ndiente pasojat shkatërrimtare të ekspeditave ushtarake dhe të arbitraritetit të nëpunësve grabitqarë osmanë. Në sanxhakun e Beratit, të formuar rishtazi, që përfshinte edhe krahinat e Vlorës, të Mallakastrës, të Skraparit e të Përmetit, u ngarkua me detyrën e mytesarifit Hysen pashë Vrioni, çifligari më i madh i atyre trevave. Forca të rëndësishme ushtarake, një pjesë e të cilave udhëhiqeshin nga Hysen pashë Vrioni, filluan të përshkonin vendin duke çarmatosur popullsinë dhe duke nxjerrë me forcë taksa e nizamë. Një dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë njerëzit iknin nga shtëpitë “sikur të kishte rënë murtaja”. Zbatimi me dhunë e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një kryengritje të re.

Duke e ndier këtë rrezik, qeveritarët osmanë i ftuan krerët e Toskërisë në Manastir për t’i bindur që të hiqnin dorë nga qëndresa e të pranonin Tanzimatin. Të njëjtën gjë bënë në Janinë me rreth 800 agallarë e koxhabashë të fshatrave, si edhe me përfaqësues të parisë së qyteteve e të institucioneve fetare. Ata zyrtarisht u dhanë autoriteteve osmane përgjigje pozitive, por në të vërtetë, siç doli më vonë, shumica kishte vendosur ta kundërshtonte me të gjitha mjetet sistemin e ri.

Për organizimin më të mirë të qëndresës, krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në qershor 1847, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë, kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese në kuvend e përbënin përfaqësuesit e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata e re osmane.

Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, myslimanë e të krishterë, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë, pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t’u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja. Kuvendi porositi që forcat e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin as dëmin më të vogël popullsisë dhe ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut ose, siç u quajt, “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Lidhja formoi një komitet për drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të të cilit u zgjodh Zenel agë Gjoleka nga Kurveleshi, i dëgjuar për trimërinë dhe për përvojën luftarake që kishte fituar në kryengritjet e viteve 30.

Kur në fillim të korrikut xhelepçinjtë erdhën në Kurvelesh për të mbledhur taksat e bagëtive, ata u pritën me armë nga popullsia. Zenel Gjoleka me 500 luftëtarë u drejtuan kundër Delvinës, qendër e administratës osmane, të cilën e çliruan. Kryengritja përfshiu gjithë Labërinë dhe brenda pak kohësh u përhap edhe në trevën e Çamërisë, të Përmetit dhe sidomos të Mallakastrës, ku fshatarët kryengritës zgjodhën si udhëheqës Rrapo Hekalin. Në të njëjtën kohë shpërthyen kryengritje në trevat veriore, në rrethet e Elbasanit, të Tiranës, të Matit, të Dibrës, të Plavës e të Gucisë.

Çifligarët vrionas mobilizuan të gjitha forcat e tyre dhe, të përkrahur nga reparte ushtarake turke, sulmuan Mallakastrën. Një betejë e ashpër që zgjati tri ditë u zhvillua në fshatin Greshicë. Kryengritësit, të cilëve u erdhën në ndihmë fshatarë nga Myzeqeja dhe nga krahina e Vlorës, i shpartalluan forcat armike dhe kapën të gjallë Isuf bej Vrionin me të vëllanë, që kryesonin ekspeditën; të dy i ekzekutuan në Qafën e Sinjës.

Pas kësaj fitoreje kryengritësit, rreth 1 000 veta, me Rrapo Hekalin në krye, iu drejtuan Beratit dhe e rrethuan. Pas disa ditë luftimesh qyteti ra në duart e tyre. Kryengritësit u përpoqën të merrnin kështjellën ku ishin strehuar qeveritarët turq e vendas, si edhe forcat turke, por u detyruan të tërhiqeshin nga zjarri i fortë i artilerisë. Për të mbajtur kalanë të rrethuar, në Berat u grumbulluan forca të reja të ardhura nga krahinat përreth, deri nga Dangëllia e Përmeti. Ndërkohë, forcat e shtuara të kryengritësve, të udhëhequra nga Zenel Gjoleka, po arrinin suksese të reja. Pasi shpartalluan një ushtri turke që vinte nga Janina, ata sulmuan Gjirokastrën dhe e rrethuan garnizonin në kala.

E shqetësuar nga këto humbje dhe nga përhapja e gjerë e kryengritjes, qeveria e Stambollit, e cila në fillim mendonte t’i bënte ballë kryengritjes me forcat që kishte në vend, mobilizoi trupa të reja, të cilat u përqendruan sidomos në Manastir e në Janinë për të asgjësuar vatrat më të rrezikshme të kryengritjes në jug. Qeveria turke zuri edhe brigjet detare, për të ndaluar ndihmën që mund t’u vinte kryengritësve nga Muhamet Aliu i Egjiptit. Për t’i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar në Gjirokastër, u dërgua nga Thesalia një ushtri prej 3 000 vetash nën komandën e një feudali shqiptar, Shahin bej Kosturit. Por, që në përpjekjet e para me kryengritësit në jug të Gjirokastrës, forcat turke u thyen nga forcat shqiptare të udhëhequra nga Zenel Gjoleka.

Fitoret e kryengritësve bënë bujë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri, shkruante: “Heroi i ditës kudo është Gjoleka”.

Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes, Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një aleat të jashtëm. Për këtë qëllim ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së cilës me Stambollin në këtë kohë ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej t’i shkaktonte vështirësi Turqisë duke nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim të saj për të realizuar lakmitë territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit grek J. Koletis nuk patën sukses.

Bisedimet shqiptaro-greke dhe rreziku që mund t’i vinte nga një aleancë e mundshme ushtarake ndërmjet kryengritësve e Greqisë e shtynë Portën e Lartë të vepronte më me vendosmëri për ta nënshtruar sa më parë Toskërinë. Sulltani i shpalli “fermanllinj” Zenel Gjolekën e pasuesit e tij. Një ushtri prej 15 mijë vetash u nis nga Manastiri në drejtim të Beratit.

Zenel Gjoleka e Tahir Çapari, në krye të 1 500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën përpara ushtrisë osmane prej 5 000 vetash, që ishte nisur nga Janina. Pas përleshjes që zhvilluan me të në fshatin Dholan, në verilindje të Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë fitore para kryengritësve u hap rruga për në Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Zenel Gjoleka u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta osmane.

Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi të këtij qyteti. Sapo ushtria turke iu afrua qytetit, garnizoni i rrethuar doli nga kalaja dhe sulmoi kryengritësit në qytet. Duke u ndodhur midis dy zjarresh dhe përballë fuqive shumë më të mëdha, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti në rrethet e tij dhe vijuan luftën të ndarë në çeta më të vogla e me sulme të befasishme.
Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për t’u bashkuar me pjesën tjetër që kishte ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës. Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri, ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit, sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj.

Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë për t’u rënë kryengritësve prapa krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka i ndau kryengritësit në çeta më të vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në fshatin Palavli, në fushë të Delvinës. Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u thyen përballë ushtrive të shumta armike.

Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese edhe gjatë dimrit 1847-1848. Ato mundën të shtinin në dorë udhëheqësit kryesorë të kryengritjes, si Rrapo Hekalin me të vëllanë Hamitin, Tahir Çaparin dhe mbi 1 000 luftëtarë të tjerë, të cilët i burgosën dhe i internuan. Rrapo dhe Hamit Hekali vdiqën në burg, ndërsa Zenel Gjoleka me një grup besnikësh u tërhoqën në Greqi, ku gjetën strehim. Ushtria turke arriti të shuante njërën pas tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat e tjera. Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut.

Kryengritja e 1847-ës shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët “sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete” dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton “as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri”. Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.

Në folklor gjejmë mjaft të dhëna edhe për karakterin shoqëror të kësaj kryengritjeje të drejtuar, ashtu si edhe të tjerat, kundër grabitjes nga shteti osman dhe nga feudalët e mëdhenj vendas. “Nizam e xhelepe s’ka / është vendi fukara”, thuhet në një këngë. Dhe në një memorandum, të hartuar nga krerët e lëvizjes më 15 gusht 1847, kryengritësit vinin në dukje se nuk kishte kush të përkujdesej për “fakir fukaranë”.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:49 PM | Message # 8
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
3. IDEOLOGËT E PARË TË LËVIZJES KOMBËTARE

Krahas dukurive të reja politike e shoqërore të kryengritjeve kundërosmane të viteve 30-40, ku spikatën kërkesat për trajtimin e veçantë të Shqipërisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, lindi dhe u zhvillua në Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit e parë më të shquar të ideve të reja u bënë Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Naum Veqilharxhi dhe veprimtaria e tij në vitet 40

Naum Veqilharxhi (1797-1854) lindi në Vithkuq (rrethi i Korçës), që ishte një qytezë me zeje e tregti të zhvilluar dhe me një popullsi arsimdashëse. Që në moshë të re, para vitit 1806, ai shkoi në Vllahi, ku kishte një koloni të rëndësishme shqiptarësh. Më 1821 Naumi, bashkë me shqiptarë të tjerë, mori pjesë në kryengritjen e madhe popullore që shpërtheu në Vllahi kundër sundimit osman nën udhëheqjen e Tudor Vladimireskut.

Lufta që zhvilloi kundër sundimit osman në dhe të huaj ia shtoi dashurinë për vendlindjen. Duke punuar si avokat në Brailë të Rumanisë, ai u njoh me idetë përparimtare dhe u formua si iluminist. Këtu ai iu kushtua me mish e me shpirt çështjes së çlirimit kombëtar të atdheut të vet, Shqipërisë.

Naumi, i cili edhe në dokumentet vetjake në mërgim e cilësonte veten me kombësi shqiptare, kishte besim të patundur te populli shqiptar, në aftësitë e tij për t’u ndriçuar e për t’u çliruar dhe në të ardhmen e tij më të mirë. Ky besim buronte jo vetëm nga patriotizmi i flaktë dhe nga përvoja e njohuritë filozofike e historike që kishte fituar, por edhe nga realiteti i Shqipërisë, ku kryengritjet çlirimtare kundër sundimit osman pasonin njëra-tjetrën nga jugu në veri.
Si iluminist Naumi arriti në përfundimin se popullit shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen e ndërgjegjes dhe përparimin shpirtëror e material të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte çlirim politik të popullit. “Ka ardhur koha, - shkruante ai më 1846, - që t’i flakim të gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë... Dhe duke synuar këtu, le të ecim pa u lëkundur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje”.

Nevoja për masa të frytshme e konkrete në fushën e arsimit në gjuhën shqipe ishte bërë veçanërisht e theksuar në vitet 40, me shtimin e numrit të shkollave të huaja që filluan të hapeshin në Shqipëri.

Naum Veqilharxhi u bë shprehës i atyre rretheve atdhetare shqiptare, brenda e jashtë vendit, të cilat e kuptuan rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe për çlirimin e tij kombëtar dhe që e ndien nevojën e ngutshme për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Prandaj ai kërkonte një shkollë të re, shqipe nga gjuha, racionaliste nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja. Në kushtet e Shqipërisë së prapambetur rruga drejt këtij arsimi do të fillonte nga abetarja dhe për ta hartuar atë duhej përgatitur alfabeti shqip. Alfabetet latine, greke ose arabe, që ishin përdorur deri atëherë për shkrimin e shqipes, pa ndonjë përshtatje të veçantë, jo vetëm nuk jepnin plotësisht të gjithë tingujt e saj, por kishin marrë edhe ngjyrë fetare e ishin bërë përçuese ndikimesh politike të huaja.

Naum Veqilharxhi mendonte se shqiptarët si komb i veçantë, me gjuhë të veçantë, duhej të kishin edhe alfabetin e tyre. Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, duke huajtur edhe elemente nga alfabetet e tjera, ai kishte hartuar disa tekste; por këto, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara. Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në Rumani “Evetarin” e tij, një abetare e vogël e poligrafuar, e cila është abetarja e parë e gjuhës shqipe. Abetarja u shpërnda në krahinat jugore të Shqipërisë, në Korçë, në Përmet, në Berat, në Gjirokastër etj. Megjithëse alfabeti ishte i vështirë për t’u përvetësuar, abetarja ngjalli entuziazmin e bashkatdhetarëve. Në një letër, që i drejtohej autorit nga Korça më 22 prill 1845, e njoftonin se abetaret i kishin marrë “... me gëzim të madh dhe me kënaqësi”.

Letra i bënte të ditur se paria e Korçës kishte vendosur të fillonte një fushatë për të ndihmuar Naum Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë dhe të hapte shkolla shqipe. “Mjaft për kaq kohë nën zgjedhën e paditurisë, - shkruanin patriotët korçarë. - Të shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër arsimi do të shtrihet në mbarë atdheun tonë dhe në mbarë kombin tonë... Na dërgoni sa më shumë evetore, sepse bashkatdhetarët po kërkojnë pareshtur të gjejnë akoma nga kjo abetare”. Kjo pritje e ngrohtë e këto fjalë tregonin se nisma e Naum Veqilharxhit shprehte aspiratat e një shtrese të gjerë shoqërore brenda vendit, që ndiente nevojën për t’u arsimuar në gjuhën amtare si kusht i rëndësishëm për të çarë errësirën mesjetare dhe për t’i hapur atdheut rrugën e përparimit.

Për t’iu përgjigjur kërkesës së patriotëve korçarë, më 1845 Naum Veqilharxhi botoi një abetare të dytë me titull “Fare i ri evetar shqip”, shumë më të plotë se e para dhe me një parathënie të gjerë. Në këtë abetare Naumi bënte përpjekje serioze për ta vënë mësimin e shqipes mbi baza shkencore; ai e pasuroi gjuhën shqipe me një varg fjalësh e termash të kulturës e të shkencës. Abetaret e Naum Veqilharxhit luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, hodhën hapat e parë të arsimit në gjuhën shqipe.

Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi, me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi ishte një mendimtar i shquar iluminist dhe hyri në histori edhe si ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e tij ai i shprehu në “Qarkoren”, hartuar në gjuhën greke, që u drejtoi nga Rumania, rreth mesit të viteve 40, bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri, në letrën e gjatë polemizuese dërguar nipit të vet, që i quante përpjekjet e të ungjit për çështjen shqiptare “himera” dhe në parathënien e abetares së vitit 1845. Këto janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të hartuara nga një përfaqësues i intelektualëve atdhetarë shqiptarë.

Naum Veqilharxhi nisej nga koncepti dialektik se, si në natyrë, ashtu edhe në shoqëri vepron ligji i zhvillimit, se në bazë të këtij ligji kalohet nga më e ulëta në më të lartën, nga e vjetra në të renë. “Asnjë komb nuk ka rënë nga qielli”, “...shoqëria, bashkëpunimi e ka bërë njerinë”. Fjalët e rënda që mund të thuheshin për shqiptarët, shkruante ai, “tregojnë një gjendje që shkëmbehet e nuk mbetet përjetë. Vetëm kafshët e kanë të përcaktuar fatin nga natyra. Njeriu zhvillohet nga të voglat duke përparuar”.

Në gjykimin e gjërave Naum Veqilharxhi vinte arsyen, të cilën, në kundërshtim me dogmatizmin mesjetar, e quante një mjet shumë të rëndësishëm që e ndante njeriun nga bota e kafshëve dhe e bënte zotin e të fshehtave të gjithësisë.
Sipas këtyre koncepteve filozofike Naumi trajtoi edhe çështjen shqiptare, historinë e kombit të vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit. Kombi shqiptar, theksonte ai, është krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka karakter të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta, shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor. Të ndihmoje këtë komb të fitonte ndërgjegjen dhe të zhvillohej Naum Veqilharxhi e quante “një borxh ndaj vendlermit” (vendlindjes).
Shakun kryesor të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhej populli shqiptar ai e shihte te “pushtimet e shpeshta”, te “përmbysjet e gjithanshme”, te “ndryshimet politike”, te “dogmat fetare”, te “padija” dhe sidomos te “lënia pas dore e gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj...”. Faktor vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naum Veqilharxhi, si iluminist, quante përhapjen e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare. “Ato kombe që mbetën në padije, - shkruante ai, - u shëmbëllejnë thjesht skllevërve...”, këto kombe “...vetëm atëherë mund të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare...”.

Me këtë bindje dhe i ndërgjegjshëm për rrezikun që i vinte atdheut nga arsimi në gjuhë të huaj, Naum Veqilharxhi i ftonte bashkatdhetarët e tij të përhapnin arsimin dhe kulturën në gjuhën amtare. Ai u jepte zemër bashkatdhetarëve dhe i këshillonte të mos dëshpëroheshin nga gjendja e vajtueshme në të cilën ndodhej vendi i tyre. “Le të hedhim farën e mirë, - shkruante ai, - dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë...”.

Naum Veqilharxhi kërkonte që shkolla shqipe të ishte jo vetëm për të pasurit, por edhe për të varfrit dhe interesi i atdheut të vihej mbi interesin vetjak. Por ai nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë.

Lëvizja e arbëreshëve të Italisë në përkrahje të çështjes kombëtare në vitet 30-40

Në kohën kur Naum Veqilharxhi zhvillonte veprimtarinë e vet në Rumani dhe krijonte lidhje me disa qendra të Shqipërisë së Jugut, në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë në Itali filluan të dukeshin shenjat e para të një lëvizjeje në përkrahje të çështjes kombëtare shqiptare. Ngjarjet që po zhvilloheshin në këtë kohë në Shqipëri, kryengritjet e njëpasnjëshme, përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për arsimin dhe kulturën kombëtare tërhoqën vëmendjen e një vargu intelektualësh të dalë nga gjiri i kolonive arbëreshe. Arbëreshët nuk e kishin harruar vendin e të parëve dhe i ruanin të gjalla, veçanërisht në folklorin e tyre të pasur, traditat e mëdha të luftës për liri, si dhe gjuhën e doket që kishin marrë nga mëmëdheu.

Të nxitur nga dashuria për atdheun e të parëve dhe nën ndikimin e interesit që shfaqte në gjysmën e parë të shek. XIX shkenca gjuhësore evropiane për gjuhën shqipe, intelektualët arbëreshë filluan të merreshin me studimin e historisë, të folklorit dhe të gjuhës së këtyre kolonive, si dhe në përgjithësi me historinë e mëmëdheut të tyre të dikurshëm. Në kohën kur filluan të bëheshin hapat e parë të gjuhësisë krahasuese dhe u zbuluan lidhjet gjenealogjike të një vargu gjuhësh, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi në vitet e para të shek. XIX dhe Josif Krispi e Gjon Skiroj në vitet 30 hodhën tezën e prejardhjes së popullit shqiptar nga pellazgët e të gjuhës së tij nga pellazgjishtja, gjuhë që mendohej se ishte folur nga banorët më të lashtë të Ballkanit e të Mesdheut. Teza e prejardhjes pellazgjike, si shprehje e lashtësisë së popullit shqiptar, zuri vend e u përhap shumë në qarqet shkencore dhe në opinionin e gjerë.

Po në këtë kohë filloi veprimtarinë e tij Jeronim de Rada (1814-1903) nga fshati Makje i Kalabrisë, i cili u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë arbëreshe dhe të lëvizjes patriotike shqiptare. Qysh në veprën e tij të parë, poema “Këngët e Milosaos” (1836), shkruar në dialektin arbëresh, De Rada i dha letërsisë shqipe një nga veprat e saj më të bukura. Duke trajtuar edhe më tej tema historike, nga luftërat shqiptaro-turke të shek. XV, si p.sh., në poemën “Serafina Topia” (1843), poeti, i frymëzuar nga kryengritjet shqiptare, si dhe nga lëvizjet çlirimtare që zienin në Itali, në të cilat mori pjesë vetë, vinte në dukje traditat luftarake e liridashëse të popullit shqiptar. Me këto vepra ai u bënte të njohur bashkatdhetarëve dhe nëpërmjet përkthimit italisht gjithë botës historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Me këtë intelektualët arbëreshë filluan të sendërtonin atë që e quajtën si detyrë të madhe ndaj mëmëdheut të tyre të lashtë: “të ringjallnin përpara opinionit publik ndjenjat e një kombi të lavdishëm, por të panjohur”, siç shkruante më 1847 në parathënien e veprës së vet “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”, studiuesi arbëresh Vinçenc Dorsa. Ai ia kushtonte veprën e vet “kombit të tij të përndarë e të përçarë, por një”. Me këtë Vinçenc Dorsa donte të theksonte se kolonitë arbëreshe e ndienin veten si “pjesë të pandara të një të tëre, të kombit shqiptar”.

Me gjithë kushtet e vështira, ndërmjet vatrave të veçanta të lëvizjes politike e kulturore shqiptare filluan të krijoheshin që herët lidhjet e para. Në vitin 1845 Naum Veqilharxhi dhe shqiptarët e tjerë të Bukureshtit e përgëzonin Jeronim de Radën me një letër për punimin e tij “Mbi hyjnitë e pellazgëve”, të botuar më 1843 në të cilën poeti përpiqej të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë greke në të vërtetë ishin shqip, sepse shpjegoheshin, sipas tij, me anë të shqipes së sotme dhe se pellazgët i kishin dhënë hua kulturës së lashtë greke një varg elementesh. Mendime të ngjashme në lidhje me prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe të popullit shqiptar shfaqën edhe një varg albanologësh të huaj.
Këto mendime të De Radës dhe të albanologëve në lidhje me teorinë pellazgjike u përqafuan nga Naum Veqilharxhi dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë. Ato luajtën një rol për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe u përdorën për të vërtetuar autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e veta dhe për të shtruar përpara opinionit ndërkombëtar njohjen e të drejtave të shqiptarëve si komb më vete.
Intelektualët arbëreshë ndiqnin me vëmendje ngjarjet që po zhvilloheshin në vitet 30-40 të shek. XIX në Shqipëri. Veprat e tyre jo vetëm u bënin jehonë këtyre ngjarjeve, por edhe, duke evokuar të kaluarën, ngrinin probleme të rëndësishme, si ato të luftës së armatosur për liri, të bashkimit të popullit shqiptar etj. Duke vënë në dukje rëndësinë e kryengritjeve që po ndodhnin në mëmëdheun e tyre të lashtë dhe duke i interpretuar ato si shenja të një kthese Vinçenc Dorsa i përshëndeste “këto kërcënime të vazhdueshme, inkursione, rebelime, mosbindje ndaj ligjeve, bashkimin e shpejtë nën flamurin e një kryetari dhe tërheqjen e vëmendjes që i bëjnë Portës së Lartë”. “Në këto fakte, unë lexoj, - vazhdonte ai, - përgatitjen e furtunës së afërme dhe agimin e ditës së kthjellët që do të vijë pas saj”. Dhe më poshtë: “Shqipëria beson se kjo ditë (e rilindjes së saj - shën. i aut.) është e afërme dhe besimi i vë asaj në lëvizje shpirtin për ta arritur. Ajo nuk flet veçse për rilindje...”.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:49 PM | Message # 9
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
4. KUNDËRSHTIMI I PLANEVE EKSPANSIONISTE TË SHTETEVE FQINJE. SHQIPËRIA DHE KRIZA LINDORE E VITEVE 1853-1856

“Megali Idea” greke dhe “Naçertania” serbe

Kryengritjet për autonomi të viteve 30-40, si pjesë përbërëse dhe element aktiv i lëvizjes çlirimtare në Ballkan, e dobësuan sundimin e Portës së Lartë dhe krijuan kushte objektive për bashkëpunimin ushtarak të popujve të shtypur të gadishullit dhe për shpejtimin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane. Por ky bashkëpunim u minua nga politika ekspansioniste e Greqisë dhe e Serbisë.
Në vitet 40 shteti serb dhe ai grek nuk e kishin përfunduar ende bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e territoreve me popullsi serbe e greke ndodhej ende nën sundimin osman. Për këtë arsye, një nga drejtimet e politikës së këtyre vendeve ishte ai i çlirimit të territoreve dhe i bashkimit të tyre me shtetet kombëtare përkatëse. Por, krahas këtij synimi të drejtë, te qeveritë greke e serbe që drejtonin këto shtete ishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, të cilat u zhvilluan e u shndërruan në një vijë themelore të politikës së tyre.

Në fillim të vitit 1844 kryeministri grek J. Koleti e formuloi dhe e shpalli zyrtarisht programin politik ekspansionist, i cili hyri në histori me emrin “Megali Idea” (“Megali Idhea” - “Ideja e Madhe”). Sipas këtij programi, Greqia si trashëgimtare e Bizantit duhej të shndërrohej në një shtet të madh me kryeqytet Stambollin (Konstandinopojën), ku do të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por edhe të gjitha territoret me popullsi ortodokse jogreke të Ballkanit, që kishin qenë nën Perandorinë Bizantine dhe vareshin fetarisht nga Patrikana e Stambollit. “Megali Idea” përfshinte në kufijtë e Greqisë së Madhe edhe tokat shqiptare. Me këtë projekt, në veri në fillim përfshihej në kufijtë e Greqisë gjithë Shqipëria, kurse pas viteve 60 caktohej si kufi verior herë lumi Drin, herë Shkumbini, ndërsa shovinistët më të moderuar grekë e çonin atë deri te lumi Vjosë.

Për realizimin e kësaj platforme qeveria greke parashikonte të hidhte në Shqipërinë e Jugut çeta të armatosura, të cilat do të provokonin kryengritje dhe do të përgatisnin truallin për aneksimin e këtyre territoreve nga Greqia. Ajo u orvat të shfrytëzonte për qëllimet e saj edhe kryengritjet shqiptare, sidomos ato të Shqipërisë së Jugut, siç ishte ajo e vitit 1847, kur kryeministri grek J. Koletis hyri në bisedime me Zenel Gjolekën, të cilat, për shkak të synimeve ekspansioniste të Athinës, dështuan.

“Megali Idea” greke gjeti një mbështetje të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit. Me formimin e shtetit grek, Patrikana e humbi dora-dorës karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke, në një aleate e Greqisë. Kështu që kisha ortodokse dhe shkollat në gjuhën greke u kthyen në vatra për të helenizuar besnikët e nxënësit që i frekuentonin ato.

Po atë vit, më 1844, ministri i Serbisë I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe e që është i njohur në histori me emrin “Naçertanie” (“Projekt”). Edhe qarqet politike drejtuese të Serbisë, ashtu si ato të Greqisë, me pretekstin e çlirimit të tokave të sllavëve të jugut nga zgjedha osmane, synonin të krijonin një shtet të madh, që do të përtërinte perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit. Në kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas “Naçertanies”, do të hynin edhe viset e Shqipërisë së Veriut së bashku me Kosovën, që ministri serb e pagëzoi me emrin “Serbi e Vjetër”.

Të dyja programet kishin karakter shovinist dhe shprehnin aspiratat ekspansioniste të borgjezisë greke e serbe. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit e të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si pasojë kundërshtonin idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
Këto synime të shteteve fqinje, që ishin shfaqur edhe më parë, u shndërruan prej viteve 40 të shek. XIX në një politikë të përhershme zyrtare, pasojat e së cilës u ndien shumë shpejt në Shqipëri.

Lufta kundër “turkomanizmit” dhe “grekomanizmit”

Duke filluar prej viteve 50 Lëvizja Kombëtare Shqiptare bëri një luftë gjithnjë e më të ashpër kundër ideologjisë së panislamizmit, të propaganduar nga Porta e Lartë, dhe të panhelenizmit, të përhapur nga qarqet shoviniste të Athinës.
Qeveria e Stambollit ua mohonte kombësinë shtetasve myslimanë joturq të Perandorisë, të cilët i quante osmanllinj dhe ndiqte me këmbëngulje parimin, sipas të cilit Perandoria teokratike Osmane duhej të mbështetej mbi gjithë shtetasit myslimanë pa dallim.

Me qëllim që të përforconin pozitat e tyre në Shqipëri, të rrezikuara nga kryengritjet e vazhdueshme shqiptare dhe nga lëvizja e përgjithshme kryengritëse e popujve të tjerë ballkanas dhe për t’i lidhur sa më ngushtë masat e prapambetura të popullsisë myslimane shqiptare me fatet e Perandorisë, qeveritarët e Stambollit filluan të zhvillonin një fushatë me parulla panislamike për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve. Ata dërguan në Shqipëri për këtë qëllim edhe klerikë myslimanë nga Anadolli e nga vende të tjera lindore. Këtij qëllimi i shërbenin edhe shkollat shtetërore turke që po ngriheshin në vitet 50-60 në Shqipëri, të cilat, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë fetare islamike.

Kundërshtimi që i bënte Porta lëvizjes shqiptare gjente mbështetje te disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, te “turkomanët”. Këta përbëheshin, në radhë të parë, nga elementët fanatikë të klerit mysliman shqiptar, si dhe nga një pjesë e feudalëve të vendit, të cilët pozitën e privilegjuar që kishin si funksionarë fetarë ose shtetërorë ia detyronin sulltanit dhe prandaj ishin të interesuar të mos prisheshin e as të prekeshin lidhjet me të. Ndër turkomanët bënin pjesë edhe disa elementë të borgjezisë së pasur qytetare, të cilët, jo vetëm nën ndikimin e parullave fetare islamike, por edhe si sipërmarrës shtetërorë e pjesëmarrës në spekulime të përbashkëta me funksionarët e Perandorisë, kishin interes të ruanin gjendjen ekzistuese, që u siguronte atyre një varg fitimesh. Qarqet e turkomanëve përpiqeshin të shfrytëzonin për qëllimet e tyre prapambetjen arsimore e kulturore të shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, ndjenjat e tyre të natyrshme fetare islame dhe sidomos ndikimin mbi to të sulltanit si Kalif.

Kundërshtim të ashpër gjeti Lëvizja Kombëtare Shqiptare, si edhe ajo e disa popujve të tjerë ballkanas, edhe nga prirjet shoviniste të disa qarqeve të borgjezisë greke, që propagandonin “panhelenizmin” si armë ideologjike për të përgatitur realizimin e planit ekspansionist të “Idesë së Madhe”. Një rol të veçantë në këtë lëvizje luante edhe kleri i Patrikanës greke të Stambollit. Ideologjia panheleniste u mbështet edhe nga disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga “grekomanët”, siç u quajtën përfaqësuesit e këtij orientimi, që vinin në radhë të parë nga një pjesë e tregtarëve ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, që kishin lidhje me tregjet e Selanikut, të Korfuzit etj.
Dobësia e borgjezisë shqiptare si klasë e re dhe ndikimi i parullave fetare të përhapura me anë të kishës e të shkollave greke u bënë shkak që “grekomanët” të shihnin te borgjezia greke, e cila kishte krijuar shtetin e vet kombëtar, të vetmen mbështetje për t’u çliruar nga zgjedha osmane.

Protagonistët e “Idesë së Madhe” në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre edhe dasitë fetare midis borgjezisë e fshatarësisë së krishtere shqiptare dhe bejlerëve çifligarë të vendit, që në shumicën dërrmuese ishin myslimanë, si edhe nevojën e madhe për arsim që kishte popullsia shqiptare, nevojë e cila, për mungesë shkollash në gjuhën shqipe, nuk kishte mundësi të plotësohej atëherë veçse në shkolla greqisht.

Duke luftuar kundër këtyre rrymave mendimtarët rilindës përpunuan platformën e vet, që u bë baza e veprimit të mëtejshëm politik-kulturor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Të nisur nga fakti se në bazë kriteresh objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete dhe si i tillë kishte një rrugë të veçantë të formimit historik që e shpinte në mëvetësinë e tij kulturore e politike, ideologët e lëvizjes kombëtare e drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve të “panislamistëve”dhe “panhelenistëve” për të bërë për vete politikisht, sipas parimit fetar, pjesë të veçanta të popullit shqiptar.

Një luftë të posaçme bënë ata, ndër të tjera, kundër tezave politike të panhelenistëve, që, duke i mbështetur synimet e tyre në teorinë pellazgjike, propagandonin se shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të përbashkët, ishin pasardhës të pellazgëve nga gjuha e nga prejardhja dhe si rrjedhim ishin vëllezër, e arrinin kështu në përfundimin se shqiptarët duhej të shkriheshin jo vetëm nga pikëpamja kulturore, por edhe politikisht në gjirin e “helenizmit”.

Megjithatë, vështirësitë e krijuara nga një propagandë e tillë armiqësore ndaj kombit shqiptar, nuk i penguan Naum Veqilharxhin dhe aktivistët e tjerë të çështjes kombëtare të vijonin rrugën e nisur. Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova e Lunxhërisë (Gjirokastër) dhe Apostol Arsaqit nga Hotova e Përmetit, të njohur si dhurues shumash të mëdha për qëllime mirëbërëse në Greqi, që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare, të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqipe. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare.

Kur po zhvillonte një veprimtari të dendur për çështjen shqiptare, Naum Veqilharxhi vdiq (në vitin 1854). Si fajtor për vdekjen e tij shqiptarët akuzuan në radhë të parë Patrikanën e Stambollit, e cila, për të ruajtur “unitetin” e fesë së krishterë që gjoja ishte vënë në rrezik nga veprimtaria e Naum Veqilharxhit, kishte nxitur Portën për të marrë masa kundër tij. Rrugën e veprimtarit të palodhur e vijuan shumë dishepuj, midis të cilëve edhe Thimi Mitkoja nga Korça.
Një rrugë të veçantë filluan të ndiqnin në këto vite disa intelektualë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut e në radhë të parë Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës (veproi në vitet 1859-1878). Duke u nisur nga bindja se pa përparim kulturor, pa lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare populli shqiptar nuk do të kishte mundësi të zinte vendin që i përkiste midis popujve të tjerë, Anastas Byku botoi në vitet 1861-1862 në Lamia të Greqisë gazetën greqisht-shqip “Pellasgos”, kushtuar çështjes shqiptare.

Të njëjtit qëllim i shërbente edhe abetarja e vogël me titull “Gramë për shqiptarët” (1861), në të cilën përdorej alfabeti greqisht për shkrimin e shqipes. Më tej Anastas Byku punoi për ngritjen e një rrjeti të gjerë shkollash fillore e të mesme në gjuhën shqipe, për të cilat u përpoq të fitonte përkrahjen financiare edhe të Vangjel Zhapës. Por Anastas Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit. Rrugën e Anastas Bykut e ndoqi në fillim të veprimtarisë së vet edhe Jani Vretoja nga Postenani i Leskovikut (1822-1900), si dhe Eftim Brandi nga Korça (veproi në vitet 1860-1880).

Mendimi i Anastas Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre nga Thimi Mitkoja. Lufta që zhvillonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në fronte të ndryshme dëshmonte për rritjen e saj ideologjike. Mendimi i rilindësve, i formuar qysh në këtë kohë, në lidhje me rrugën e veçantë historike të popullit shqiptar, u bënte jehonë kërkesave të kryengritjeve popullore kundërosmane për autonominë e Shqipërisë. Me forcimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare filluan të diferencoheshin edhe radhët e rretheve borgjeze “turkomane” e “grekomane”, një pjesë e anëtarëve të të cilave u bashkua me të.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:51 PM | Message # 10
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Kriza Lindore e viteve 1853-1856 dhe Shqipëria

Kryengritjet kundër Tanzimatit dhe sidomos kryengritja e madhe e vitit 1847 i kishin treguar Stambollit rrezikun që i kanosej Perandorisë nga një acarim i ri i gjendjes në Shqipëri në një kohë kur kishte filluar të rritej edhe lëvizja e përgjithshme për çlirimin kombëtar të popujve të Ballkanit dhe ishin acaruar kontradiktat e Fuqive të Mëdha lidhur me trashëgimin e “të sëmurit të Bosforit”, siç quhej tashmë Perandoria Osmane. Shqetësimi i Portës ishte shtuar edhe nga interesimi që kishin filluar të tregonin për Shqipërinë shtetet e reja ballkanike dhe nga orvatjet e tyre për t’i shfrytëzuar lëvizjet kundërosmane të shqiptarëve.
Në këto rrethana, kur mund të shpërthente një konflikt ndërkombëtar, Stambolli, duke dashur të kishte në krahun e vet forcën ushtarake të shqiptarëve, që e çmonte shumë, krahas zgjerimit të propagandës panislamike mori edhe disa masa për të ulur tensionin në marrëdhëniet me shqiptarët. Autoritetet osmane në Shqipëri u urdhëruan të mos përdornin përkohësisht forcën për të zbatuar reformat. Sulltani fali një varg krerësh të burgosur ose të internuar të kryengritjes, si dhe Zenel Gjolekën. Më 1849 kapedanit të Mirditës Bibë Doda iu dha titulli pashë dhe iu njoh e drejta që të merrte pjesë në luftë me një repart të vetin, të përbërë prej afër 10 mijë luftëtarësh. Si komandantë repartesh të çrregullta u njohën edhe feudalë të tjerë, të cilëve Porta u siguroi shpërblime e grada.

Nga ana tjetër, në Shqipëri kishte filluar të shtohej gjithnjë e më shumë shqetësimi i shkaktuar nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinje, i cili e kishte rritur gatishmërinë e popullsisë për të mbrojtur trojet e veta. Këtë rrethanë u përpoq me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte qeveria osmane për të nxitur urrejtjen e shqiptarëve kundër vendeve fqinje dhe për të siguruar një bashkëpunim sa më të ngushtë me ta.

Një rast i tillë u paraqit më 1852, kur Turqia i shpalli luftë Malit të Zi duke marrë shkas nga disa ndryshime në formën e shtetit që kishte bërë princi i ri Danilo. Thirrjes së sulltanit për të marrë pjesë në luftë iu përgjigjën një varg krerësh feudalë dhe bajraktarë shqiptarë, midis tyre edhe Bibë Doda, Zenel Gjoleka etj., të cilët shkuan me repartet e tyre në ndihmë të ushtrisë osmane. Por lufta nuk i solli ndonjë përfitim Stambollit. Ndonëse u sulmua edhe nga Shqipëria e nga Hercegovina, Mali i Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, doli nga lufta i padëmtuar. Repartet shqiptare nga ana e tyre patën humbje të ndjeshme në njerëz, midis të tjerëve u vra edhe Zenel Gjoleka.

Përleshjet e përgjakshme në kufirin turko-malazez vijuan edhe pas luftës. Ato nxiteshin nga krerët e Malit të Zi për të përgatitur truallin për aneksimin e trojeve veriore të Shqipërisë. Por sulmet malazeze ndeshën në qëndresën e vendosur të popullsisë shqiptare të këtyre krahinave.

Në mesin e shek. XIX u acarua edhe më shumë rivaliteti ndërmjet Fuqive të Mëdha evropiane për ndikimin në vendet e Lindjes së Afërme. Në këtë kohë Anglia e Franca e kishin dëbuar pothuajse krejtësisht Rusinë e prapambetur nga tregjet e kësaj zone. Por Rusia nuk kishte hequr dorë nga synimi për të shtënë në dorë Ngushticat e Dardaneleve dhe vetë Stambollin, që të shtrinte kështu më tej praninë e saj në Lindjen e Afërme e në Ballkan. Ajo priste të krijohej një gjendje ndërkombëtare e përshtatshme për ta shembur Perandorinë e sulltanëve dhe për të arritur këto qëllime. Në projektet e saj për rregullimin e ardhshëm të Turqisë Evropiane, Rusia parashikonte krijimin e forcimin e shteteve të pavarura, sllave ose përgjithësisht të krishtere, të cilat do të ishin nën ndikimin e Rusisë. Por në këto projekte nuk figuronte Shqipëria. Qeveria cariste nuk parashikonte krijimin e një shteti shqiptar dhe prandaj qëllimisht i identifikonte shqiptarët myslimanë me turqit, ndërsa ata të krishterë ortodoksë me grekët.

Politika ruse e copëtimit të Perandorisë Osmane ndeshi në kundërshtimin e vendosur të fuqive perëndimore e në radhë të parë të Anglisë e të Francës. Këto fuqi vijonin të garantonin e të përkrahnin status quo-në dhe paprekshmërinë e Turqisë, sepse po e kthenin atë në një gjysmëkoloni të tyre dhe sepse me ruajtjen e Turqisë pengohej dalja e Rusisë në Mesdhe. Kur në korrik 1853 qeveria cariste i shpalli luftë Perandorisë Osmane (Lufta e Krimesë, 1853-1856), ajo u gjend shumë shpejt përpara një konflikti të madh, në të cilin Anglia e Franca dhe më vonë edhe Mbretëria e Sardenjës morën anën e Turqisë. Pas një vargu fitoresh fillestare të Rusisë në frontin e Danubit e në det, operacionet e aleatëve të Turqisë u përqendruan në gadishullin e Krimesë dhe prandaj konflikti mori emrin Lufta e Krimesë.

Duke pasur ushtritë e saj në brigjet e Danubit, Rusia u bëri thirrje popujve ortodoksë të Ballkanit të rrëmbenin armët kundër shtypësit shekullor. Duke shpresuar se me fitoren e Rusisë ortodokse do të përmirësohej gjendja e tyre, kësaj thirrjeje iu përgjigjën vullnetarë nga vende të ndryshme ballkanike, si edhe shqiptarë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut.

Edhe Turqia nga ana e saj u përpoq të mobilizonte forcat shqiptare me parullën e mbrojtjes së fesë islame, por nuk arriti ndonjë sukses të madh. Ajo nuk mundi të nxirrte nga Shqipëria veçse pak nizamë. Nuk dhanë fryte të dukshme edhe përpjekjet e saj për të dërguar krerët shqiptarë me forcat e tyre në frontin rus. Shumica e tyre nuk pranoi të shkonte në një front kaq të largët, siç ishte fronti i Danubit dhe preferoi t’i mbante forcat gati në rastin e një sulmi të mundshëm nga Mali i Zi ose nga Greqia. Vetëm Bibë Doda me një numër mirditasish u nis për në front, por pas disa kohësh edhe ai u kthye në vendin e vet për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën midis tij dhe komandantit turk, Omer Pashës.
Lufta e Krimesë nxiti Malin e Zi dhe Greqinë të ndërmerrnin veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane. Mali i Zi ndërmori disa sulme në Hercegovinë e në tokat shqiptare dhe përgatiste një goditje kundër Tivarit. Por përballë qëndresës së vendosur të shqiptarëve dhe nën presionin e fortë të Austrisë e të Francës, princi Danilo u detyrua të hiqte dorë nga kjo ndërmarrje.

Më larg shkuan veprimet e Greqisë. Megjithëse Anglia e Franca nuk e lanë të hynte në luftë kundër Portës, qeveria greke organizoi çeta të shumta të komanduara nga oficerë të ushtrisë, të cilët u futën fshehurazi në Thesali dhe në krahinat e vilajetit të Janinës për të organizuar një kryengritje kundërosmane. Ata hynë edhe në krahina të Shqipërisë, duke bërë kështu një hap të parë drejt sendërtimit me forcën e armëve të “Megali Idesë”. Për këtë qëllim ajo u përpoq të shfrytëzonte urrejtjen e shqiptarëve ortodoksë kundër sundimtarëve osmanë dhe prandaj vuri në krye të lëvizjes figura të shquara të luftës për pavarësi me prejardhje arbëreshe ose nga Suli, si Theodhor Griva e Nikollë Zerva, të cilët do t’i jepnin kryengritjes në tokat shqiptare dukjen e një aleance greko-shqiptare.

Më 2 janar 1854, pasi shpallën “lirinë dhe pavarësinë” e gjithë provincave të “Greqisë së Vjetër”, udhëheqësit e kryengritjes, me parullën “perandori greke ose vdekje”, i ftuan banorët e këtyre krahinave të rrëmbenin armët. Kryengritësit arritën në fillim disa suksese në ato krahina ku nuk kishte ushtri të rregullt dhe ku vepronin disa feudalë shqiptarë me forcat e tyre lokale. Arta ra në duart e kryengritësve dhe një çetë e madhe andartësh?, e komanduar nga gjenerali Griva, arriti deri në Mecovë. Gjatë marshimit në viset e brendshme të vilajetit të Janinës, andartët grekë përdorën edhe forcën për t’i detyruar vendasit të bashkoheshin me ta, ndërsa në Filat persekutuan në prill të vitit 1854 disa familje shqiptare, midis të cilave edhe atë të Xhafer pashë Demit.

Por synimet aneksioniste të qeverisë greke bënë që shqiptarët t’i shmangeshin bashkëpunimit me ta dhe kryengritja të mos merrte karakter të përgjithshëm. Për më tepër, krerët shqiptarë të Jugut, ndër të cilët Çelo Picari, Halit bej Frashëri, Ahmet Çapari etj., duke njohur synimet pushtuese të Athinës, mobilizuan forcat e tyre dhe i thyen andartët grekë në krahinën e Artës dhe në Thesali. Nga ana tjetër, Anglia me Francën, pas protestave të Turqisë që e akuzoi Athinën për ndërhyrje në punët e brendshme të Perandorisë Osmane, e detyruan qeverinë e Athinës të hiqte dorë nga këto veprime, që ishin në dobi të Rusisë; si masë shtrënguese kundër saj, ato pushtuan me flotën e tyre Pireun, limanin kryesor të Greqisë.

Krizën e shkaktuar nga lufta ruso-turke e shfrytëzoi edhe Vjena për t’i shkëputur Portës së Lartë një varg koncensionesh dhe për të përforcuar pozitat në Shqipërinë e Veriut ku, në bazë të traktateve ndërkombëtare, ajo kishte fituar të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike (i ashtuquaturi kultusprotektorat)??.
Me ndërhyrjen e Austrisë u kthye përsëri në Shkodër urdhri i jezuitëve, i dëbuar prej andej 11 vjet më parë. Me anë të një demonstrate detare përpara grykës së Bunës më 1853, Vjena e detyroi Portën të lejonte ngritjen e një seminari të jezuitëve. Disa vjet më vonë u themelua në Shkodër nën mbrojtjen e Austrisë edhe një kuvend françeskan. Nga ana tjetër, kapitali tregtar austriak po bëhej veçanërisht aktiv në Shqipëri dhe në trevat e tjera perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo u pasqyrua edhe në shtimin e numrit të anijeve austriake që vinin në limanet shqiptare. Me forcimin e pozitave ekonomike e politike Austria fitoi në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor një pozitë të privilegjuar ndër Fuqitë e Mëdha.

Edhe Franca u përpoq të përforconte me këtë rast pozitat në Ballkan e të vinte nën ndikimin e saj princin Danilo të Malit të Zi dhe kapedanin e Mirditës Bibë Dodën.
Lufta e Krimesë mori fund në mars 1856 me nënshkrimin nga ndërluftuesit të Traktatit të Paqes në Paris. Në këtë Traktat u përfshinë edhe parimet themelore të Dekretit të ri perandorak (Hat-i Humajun), që sulltan Abdyl Mexhiti ishte detyruar të shpallte më 15 shkurt 1856 me shtytjen e drejtpërdrejtë të Anglisë e të Francës dhe që shënonte fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit. Ky dekret ritheksonte, përveç të tjerave, detyrimin e Portës së Lartë për t’u njohur popullsive të krishtere nën sundimin e saj disa të drejta administrative. Duke e përfshirë thelbin e Hat-i Humajunit në Traktatin e Paqes të Parisit (mars 1856), Anglia dhe Franca synonin t’i hiqnin Rusisë mundësinë që të ndërhynte në favor të këtyre popullsive dhe të vendosnin një kontroll të përbashkët mbi Perandorinë Osmane.

Shqipëria gjatë krizës ballkanike të viteve 60

Çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar të popujve ballkanas nuk gjeti zgjidhje as me Hat-i Humajunin dhe as me Traktatin e Paqes të Parisit të vitit 1856. Përkundrazi, me këtë Traktat, Anglia, Franca dhe Austro-Hungaria u bënë garante të tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së Perandorisë Osmane. Popujt e shtypur të Ballkanit nuk u pajtuan me këtë përmbajtje të Traktatit të Parisit, që përbënte një pengesë në luftën e tyre për çlirimin nga robëria osmane.
Një varg kryengritjesh çlirimtare shpërthyen gjatë viteve 60 në Hercegovinë, në Bullgari etj. Vetëm përpjekjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha perëndimore dhe prirjet shoviniste të shteteve ballkanike e shmangën mundësinë e një lufte të përbashkët të popujve të shtypur të Ballkanit kundër Perandorisë së sulltanëve.
Porta e Lartë nga ana e saj bënte çmos që ta nënshtronte principatën e vogël të Malit të Zi, e cila i kishte shkaktuar asaj kaq telashe, kurse princi Danilo organizonte vazhdimisht provokacione në kufirin turko-malazez kundër viseve shqiptare, të cilat synonte t’i aneksonte. Popullsia e Shkodrës dhe viset kufitare në veri u shqetësuan nga sulmet e çetave malazeze drejt tokave shqiptare. Edhe qarqet patriotike të vendit, me Pashko Vasën, Zef Jubanin, Oso Kukën etj. në krye, arritën në përfundimin se shqiptarët duhej të ndërmerrnin veprime mbrojtëse kundër sulmeve malazeze.

Drejt qëndresës kundër Malit të Zi i nxiste shqiptarët edhe Porta e Lartë, që ishte e interesuar të përdorte në luftë forcat e tyre. Në fillim të vitit 1862 këto provokacione çuan në shpërthimin e një konflikti kufitar, të një lufte ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Njësitë malazeze sulmuan kullat kufitare në drejtim të fshatit Vraninë, duke djegur dhjetëra shtëpi të shqiptarëve. Në këto rrethana, disa reparte vullnetarësh u nisën për në front. Në krye të tyre u vu Oso Kuka, që qe vendosur në Vraninë si komandant i forcave vullnetare, së bashku me M. Golemin, M. Begenë, I. Koplikun etj. Forcat vullnetare mbrojtën me vendosmëri një nga kullat kryesore kufitare në Vraninë.

Më 26 shkurt 1862, pas disa ndeshjesh paraprake, u zhvilluan luftime të rrepta kundër çetave malazeze në Kërnicë. Megjithëse pësuan humbje të mëdha, forcat vullnetare, me Oso Kukën në krye, qëndruan deri në fund, vendosën të mbronin vendin qoftë edhe me flijimin e jetës së tyre. I rrethuar në një kullë të ishullit të Vraninës (buzë liqenit të Shkodrës), Osoja, për të mos rënë në duart e malazezëve, u vuri zjarr fuçive të barutit dhe u hodh në erë bashkë me luftëtarë të tjerë shqiptarë, duke vrarë edhe kundërshtarët malazezë që sulmonin kullën. Akti i tij u bë një shembull vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Në vitet 60 qeveritë e Serbisë e të Greqisë u aktivizuan përsëri për ndarjen e trojeve të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik, ku përfshihej edhe Shqipëria. Qysh në vitin 1861 ato hynë në bisedime për një aleancë politiko-ushtarake kundër Turqisë. Në këto bisedime, të cilat nuk patën sukses, të dyja palët i jepnin rëndësi qëndrimit të shqiptarëve si për potencialin e tyre ushtarak që e çmonin shumë, ashtu edhe për faktin se territori i Shqipërisë do të formonte hallkën ndërlidhëse midis frontit jugor grek dhe atij verior serb. Sipas fjalëve të kryeministrit serb I. Garashanin, pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë ishte një kusht i domosdoshëm për fitoren mbi Turqinë.

Një mendim të tillë kishin edhe shumë diplomatë rusë. Njëri prej tyre, M. Hitrov, duke vlerësuar gjendjen në Shqipëri, ku vihej re një pakënaqësi e përgjithshme jo vetëm në malësitë dhe në radhët e borgjezisë së qyteteve, por edhe midis bejlerëve e pashallarëve të prekur nga administrata e re, deklaronte më 1862: “Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë shumë në përkrahjen e shqiptarëve, por, përkundrazi, në disa kushte të caktuara, pikërisht këtu përgatitet mbarimi i saj i shpejtë. Çdo gjë varet nga kjo: A do të përgatitet Shqipëria me kohë për ngjarjet e ardhshme? A do t’i kushtohet asaj vëmendja e duhur?”.

Në gjendjen e krijuar në Gadishullin Ballkanik ndikuan edhe ngjarjet që kishin ndodhur në Italinë e afërt. Në vitet 1859-1861, si pasojë e një lëvizjeje të gjerë popullore, ishte realizuar, ndonëse akoma jo plotësisht, çlirimi dhe bashkimi i Italisë në një shtet. Një rol të rëndësishëm në këto ngjarje kishte luajtur demokrati revolucionar Xhuzepe Garibaldi. Në luftë me diplomacitë e Fuqive të Mëdha, Xh. Garibaldi mendonte të zgjidhte çështjen e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar jo vetëm të Italisë, por të të gjitha kombeve të shtypura, veçanërisht të Evropës Juglindore e Lindore, me anë të një lëvizjeje të gjerë revolucionare të vetë popujve, të cilët, sipas tij, ishin aleatë dhe duhej të harronin urrejtjet, grindjet e paragjykimet kombëtare e fetare. “Çështja e lirisë është një e vetme, cilido që të jetë populli që e mbron. Kur ta kenë kuptuar të gjithë popujt këtë të vërtetë ..., atëherë mbretëria e despotizmit do të marrë fund përgjithmonë ... Kur të jetë përmbysur më në fund krenaria e Habsburgëve dhe të jetë dëbuar osmani barbar në shkretëtirat e tij, Adriatiku do të banohet në të dy brigjet prej popujsh të lirë, të denjë të duhen e të kuptohen si vëllezër ...”, deklaronte Garibaldi në një proklamatë të vitit 1862.

Vëmendja e revolucionarëve italianë u drejtua edhe nga Shqipëria. Arbëreshët e Sicilisë e të Kalabrisë, të cilët kishin luajtur një rol me rëndësi në lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë dhe ishin të lidhur me Garibaldin, shërbyen në këtë rast si ndërmjetës për vendosjen e lidhjeve ndërmjet revolucionarëve italianë e shqiptarë.
Qendra kryesore për organizimin e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Ballkanit u krijua në Korfuz. Emisarët italianë filluan të përshkonin Shqipërinë dhe provincat e tjera ballkanike të Perandorisë Omane. Me kërkesën e shqiptarëve, Garibaldi filloi të dërgonte armë në Shqipëri. Ai parashikonte t’i zbarkonte forcat e veta diku në bregun e Shqipërisë dhe, duke u bashkuar me forcat vendase, të niste marshimin drejt veriut.
Kjo ekspeditë, sipas mendimit të revolucionarit të shquar italian, do ta ndihmonte popullin shqiptar, që ai e çmonte si popull trim, të fitonte lirinë dhe do ta vinte diplomacinë evropiane, që nuk ishte për një kryengritje, përpara një fakti të kryer.

Por diplomacia evropiane dhe vështirësitë e brendshme e penguan një zhvillim të tillë të ngjarjeve. Këtë lëvizje u përpoqën ta shfrytëzonin qarqet qeveritare italiane për shtrirjen e ndikimit të Romës në bregun lindor të Adriatikut, ndërsa qeveria greke me anën e saj shpresonte të realizonte “Idenë e Madhe”. Greqia dërgoi emisarët e vet në Thesali dhe në vilajetin e Janinës për të drejtuar veprimet e bandave të andartëve grekë në këto krahina. Përpjekjet e saj për të gjetur mbështetje te shqiptarët, që tanimë i njihnin synimet aneksioniste të Athinës, nuk dhanë rezultat, ndërsa komitetet greko-shqiptare, që arriti të ngrejë ajo më 1862, siç ishin ai i Janinës dhe i Durrësit, nuk u vunë në shërbim të politikës së Athinës. Komiteti i Durrësit, më 15 korrik 1862, doli botërisht me anën e një promemorjeje, drejtuar opinionit publik evropian, kundër synimeve të Athinës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, shpalli se shqiptarët, edhe pse çështja e tyre nuk po përkrahej nga diplomacia evropiane, ishin të vendosur të luftonin, nën flamurin e Skënderbeut për të çliruar atdheun e tyre.
Porta e Lartë, e alarmuar nga mundësia e një zbarkimi të garibaldinëve, mori masa ushtarake duke bllokuar me flotën e saj bregdetin shqiptar dhe duke lidhur një marrëveshje me Austrinë për të luftuar së bashku çdo lëvizje revolucionare në Ballkan.

Pas disfatës që pësoi Austria në luftën kundër Prusisë më 1866 dhe duke marrë shkas nga kryengritja e popullsisë greke të Kretës që shpërtheu po atë vit kundër zgjedhës osmane, Rusia filloi të bënte përsëri një politikë aktive në Ballkan. Duke synuar të vendoste ndikimin e saj në këtë zonë, diplomacia ruse kërkoi nga Porta njohjen e autonomisë së popujve të krishterë të Perandorisë.
Me memorandumet e kancelarit Gorshakov të datës 12 mars dhe 18 prill 1866, qeveria ruse, duke u bërë një kritikë të ashpër reformave të deriatëhershme centraliste, paraqiste një projekt për krijimin e katër provincave të mëdha autonome në Turqinë Evropiane, që do të kishin të drejta mjaft të gjera vetëqeverisjeje. Por projekti rus e mbështeste parimin e autonomisë mbi fenë e popullsisë. Asnjëra nga provincat nuk do të kishte karakter homogjen nga pikëpamja etnike. Shqipëria e Veriut dhe Kosova parashikohej të bashkoheshin me Bosnjën dhe Hercegovinën me popullsi sllave, kurse Shqipëria e Jugut me Thesalinë dhe me krahinat e vilajetit të Janinës.

Politika ruse përpiqej njëkohësisht të krijonte në Shqipëri edhe një vatër të dytë kryengritjesh pranë Kretës, për ta ashpërsuar edhe më tej krizën. Diplomatët rusë u vunë në lidhje me disa feudalë shqiptarë të pakënaqur; ndër ta ishte edhe Xhelal pashë Mati, i cili rronte në Stamboll nën vëzhgimin e Portës. Pashai shqiptar i premtoi Rusisë se do të mobilizonte forca të rëndësishme shqiptare për një kryengritje me kusht që të kishte përkrahjen financiare dhe politike të Rusisë. Qeveria ruse e vuri pashën e Matit në lidhje me qeverinë serbe, e cila e siguroi se do ta përkrahte në përpjekjet për t’u bërë sundimtar i pavarur i vendit të tij. Lidhje të tilla qeveria serbe krijoi edhe me disa krerë bajraktarë të Veriut e të Dibrës.

Meqë ndërhyrja energjike e Anglisë nuk e lejoi të merrte pjesë haptazi në konfliktin midis Portës dhe kretasve, qeveria greke filloi të hidhte andartë në Thesali dhe në vilajetin e Janinës. Qeveria e Athinës edhe kësaj radhe u përpoq të gjente mbështetje në viset e banuara nga shqiptarët. Por propaganda e saj, ashtu si edhe më parë, doli me parullën për formimin e një Greqie të Madhe, që kësaj here shtrihej “nga gjiri i Burgasit në Detin e Zi e deri në Shkodrën e Shqipërisë në detin Adriatik”, gjë që jo vetëm e bëri të pamundur çdo afrim me shqiptarët, por shkaktoi edhe kundërshtimin e vendosur të tyre.

Pas dështimit të bisedimeve serbo-greke të vitit 1861 dhe të nismave të tjera që u morën më 1862 e më 1863 për një luftë të përbashkët kundër Turqisë, qeveritë e Athinës e të Beogradit i rifilluan ato në janar të vitit 1867 dhe i përfunduan më 26 korrik të atij viti me një traktat të nënshkruar në qytetin austriak Vëslau dhe me një konventë ushtarake që u nënshkrua në Athinë më 28 shkurt 1868. Gjatë këtyre bisedimeve të dy palët hynë në pazarllëqe për ndarjen e territoreve dhe i trajtuan si plaçkë tregu sidomos tokat shqiptare. Qysh në fillim ato u morën vesh që Greqia nuk do ta kundërshtonte aneksimin nga Serbia të Bosnjës, të Hercegovinës dhe të Shqipërisë Veriore gjer në Durrës, kurse Serbia do të pranonte bashkimin e Thesalisë, të Epirit (ku përfshihej Shqipëria Jugore dhe e Mesme deri në Durrës), të Maqedonisë, të Thrakës dhe të ishujve të Egjeut me Greqinë. Këto ishin kërkesat e tyre maksimale që do të shërbenin si bazë për ndarjen territoriale pas fitores së luftës kundër Turqisë, kurse në traktat u përfshinë zyrtarisht kërkesa më të moderuara. Gjatë të gjitha bisedimeve, si edhe në dokumentet përfundimtare, shqiptarëve u kushtohej një vëmendje e veçantë. Të dy palët merrnin përsipër të punonin me të gjitha mjetet për t’i pasur ata me vete në rastin e konfliktit me Turqinë, d.m.th. për t’i hedhur shqiptarët në një luftë, fitorja e së cilës do të çonte në copëtimin e atdheut të tyre.
Megjithatë, këto projekte për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Serbisë e Greqisë nuk u realizuan në atë kohë. Ato do të ringjalleshin për t’u vënë në jetë gjatë Krizës Lindore të viteve 70 dhe luftës ruso-turke të 1877-1878-ës, që përfundoi me disfatën e plotë të Perandorisë Osmane.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:52 PM | Message # 11
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
5. ACARIMI I MARRËDHËNIEVE TË SHQIPTARËVE ME
SUNDIMTARËT OSMANË DHE QËNDRESA NDAJ TYRE
(VITET 1850-1873)

Pasojat e Tanzimatit në Shqipëri

Qëndresa kundërosmane e popullsisë shqiptare, megjithëse nuk pati shtrirjen e kryengritjeve të dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, nuk reshti as në vitet 50-60 të shek. XIX. Reformat që sulltani shpalli me Dekretin perandorak (Hat-i Humajun) të 18 shkurtit 1856, që shënoi fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit, nuk e përmirësuan gjendjen e popullsisë shqiptare dhe si rrjedhim nuk zhdukën truallin për shpërthimin e kryengritjeve të reja. Dekreti i ri ishte vazhdim i reformave të Aktit të Gjylhanesë (viti 1839), të cilat nuk arritën të viheshin në jetë. Ai shpalli përsëri barazinë e të gjithë shtetasve osmanë, myslimanë e të krishterë, sigurimin për të gjithë, pa dallim feje, të paprekshmërisë së personit, të nderit e të pasurisë; vendosi të formonte gjyqe të hapura, të ndalonte konfiskimin e pasurisë së të paditurve; të krijonte gjykata të përziera, të fuste të krishterët në këshillat administrative, në shërbimin shtetëror e në shkolla ushtarake; shpalli barazinë e shtetasve në pagesat e taksave, krijimin e buxhetit shtetëror, të sistemit bankar etj.

Zbatimi i këtyre reformave, të deklaruara me kërkesën e Fuqive të Mëdha, do të sillte ndryshime në jetën politiko-shoqërore të Perandorisë Osmane duke e afruar sistemin e saj shtetëror me atë të vendeve të Evropës. Por kjo Perandori, që mbeti në thelb një shtet me një regjim absolutist e teokratik të prapambetur dhe me një ekonomi gjysmëfeudale, nuk ishte në gjendje t’i vinte në jetë ato. Përveç masave për riorganizimin e administrimit të vendit dhe të ushtrisë, reformat e tjera mbetën në letër, ashtu si ato të 1839-ës. Kështu, megjithëse parashikonin trajtimin e barabartë të shtetasve, ato nuk sollën ndonjë përmirësim thelbësor në gjendjen e tyre, nuk siguruan barazinë e shpallur me bujë dhe nuk u dhanë të drejtat më elementare as shqiptarëve si komb, as edhe popujve të tjerë joturq. Ndryshime u bënë në përmirësimin e legjislacionit osman, që filloi të hartohej sipas shembullit të atij francez, si edhe në administrimin e vendit. Por ligjet e miratuara vijuan të mos zbatoheshin, ndërsa reforma në administratë synonte të forconte pushtetin e centralizuar osman mbi popujt e robëruar. Përveç kësaj, zbatimi i reformave u shoqërua, ashtu si në vitet 30-40 me rritjen e taksave dhe me vendosjen e detyrimeve të reja, që rëndonin sidomos mbi fshatarësinë dhe mbi vegjëlinë e qyteteve.

Rrjedhojat e reformave të reja u ndjenë edhe në Shqipëri. Prej mesit të viteve 50 dhe në vitet 60 u përforcua edhe më tej administrata e re dhe masat e saj shtypëse në trevat e ndryshme të vendit. Ndarja e re administrative e vitit 1864 në vilajete, si njësi më të vogla se ato të mëparshmet, e theksoi centralizimin e pushtetit osman. Në krye të nëndarjeve të vilajeteve, të sanxhakëve (prefekturave), të kazave (nënprefekturave) dhe të nahijeve (komunave) qëndronin tani nëpunës civilë të dërguar nga qendra, në shumicën e rasteve turq. Centralizimi burokratik i administratës nuk zbutej edhe pse, për të përmbushur premtimet e dekretit të ri perandorak të vitit 1856, Porta ishte e detyruar të krijonte pranë organeve lokale këshillat administrativë, të cilët mbetën krejtësisht formalë. Në një varg qytetesh qeveritarët osmanë nuk i pranonin fare të krishterët në mbledhjet e këshillave administrativë.

Porta e Lartë u përpoq të vinte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të administratës së re edhe krahinat malore të Veriut. Si hallkë të ndërmjetme, në fund të viteve 50, Porta krijoi pranë valiut të Shkodrës një komision të Xhibalit (Malësisë), në të cilin u emëruan si anëtarë me rrogë përfaqësues nga secili prej 26 bajrakëve të vilajetit të Shkodrës. Si anëtarë të komisionit Porta caktoi edhe 26 bylykbashë nga paria feudale turkomane e Shkodrës, të cilët do të shërbenin si komisarë qeveritarë për bajrakët. Me anë të këtij komisioni qeveria shpresonte të kufizonte autonominë e zonave malore. Edhe pse veprimtaria e komisionit të Xhibalit u përqendrua në qytetin e Shkodrës dhe çdo orvatje për ta zgjeruar atë hasi në qëndresë të armatosur, qeveritarët osmanë bënë presion të vazhdueshëm mbi Malësinë duke e ngushtuar pak nga pak autonominë e saj.

Synimi kryesor i administratës së re turke ishte të siguronte pagesën e taksave dhe mbledhjen e rekrutëve nga të gjitha krahinat. Për të përballuar shpenzimet e mëdha që kërkonte mbajtja në këmbë e aparatit burokratik e ushtarak, për të vënë në vend të ardhurat fiskale të pakësuara me humbjet tokësore që kishte pësuar dhe, më në fund, për të paguar kamatat e huave ndërkombëtare, Stambollit nuk i mbetej tjetër rrugë veç asaj të shtrëngimit të darës së taksave. Kështu, shuma e taksave të nxjerra nga popullsia e Perandorisë, e cila më 1850 kishte qenë 2,5 milionë lira ari, më 1860 arriti në katër milionë dhe vijonte të rritej. Ministria e Financave, në caktimin e shumës së taksave që do të nxirreshin nga popullsia, nuk nisej nga gjendja e numri i kontribuesve, por nga nevojat e veta. Shtoheshin llojet e taksave, por rritej sidomos shuma e kërkuar. Veçanërisht e dëmshme ishte mënyra e nxjerrjes së taksave me anën e iltizamit. Me shitjen dhe rishitjen në ankand të së drejtës së mbledhjes së taksave myltezimëve më të vegjël, e dhjeta arrinte deri në një të pestën e prodhimit. Ajo vinte vazhdimisht duke u shtuar, për arsye se çdo vit për ofertat e blerjes merrej zakonisht si pikënisje maksimumi i arritur në vitet e kaluara.

Taksa e vergjisë, që paguhej për pasurinë e patundshme (shtëpi, kopshte, dyqane) dhe për disa kategori të caktuara të ardhurash, shtohej gjithashtu vazhdimisht. Më 1863, në sanxhakun e Ohrit, që përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë Juglindore, vergjia u shtua në krahasim me vitin e mëparshëm nga 350 000 në 420 000 groshë, domethënë 20 për qind.

Taksa e veçantë që paguanin të krishterët meshkuj prej 12 deri 60 vjeç për zëvendësimin e shërbimit ushtarak (bedel-i askerie) në qytetin e Shkodrës u shtua nga 45 000 groshë që ishte në vitet 30, në 100 000 më 1856.
Për të rritur të ardhurat, Porta përqendroi në duart e veta në formë monopolesh shtetërore tregtinë e një vargu artikujsh të përdorimit të përditshëm, siç ishin kripa, plumbi, duhani, baruti dhe peshku, duke i ngarkuar ato me taksa të veçanta.

Përveç taksave shtetërore, popullsia e qyteteve paguante edhe një varg taksash komunale, si taksën e peshimit në treg, taksën policore etj. Më në fund rëndonte mbi gjithë meshkujt (prej 16 deri në 60 vjeç), taksa e rrugës, detyrimi për katër ditë pune angari në vit bashkë me kafshët e punës, detyrim që kryhej edhe në viset më të largëta.

Shtimi i tatimeve, ngarkimi i çdo veprimtarie ekonomike me taksa të reja etj., e ngritën në vitet 1850-1870 koston e jetesës në mënyrë shumë të ndjeshme. Në këtë ndikoi edhe zhvleftësimi i vazhdueshëm i monedhës turke, e cila ra deri në 40-50 për qind të vlerës së saj, meqenëse qeveria nxirrte bankënota (kamje) pa pasur mbulesën e duhur në ar.

Pjesa më e madhe e shumave që nxirreshin nga Shqipëria dhe nga provincat e tjera shkonin në Stamboll për të kënaqur lakmitë e tepruara për të holla të sulltan Abdyl Azizit (1861-1876) dhe të oborrtarëve të tij. Por edhe kërkesat për të holla të funksionarëve të lartë të Portës në provinca nuk ishin të pakta. Ata i kënaqnin lakmitë me abuzime të drejtpërdrejta ose duke marrë pjesë si ortakë në spekulime. Këto abuzime nxiteshin edhe nga praktika e Portës, e cila me qëllim i ndërronte shpesh funksionarët e saj në provinca, sepse caktimi në funksionet e larta bëhej me anë “peshqeshesh” në të holla për sulltanin. Qeveritarit të një province, zakonisht, nuk i mjaftonin as dy vjet për të nxjerrë shpenzimet e këtij “peshqeshi” dhe për të rregulluar financat e veta; nga ana tjetër, ai ishte i detyruar të nxirrte shuma sa më të mëdha taksash nga provinca e tij për të ruajtur favorin e sulltanit. Prandaj ardhja e çdo funksionari të ri shënonte një katastrofë për provincën. Nga ndërrimet e funksionarëve të lartë e pësoi në mënyrë të veçantë vilajeti i Shkodrës, ku brenda 40 vjetëve (1831-1871) u emëruan 52 valinj.

Vilajeti i Janinës, që përfshinte, ndër të tjera, gjithë Shqipërinë e Jugut (me përjashtim të rrethit të Korçës e të Pogradecit), në vitet 60 paguante rreth 22 milionë groshë, nga të cilët shkonin në Stamboll më shumë se gjysma. Në fillim të viteve 70, shuma që paguante kjo krahinë kishte arritur në afër 30 milionë, nga të cilët dy të tretat shkonin në Stamboll.

Dërgimin në Stamboll të shumave të mëdha, që nxirreshin nga provincat, autoritetet osmane e motivonin me nevojën për të mëkëmbur një aparat shtetëror modern, për ndërtim rrugësh, për sigurimin e “rendit dhe të qetësisë” etj. Në të vërtetë vendi ishte mbushur me banda kusarësh, krerët e të cilëve binin shpeshherë në marrëveshje me vetë qeveritarët osmanë dhe feudalët vendas. Plaçkitjet e vrasjet ishin diçka e zakonshme jo vetëm në fshatra, por edhe në qytete e sidomos e pësonte popullsia e krishtere. Vetëm një pjesë e borgjezisë së pasur kishte mundësi t’u shpëtonte këtyre përdhunimeve, duke siguruar me pagesë “mbrojtjen” nga ana e konsullatës së ndonjë shteti evropian ose nga vetë kusarët. Edhe ajo pjesë e taksave që mbetej në vend nuk përdorej për qëllime prodhuese por, para së gjithash, për mbajtjen e aparatit parazitar burokratik.

Shfrytëzimi i egër feudal, shtypja dhe abuzimet e administratës së re, e keqësuan në kulm gjendjen ekonomike të popullsisë. Udhëtarë të huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë viteve 1860-1875, kanë vënë në dukje se mjerimi i fshatarësisë në disa krahina ishte aq i madh, saqë, siç thoshte konsulli rus Trojanovski, “prindërit i çojnë fëmijët e tyre në pazar për t’i shitur. Edhe familje që kanë qenë dikur mirë, kanë rënë në gjendje lypësish”. “S’është aspak për t’u çuditur, - shkruante Jonin, një tjetër diplomat rus, - përse fshatari i mjerë, duke jetuar në një gjendje të tillë, humbi çdo shije dhe dëshirë për punë...”. Në këto kushte u rrit zemërimi e urrejtja kundër sundimtarëve osmanë dhe feudalëve turq, që thirreshin me emrin përbuzës “halldupë” (të trashë, të pangopur) ose “konjarë” (nga qyteti Konja i Anadollit, me kuptimin “njerëz të këqinj”).

Fshatarë të veçuar rrëmbenin armët, dilnin maleve dhe përpiqeshin të hakmerreshin kundër shtypjes së rëndë nga ana e organeve shtetërore. Lëvizja e “kaçakëve”, si shprehje e protestës shoqërore e kombëtare që njihej qysh shumë kohë përpara, mori përpjesëtime më të mëdha. Një shprehje të kësaj ndjenje të përgjithshme e jepte në vitin 1865 dervishi bektashi Ali me anë të një vjershe, e cila është një dëshmi e gjallë e patriotizmit popullor të kësaj kohe:
... Ky halldupi, ky konjari, bukën tonë po na ha, / Xhveshur, zbathur na ka lënë, lakuriq pa një para. / Gjithë halldupët pashallarë, të mëdhenj e si të zotë. / Shqipëtari s’ka të mbajë asnjë feste më kokë. / Gjynah, pra, nga perëndija të punojë shqipëtari / Dhe të hajë e të pijë e të bëjë rehat konjari ...

Revolta e popullsisë së Shkodrës më 1854

Gjendja e keqe ekonomike dhe abuzimet e papërmbajtura të administratës së re osmane në Shkodër i dhanë shkas shpërthimit në këtë qytet të një revolte të fuqishme të popullsisë.
Gjatë viteve 1851-1852, valiu i ri Masar Pasha ua dyfishoi të krishterëve të qytetit taksën “nizamie”, të përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, një pjesë të mirë të së cilës e merrte për vete. Protestat që popullsia bëri në Stamboll kundër këtij veprimi arbitrar nuk dhanë rezultat. Shpallja në Shkodër, në pranverën e vitit 1854, e një fermani të sulltanit për barazinë e të drejtave të nënshtetasve të krishterë me ata myslimanë, nuk e qetësoi gjendjen, sepse Masar Pasha dhe administrata e tij vijonin të grabisnin popullsinë.

Përveç kësaj, një burim tjetër pasurimi për qeveritarët turq u bë spekulimi me tregtinë e drithit sidomos më 1854, kur zhvillohej Lufta e Krimesë (1853-1856) dhe vijonin konfliktet me Malin e Zi. Duke bashkëpunuar ngushtë me ta, sipërmarrësit e tregtarët e grumbullonin drithin dhe e shisnin me leverdi jashtë vendit. Pasoja e menjëhershme e këtij veprimi ishte ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë e sidomos e çmimit të drithit, që edhe në kohën e lëmit u dyfishua në vend që të ulej. Përveç mungesës së drithit gjendjen në Shkodër e keqësoi edhe më shumë detyrimi i popullsisë për të mbajtur me ushqime 20 mijë ushtarë osmanë që ndodheshin në kufirin turko-malazez. Shkodrës po i kanosej zija e bukës. Pakënaqësia e shtresave të varfra shpërtheu haptazi, kur në qytet ndodhën vdekjet e para nga uria. Më 7 gusht 1854 vegjëlia qytetare e udhëhequr nga Hasan Alia, klerik i ri që do të njihet më vonë me emrin Sheh Shamia, organizoi një mbledhje të gjerë, ku kërkoi ndalimin e eksportit të drithit, uljen e çmimeve dhe dënimin e spekulatorëve. Por valiu nuk mori asnjë masë.

Të nesërmen, më 8 gusht, një turmë e madhe prej disa mijëra zejtarësh e punëtorësh të varfër vërshoi në treg, i cili u mbyll, ndërsa qeveritarët u detyruan të tërhiqeshin në kala. Demonstruesit hapën hambarët dhe ua shpërndanë drithin banorëve të varfër. Sheh Shamia dha shembullin duke hapur i pari hambaret e babait të vet. Një ditë më vonë, vegjëlia e armatosur organizoi një demonstratë të madhe dhe kërkoi largimin e valiut nga qyteti. Atëherë ndërhyri konsulli i Francës, i cili bëri çmos që të shpërndante të revoltuarit, duke vënë në dukje rrezikun që mund t’i vinte Shkodrës nga revolta për shkak të gjendjes së luftës dhe qëndrimit kërcënues të Malit të Zi.

Pas mbarimit të veprimeve ushtarake në kufirin me Malin e Zi, Porta e zëvendësoi Masar Pashën, dërgoi në Shkodër valiun e ri, gjeneralin Mustafa Pasha, me 10 000 ushtarë nizamë, që ndërmori arrestime në masë. Sheh Shamia mundi të largohej fshehurazi nga Shqipëria, kurse drejtuesit e tjerë të revoltës u internuan.Valiu ndaloi eksportimin e drithit nga qyteti i Shkodrës. Megjithatë, edhe pse kishte forca të shumta ushtarake, valiu nuk guxoi të zbatonte reformat e Tanzimatit në Shkodër.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:54 PM | Message # 12
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Sipas planit të hartuar nga grupi i intelektualëve shkodranë, kryengritja kombëtare shqiptare, që do të ishte njëherazi pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme kundërosmane në Ballkan, duhej të shpërthente në Mirditë në pranverën e vitit 1862 dhe prej këtej do të shtrihej edhe në malësitë e tjera. Për realizimin e këtij plani ata mbështeteshin në gatishmërinë për luftë që kishin prej kohësh popullsitë e armatosura të Malësisë, në rrethanat e krijuara nga gjendja e luftës me Malin e Zi, që i lidhte duart Perandorisë Osmane, si edhe në ndihmën që shpresonin të kishin nga Franca. Në të vërtetë, Napoleoni III prej disa kohësh kishte filluar t’i ndiqte me interes ngjarjet në Ballkan, me qëllim që ta rivendoste përsëri ndikimin e Perandorisë Franceze në Lindje. Në konfliktin malazezo-turk Franca përkrahu principatën e vogël, por nuk i kurseu as premtimet e ndihmat për Shqipërinë e veçanërisht për Mirditën, e cila, për numrin e bajrakëve, për potencialin luftarak më të madh dhe për ndikimin që kishte ndërmjet malësive të tjera, kishte tërhequr vëmendjen e perandorit francez.

Sipas mendimit të grupit shkodran, kapedani i Mirditës Bibë Doda duhej të ngrinte i pari flamurin e kryengritjes dhe të shpallte një principatë shqiptare autonome ose të pavarur, rreth së cilës më vonë mund të bashkoheshin edhe krahinat e tjera të vendit.

Pasi arriti t’i ndalonte malësorët të mos rekrutoheshin në repartet ndihmëse që kërkonte të ngrinte Porta, grupi i atdhetarëve shkodranë filloi të përgatiste truallin për kryengritjen. Por kapedani Bibë Doda, i cili si pasha merrte një rrogë të majme, u tremb nga zhvillimi i ngjarjeve dhe u tërhoq nga ndërmarrja. Kur ai, në pranverën e vitit 1862, duke plotësuar urdhrat e qeverisë, u mundua të rekrutonte disa reparte vullnetarësh, në Mirditë shpërtheu një konflikt i ashpër. Në këtë konflikt shumica e popullsisë u rreshtua kundër kapedanit, të cilin e akuzonte se donte të përfitonte në kurriz të saj, se edhe në fushatat e mëparshme kishte përvetësuar rrogat e vullnetarëve, se po i shpinte ata në një vdekje të sigurt etj. Në këto kushte ky u detyrua të largohej nga Mirdita dhe të kërkonte strehë e mbrojtje te valiu turk në Shkodër. Ndërkohë mirditasit sulmuan shtëpitë e pronat e kapedanit në Kallmet dhe u vunë zjarrin.

Njëkohësisht reparte të tjera ndërprenë rrugën Shkodër-Prizren. Gjendja u bë kërcënuese për Portën. Masa që mori ajo me arrestimin e abatit Gaspër Krasniqi, i cili ishte bërë udhëheqësi i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe më shumë gjendjen. Patriotët shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si “vrasës të popullit të tij” e qeverinë e sulltanit si “shtypëse të pamëshirshme të kombit shqiptar” dhe të vinin në dukje se Fuqitë e Mëdha, si Anglia e Austria, të cilat me politikën e tyre përkrahnin “një kufomë që quhet Turqi”, ndihmonin për të mbajtur edhe më tej popullsitë e Ballkanit nën zgjedhën e Perandorisë Osmane.

Me gjithë fillimet e mbara, kryengritja në Mirditë nuk mori hov. Fitoret e rëndësishme që korri ushtria turke kundër malazezëve në qershor 1862, armëpushimi i arritur në gusht të atij viti dhe dështimi i projekteve për kryengritjen e përgjithshme në Ballkan i hoqën lëvizjes mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm. Për më tepër, kundër saj ndërhyri tani edhe diplomacia austriake, e cila e shihte me shqetësim gjithnjë më të madh zhvillimin e ngjarjeve në Shqipërinë e Veriut. Hovi i kryengritjes ra. Pas disa kohësh Bibë Doda u kthye përsëri në Mirditë si kapedan-pashë.

Me përpjekjet e përfaqësuesve të kulturuar të borgjezisë për t’u lidhur me lëvizjen popullore kundërosmane dhe për ta organizuar e për ta drejtuar atë bëhej një hap i ri në lëvizjen kombëtare. Por lëvizja u projektua në një zonë të ngushtë, të banuar vetëm nga popullsi katolike, pa lidhje me krahinat e tjera dhe për më tepër u zhvillua vetëm në Mirditë, në një nga krahinat më të prapambetura të vendit.

Qëndresa kundërosmane e viteve 1867-1873

Orvatjet që bënte herë pas here Porta e Lartë për të zbatuar Tanzimatin në zonat e panënshtruara të vendit, ku ruheshin venomet tradicionale ose për të vendosur taksa të reja, që rëndonin në mënyrë të veçantë popullsinë, shoqëroheshin me konflikte të njëpasnjëshme. Në vitet 1867-1868 Porta ndërmori ekspedita të reja kundër krahinave të Lumës dhe të Malësisë së Gjakovës. Por zaptiet (xhandarët) turq që vajtën për të nxjerrë taksa e rekrutë u pritën me pushkë dhe u dëbuan nga popullsia e udhëhequr nga krerët Binak Alia e Shaqir Curri. Një farë suksesi patën autoritetet turke në Mirditë pas vdekjes së Bibë Dodë pashës më 1868; ato larguan për në Stamboll trashëgimtarin e tij të mitur Prengën dhe vendosën një kajmekam nga gjiri i familjes së kapedanit të vdekur, si dhe dy batalione ushtarësh. Megjithatë, Porta nuk mundi ta thyente qëndresën e mirditasve, të cilët, duke kërkuar që kjo trashëgimi të respektohej sipas zakonit, e mbrojtën për një kohë të gjatë autonominë e tyre. Më 1873 atje shpërtheu kryengritja e disa muaj më vonë ajo u shtri edhe në Dukagjin. Ekspedita osmane shtypi egërsisht popullsinë, por duke mos mundur ta nënshtronte atë u detyrua të tërhiqej.

Në vitin 1869, shtypja e ushtruar nga organet e Portës shkaktoi revolta në qytetet Pejë, Gjakovë e Prizren. Lëvizja mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në Shkodër. Pakënaqësia e shkodranëve shpërtheu atëherë kur valiu vendosi tri taksa të reja, veçanërisht “karagjymrykun”. Tani fshatarët detyroheshin të paguanin 8 për qind të vleftës për çdo mall që çonin në qytet. Kjo taksë sillte shtrenjtimin e ndjeshëm të jetesës dhe dëmtonte veçanërisht shtresat e vegjëlisë. Me këtë rast borgjezia shkodrane paraqiti ankesat e vjetra kundër korrupsionit të valiut dhe të gjyqeve, si dhe kundër abuzimeve që bëheshin me monopolet shtetërore të kripës e të duhanit.

Shkodranët dhanë kushtrimin dhe kërkuan ndihmën e malësorëve. Por autoritetet turke, duke nxitur fanatizmin fetar, ia dolën ta përçanin popullsinë qytetare dhe të largonin një pjesë të saj nga lufta. Megjithatë, malësorët i sulmuan forcat kryesore ushtarake që ishin përqendruar pranë qytetit në fushën e Shtojit, por pas një përleshjeje të ashpër me një armik më të madh në numër e të armatosur mirë, malësorët e pushuan zjarrin, duke lënë në fushën e luftës shumë të vrarë e të plagosur.

Po në vitin 1869 ndodhën turbullira në krahinën e Matit dhe në qytetin e Tiranës. Për shpërthimin e trazirave në Tiranë u bë shkak urdhri i qeverisë për të ndërtuar rrugën për në Durrës vetëm me shpenzimet e me punën e qytetarëve dhe të fshatarëve që ndodheshin buzë rrugës. Meqenëse paria feudale e qytetit e gjeti mënyrën për të shpëtuar nga çdo detyrim, e gjithë barra i mbeti vegjëlisë, e cila protestoi duke rrëmbyer armët, ndërsa zejtarët mbyllën dyqanet. Qëndresa nuk u ndërpre edhe pasi në përleshje me repartet ushtarake u vranë mjaft qytetarë dhe u internua një numër i madh udhëheqësish.

Më 1872 ushtria osmane që u dërgua në Dibër u thye me humbje mjaft të rënda. Të njëjtin fat patën orvatjet për të nënshtruar zonat malore të Kosovës në vitet 1872-1874. Në një letër të shkruar nga Prizreni në tetor 1873 thuhej se përballë ushtrisë së madhe turke, që po futej në Kosovë, shqiptarët nuk rrinin duarkryq. Ata, thuhej në letër, “dëshirojnë ta ndezin zjarrin dhe janë të vendosur të luftojnë e të qëndrojnë përballë ushtrisë turke pa marrë parasysh nëse do t’i ndihmojë ndokush ose jo. Ata kurrsesi nuk e pranojnë pushtetin turk dhe dëshirojnë të çlirohen nga ai”. Edhe në malësitë e Kosovës, ashtu si në malësitë e tjera të Shqipërisë së Veriut, autoritetet turke ushtronin një pushtet formal, duke e kufizuar veprimtarinë e tyre vetëm në qytetet dhe në afërsitë e tyre.
Megjithëse të kufizuara e shpeshherë spontane, këto konflikte ishin rrëke që çonin ujë në shtratin e lëvizjes së përgjithshme kombëtare dhe i jepnin peshë çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:55 PM | Message # 13
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
K R E U IV

MENDIMI POLITIK DHE KULTURA KOMBËTARE

NË VITET 50-70 TË SHEK. XIX

1. RRYMAT POLITIKE NË LËVIZJEN KOMBËTARE NË FUND
TË VITEVE 60 DHE NË FILLIM TË VITEVE 70

Në fund të viteve 60 u përpunua dhe u pasurua më tej mendimi politik kombëtar, u formuluan më qartë e në mënyrë të përcaktuar një varg kërkesash kombëtare në fushën ekonomike, politike e arsimore-kulturore, të cilat shprehnin nevojat e klasës së re, të borgjezisë dhe u përgjigjeshin njëherazi aspiratave të të gjithë popullit.
Pas shtypjes së kryengritjeve të viteve 40-60 kundër Tanzimatit, ku një rol të rëndësishëm luajtën qytetet kryesore të vendit, rrethet borgjeze i humbën shpresat se mund t’u vinte ndonjë ndihmë nga shteti osman për zhvillimin e tregtisë, të industrisë dhe për mbrojtjen nga depërtimi e konkurrenca e mallrave të huaja. Për më tepër, me zbatimin e reformave të Tanzimatit përfaqësuesit e borgjezisë shqiptare ishin përjashtuar pothuajse krejtësisht nga pozitat drejtuese në administratën e re. Përveç kësaj, dobësimi i Perandorisë Osmane po e bënte gjithnjë më të qartë se ajo nuk ishte në gjendje të mbronte territoret e saj nga orvatjet ekspansioniste të shteteve të tjera. Pikërisht këto lakmi të shteteve ballkanike fqinje, që u drejtuan në mënyrë të theksuar edhe ndaj tokave shqiptare, u bënë një faktor tjetër i rëndësishëm që shqetësonte forcat më të ndryshme shoqërore të vendit.

Qarqet borgjeze shqiptare ishin gjithashtu të interesuara të zhdukeshin anarkia dhe grabitjet sistematike që kryenin sunduesit osmanë në bashkëpunim me feudalët vendas. Përveç kësaj, ato ishin të pakënaqura nga shpenzimi joprodhues i shumave të mëdha që Stambolli nxirrte nga Shqipëria duke varfëruar fuqinë blerëse të tregut shqiptar, pa i dhënë vendit asgjë që të ndihmonte zhvillimin ekonomik.
Në këto kushte, në fund të viteve 60, ideologët e lëvizjes kombëtare i formuluan hapur e më gjerë kërkesat për zbatimin në Shqipëri të reformave që do t’i çelnin rrugën zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe politik të vendit. Një ndër këta ishte Zef Jubani nga Shkodra (1818-1880), bir i një tregtari dhe i një familjeje me tradita atdhetare. Mësimet e para i mori në Shkodër dhe i vijoi në shkollën e mesme tregtare në Maltë. Jashtë atdheut ai ra në kontakt, si dhe intelektualë të tjerë të rinj shqiptarë të kësaj kohe, me qarqet demokratike të vendeve të Evropës Perëndimore dhe veçanërisht të Italisë, ku u lidh ngushtë edhe me personalitet arbëreshe.

Zef Jubani formuloi për herë të parë kërkesat e borgjezisë së re shqiptare për reforma ekonomike, shoqërore e politike. Idetë e tij për gjendjen e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për nevojën e reformave për përmirësimin e saj, Zef Jubani i parashtroi në mënyrë më të qartë në dy studime: “Gjendja aktuale e popullit të Shqipërisë së Veriut” dhe “Kundrime mbi gjendjen morale dhe mbi kulturën intelektuale të popullit shqiptar”, që u botuan më 1871 si hyrje e një përmbledhjeje këngësh popullore. Në ato vite ai i ishte kushtuar mbledhjes e studimit të folklorit shqiptar, për të cilin kishte bërë disa botime. Duke përshkruar, në dy studimet e mësipërme, gjendjen e vajtueshme ekonomike, shoqërore e kulturore ku e kishte lënë Shqipërinë sundimi i huaj, Zef Jubani vinte në dukje traditat pozitive të së kaluarës së popullit shqiptar, shprehte besimin në aftësitë e tij për të ecur përpara dhe bënte thirrje për bashkim e për të vënë të gjitha energjitë në shërbim të atdheut të robëruar.

Zef Jubani i kritikonte ashpër ligjet e padrejta, veprimet arbitrare, taksat e rënda, angaritë dhe gjykatat osmane, që drejtoheshin nga të paditur e që shkelnin drejtësinë. Ai dënonte qeveritarët osmanë, të cilët, gjoja për të luftuar zakonin barbar të hakmarrjes, përdornin mjete edhe më barbare. “Në këto kushte, - thoshte Jubani, - në Shqipëri nuk do të mund të zërë kurrë vend ideja e qytetërimit”.

Zef Jubani kërkonte që në Shqipëri të vendoseshin ligje të tilla që t’u siguronin barazinë politike gjithë banorëve të saj, pa marrë parasysh ndryshimet fetare, sepse shqiptarët “janë të një gjaku dhe janë të njëjtë për nga gjuha, për nga zakonet, për nga aspiratat”. Krahas ligjeve të përgjithshme të Perandorisë, ai kërkonte që të kishte edhe ligje të veçanta për Shqipërinë, të cilat të mbështeteshin edhe në traditat e mira të popullit të saj, “të nxjerra, - siç shkruante ai, - prej statutesh kombëtare nga më të mirat e më të përshtatshmet”. Ndërkaq, Zef Jubani shprehej në mënyrë të prerë kundër idealizimit të privilegjeve që kishte pasur dhe i ruante Malësia. Ruajtja e tyre donte të thoshte, sipas mendimit të tij, ruajtje e një gjendjeje arbitrariteti e barbarie. Ai kërkonte zbatimin e reformave që do të çonin në zhvillimin ekonomik të vendit; ishte për ndërtimin e rrugëve e të hekurudhave, për themelimin e “ndërmarrjeve publike”, për zhvillimin e lundrimit me avullore e të tregtisë, për shfrytëzimin e pasurive të vendit. Shqipëria, shkruante ai, kishte miniera të pashfrytëzuara, pyje shekullore, lëndë të çdo lloji, tokë me pasuri të begata natyrore, që, po të dinë të nxjerrin prej tyre dobi, mund t’i çojnë shqiptarët në mirëqenie.

Si iluminist i shquar, Zef Jubani mendonte se një rol të rëndësishëm për zhvillimin e aftësive të popullit shqiptar, për forcimin e ndjenjave të tij kombëtare dhe për përparimin e tij, duhej të luante shkolla kombëtare laike, me mësues vendas e jashtë çdo ndikimi fetar. Arsimi shqiptar duhej të përbëhej nga shkollat fillore, që duhej të çeleshin në çdo vend, nga gjimnazet në qytete, si edhe nga shkollat profesionale. Mësimin e gjuhës shqipe ai e quante shumë të nevojshëm për veprimtarinë e ndërmarrësve shqiptarë, sesa atë të turqishtes ose të italishtes, aq më tepër që shkollat në gjuhë të huaja e ftohnin ndjenjën kombëtare. Zef Jubani arriti në përfundimin e drejtë se përhapja e mësimit shqip nuk mund të arrihej pa një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe dhe kundërshtonte ata që shkruanin vetëm me shkronjat latine ose greke. Krijimin e një alfabeti të përbashkët ai e quante një domosdoshmëri dhe shërbim të paharrueshëm për popullin shqiptar. Në shkrimet e tij në shqip ai përdori një alfabet të posaçëm me një sistem të ri shkronjash me bazë alfabetin latin dhe hartoi një gramatikë të thjeshtë të gjuhës shqipe.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:56 PM | Message # 14
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Për të ngritur ndërgjegjen e krenarinë kombëtare të bashkatdhetarëve të tij, Zef Jubani, ashtu si rilindësit e tjerë, iu drejtua së kaluarës historike të shqiptarëve, shkroi një “Histori të jetës dhe të veprave të Gjergj Kastriotit”, që mbeti dorëshkrim e nuk mundi të shohë dritën e botimit. Zef Jubani e përshkruan Gjergj Kastriotin si një yll që ndrit e udhëheq popullin shqiptar edhe në kohët moderne, ndërsa trimëria e mençuria e tij simbolizonte virtytet e vetë popullit shqiptar. Kjo vepër është një kushtrim, një thirrje drejtuar shqiptarëve për luftë, për çlirimin e atdheut, duke ndjekur shembullin e Skënderbeut.

Ndonëse vinte në dukje me ngjyra të forta gjendjen e mjerueshme që karakterizonte Shqipërinë, Zef Jubani theksonte se nuk kishte arsye për t’u dëshpëruar, kishte besim në të ardhmen e saj, të cilën do ta siguronin vetë shqiptarët. Ai u drejtohej me zemërim të veçantë “reshperëve që s’bëjnë asgjë dhe presin, duke ndenjur me duar kryq, shpëtimin dhe qytetërimin e Shqipërisë nga kombet e huaja”, d.m.th. atyre përfaqësuesve të borgjezisë tregtare që e kishin lidhur fatin e vet politik me një shtet të huaj. “Unë nuk i besoj sinqeritetit të të huajve që na bëjnë një të mirë pa pasur një qëllim të dytë”, deklaronte Zef Jubani. Në këtë vështrim ai nuk shihte me sy të mirë as veprimtarinë e klerit të huaj katolik në Shqipërinë e Veriut, e cila u shërbente më shumë të huajve. Klerikët e huaj kishin përvetësuar këtu monopolin e arsimit e të kulturës dhe, siç theksonte ai, nuk ndihmonin në përparimin e popullit. Zef Jubani u shpreh edhe kundër pozitës mbizotëruese që mbante Austro-Hungaria në ekonominë e Shqipërisë, duke dëmtuar kështu interesat e borgjezisë shqiptare. Për shkak të këtyre qendrimeve u kritikua ashpër nga kleri katolik, që e quante atë “njeri të asnjë feje”, “... shumë të rrezikshëm nga çdo pikëpamje, sidomos në raportet politike”.

Duke kërkuar ligje, kode e institucione të veçanta, të përshtatshme për popullin shqiptar, i cili tashmë, sipas tij, ishte “formuar si një komb i bashkuar”, Zef Jubani shprehte heshtazi kërkesën e borgjezisë shqiptare për autonomi, d.m.th. për njohjen e interesave të veçanta të territorit që banohej nga kombi shqiptar dhe që dallohej nga territori i kombësive të tjera të Perandorisë Osmane.
Në një kohë me Zef Jubanin, në fundin e viteve 60, kur u acaruan marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan, parashtruan mendimet e tyre për rrugët e shpëtimit të Shqipërisë edhe rilindës të tjerë, si Thimi Mitkoja (1820-1890), Preng Doçi etj. Ata shfaqën mendimin se kishte ardhur koha për një kryengritje të përgjithshme kombëtare dhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia.
Thimi Mitkoja lindi në qytetin e Korçës në një familje tregtare me tradita arsimore e kulturore. Ndoqi shkollën në gjuhën greke në Korçë. Veprimtaria tregtare më pas i dha mundësi të njihej me Vjenën, Triesten, Venedikun, Stambollin, Athinën, Bukureshtin etj. dhe të bjerë në kontakt me lëvizjet çlirimtare të popujve të Ballkanit e të Evropës. Në vitet 60 u vendos në koloninë shqiptare të Egjiptit, ku punoi për organizimin e lëvizjes patriotike dhe u përpoq për vllazërimin e mëmëdhetarëve jo vetëm në Egjipt, por edhe në vende të tjera.

Pikëpamjet e tij i shprehu në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimin me rilindësit e tjerë e me albanologë të huaj. Si iluminist ai i kushtoi kujdes të veçantë ngritjes së nivelit kulturor e politik të shqiptarëve. Ashtu si Naum Veqilharxhi, ai e quante lëvrimin e gjuhës shqipe një nga detyrat më të ngutshme të lëvizjes për çlirim kombëtar. Thimi Mitkoja punoi me përkushtim për të krijuar te bashkatdhetarët bindjen se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta të Ballkanit, më të bukurat dhe me aftësi shprehëse të pasur. Duke iu drejtuar historisë në trajtimin e çështjes së gjuhës shqipe, mbështeste tezën për origjinën pellazgjike të shqiptarëve, me të cilën desh të vërtetonte lashtësinë e tyre dhe të gjuhës shqipe. “Shqiptarët, - shkruante Thimi Mitkoja, - janë i vetmi komb autokton i gadishullit të Ballkanit…, një komb i lidhur me një gjuhë dhe histori të tijën”.

Thimi Mitkoja shënoi një kthesë edhe në fushën e ideve e në atë politike. Zhvilloi një veprimtari të gjerë për afirmimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në opinionin publik ndërkombëtar. Ishte ithtar i kryengritjes së armatosur si mjet për çlirimin e popullit shqiptar. U bënte thirrje shqiptarëve “të rroknin armët për të rrëzuar tiraninë”. Ishte një ndër përkrahësit e idesë së lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Kërkonte formimin e një shteti kombëtar shqiptar me ligjet e veta, që të ishte në marrëdhënie të mira me fqinjët dhe i pavarur prej askujt.

Por, nga ana tjetër, vetë Thimi Mitkoja mendonte në këtë kohë se shteti i ri shqiptar do të ishte tepër i dobët për t’u bërë ballë rreziqeve që i vinin nga jashtë dhe prandaj kërkonte që Shqipëria, duke ruajtur individualitetin e vet shtetëror, të formonte me fqinjën e saj në jug, me Greqinë, një lloj lidhjeje federative ose një mbretëri dualiste, sipas shembullit të Austro-Hungarisë. Thimi Mitkoja mendonte se ishte në interes të vetë Greqisë t’u respektonte shqiptarëve të gjitha të drejtat kombëtare në shtetin e tyre, për t’i pasur si aleatë kundër një zgjerimi territorial të Serbisë drejt jugut e veçanërisht në Maqedoni. Ky mendim, i cili përkrahej edhe nga disa qarqe arbëreshe, nënvleftësonte rrezikun që kërcënonte Shqipërinë për shkak të prirjeve ekspansioniste të qarqeve drejtuese të Greqisë që Thimi Mitkoja, me sa duket, nuk i njihte mirë. Vënia në jetë e kësaj ideje do të krijonte kushte shumë të favorshme për realizimin e planeve shoviniste të Athinës. Vetë Thimi Mitkoja pas disa vjetësh do të hiqte dorë nga kjo ide.

Edhe intelektualët arbëreshë, si dhe shkrimtarja përparimtare rumune me prejardhje të largët shqiptare, princesha Elena Gjika (1828-1888)?, që bashkëpunonte me ta, mendonin se kriza e krijuar në Ballkan duhej shfrytëzuar për një kryengritje shqiptare që do të lidhej me lëvizjet e tjera kryengritëse në Evropë. Për këtë qëllim grupi i arbëreshëve u vu në lidhje me ato qarqe demokratike përparimtare italiane dhe të Evropës Perëndimore në përgjithësi, të cilat mendonin se në Gadishullin Ballkanik vendin e Perandorisë Osmane që po shthurrej, duhej ta zinte një konfederatë popujsh e shtetesh me të drejta të barabarta.

Elena Gjika, e lindur në Kostancë të Rumanisë, e pajisur me arsim e kulturë të pasur falë studimeve që kreu në Rumani, në Vjenë e në vende të tjera, iu kushtua çështjes shqiptare, për të cilën mbante lidhje me De Radën, Zef Jubanin, Thimi Mitkon, Dhimitër Kamardën dhe me shkrimtarë e atdhetarë të tjerë. Punoi për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, por mbi çdo gjë vlerësonte nevojën e bashkimit të tyre kombëtar. “Shqiptarët, - theksonte ajo, - duhej të merreshin vesh me njëri-tjetrin, t’i harronin përçarjet, të mos ketë më as gegë, as toskë, as lebër, as çamër, por bij të devotshëm të të njëjtit atdhe, sepse kështu gjaku nuk do të shkojë kot”. Për këtë ajo i referohej së kaluarës, historisë së lashtë të popullit shqiptar e veçanërisht epokës së Skënderbeut dhe kontributit të shqiptarëve në kryengritjet çlirimtare të popujve fqinjë. Këto i sillte si argumente për të provuar të drejtën e tyre për të siguruar lirinë dhe për të themeluar shtetin e tyre të pavarur. Ashtu si Naum Veqilharxhi, Elena Gjika mendonte se nuk mund të arrihej bashkimi kombëtar pa përhapjen e arsimit e të diturisë në gjuhën shqipe dhe shtronte si detyrë më të ngutshme përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në popull e lëvrimin e saj. Elena Gjika i shikonte kryengritjet shqiptare e veçanërisht ngjarjet e viteve 1866-1867 si paralajmërim të pavarësisë së Shqipërisë.

Por, në kushtet e Shqipërisë, kur shumica e madhe e feudalëve të vendit e shihnin të nevojshme ruajtjen e lidhjeve me Portën e Lartë dhe lidhjet fetare me kalifatin ushtronin gjithnjë një ndikim të madh në masat e besimtarëve myslimanë, kur borgjezia shqiptare ishte e dobët, pjesërisht e varur nga tregu i huaj dhe e përçarë nga ndikimi i feve, më realiste ishin kërkesat e atyre përfaqësuesve të mendimit politik shqiptar, si Zef Jubani etj., të cilët, pa hequr dorë nga synimi kryesor i çlirimit të vendit, e quanin të parakohshme shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia. Ata mendonin gjithashtu se një Shqipëri e pavarur, por ende e dobët dhe e pamëkëmbur, mund të binte së shpejti viktimë e politikës grabitqare të shteteve fqinje, ndërsa, duke qëndruar në kuadrin e Perandorisë Osmane si provincë autonome, Shqipëria do të siguronte më mirë tërësinë e saj, jo vetëm sepse tërësia tokësore e Perandorisë mbrohej edhe nga Porta, por edhe sepse ajo ishte garantuar nga një sërë marrëveshjesh të Fuqive të Mëdha.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:57 PM | Message # 15
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
2. KULTURA KOMBËTARE NË VITET 50 - 70

Përpjekjet për organizimin e shoqërisë kulturore dhe çështja e alfabetit të gjuhës shqipe (vitet 1850-1871)

Qysh në vitet 50, jo vetëm në Shqipëri e Vllahi, ku vazhdonte punën Naum Veqilharxhi, por edhe në Stamboll, ku ishin grumbulluar shumë shqiptarë, tregtarë, nëpunës, intelektualë, të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit, vijuan përpjekjet për lëvrimin e shqipes dhe për hapjen e shkollave kombëtare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim u bë në vitet 50 me themelimin e një shoqërie kulturore në Stamboll, qëllimi i së cilës ishte të grumbullonte mjetet e nevojshme për shtypjen e librave dhe për mbajtjen e shkollave. Shoqëria i vinte vetes si detyrë të përfshinte në gjirin e saj përfaqësues të të gjitha krahinave dhe feve. Vetëm kështu, siç deklaronte më 1857 një nga anëtarët e saj, Thimi Mitkoja, do të mund të sigurohej qëllimi i shoqërisë, “ringjallja e përgjithshme kombëtare”.

Themelimi i shoqërisë kulturore të Stambollit qe hapi i parë që bënë aktivistët e lëvizjes shqiptare për të dalë nga faza e veprimeve të veçuara, për të krijuar një bërthamë organizative e përfaqësuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Anëtarët e shoqërisë bënë përpjekje brenda dhe jashtë Shqipërisë për të siguruar përkrahje për realizimin e qëllimeve të saj.
Por veprimi i patriotëve shqiptarë nuk dha fryte, sepse u prit me armiqësi nga Porta e Lartë dhe nga qarqet panheleniste me Patrikanën greke të Stambollit në krye.

Situata e krijuar veçanërisht me krizën e viteve 60, e cila u hapi popujve të robëruar të Perandorisë perspektivën e çlirimit, i nxiti patriotët që të rifillonin përpjekjet për organizimin e lëvizjes kulturore kombëtare. Nismën për këtë e mori Kostandin Kristoforidhi (1830-1895) nga Elbasani.

Kostandin Kristoforidhi i kishte kryer studimet e larta në Maltë dhe në Angli. Nga albanologu i njohur J. G. Han ai kishte marrë nxitjen e parë për t’iu kushtuar studimeve shqiptare dhe shumë shpejt u bë një njohës i thellë i gjuhës shqipe.
Si Naum Veqilharxhi, edhe Kostandin Kristoforidhi kishte arritur në përfundimin se mësimi i shqipes kishte një rëndësi të jashtëzakonshme si shprehje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe e të drejtave të tij, si mjet vëllazërimi ndërmjet shqiptarëve të feve e të krahinave të ndryshme. Ai e shprehte këtë më vonë me fjalët: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar në hartë të botës”.

Qysh në vitin 1864, sapo kishte vajtur në Stamboll, në bashkëpunim me bashkatdhetarë të tjerë që ndodheshin atje, si Pashko Vasa nga Shkodra, Ismail Qemali nga Vlora, Hasan Tahsini nga Filati i Çamërisë, Kostandin Kristoforidhi kishte organizuar një varg mbledhjesh për ringjalljen e shoqërisë kombëtare. Në këto mbledhje morën pjesë shumë shqiptarë që ndodheshin në Stamboll, që biseduan përsëri për nevojën e sigurimit të mjeteve financiare për “shkronja dhe për shkolla shqipe”. Por kusht i domosdoshëm për hapjen e shkollave dhe për shtypjen e librave shqip ishte caktimi i një alfabeti të vetëm të shqipes, që të njihej dhe të përdorej nga të gjithë shqiptarët si alfabeti i tyre kombëtar në vend të alfabeteve të shumta që ishin në përdorim dhe pengonin mësimin e gjuhës amtare (alfabeti latin në Shkodër, alfabeti grek ndër ortodoksët e jugut, alfabeti arab midis myslimanëve, alfabeti i Dhaskal Todrit ose i Naum Veqilharxhit në disa krahina të veçanta).

Por që në mbledhjet e para u dukën shenja moskuptimi ndërmjet pjesëmarrësve në lidhje me caktimin e alfabetit. Mosmarrëveshjet nxiteshin edhe nga Porta e Lartë, e cila ia arriti qëllimit që mbledhja të shpërndahej pa dhënë fryte.
Më 1867 këto përpjekje u përsëritën. Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemali, me të cilët u bashkuan edhe shqiptarë të tjerë, si bankieri Kristaq Zografi, funksionarë shqiptarë të Portës, si Mustafa pashë Gjiriti, Rustem pashë Leskoviku etj., si përfaqësues të një komisioni nismëtar për themelimin e një shoqërie kulturore shqiptare, iu drejtuan kryeministrit, Ali Pashës, me lutje që të lejonte formimin e një shoqërie shqiptare me karakter kulturor.

Gjendja e nderë në Ballkan i kishte bindur Ali Pashën dhe disa përfaqësues të qarqeve qeveritare osmane se vazhdimi i politikës së forcës ndaj shqiptarëve dhe pengimi i çdo përpjekjeje të tyre për përparim do ta thellonte armiqësinë ndaj Portës jo vetëm të të krishterëve, por edhe të myslimanëve shqiptarë dhe do të bënte që shqiptarët të merrnin të gjithë anën e armiqve të Perandorisë. Përkundrazi, liria e mësimit të gjuhës, sipas tyre, do t’i lidhte myslimanët shqiptarë më ngushtë me Portën, ndërsa të krishterët do t’i neutralizonte. Për këtë arsye Ali Pasha autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vijonte mbledhjet e tij.
Anëtarët e komisionit iu përveshën përsëri punës për ringjalljen e shoqërisë kulturore. Mirëpo hovi që po merrte lëvizja patriotike në radhët e shqiptarëve ortodoksë e shqetësoi Patrikanën greke, e cila ushtroi trysni mbi ta për t’i larguar nga rruga e lëvizjes kombëtare. Në të njëjtën kohë filloi të ndryshonte edhe qëndrimi i kryeministrit turk ndaj nismës shqiptare. Qarqet konservatore në Portën e Lartë “kursin e butë” të Ali Pashës ndaj çështjes shqiptare e shikonin si të rrezikshëm për unitetin e islamizmit dhe të Perandorisë, meqenëse u hapte shtegun edhe kërkesave të kombësive të tjera myslimane. Nën trysninë e tyre Ali Pasha filloi t’i nxirrte pengesa komisionit nismëtar e pak më vonë e ndaloi krejtësisht veprimtarinë e tij.

Me gjithë dështimin që pësoi më 1867, grupi i atdhetarëve të Stambollit nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të krijuar një qendër të lëvizjes kombëtare. Kjo mbetej një detyrë e përhershme veçanërisht në kushtet e zgjerimit të luftës që i bënin lëvizjes shqiptare Patrikana dhe Porta. Në vitin 1867 nën hijen e Patrikanës ishte themeluar organizata me emrin “Vëllazëria qendrore kulturore” dhe më 1871 “Silogu (klubi - shën. i aut.) kulturor epiriot”, president nderi i të cilit u zgjodh renegati i çështjes shqiptare, bankieri Kristaq Zografi. Synimet e vërteta të Silogut shiheshin qartë në statutin e tij, ku gjente shprehje shqetësimi që kishte kapur Patrikanën e qarqet shoviniste greke për përparimin që po bënte Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe për rritjen e ndikimit të saj në popullsinë e krishtere shqiptare. Duke vënë në dukje se edhe në vise të largëta malore, siç ishte krahina e Shpatit të Elbasanit, kishte filluar të mësohej fshehurazi gjuha shqipe, statuti theksonte nevojën për të shtuar përpjekjet për përhapjen e arsimit grek në Shqipëri. Nën kujdesin e Silogut e me lejen e qeverisë osmane në Shqipërinë e Jugut e të Mesme u hapën dhjetëra shkolla greqisht krahas atyre turqisht.

Kjo veprimtari e qarqeve shoviniste greke bashkërendohej me politikën thellësisht antishqiptare të Portës së Lartë, e cila ua mohonte shqiptarëve të drejtën për të mësuar gjuhën amtare. Edhe gazeta zyrtare, që filloi të dilte më 1871 në Prizren, botohej turqisht e serbisht, ndërsa ajo e Janinës turqisht e greqisht.
Në këto kushte, në vitin 1871 patriotët shqiptarë të Stambollit i rifilluan përpjekjet për krijimin e një organizate patriotike shqiptare. Një rol të rëndësishëm në këto përpjekje, krahas Kostandin Kristoforidhit, luajti Hasan Tahsini (1811-1884), i cili i kishte bërë studimet në Francë dhe ishte një figurë e shquar e shkencës. Hasan Tahsini nuk reshti së predikuari se mësimi i gjuhës shqipe, edhe me shkronja joarabe, nuk ishte aspak në kundërshtim me frymën e kuranit. Rreth tij u bashkuan jo vetëm personalitete që ishin aktivizuar qysh në përpjekjet e para, por edhe intelektualë të rinj, si Sami Frashëri, Jani Vretoja etj., që rimëkëmbën komisionin nismëtar. Por Porta e Lartë edhe kësaj here i nxori pengesa komisionit nismëtar duke ngulur këmbë që puna e tij të kufizohej vetëm me të krishterët shqiptarë, kurse myslimanët s’duhej të kishin asnjë lidhje me këtë çështje.

Kundërshtime u shfaqën edhe në vetë gjirin e komisionit. Disa pashallarë, të nxitur nga Porta, kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin arab. Kundër kësaj zgjidhjeje doli shumica e anëtarëve të komisionit, të cilët vinin në dukje se jo vetëm për arsye shkencore, por edhe politike, shqiptarët, si anëtarë të familjes evropiane, nuk duhej të përdornin një alfabet oriental, por evropian.
Një grup tjetër, me Jani Vreton në krye, duke iu mbajtur tezës mbi origjinën e përbashkët pellazgjike të popullit shqiptar e grek dhe të lidhjeve kulturore ndërmjet tyre, u shprehën për alfabetin grek. Për alfabetin latin ishte më në fund një grup i tretë, me Pashko Vasën, Ismail Qemalin dhe Kostandin Kristoforidhin, të cilët mbështeteshin jo vetëm në argumente historiko-politike, por edhe në ato praktike (siç ishte fakti që shkronjat latine nuk duheshin derdhur veçanërisht, por gjendeshin të gatshme në çdo shtypshkronjë).

Një zgjidhje tjetër propozonte Hasan Tahsini, i cili, ashtu si Naum Veqilharxhi, mendonte se në kushtet e Shqipërisë duhej përdorur një alfabet i ri, krejt i veçantë, për të cilin shkronjat i kishte shpikur vetë.
Komisioni arriti më në fund në marrëveshjen për të hartuar alfabetin duke u mbështetur në parimin themelor: “për secilin tingull një shkronjë”. Ky parim përjashtonte pranimin e pandryshuar të një alfabeti latin, ashtu edhe të alfabetit grek, të cilët tingujt e veçantë të shqipes nuk mund t’i jepnin pa dyzime shkronjash. Por çështja e alfabetit dhe formimi i shoqërisë kulturore shqiptare nuk mundën të zgjidheshin përfundimisht. Porta mbajti një qëndrim kërcënues dhe pashallarët shqiptarë u larguan menjëherë nga komisioni. Në të njëjtën kohë edhe Patrikana i shtoi intrigat e saj kundër lëvizjes patriotike shqiptare. Në këto kushte komisioni u detyrua të ndërpriste edhe këtë herë punën pa arritur ndonjë përfundim konkret.

Me gjithë vështirësitë që hasën, atdhetarët nuk hoqën dorë nga qëllimet e tyre. Por, duke mos pasur lejen dhe mundësitë që të vepronin haptazi për lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare, ata përpiqeshin të punonin fshehurazi, duke bërë çdo gjë fli. Koto Hoxhi nga Qestorati i Gjirokastrës (1824-1895), i cili ishte emëruar më 1873 mësues në normalen e Qestoratit, në orët e lira u mësonte fshehurazi nxënësve shqipen dhe u ngjallte atyre dashurinë për gjuhën, për atdheun, për bashkatdhetarët e feve të tjera. Kjo veprimtari patriotike e futi Koto Hoxhin në grindje me konsullin grek dhe me peshkopin e Gjirokastrës. Peshkopi e shkishëroi dhe njëkohësisht vuri njerëz ta sulmonin. Por ky nuk u tërhoq para vështirësive. Kështu, nga shkolla e Qestoratit nuk dolën vetëm mësues fanatikë të helenizmit, por edhe atdhetarë si Pandeli Sotiri e Petro Nini Luarasi, të cilët ndoqën rrugën e Koto Hoxhit.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:58 PM | Message # 16
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Lëvizja letrare dhe botimet shkencore

Fundi i viteve 60 shënojnë një etapë me rëndësi në përparimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që u pasqyrua edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe.
Një veprimtari të madhe në këtë fushë zhvilloi Kostandin Kristoforidhi. Duke hyrë në shërbim të një organizate protestante angleze, të Shoqërisë Biblike, e cila botonte përkthime të ungjillit në gjuhë të ndryshme të botës për përhapjen e besimit fetar, Kostandin Kristoforidhi kishte shpresë që të vinte në jetë planet e tij për zhvillimin e letërsisë në gjuhën shqipe me fondet e kësaj Shoqërie. Dhe me të vërtetë, në vitet 1864-1872, me ndihmën e Shoqërisë Biblike, ai mundi të botonte mbi 10 vëllime, ndërmjet të cilave ishin disa përkthime të rëndësishme fetare, si “Dhjata e re” etj.

Por Kostandin Kristoforidhi nuk mendonte ta kufizonte veprimtarinë e vet vetëm në botime fetare. Në këtë kohë ai vijoi punën për hartimin e një fjalori themelor të gjuhës shqipe dhe përgatiti një varg botimesh popullore, si dhe një revistë kulturore. Nga këto ai mundi të botonte më 1867 “Abetaren e gjuhës shqipe” toskërisht e gegërisht. Ndonëse planet e tij për mungesë përkrahjeje nuk mundën të arriheshin veçse pjesërisht, veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit në këto vite pati rëndësi të madhe.

Përkthimet e shkrimeve fetare të Kostandin Kristoforidhit u bënë objektivisht një mjet lufte kundër propagandës shkombëtarizuese të kishës greke; ato shënonin një hap të ri drejt krijimit të një kishe ortodokse shqiptare dhe rrëzonin pretendimet e “panhelenistëve” që thoshin se gjuha shqipe ishte një gjuhë e varfër dhe nuk mund të shërbente si gjuhë kulture. Me përkthimet e tij Kostandin Kristoforidhi bëri gjithashtu një punë të madhe për pasurimin e gjuhës së shkruar me një varg termash dhe shprehjesh të nxjerra nga gjuha e popullit. Për më tepër, me shkrimet e tij ai ndihmoi për afrimin e dy dialekteve kryesore të shqipes, të gegërishtes dhe të toskërishtes, duke marrë si bazë për përkthimet e tij gegërisht autorët e vjetër të Shqipërisë së Veriut, që ishin shumë afër toskërishtes.

Në këto vite letërsia shqiptare filloi të merrte përmbajtje të re më të përparuar, lidhur me detyrat e reja që shtronte koha dhe gjendja e vendit. Kështu, krahas shkrimeve me karakter fetar e didaktik që kishin mbizotëruar deri tani, filloi të trajtohej tema patriotike. Në këto krijime rilindësit u bënin thirrje bashkatdhetarëve për të luftuar sundimin e huaj, për ta vënë çështjen kombëtare përmbi fetë, për të zhvilluar e për të lëvruar gjuhën e kulturën kombëtare. Një rol të rëndësishëm si aktivist i letërsisë artistike shqipe dhe i lëvizjes kombëtare në përgjithësi filloi të luante në këto vite Thimi Mitkoja nga Korça. I mërguar në Egjipt, ai zhvilloi një veprimtari të madhe e të frytshme për mbledhjen e folklorit shqiptar.

Në të njëjtën kohë filloi të shkruante vjersha Spiro Risto Dineja nga Vithkuqi i Korçës (1846-1922), që përshkoheshin nga fryma atdhetare. Shovinistëve grekë Spiro Dineja nuk ua kurseu qortimet për armiqësinë që tregonin kundrejt shqiptarëve, si p.sh. për vrasjen e pabesë të Naum Veqilharxhit.
Dashuria për atdheun gjeti një shprehje të zjarrtë dhe artistikisht të lartë në vjershat e Preng Doçit (1846-1917), siç dëshmojnë ndër të tjera vargjet: “Shqyptarë trima, zgjedhën lshoni, / kputni prangat e luftoni!”
Fryma patriotike përfshiu edhe të tjerë poetë klerikë katolikë të veriut si Pjetër Zarishin (1806-1866), Ndue Bytyçin (1847-1917), Leonard de Martinon (1830-1923) etj.

Në këtë lëvizje morën pjesë edhe intelektualë arbëreshë, duke dhënë një ndihmë të çmuar në dobi të çështjes kombëtare. Besnikë ndaj traditave demokratike, që ishin shfaqur edhe me pjesëmarrjen masive të arbëreshëve në Revolucionin e vitit 1848 edhe në lëvizjen për çlirimin e Italisë në vitet 1859-1861, një plejadë intelektualësh arbëreshë, midis të cilëve shquheshin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Vinçenc Dorsa, Zef Serembe etj., iu dhanë me mish e me shpirt mbledhjes dhe studimit të thesareve të gjuhës e të kulturës së popullit shqiptar.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim vijonte të luante Jeronim de Rada (1814-1903) me punën e tij si poet i shquar, studiues i palodhur dhe propagandist i flaktë i çështjes së çlirimit të popullit shqiptar.

Me veprat e tij shkencore, si “Vjetërsi e kombit shqiptar”, me poemat epike madhore, si “Skënderbeu i pafanë”, të botuara në vitet 60 e në fillim të viteve 70, De Rada u bë një figurë e madhe e kulturës shqiptare, e njohur jo vetëm në kolonitë arbëreshe e në Shqipëri, por edhe në botën letrare e kulturore evropiane. Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e nderonin De Radën si një udhëheqës të shquar të luftës së tyre. Veprat e tij i çmuan edhe figurat e mëdha të letërsisë evropiane të kohës, si A. de Lamartinë, F. Mistral; ato u përkthyen në një varg gjuhësh të huaja.

Në vitin 1866 u botuan dy përmbledhje të rëndësishme të folklorit arbëresh-shqiptar, njëra “Rapsodi e një poemi shqiptar” prej De Radës dhe tjetra prej filologut të shquar Dhimitër Kamarda (1821-1882) nga Hora e Arbëreshve pranë Palermos, si “Shtojcë” e veprës “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”. Nëpërmjet pasurisë së madhe artistike që paraqiste folklori, të dy studiuesit arbëreshë u përpoqën me sukses të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik botëror mbi popullin shqiptar dhe lashtësinë e tij, si dhe mbi të drejtën e tij për t’u njohur si komb më vete. Nga viti 1865 filloi të bashkëpunonte me studiuesit arbëreshë edhe Dora d’Istria (Elena Gjika). Ajo zhvilloi një veprimtari të gjallë publicistike veçanërisht mbi tema lindore, midis tyre edhe shqiptare, që e bënë më shumë të njohur dhe shërbyen njëkohësisht për ta popullarizuar çështjen shqiptare në opinionin publik botëror.

Duke marrë shkas nga libri i De Radës, Dora d’Istria botoi po atë vit (më 1865) në gjuhën frënge një studim me titull “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”. Në të autorja vinte në dukje se këngët popullore historike shqiptare, e në mënyrë të veçantë rapsoditë e botuara nga De Rada që kishin si figurë kryesore Skënderbeun, flisnin jo vetëm për aftësitë krijuese artistike të një populli me kulturë të lashtë, por përbënin edhe një dokument historik, i cili dëshmonte për dashurinë për liri e pavarësi që kishte ruajtur populli shqiptar gjatë shekujve, me gjithë kushtet e vështira të pushtimit të huaj. “Ka ardhur koha, - i shkruante ajo De Radës, - që historia jonë të dalë gjithashtu nga varri ku e kanë groposur kaq e kaq farisej”. Duke u mbështetur në të dhënat e historisë, në këtë vepër dhe në vepra të mëvonshme, Dora d’Istria vinte në dukje se shqiptarët kishin të drejtë, me rastin e një risistemimi të ardhshëm politik të Evropës Juglindore, të fitonin lirinë e tyre dhe mundësinë për përparim në kuadrin e shtetit të tyre të pavarur.

Grupi i patriotëve arbëreshë u vu në lidhje me atdhetarë shqiptarë në Shqipëri dhe në kolonitë, si p.sh. me Zef Jubanin në Shkodër, Thimi Mitkon në Egjipt etj., të cilët u dhanë zemër për të vijuar veprimtarinë politike e letrare për të mirën e çështjes shqiptare. Duke u nisur nga parimi i shprehur nga Dora d’Istria, se “pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike”, grupi arbëresh përpiqej të themelonte një shoqëri letrare mbarëshqiptare, që do të botonte një gazetë me emrin “Flamuri i Skënderbeut”, një fjalor dhe një gramatikë të gjuhës shqipe.

Grupi arbëresh zhvilloi një veprimtari të rëndësishme për të bërë të njohur çështjen shqiptare në opinionin publik botëror dhe për të krijuar lidhje me lëvizjen atdhetare në Shqipëri. Dëshmi e këtij bashkëpunimi u bë libri me titull “Dora d’Istrias - shqiptarët”, një përmbledhje vjershash botuar nga Dhimitër Kamarda më 1870, për të cilën kishin bashkëpunuar autorë shqiptarë dhe arbëreshë të kolonive të Italisë e të Greqisë si Zef Jubani, Thimi Mitkoja, I. Pema, Preng Doçi, Jeronim de Rada, Anton Santori, Zef Serembja etj. Përtej qëllimit kryesor, për t’i shprehur filoshqiptares së shquar mirënjohjen për ndihmën që i jepte çështjes shqiptare, libri u bë një manifest i parë, i përbashkët i lëvizjes letrare kombëtare që po rritej në këto vite.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:59 PM | Message # 17
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
K R E U V

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT
(1878 - 1881)

1. KRIZA LINDORE DHE LËVIZJA SHQIPTARE

Gjatë viteve 70 të shek. XIX u duk qartë se politika 40-vjeçare tanzimatiste e qarqeve sunduese osmane nuk arriti të ndalte procesin e shthurjes së mëtejshme të perandorisë së sulltanëve. Plogështia e strukturës shtetërore, arbitrariteti i hallkave administrative dhe korrupsioni i aparatit burokratik, që Perandoria Osmane kishte trashëguar nga sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak, u shtuan më shumë. Në vitet 70 ekonomia e saj ndodhej në një amulli të përgjithshme. Gjatë dy dekadave të fundit vërshimi i mallrave të industrisë evropiane ishte trefishuar. Më 1875 niveli i eksportit përfaqësonte çerekun e importit. Kriza e saj financiare ishte acaruar në kulm. Porta e Lartë ishte e detyruar të merrte çdo vit nga jashtë borxhe të reja, pasi me të ardhurat buxhetore nuk përballonte dot as gjysmën e shpenzimeve të veta. Më 1875 të ardhurat ishin 800 milionë franga ari, kurse borxhet e saj të jashtme kapnin 5,3 miliardë franga ari. Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të shlyente jo vetëm këstet e kredive, por as kamatën e tyre të përvitshme.

Me gjithë përpjekjet e tyre gjysmëshekullore, qarqet sunduese osmane nuk i siguruan dot Perandorisë së tyre as qetësinë e brendshme politike. Kryengritjet e masave popullore kundër shtypjes feudale dhe ato të kombësive joturke kundër zgjedhës osmane, vazhduan të shpërthenin në të katër anët e Perandorisë. Për më tepër, tani kishte dalë në skenë, si forcë e re kundërshtare, edhe lëvizja liberale demokratike turke, e përfaqësuar nga organizata e “Osmanëve të Rinj”, e cila synonte të zhdukte despotizmin feudal teokratik të sulltanëve.
Edhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohej në dëm të saj. Gjatë viteve 70 kishte dalë në skenë Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar të trondiste pozitat ndërkombëtare të dy perandorive koloniale, të Anglisë dhe të Francës. Disfata që pësoi Franca nga Prusia (1871), i dha rast Rusisë cariste të hidhte poshtë nenet e Traktatit të Parisit (1856), që e pengonin të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që kishte pësuar politika e zgjerimit të saj në Gjermani e në Itali, kishte filluar të aktivizohej në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe të detit Egje. Gjatë kësaj kohe edhe Italia, e cila kishte përfunduar bashkimin e saj politik dhe kishte hyrë në radhët e Fuqive të Mëdha, ndonëse ishte ende e dobët, aspironte të vinte një këmbë në bregdetin lindor të Adriatikut.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë Anglisë e Francës, të cilat përpiqeshin si edhe më parë ta mbanin në këmbë Perandorinë Osmane, tani, gjatë viteve 70, qëndronin dy fuqi të tjera të mëdha që dëshironin shembjen e saj të shpejtë - Rusia cariste dhe Austro-Hungaria. Për të vënë në jetë planin e saj ekspansionist, Rusia filloi të nxiste popullsitë e shtypura të Turqisë Evropiane për kryengritje kundër Portës së Lartë dhe sidomos shtetet sllave ballkanike për luftë kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ajo doli me flamurin e “pansllavizmit”, i cili në të vërtetë çonte në nënshtrimin e kombësive sllave dhe josllave ndaj politikës cariste.

Në këto rrethana shpërtheu në korrik të vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundërosmane në Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në Bosnjë. Në kryengritjet e të dy vendeve morën pjesë vetëm popullsitë sllave të krishtere. Banorët sllavë myslimanë, të cilët në Bosnjë përfaqësonin shumicën e popullsisë, qëndruan jashtë kryengritjes, madje pjesërisht anuan kundër saj. Me gjithë ndihmën që patën nga Serbia e Mali i Zi, kryengritësit nuk i bënë dot ballë kundërveprimit ushtarak osman. Në vjeshtë e në dimër, hovi i kryengritjeve ra, por në pranverën e vitit 1876 ato u gjallëruan përsëri. Për më tepër, në prill 1876 shpërtheu kryengritja çlirimtare në Bullgari. Megjithatë Porta e Lartë mundi përsëri t’i shtypte kryengritjet bullgare, boshnjake dhe hercegovinase.
Sapo shpërtheu kryengritja në Hercegovinë e në Bosnjë, Serbia e Mali i Zi u përpoqën ta shtrinin zjarrin e saj edhe në popullsitë e tjera të shtypura të Turqisë Evropiane. Ato i nxitën për kryengritje kundërosmane edhe shqiptarët, por këta nuk lëvizën, sepse panë që Beogradi dhe Cetina kishin qëllime aneksioniste ndaj trojeve të tyre. Në qershor 1876, kur u pa se plani i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar, Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia më 30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën përkrahjen e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi armatimet e nevojshme dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë “vullnetarë” rusë për të luftuar për çlirimin e “vëllezërve” sllavë nga zgjedha osmane.

Por lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë krijoi një situatë tepër të ndërlikuar në arenën ndërkombëtare. Cilido që të ishte përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për të rregulluar, secila sipas interesave të vetë, hartën politike të Evropës Juglindore. Në të vërtetë, një javë pas fillimit të luftës, më 8 korrik 1876, Rusia dhe Austro-Hungaria bënë me anën e dy notave të veçuara një marrëveshje të fshehtë në Rajhshtat (Reichsttadt) të Bohemisë për ta rregulluar Gadishullin Ballkanik sipas interesave të tyre ekspansionistë. Vjena e Peterburgu vendosën të mos ndërhynin ushtarakisht në konfliktin e Serbisë e të Malit të Zi me Turqinë. Por të dyja palët ranë në ujdi që, po ta fitonte luftën Perandoria Osmane, nuk do të bëhej asnjë ndryshim në hartën politike të Gadishullit Ballkanik. Megjithatë, në këtë rast do ta detyronin Portën e Lartë të zbatonte në favor të popullsisë sllave disa reforma si ato që iu dhanë Kretës më 1886, ndërsa po ta fitonte luftën pala tjetër (Serbia e Mali i Zi), Bosnja do të kalonte nën zotërimin kryesisht të Austro-Hungarisë dhe pjesërisht të Serbisë, e cila do të merrte gjithashtu një pjesë të Kosovës, kurse Mali i Zi një pjesë të Hercegovinës.

Bullgaria do të bëhej një shtet autonom dhe Rumelia një vilajet autonom. Në këtë rast Vjena vuri conditio sine qua non që të mos krijohej një shtet i madh sllav në Gadishullin Ballkanik. Kjo do të thoshte që as Serbia nuk duhej të shtrihej deri në Adriatik, as Bullgaria nuk duhej të përfshinte Maqedoninë, sepse, si njëra, si tjetra, do ta pengonin ekspansionin e Austro-Hungarisë drejt Egjeut. Në notën austro-hungareze parashihej krijimi i një shteti autonom shqiptar, kurse nota ruse nuk e përfillte fare fatin e Shqipërisë. Në Rajshtat çështja shqiptare hyri për të parën herë në qerthullin e diplomacisë evropiane si çështje politike. Megjithëse aty nuk u mor asnjë vendim, qysh në hapin e parë u shfaqën dy qëndrime të kundërta, që do ta karakterizojnë, tani e tutje, trajtimin e çështjes shqiptare nga kancelaritë e mëdha: njëri i Rusisë, që mohonte krejtësisht të drejtat kombëtare të shqiptarëve, tjetri i Austro-Hungarisë, që kërkonte, veçse pjesërisht, respektimin e tyre. Edhe ideja e Vjenës për krijimin e një formacioni politik shqiptar, ishte e kushtëzuar me futjen e këtij shteti nën protektoratin e saj.

Si pasojë e këtyre tre faktorëve - e kalbëzimit të Perandorisë Osmane, e rritjes së lëvizjes çlirimtare dhe e ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha - lindi përsëri në mesin e viteve 70, por me një mprehtësi më të madhe se në të kaluarën, e ashtuquajtura Krizë Lindore. Thelbin e saj e përbënte, si edhe më parë, jo vetëm çështja e çlirimit kombëtar të popujve të robëruar të Perandorisë Osmane, por edhe çështja e ndarjes së zotërimeve të Perandorisë Osmane, në të cilën përfshihej edhe copëtimi i trojeve shqiptare.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:59 PM | Message # 18
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Shqipëria në fillim të Krizës Lindore (1875-1876)

Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie të acaruara me Perandorinë Osmane. Asnjë nga kërkesat e ngritura prej tyre gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë. Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare. Në viset e saj, administrata e vilajeteve ndodhej gjithnjë në duart e nëpunësve turq. Në krahinat malore vazhdonte presioni i pushtetit qendror për t’ua hequr malësorëve venomet tradicionale dhe për t’i futur nën zgjedhën e administratës burokratike centraliste. Vendi nuk ishte lehtësuar as nga pesha e rëndë e taksave, as nga shërbimi i gjatë i nizamit. Me masat centraliste që Porta kishte ndërmarrë pasi shpalli dekretin e dytë të Tanzimatit (Hatt-i Humayun i vitit 1856), gjendja e Shqipërisë u keqësua më shumë. Kudo mbretëronte varfëria ekonomike, administrata shtetërore e shthurur, korrupsioni pa skrupull i qeveritarëve dhe krimet e pandëshkuara të hajdutëve. Banorët e Shqipërisë ndodheshin, sipas shprehjes së një dëshmitari të huaj, në “kulmin e varfërisë”. Gjykatat burokratike perandorake, të urryera nga shqiptarët, vinin duke u forcuar vazhdimisht. Po aq e rëndë ishte edhe gjendja politike dhe ajo e arsimit në Shqipëri.

Porta e Lartë vazhdonte t’i diskriminonte shqiptarët, të mos i njihte si komb më vete dhe shqiptarët e tri besimeve si elementë të të njëjtit komb. Ngritja e shkollave shqipe vijonte të ishte e ndaluar, në një kohë kur rrjeti i shkollave të huaja po zgjerohej nga viti në vit. Trojet shqiptare qëndronin të copëtuara ndërmjet vilajeteve të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e Lartë vijonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar.
Megjithatë, regjimi policor e teokratik nuk kishte mundur ta asgjësonte idenë e çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha shekullore osmane. Ndikimi i ideve çlirimtare e patriotike ishte shtrirë në të katër anët e atdheut. Malësorët qëndronin të gatshëm për të mbrojtur autonominë e tyre lokale nga çdo ekspeditë e befasishme osmane. Shqiptarët kishin filluar të bindeshin se shpëtimi i vendit mund të arrihej vetëm me një kryengritje të përgjithshme çlirimtare dhe me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar ose, siç shprehej një vëzhgues i huaj, të një principate të lirë shqiptare.

Me qëllim që të largonte rrezikun e shpërthimit të kryengritjes çlirimtare në Shqipëri, Porta e Lartë shpalli në verën e vitit 1875 se tani e tutje nuk do t’i përsëriste më ekspeditat ushtarake për vendosjen e pushtetit të saj centralist në krahinat e panënshtruara. Por ky vendim, me të cilin Perandoria Osmane vuloste fundin e periudhës së Tanzimatit në trojet shqiptare, nuk e ndryshoi gjendjen e brendshme të Shqipërisë. Orvatjet e saj për t’i mobilizuar shqiptarët në masë kundër kryengritësve hercegovinas e boshnjakë dështuan. Thirrjes së saj iu përgjigjën vetëm pak feudalë derebej, të cilët për më tepër qëndruan pasivë në prapavijat e frontit.

Në fillim të Krizës Lindore, Shqipëria kishte, pra, forca të gatshme për të shpërthyer një kryengritje çlirimtare kundërosmane. Megjithatë, qarqet politike shqiptare nuk u treguan të prirura për shpërthimin e saj. Në ngurrimin e tyre ndikoi jo aq mungesa e një organizate kombëtare që t’i grumbullonte rrëketë krahinore në lumin e kryengritjes së përgjithshme çlirimtare, sesa koniunktura negative për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kriza Lindore e viteve 70 i gjeti shqiptarët të rrethuar nga mospërfillja e Fuqive të Mëdha, asnjëra prej të cilave nuk ishte shprehur publikisht për njohjen e të drejtave të tyre kombëtare.

Në radhë të parë ishte rreziku që kryengritja shqiptare të shkaktonte ndërhyrjen në favor të Portës së Lartë të Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin që të prishej status quo-ja në Gadishullin Ballkanik. Por edhe sikur kjo të prishej, qarqet patriotike shqiptare ishin të bindura se Fuqitë e Mëdha, meqenëse nuk e përkrahnin, qoftë edhe në parim, idenë e pavarësisë politike të Shqipërisë, madje as atë të autonomisë së saj administrative, do të shfrytëzonin rastin ose për ta okupuar atë ushtarakisht (Austro-Hungaria dhe Italia), ose për ta copëtuar atë midis shteteve fqinje (Rusia, Anglia, Franca). Gjendjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare e ndërlikonte sidomos politika e tri monarkive fqinje ballkanike. Krahas mobilizimit ushtarak për luftën kundër Perandorisë Osmane, Serbia, Greqia e Mali i Zi po zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike e propagandistike, për të siguruar nga ana e Fuqive të Mëdha miratimin e aspiratave të tyre mbi trojet shqiptare.

Kriza Lindore krijoi kështu një situatë mbytëse, madje të rrezikshme për kryengritjen çlirimtare kundërosmane në Shqipëri. Ajo e ktheu mundësinë e copëtimit të Shqipërisë nga një rrezik potencial në një rrezik real. Në këto rrethana qarqet politike shqiptare nuk e shtruan çështjen e kryengritjes së armatosur për pavarësinë e Shqipërisë. Derisa të krijohej gjendja e favorshme ndërkombëtare, ato i vunë vetes si qëllim të vijonin përpjekjet për të arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, zgjidhje kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në në Evropën Juglindore dhe që do të krijonte kushtet për sigurimin e tërësisë e të paprekshmërisë së territoreve shqiptare.

Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu, në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët politik si për atdhetarët më radikalë rilindës, ashtu dhe për qarqet atdhetare të moderuara. Megjithatë, ndërmjet programit autonomist të të dyja rrymave kishte ndryshime në këto drejtime: të parët e vlerësonin autonominë administrative si një etapë drejt pavarësisë kombëtare të Shqipërisë; të dytët e shikonin si qëllim në vetvete, si program maksimal të aspiratave të tyre politike; të parët mendonin ta realizonin vilajetin autonom me rrugën e kryengritjes; të dytët, që kishin besim në dashamirësinë e sulltanit, shpresonin ta arrinin me anën e reformave që do të bënte Porta e Lartë.

Me platformën për krijimin e vilajetit autonom shqiptar nuk u bashkuan vetëm bajraktarët e disa krahinave malore të veriut dhe, në mënyrë të veçantë, kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda, biri i Bibë Dodë pashës. Në të vërtetë, qysh nga vdekja e të atit (1868), Prenga, ende i ri, mbahej i internuar në Stamboll me pretekst se ishte duke vijuar shkollën. Por, me këmbënguljen e vazhdueshme të mirditorëve, Porta e Lartë u detyrua, në fund të korrikut 1876, ta kthente Preng Bibë Dodën në Shkodër, duke i dhënë titullin pashë dhe duke e emëruar kajmekam të Mirditës. Prenga, tani 17-vjeçar, ishte si dhe i ati, një prijës partikularist. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll ai u kishte parashtruar ambasadorëve të Rusisë, të Francës dhe të Austro-Hungarisë ambicjen e vet për t’u bërë princ i Mirditës autonome. Parisi e Vjena nuk e përkrahën projektin e tij, pasi nuk donin t’i shkaktonin në këto çaste Perandorisë Osmane shqetësime në Shqipërinë Veriore. Përkundrazi, Rusia e Italia e miratuan, por i vunë si kusht që ai të lidhte aleancë ushtarake me Cetinën dhe të sulmonte me mirditorët ushtritë osmane, të cilat tani ishin të zëna me luftën në kufirin malazez.

Në këto rrethana Preng Bibë Doda ngriti në Orosh flamurin e luftës për autonominë e Mirditës. Në të njëjtën kohë filloi bisedimet e fshehta me qeveritarët serbë e malazezë për të hyrë në luftë krahas tyre kundër Turqisë. Këto traktativa nuk u pritën mirë nga bashkatdhetarët e vet dhe e diskredituan atë në sytë e tyre. Projekti i Preng Bibë Dodës gjeti përkrahje vetëm në disa qarqe reshpere katolike të Shkodrës, veçse, në vend të një principate të mbyllur brenda kufijve të ngushtë të Mirditës, ato kërkonin një formacion politik më të gjerë, - një principatë autonome, ku të hynin të gjitha krahinat malore të Shqipërisë së Veriut. Këtë platformë politike e përqafuan edhe disa intelektualë, si Zef Jubani, Preng Doçi, Pjetër Gurakuqi, të cilët mendonin se krahina autonome e Mirditës do të shërbente si pikënisje për formimin më vonë të një shteti kombëtar shqiptar.

Qarqet patriotike shqiptare nuk u solidarizuan as me projektin e Preng Bibë Dodës, as me idenë e reshperëve katolikë shkodranë, pasi të dyja kishin karakter partikularist dhe nuk pajtoheshin me platformën më të përparuar rilindëse. Mirdita e vogël dhe e izoluar, patriarkale dhe e varfër, pa qytete e pa bujqësi të zhvilluar, nuk mund të jetonte e pavarur dhe nuk mund të bëhej bërthama e shtetit të ardhshëm kombëtar shqiptar. Përkundrazi, kthimi i Mirditës katolike, qoftë edhe së bashku me fqinjët e saj, në një principatë autonome, me një prijës partikularist në krye siç ishte Preng Bibë Doda, do të bëhej faktor i përçarjes fetare e krahinore të vendit dhe do t’u jepte rast tri monarkive fqinje, të përmbushnin aspiratat e tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare veriore, lindore e jugore.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:00 PM | Message # 19
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Marrëveshja e Budapestit dhe lufta ruso-turke e viteve 1877-1878

Me gjithë nxitjet politike që pati nga Rusia, nga Serbia dhe nga Mali i Zi, Preng Bibë Doda ngurroi të fillonte veprimet luftarake kundër Turqisë, derisa Rusia nuk i kishte shpallur luftë asaj. Ndërkaq, Serbia e Mali i Zi, me gjithë ndihmën e madhe që patën nga Rusia, nuk qenë në gjendje ta mundnin Perandorinë Osmane, së cilës i kishin shpallur luftë në fillim të verës 1876. Disfatat që pësuan ushtritë serbe lanë përshtypjen se Rusia nuk do të pajtohej me situatën e krijuar në Ballkan në dëm të saj dhe se së shpejti ajo do të hynte vetë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Nën ndikimin e diplomatëve caristë, që e shfrytëzuan këtë rrethanë, kapedani mirditor filloi në fund të vitit 1876 përgatitjet për aksionin luftarak kundërosman. Në janar 1877 mirditorët bllokuan rrugën Shkodër-Prizren, kurse në shkurt arrestuan disa funksionarë të administratës perandorake.

Por ngjarjet ndërkombëtare u zhvilluan në dëm të Preng Bibë Dodës. Rusia nuk hyri menjëherë në luftë, siç parashihej. Madje, me propozimin e Anglisë, Fuqitë e Mëdha pranuan që çështjet e ngritura nga Rusia në kurriz të Perandorisë Osmane të shqyrtoheshin nga një Konferencë Ndërkombëtare, e cila do të zhvillohej me pjesëmarrjen e ambasadorëve të tyre të akredituar në Stamboll.

Konferenca Ndërkombëtare i filloi punimet në Stamboll, buzë Bosforit, më 24 dhjetor 1876. Por ajo ndeshi qysh në fillim në pengesa të organizuara nga vetë nismëtarja e saj, Anglia. Me përkrahjen e fshehtë të Londrës, ditën që u hap Konferenca sulltan Abdyl Hamiti shpalli kushtetutën e përgatitur nga Mithat Pasha, i cili u deklaroi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha se në kuadrin e saj do të zgjidheshin të gjitha problemet që shqetësonin kombësitë e Perandorisë, prandaj e quante Konferencën Ndërkombëtare të panevojshme. Por manovra e Portës së Lartë nuk pati rezultat. Me përkrahjen që gjeti këmbëngulja e Rusisë, Konferenca Ndërkombëtare i vijoi punimet në Londër.

Qeveria ruse, e cila nuk kishte asnjë besim në Konferencën Ndërkombëtare, i vazhdoi përgatitjet për luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë drejtim ajo kishte edhe nxitjen e Gjermanisë, e cila megjithatë e kushtëzonte përkrahjen e saj me pëlqimin që duhej të jepte për këtë luftë edhe Austro-Hungaria. Rusia u detyrua të bënte lëshime, të cilat u fiksuan në marrëveshjen e fshehtë që ajo lidhi me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877.

Marrëveshja e Budapestit u hartua mbi platformën e miratuar gjashtë muaj më parë në Rajhshtat dhe u plotësua me një marrëveshje shtojcë që u nënshkrua më 18 mars 1877. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epiri do të aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:01 PM | Message # 20
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Marrëveshja e Budapestit, sado që në parim pranonte idenë e një shteti autonom shqiptar, e linte të papërcaktuar si hapësirën territoriale, ashtu edhe statusin e tij. Kjo rrethanë krijonte mundësinë për të cenuar rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë, i hapte rrugën Serbisë që të aneksonte krahinën e Kosovës, Malit të Zi viset e Shqipërisë Veriore, Greqisë trojet e Shqipërisë Jugore, të cilat përfshiheshin nën emërtimin Epir, kurse krahinat e Shqipërisë Lindore ishin në rrezik të përfshiheshin brenda kufijve të shtetit autonom sllav, që do të krijohej me emrin Rumeli. Veç kësaj, me marrëveshjen e Budapestit Rusia cariste e detyronte Austro-Hungarinë të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, por jo Shqipërinë. Kjo do të thoshte se Vjena, e cila e kishte ngritur çështjen e shtetit autonom shqiptar, kishte liri veprimi ta përfshinte atë në suazën e politikës së saj ekspansioniste.

Si rrjedhim, me shembjen e Perandorisë Osmane, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare do të copëtohej ndërmjet fqinjëve ballkanikë, kurse pjesa tjetër, edhe në qoftë se bashkohej në një shtet të veçantë autonom shqiptar, do të hynte nën kontrollin e Perandorisë dualiste. Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.

Po aq negative për çështjen shqiptare qenë edhe vendimet që morën Fuqitë e Mëdha në Konferencën Ndërkombëtare të Londrës, e cila i mbylli punimet e saj me nënshkrimin e një protokolli në mars të vitit 1877. Konferenca nuk e mori fare në shqyrtim çështjen shqiptare. Protokolli i Londrës e njohu parimin e autonomisë për kombësitë e Perandorisë Osmane, por edhe nga ky parim shqiptarët u përjashtuan, pasi nuk u panë si një komb i veçantë. Protokolli e detyronte Portën e Lartë të pranonte formimin e një province autonome në Bosnjë-Hercegovinë dhe të dy provincave autonome të Bullgarisë dhe të Rumelisë Lindore.

Madje njëra prej tyre, vilajeti perëndimor (Bullgaria) me qendër në Sofje, do të përfshinte në kufijtë e vet edhe disa vise të banuara nga popullsi shqiptare, siç ishin krahinat e Kaçanikut, të Tetovës, të Gostivarit, të Kërçovës e të Dibrës deri në rrjedhën e lumit Drin. Protokolli e detyronte gjithashtu Perandorinë Osmane që t’i jepte Malit të Zi, përveç të tjerave, tre ishuj në liqenin e Shkodrës dhe t’i njihte atij të drejtën e lundrimit të lirë në këtë liqen dhe në lumin Bunë. Çështjen e principatës autonome të Mirditës, me gjithë premtimet që i kishte bërë Preng Bibë Dodës, Rusia nuk e shtroi fare për diskutim në këtë Konferencë. Pas nënshkrimit të paqes ndërmjet Turqisë e Serbisë në mars 1877, Mirdita kryengritëse, e braktisur nga Rusia, Serbia e Mali i Zi, mbeti vetëm përballë Portës së Lartë.

Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës. Rreziku i një lufte ruso-turke nuk u largua. Për të siguruar prapavijat e saj, Porta e Lartë vendosi atëherë ta shtypte me të shpejtë rebelimin e Mirditës, ndonëse Preng Bibë Doda qëndronte në pasivitet. Kapedani mirditor u orvat ta shmangte operacionin ushtarak osman duke bërë lëshime, por Porta e Lartë, e cila donte ta zhdukte me këtë rast vetëqeverisjen e Mirditës dhe venomet e saj, kërkoi dorëzimin e tij pa kushte. Kështu, pas një sërë ultimatumesh të përsëritura, më 8 prill 1877, filluan operacionet e vërteta ushtarake osmane kundër Mirditës.

Tri kolona të ushtrisë së rregullt osmane marshuan kundër Mirditës nga Lezha, nga Prizreni dhe nga Mati. Ndonëse me huta të vjetra, mirditorët trima e ndalën për një javë marshimin e tyre. Por javën e dytë kolona osmane, që marshonte nga Mati, duke përfituar nga pakujdesia që kishte treguar Preng Bibë Doda në këtë anë, përparoi me lehtësi në brendi të Mirditës dhe u mori krahët mirditorëve që luftonin në sektorin perëndimor e verior. Preng Pasha, i pushtuar nga paniku, braktisi më 15 prill Mirditën dhe u fsheh në Lurë. Pas tij krerët e tjerë u arratisën ose u dorëzuan te turqit. Malësorët e thjeshtë e vazhduan edhe disa ditë qëndresën derisa ajo u shtyp. Kështu, për të parën herë në historinë e sundimit shekullor osman në Shqipëri, më 22 prill 1877, ushtritë turke hynë në kryeqendrën e Mirditës, në Orosh, të cilin e plaçkitën dhe e dogjën.

Dy ditë më vonë, më 24 prill 1877, Perandoria Ruse i shpalli luftë Turqisë. Serbia, e cila ndërkohë kishte nënshkruar paqen me Stambollin, qëndroi mënjanë. Përkundrazi, Mali i Zi, i cili nuk kishte pranuar as të nënshkruante paqen, as të përsëriste armëpushimin, u bashkua me Rusinë në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Sapo filloi lufta, rusët e malazezët u bënë thirrje përsëri shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë mirditorëve që të bashkoheshin me ta kundër Perandorisë Osmane. Por tashmë, edhe mirditorët kishin nxjerrë mësime. As malësorët, as krerët e tyre nuk kishin më besim në politikën e Rusisë e të Malit të Zi. Nën presionin e tyre kapedani i Mirditës u detyrua të mos i dëgjonte më nxitjet ruse e malazeze. Ndërkohë edhe Porta e Lartë, e cila tani nuk donte të kishte telashe me mirditorët, pasi mori garanci se Preng Pasha kishte hequr dorë nga ideja e kryengritjes së armatosur, shpalli faljen e tij dhe e pezulloi përsëri vendosjen e administratës së saj centraliste në Mirditë. Mirditorët u kthyen në shtëpitë e tyre të djegura, por armët nuk i dorëzuan.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:01 PM | Message # 21
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Komiteti i Janinës dhe projekti i kryengritjes çlirimtare kundërosmane (1877)

Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për të gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe për të gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik. Kudo sundonte bindja se kjo luftë do të përfundonte me disfatën e Portës së Lartë. Të gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje për të plotësuar në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe, ca më shumë, për të përmbushur aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të tjera të gadishullit.

Për çështjen shqiptare fillimi i luftës ruso-turke krijoi një gjendje më të ndërlikuar se ajo që ishte më parë. Qarqet politike shqiptare, edhe pse nuk e dinin marrëveshjen e fshehtë të Budapestit, nuk kishin asnjë dyshim për katastrofën që e priste Shqipërinë, në rast se luftën do ta fitonte Rusia dhe në rast se pas luftës do të triumfonte diktati i saj. Në këtë rast Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial dhe, për pasojë, vdekja e saj politike. Dëshmia e fundit për këtë ishte proklamata që lëshoi cari rus më 24 prill 1877, me të cilën ai ftonte të gjitha kombësitë e krishtera të Gadishullit Ballkanik të rrëmbenin armët krahas ushtrive ruse, pasi për ta tashmë kishte ardhur dita e çlirimit nga shtypësi mysliman osman. Theksi i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë nga platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e saj për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit nuk kishte vend për shqiptarët myslimanë si subjekt i të drejtave kombëtare. Por qarqet atdhetare shqiptare e shihnin me shqetësim edhe fitoren e Perandorisë Osmane, sepse kjo do të sillte forcimin e zgjedhës shekullore të sulltanit mbi atdheun e tyre.

Mendimi i përgjithshëm që pushtoi opinionin publik të vendit në atë kohë ishte që Shqipëria të ngrinte sa më parë zërin për të drejtat e saj, përndryshe, po të qëndronte pasive dhe, ca më keq, po të rreshtohej prapa Stambollit, do të identifikohej me Perandorinë Osmane dhe do të quhej si një zotërim turk, si një pre në duart e fitimtarit.
Në këto rrethana qarqet atdhetare përparimtare e radikale shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin e tërësisë territoriale të atdheut jo te lufta kundër shovinistëve ballkanikë, as te qëndrimi pritës, por tek organizimi i kryengritjes së armatosur çlirimtare kundërosmane që do të çonte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë veprim edhe diplomacia evropiane do të vihej para një fakti të kryer.

Ideja e kryengritjes çlirimtare kishte, si edhe më parë, mbështetje në gatishmërinë e masave popullore. Ajo gjeti gjithashtu miratimin e forcave atdhetare të moderuara, të cilat tani u bindën se Perandoria Osmane nuk ishte më në gjendje t’i mbronte trojet shqiptare nga invazioni sllav. Por shpërthimi i kryengritjes çlirimtare dhe shpallja e pavarësisë sipas platformës së patriotëve më të përparuar ose e autonomisë, sipas asaj, të qarqeve të moderuara kërkonte paraprakisht zgjidhjen e disa problemeve themelore, siç ishin: formimi i një qendre të vetme drejtuese, përgatitja politiko-ushtarake dhe sigurimi i përkrahjes në arenën ndërkombëtare. Nismën për ta vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë) etj.

Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike që vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.

Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se tani që Perandoria Osmane ishte në rrezik të shembej plotësisht nga armatat ruse, fuqitë perëndimore nuk do ta linin Perandorinë Ruse që ta ndryshonte hartën politike të Gadishullit Ballkanik sipas planeve të saj ekspansioniste. Duke u kapur pas zërave që qarkullonin në shtypin ndërkombëtar, se fuqitë perëndimore do ta zmadhonin territorin e Greqisë për ta përdorur si barrierë kundër ortekut rus, ata shpresonin se po ato fuqi, për interesat e politikës së ekuilibrit në Evropën Juglindore, do të merrnin në konsideratë edhe idenë e një shteti shqiptar të pavarur. Sikurse shkruante disa muaj më vonë Abdyl Frashëri, Evropa do të bindej se qytetërimin e saj në Gadishullin Ballkanik nuk mund ta mbronte nga rreziku rus vetëm diga greke, por, së bashku me të, edhe diga shqiptare. Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se në këto rrethana Shqipëria duhej të lidhte me Greqinë një aleancë politike e ushtarake për të hyrë bashkërisht në luftë kundër Perandorisë Osmane përpara se armatat ruse të zbritnin në jug të Gadishullit Ballkanik. Por ata kërkonin si kusht që Athina ta mbështeste idenë e pavarësisë së Shqipërisë dhe ta miratonte tërësinë e saj tokësore. Në rast se Athina do ta nënshkruante mbi këtë parim aleancën dypalëshe, do të konsiderohej e kapërcyer për çështjen shqiptare pengesa kryesore në plan ndërkombëtar.

Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin të ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të hiqte dorë aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër, nuk ishte e prirur që të pranonte kërkesën e shqiptarëve për të përfshirë në shtetin e tyre krejt Shqipërinë e Jugut deri në Prevezë, sepse ishte pushtuar nga lakmia për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës, deri te lumi Seman. Megjithatë ata shpresonin se përballë gjendjes kritike që ishte krijuar për Greqinë nga përparimi i ushtrive ruse, Athina mund të hiqte dorë nga platforma që kishte parashtruar vitin e kaluar dhe do ta shikonte me një sy realist propozimin e shqiptarëve.
Në të vërtetë opinioni publik grek ishte i tronditur nga politika ruse. Greqia, e cila priste prej kohësh shembjen e Perandorisë Osmane që të sendërtonte aspiratat e saj territoriale, tani e ndiente veten krejtësisht të braktisur. Për shkak të lidhjeve të Athinës me Anglinë e Francën, Rusia cariste nuk po i përfillte fare aspiratat e saj nacionaliste, ndërsa Anglia me Francën po e shtrëngonin Athinën që të qëndronte asnjanëse. Opinioni publik grek po bindej gjithnjë e më shumë se me qëndrimin asnjanës të Greqisë, Trakia dhe Maqedonia ishin në rrezik të përfshiheshin në kufijtë e Bullgarisë dhe të Rumelisë që do të krijoheshin sipas planit carist, kurse Thesalia dhe Epiri mund të mbeteshin përsëri brenda kufijve të Perandorisë Osmane, të cilën Anglia me Francën përpiqeshin ta shpëtonin nga katastrofa e plotë.

Brenda në Greqi organizatat irredentiste helenike kërkonin me këmbëngulje të ndërmerreshin veprime energjike për të mos e humbur rastin e favorshëm që po krijohej nga shembja e Perandorisë Osmane. Por Mbretëria Helenike me rreth një milion banorë, me financa krejtësisht të rrënuara dhe me forca ushtarake të dobëta, nuk e ndiente veten në gjendje të ndërmerrte me sukses veprime të armatosura kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana propozimi i Komitetit të Janinës për një aleancë shqiptaro-greke gjeti një pritje pozitive në qarqet qeveritare të Athinës. Qeveria greke pranoi të hynte në bisedime me shqiptarët.
Bisedimet u zhvilluan në mënyrë të fshehtë në Janinë gjatë gjysmës së dytë të korrikut 1877, ndërmjet Abdyl Frashërit, i cili shoqërohej nga Mehmet Ali Vrioni, dhe Epaminonda Mavromatis, një funksionar i Ministrisë së Jashtme greke. Qysh në fillim u duk se të dyja palët erdhën në takim me pikëpamje të papajtueshme.

Abdyl Frashëri, që si nismëtar i takimit e nisi i pari bisedën, pasi argumentoi interesat jetikë të të dyja palëve për një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane e pansllavizmit carist, parashtroi zotimet dhe kushtet e palës shqiptare për lidhjen e aleancës politike e ushtarake. Shqiptarët zotoheshin që ta fillonin të parët luftën kundërosmane me anën e kryengritjes çlirimtare, e cila do të shpërthente në Shqipëri sapo të nënshkruhej aleanca. Ata merrnin kështu përsipër që pushtetin turk në Shqipëri ta asgjësonin me forcat e tyre të brendshme. Menjëherë pasi të shpërthente kryengritja e armatosur, deklaroi Abdyl Frashëri, do të shpallej pavarësia kombëtare e Shqipërisë. Ai kërkoi që, sapo të fitonte kryengritja në Shqipëri, Greqia t’i shpallte luftë Perandorisë Osmane. Shqiptarët zotoheshin gjithashtu ta ndihmonin ushtrinë greke që t’i pushtonte pa vështirësi Thesalinë e Maqedoninë, pasi oficerët dhe ushtarët shqiptarë, që shërbenin në garnizohet osmane të këtyre viseve, ishin në lidhje me Komitetin e Janinës, pra të gatshëm që, me urdhrin e tij, t’i dorëzonin qytetet pa gjakderdhje. Kundrejt këtyre detyrimeve pala shqiptare kërkonte si kusht nga qeveria e Athinës që ajo ta njihte zyrtarisht formimin e principatës së pavarur shqiptare në kufijtë etnikë të Shqipërisë, duke përfshirë Kosovën në veri, deri në Vranjë, dhe Çamërinë në jug, deri në Prevezë.

Pala greke nuk pranoi asnjë nga kushtet e parashtruara nga Komiteti i Janinës. Para së gjithash ajo e kundërshtoi krejtësisht idenë e një principate shqiptare të pavarur dhe ca më shumë përfshirjen në kufijtë e saj, qoftë edhe të një pjese të vogël të të ashtuquajturit Epir. Sipas tezës së saj, krejt Epiri, që nga lumi Seman deri te gjiri i Prevezës, ishte tokë greke. Si rrjedhim ajo nguli këmbë që Shqipëria e Jugut të rrëmbente armët nën flamurin grek dhe të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë. Athina pranoi që kryengritja çlirimtare të kishte karakter shqiptar vetëm në veri të lumit Seman, por vuri si kusht që edhe këto vise të kërkonin bashkimin e tyre me Greqinë për të formuar një shtet dualist greko-shqiptar nën sovranitetin e mbretit të Greqisë.

Abdyl Frashëri u përpoq ta bindte qeverinë e Athinës për absurditetin e pikëpamjeve të saj. Populli shqiptar, deklaroi ai, po ndërmerr revolucionin çlirimtar për të formuar shtetin e vet të pavarur dhe jo për ta zëvendësuar zgjedhën osmane me robërinë greke, për të ruajtur tërësinë e vet territoriale dhe jo për ta ndarë atë në tokë greke dhe në tokë shqiptare. Në bazë të udhëzimeve që mori nga Athina, Epaminonda Mavromatis nuk bëri asnjë tërheqje, madje mbajti gjatë takimeve një qëndrim arrogant dhe fyes ndaj shqiptarëve.

Ndërkaq, gjatë kohës që zhvilloheshin bisedimet e fshehta në Janinë, ngjarjet në frontin ruso-turk morën tjetër rrugë. Sado që Perandoria Osmane ishte shumë e dobët, invazioni carist ngjalli në popullsinë turke ndjenjën e atdhetarisë dhe rriti frymën e qëndresës së saj ushtarake. Si rrjedhim, pas sukseseve të shpejta që korrën gjatë dy muajve të parë të luftës, në fillim të korrikut ushtritë ruse u gozhduan në Plevnë të Bullgarisë. Qëndresa e Plevnës, e cila tregonte se Perandoria Osmane nuk ishte aq e dobët sa pandehej, e qetësoi deri diku qeverinë greke dhe e çliroi përkohësisht nga ngutja që kishte për të hyrë në luftë. Nga ana tjetër, Athina u bind se aspiratat e saj pushtuese ndaj Shqipërisë nuk mund t’i plotësonte me anën e Komitetit të Janinës. Shpresat për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës ajo tani i vari te Komiteti Epirot, që ishte formuar në Korfuz nga disa emigrantë grekë, të cilët kërkonin bashkimin e vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) me Mbretërinë Greke. Këta morën përsipër detyrën që të organizonin në këto vise një kryengritje filoheleniste. Nën ndikimin e këtyre faktorëve në fund të korrikut bisedimet greko-shqiptare u ndërprenë.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:02 PM | Message # 22
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Komiteti i Stambollit dhe platforma e tij politike

Qëndresa osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj. Ndërkohë patriotët shqiptarë, edhe pse bisedimet e Janinës u ndërprenë, nuk hoqën dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare kundërosmane. Ata i vazhduan përpjekjet për t’i shkrirë komitetet shqiptare lokale në një komitet kombëtar, për formimin e komitetit qendror kombëtar dhe për përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Por, ndërsa në malet Ballkan dhe në sektorin e Kaukazit ushtritë osmane ndalën përparimin e ushtrisë ruse, në frontin malazez, në Shqipërinë e Veriut në gusht 1877, mbrojtja turke u thye dhe ushtria osmane filloi të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto rrethana u formua në Shkodër një komitet shqiptar i përbashkët për qytetarët myslimanë e katolikë, i kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në memorandumin e këtij komiteti kërkohej të formohej një shtet kombëtar më vete nën vasalitetin e sulltanit, siç ishin në atë kohë Serbia dhe Rumania. Por gjendja në frontin me Malin e Zi u stabilizua shpejt. Përparimi i ushtrisë malazeze u ndal.

Gjatë vjeshtës së vitit 1877 patriotët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe Abdyl Frashëri.

Çeljen e parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos antarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.
Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza mbi organizimin me ngutësi të kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të zhvilloheshin bisedime me Greqinë për të arritur një aleancë shqiptaro-greke sipas platformës së parashtruar nga Abdyl Frashëri.

Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një kthesë rrënjësore. Më 10 dhjetor 1877 qëndresa e Plevnës u thye. Ushtritë ruse filluan të përparonin përmes maleve Ballkan. Serbia e Mali i Zi morën zemër nga përparimi rus dhe rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria Osmane tani dukej se ishte në pragun e katastrofës së plotë. Në këto rrethana qeveria e Athinës e pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët shqiptarë për të rifilluar bisedimet dypalëshe që ishin ndërprerë në fund të korrikut.

Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në Stamboll gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor 1877. Këtë radhë qeverinë greke e përfaqësonte Stefanos Skuludhi, deputet në parlamentin e Greqisë. Abdyl Frashëri, i cili kryesonte përsëri delegacionin shqiptar, tani nuk përfaqësonte Komitetin Ndërkrahinor të Janinës, por Komitetin Kombëtar të Stambollit. Abdyli i parashtroi Stefanos Skuludhit planin e hollësishëm të shpërthimit të kryengritjes shqiptare, e cila do të fillonte në Shqipërinë e Jugut. Menjëherë pas saj do të formohej qeveria e përkohshme e Shqipërisë, që do të njihej nga Greqia, e cila do të hynte gjithashtu në luftë kundër Perandorisë Osmane në Thesali. Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në Kosovë. Greqia do t’i ndihmonte shqiptarët me armatime. Projekti i Abdyl Frashërit ishte i leverdishëm për të dyja palët. Shqipëria siguronte tërësinë territoriale, duke përfshirë në kufijtë e saj edhe vilajetin e Janinës (Epirin), ndërsa Greqia hiqte dorë nga Epiri, por do të aneksonte pa luftë Thesalinë, me ndihmën e oficerëve shqiptarë që komandonin ushtrinë osmane. Abdyli u përpoq edhe një herë ta bindte qeverinë e Athinës, se ishte në interes të Greqisë që ajo të kishte si aleate, kundër Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një Shqipëri të fortë, prandaj nguli këmbë që aleanca dypalëshe të ndërtohej sipas parimit të njohjes së një principate të pavarur shqiptare në kufijtë e saj etnikë, në krye të së cilës mund të vihej edhe një princ me origjinë nga dinastia që mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi dorë as këtë radhë nga pretendimet ndaj Shqipërisë. Si rrjedhim, në ditët e fundit të dhjetorit, me urdhrin telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet shqiptaro-greke u ndërprenë përsëri.

Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshunlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës e të lumit të Bunës.

Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me të.

Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës së plotë turke, e detyroi Komitetin e Stambollit ta rishikonte programin e vet. Sipas tij, shpërthimi në këto rrethana i kryengritjes kundërosmane në Shqipëri do të ishte një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive serbe, malazeze e greke në brendi të trojeve shqiptare dhe do t’u jepte rast monarkive fqinje që ta sanksiononin me anën e fitores ushtarake aneksimin e viseve të pushtuara prej tyre. Për këtë arsye Komiteti hoqi dorë përkohësisht nga projekti i kryengritjes së armatosur dhe hartoi një program të ri politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e para të vitit 1878, përmbante ndryshime taktike e jo strategjike. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Por tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme ruajtja e tërësisë së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin se në kushtet e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk gëzonte asnjë mbështetje në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, tani që kishte filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë fqinje, rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte bërë shumë serioz. Në këtë gjendje të re shqiptarët u kthyen përsëri në programin e mëparshëm.

Në vend të pavarësisë së plotë kombëtare, ata vendosën të kërkonin bashkimin e trojeve të tyre amtare në një vilajet autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një vilajeti të tillë do të gjente përkrahës në arenën ndërkombëtare, të paktën mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane. Veç kësaj, për të mbrojtur tërësinë territoriale, shqiptarët do të luftonin të veçuar nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër rrezikut sllav, grek, austriak ose italian në emër të interesave kombëtarë të Shqipërisë. Ata ishin të bindur se një luftë e tillë, si edhe formimi i vilajetit autonom shqiptar, do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Këto fitore do të shërbenin si bazë për ta kthyer vilajetin autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale më të favorshme, në një shtet të pavarur shqiptar. Për të arritur bashkimin politik dhe organizativ të mbarë vendit rreth kësaj platforme, udhëheqësit e Komitetit të Stambollit vendosën të formonin një lidhje shqiptare me karakter kombëtar, ku të përfaqësoheshin të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha krahinat shqiptare që bënin pjesë në të katër vilajetet perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Projektin për formimin e saj e përgatiti qysh në fillim të vitit 1878, Pashko Vasa, që në atë kohë ishte këshilltar i valiut të Kosovës.

Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi kishte rëndësi të veçantë për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave të saj të armatosura. Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi një komision të posaçëm, të kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen përkatëse nga Porta e Lartë. Për një kohë të gjatë Stambolli nuk dha asnjë përgjigje.

Gjatë muajit shkurt 1878 tensionin politik të shqiptarëve e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi qeveria greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë. Që ta vinte Rusinë para faktit të kryer dhe të merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria e Athinës e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para se të nënshkruhej Traktati i Paqes me Turqinë, të provokonte në Shqipërinë e Jugut një kryengritje të armatosur kundërosmane dhe të nxiste kryengritësit vendas që të kërkonin bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë e Greqisë. Sipas planit të saj të përgatitur me kujdes, më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 “vullnetarë” të ashtuquajtur epirotë, të rekrutuar në Greqi, midis të cilëve kishte edhe disa mercenarë të huaj, të pajisur me armë e topa të ushtrisë helenike dhe të komanduar nga oficerë grekë, zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën fillimin e kryengritjes “greke” në viset e Epirit. Të nesërmen, më 13 shkurt, internacionalistët grekë pushtuan Sarandën; pastaj një pjesë e tyre u drejtua për në fshatin Çukë, pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë, duke shpresuar se aksioni i tyre do të ishte sinjali për shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme nga ana e popullsisë vendase.

Ndërkaq popullsia shqiptare vendase jo vetëm nuk u bashkua me bandën greke, por, përkundrazi, u ngrit në këmbë kundër saj. Nën thirrjen e krerëve lokalë, me mijëra vullnetarë shqiptarë rrëmbyen armët për mbrojtjen e vendit. Përparimi i forcave greke u ndal në kodrat e Gjashtës. Më 17 shkurt vullnetarët shqiptarë, së bashku me forcat turke që erdhën nga Janina, u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën në Karalibej, tjetrën në Gjashtë, dhe i detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha në Lëkurës. Pas një luftimi tjetër, që u zhvillua më 23 shkurt 1878 në Lëkurës, banda u shpartallua plotësisht. Komandanti i tyre mundi të shpëtonte së bashku me 110 veta, duke u tërhequr gjatë bregdetit, derisa u hodh në Korfuz. Të tjerët u vranë ose u zunë robër gjatë luftimeve.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:03 PM | Message # 23
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
2. THEMELIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Shqipëria dhe Traktati i Shën-Stefanit (3 mars 1878)

Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.
Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum). Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore Rusia cariste do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit. Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane.

Por, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman. Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.

Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.

Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.

Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut.

Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.

Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.

Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.

Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.

Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.

Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në besëlidhjet lokale.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:03 PM | Message # 24
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Rrymat politike dhe protestat shqiptare

Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Në këto rrethana, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme. Qarqet atdhetare shqiptare, të përfaqësuara, në përgjithësi, nga Komiteti Kombëtar i Stambollit, që formuan grupimin ose, siç u quajt nga vëzhguesit e huaj të kohës, rrymën radikale, synonin të themelonin një lidhje shqiptare, e cila duhej të mobilizonte popullsinë e vendit në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke kërkuar në të njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një shteti shqiptar autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj rryme, lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar, në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane.

Një grupim ose rrymë e dytë në lëvizjen kombëtare ishte ai i të moderuarve, siç u cilësua po nga bashkëkohësit, që përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare, si Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja, Mahmud pashë Biçaku, Omer pashë Vrioni etj. Ashtu si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si një shkallë për të shkuar më tej drejt një shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirur për t’iu kundërvënë Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë Perandorisë Osmane.
Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh rrezikun e jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen vetëm me mbrojtjen e territoreve të kërcënuara, vetëm me luftën kundër copëtimit të vendit. Si rrjedhim, ata e përfytyronin besëlidhjen shqiptare jo si një front politik kombëtar të veshur me atribute shtetërore, por si një federim ose aleancë krahinash të krijuar vetëm për të luftuar bashkërisht kundër shovinistëve fqinjë.

Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve radikale dhe platformës së të moderuarve kishte mjaft pika takimi, siç qe ajo e karakterit kombëtar shqiptar të lidhjes së përgjithshme dhe pranimi në parim i formimit të një vilajeti autonom shqiptar. Në situatën dramatike, që u krijua në pranverën e vitit 1878, këto pika të përbashkëta merrnin rëndësi të dorës së parë përballë pikëpamjeve të ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën se kur dhe si duhej të sendërtohej ky vilajet, të cilat mund të zgjidheshin pas formimit të lidhjes shqiptare. Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi i të dy rreshtimeve politike për formimin e një lidhjeje shqiptare me karakter kombëtar, që do të udhëhiqte luftën e popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut dhe do të parashtronte nevojën e bashkimit administrativ të mbarë viseve shqiptare në një vilajet autonom shqiptar.

Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në jetën politike të Shqipërisë vepronte edhe një rreshtim i tretë sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit turkomanë të administratës së vilajeteve, nga elementë feudalë e klerikë turkomanë, të cilët e identifikonin veten me qarqet sunduese perandorake, anonin plotësisht nga vija politike e Portës së Lartë dhe i shërbenin asaj. Të interesuar për të kundërshtuar vendimet e Traktatit të Shën-Stefanit, edhe pasuesit e këtij grupimi u bashkuan me lëvizjen për organizimin e qëndresës së armatosur nëpërmjet “lidhjes” së përgjithshme, e cila duhej të vepronte sipas orientimeve të sulltanit. Ata nuk ishin për një lidhje shqiptare, por për një lidhje islamike, ku të merrnin pjesë të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit Ballkanik, pavarësisht nga kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht, do të përjashtoheshin shqiptarët e krishterë, si ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj, sulltanistët, siç u quajtën në atë kohë, nuk e pranonin as në parim idenë e një vilajeti shqiptar, sepse ky vilajet, sipas tyre, do t’i ndante shqiptarët myslimanë nga “vëllezërit” myslimanë të Gadishullit Ballkanik dhe të Perandorisë Osmane.

Këto qëndrime u kundërshtuan nga atdhetarët shqiptarë, radikalë e të moderuar, që nuk mund të pajtoheshin me platformën e qarqeve sulltaniste dhe në mënyrë të veçantë me idenë konservatore të një lidhjeje islamike, e cila po të krijohej do ta shuante emrin e Shqipërisë. Në të vërtetë, qarqet sulltaniste nuk kishin ndonjë mbështetje në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Veprimtarinë e tyre e udhëhiqnin valinjtë e katër vilajeteve shqiptare, që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës së Lartë. Megjithatë, ato luanin ende një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, pasi kishin në dorë aparatin shtetëror - administratën, ushtrinë, xhandarmërinë, financat dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin krahinat me njëra-tjetrën. E vetmja pikë që dukej sikur i afronte sulltanistët me qarqet atdhetare, ishte gatishmëria e tyre për të luftuar me rrugë jashtëqeveritare, kundër shkëputjes së zotërimeve perandorake në Ballkan, pra edhe kundër shkëputjes së trojeve shqiptare, ndonëse këtë luftë ata kërkonin ta zhvillonin nën flamurin islamik.

Për të mos shkaktuar në atë çast kritik përçarjen e forcave politike të vendit, Komiteti i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare të vendit iu shmangën përkohësisht luftës së hapur kundër qarqeve sulltaniste. Madje, duke u kapur pas gatishmërisë që tregonin këto qarqe për të luftuar kundër Traktatit të Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë mendonin se, me një punë të mëtejshme sqaruese, do ta tërhiqnin masën e tyre në platformën e lidhjes shqiptare.
Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare. Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit të Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i paraqiti ambasadorit britanik në Stamboll një promemorje në emër të popullit shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë lidhej organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative. Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje t’u japë atyre një administratë më të mirë se atë që u ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës, janë të vendosur t’i këputin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë popujt sllavë të Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë, përfundonte Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë autonome që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre.

Një vend të veçantë në veprimtarinë politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit, të cilat ai i botoi në shtypin e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Në një artikull të botuar në muajin prill në gazetën turke “Basiret” (Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi vëmendjen Portës së Lartë që të mos pranonte asnjë lëshim në kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe t’u njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Askush, pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit të Stambollit, nuk ka të drejtë t’u japë të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve. Duke evokuar luftën që zhvilluan shqiptarët në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri u linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit se Shqipëria ishte gati të përsëriste epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do t’i njiheshin të drejtat e saj kombëtare.

Në një seri artikujsh të botuar gjatë prillit e majit në organin austriak “Messager de Vienne” (“Mesazher dë Vjenë”), Abdyl Frashëri argumentonte para opinionit publik evropian të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar, si një nga kombet më të lashta të Evropës, me gjuhë, me territor, me kulturë, me ndërgjegje dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare. Kombi shqiptar, nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër, veçse të jetojë i lirë, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha, theksonte Abdyli, do ta dënojnë këtë popull trim e liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet ndërmjet shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian.

Në të njëjtën kohë anëtarët e Komitetit të Stambollit e shtuan veprimtarinë e tyre politike edhe brenda në Shqipëri. Por këtu ata ndeshën në pengesat e qarqeve sulltaniste, të cilat, duke shfrytëzuar terrorin që po ushtronin organet ushtarake serbe-malazeze kundër shqiptarëve në veri dhe provokacionet që po kurdisnin agjentët shovinistë grekë në viset shqiptare jugore, përpiqeshin ta vështirësonin organizimin e popullit shqiptar në shkallë kombëtare dhe t’i nxisnin shqiptarët që të hidheshin në një luftë të parakohshme e të paorganizuar kundër shteteve fqinje.

Anëtarët e Komitetit të Stambollit dhe atdhetarët e tjerë i bënë ballë me sukses, në shumicën e krahinave të vendit, këtij presioni të qarqeve qeveritare e sulltaniste. Ata arritën të shmangnin konfliktet e parakohshme që ishin gati të shpërthenin, sidomos në veri, në sektorin shqiptaro-malazez. Me këtë rast Komiteti i Stambollit e shpalli edhe një herë publikisht platformën e vet. Me një proklamatë drejtuar më 30 maj 1878 popullit shqiptar dhe, për njoftim, opinionit ndërkombëtar, ai shprehte keqardhjen që në një çast aq kritik për Shqipërinë, vendi po u nënshtrohej sulmeve fatkeqe dhe persekutimeve të shëmtuara nga qeveria malazeze, serbe e greke, veçanërisht nga fqinjët malazez. Megjithatë, Komiteti i Stambollit, thuhej në proklamatë, e “konsideron të ngutshme nevojën për të ndalur një luftë midis dy popujve (shqiptarëve dhe malazezëve - shën. i aut.), të cilët kanë pasur mjaft raste ta matin fuqinë dhe trimërinë e tyre, dhe për të larguar kështu rreziqe të reja për paqen në Lindje”. Proklamata përfundonte: “Ne dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë.

Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që është jona. T’u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare!”
Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër kazaje u zhvilluan mbledhje popullore, në të cilat u morën vendime për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare. Në shumicën e rasteve, në përfundim të këtyre mbledhjeve u hartuan protesta me shkrim drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur deri në njeriun e fundit çdo pëllëmbë të tokës amtare. Funksionarët e admnistratës dhe përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan në këto mbledhje presion të fuqishëm për t’i detyruar pjesëmarrësit që t’i nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë, por si nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorinë Osmane.

Por këto presione nuk dhanë rezultat. Në asnjë nga krahinat shqiptare, pjesëmarrësit e mbledhjeve nuk pranuan ta cilësonin veten e tyre si banorë islamikë. Në të gjitha aktet drejtuar Fuqive të Mëdha banorët myslimanë dhe të krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë të një kombi të vetëm. Madje, në shumë raste, pjesëmarrësit e mbledhjeve popullore hartuan peticione drejtuar Portës së Lartë, me anën e të cilave kërkonin reforma autonomiste për Shqipërinë.



 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:04 PM | Message # 25
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Themelimi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878)

Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878, në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën e vitit 1878, e besëlidhjeve lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm dhe organizimi me sukses i punimeve të tij.

Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit.

Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët sulltanistë. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e bejlerë sulltanistë.

E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike.

Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur.

Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike.

Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës.

Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku)?.
Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe nga këta, delegatët, që i takonin krahut sulltanist, u përpoqën që organizata që do të themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia nënshtronin atë interesave të Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës.

Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qendrimet e dëmshme të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe me trysninë e autoriteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishën në këtë tubim. Të dyja këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.
Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi).
Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë.

Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:04 PM | Message # 26
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Kanuni dhe Urdhëresa (17 qershor 1878)

Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion, dërguar Portës së Lartë, Kararnameja (Akti i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).
Të dyja peticionet u miratuan më 15 qershor 1878. Ato u pajisën me nënshkrimet e disa mijëra përfaqësuesve të popullsisë shqiptare në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Me anën e tyre kërkohej nga Kongresi i Berlinit dhe nga qeveria turke që të mos i jepnin shteteve të huaja asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu i tyre. Edhe në këto dokumente të Kuvendit të Lidhjes shprehej vendosmëria e përfaqësuesve shqiptarë për të luftuar deri te njeriu i fundit për të kundërshtuar çdo vendim që do të cenonte tërësinë territoriale të atdheut. Veç kësaj, në peticionin që iu dërgua Portës së Lartë, parashtrohej edhe kërkesa për të bashkuar të gjitha trojet shqiptare në një vilajet të vetëm shqiptar ose, siç thuhet në peticion, në një “vilajet të bashkuar” (Tevhidi vilajet) me një “kuvend të bashkuar” në krye dhe me administratë, buxhet e ushtri të veçantë, pra të pajisur me autonomi administrative e kulturore.

Por ky program i autonomisë (krijimi i vilajetit të bashkuar me autonomi administrative) nuk u përfshi në të dy dokumentet e tjera që u miratuan nga Kuvendi, më 17 qershor 1878, në Kararnamenë dhe në Talimatin. Kjo shpjegohet me ndikimin e qarqeve konservatore në punimet e vendimet e Kuvendit, të cilat nuk ishin të interesuara për ndryshime të raporteve të Shqipërisë me Perandorinë Osmane. Ndikimi i këtyre qarqeve, me të cilat qenë bashkuar edhe delegatët boshnjakë, u forcua, përkohësisht, në krahasim me atë të grupimit të delegatëve autonomistë kosovarë, edhe për shkak se në Kuvendin e Përgjithshëm nuk kishin arritur ende delegatët e krahinave të tjera të Shqipërisë, sidomos ata të vilajeteve të Shkodrës e të Janinës, të cilët ishin të gjithë përkrahës të autonomisë. Por, veç këtij faktori, në mungesën e kërkesës në Kararname të një vilajeti të bashkuar shqiptar, me autonomi administrative, ndikoi edhe rreziku i jashtëm, ai i copëtimit të Shqipërisë, që nxirrte në plan të parë dhe si detyrë më të ngutshme mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare.

Në këto rrethana, qarqet konservatore, të nxitura edhe nga qeveritarët osmanë, u përpoqën t’i impononin Kuvendit të Përgjithshëm një platformë me ndikime sulltaniste dhe islamike. Por këto orvatje dështuan, sepse ndeshën në kundërshtimin e rreptë të përfaqësuesve të vijës patriotike të Kuvendit.
Kanuni i Lidhjes, me emrin Kararname (Akti i Vendimeve) sanksionoi formimin e Lidhjes si organizatë politike shqiptare dhe përcaktoi detyrat e saj më të ngutshme. Megjithëse ky dokument nuk iu shmang dot disa formulimeve kontradiktore, me këmbënguljen e delegatëve atdhetarë aty u përfshinë dispozita të tëra, që i shërbenin Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe që binin ndesh me interesat e Portës së Lartë. Kështu, në nenin 1 thuhej se qëllimi i Lidhjes së Prizrenit ishte të mbronte tërësinë tokësore të Perandorisë Osmane, me të cilën Lidhja nënkuptonte edhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, kurse në nenin 6 shpallej në formë edhe më të qartë e më të prerë, se Lidhja do të kundërshtonte vetëm lëshimet tokësore në favor të Bullgarisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi (pra, jo kundër tokave që do të merrte Rusia dhe Austro-Hungaria), që do të thoshte se ajo do të luftonte vetëm për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare.

E vështruar nga kjo pikëpamje, Kararnameja i përgjigjej detyrës së parë e kryesore që qëndronte para Lidhjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: lufta për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, të Shqipërisë. Po ashtu, ajo shprehte synimet vetëqeverisëse të shqiptarëve. Nga njëra anë thuhej se Lidhja e Prizrenit do ta shihte si armik çdo njeri që do të përpiqej të dobësonte autoritetin e qeverisë osmane (neni 2), ndërsa nga ana tjetër, ajo e vishte veten dhe komitetet e saj me funksione pushtetore të veçuara nga ato të Stambollit (neni 14), të cilat e dobësonin autoritetin e Portës së Lartë në Shqipëri.

Lidhja trajtohej në Kararname si një institucion politik, me një personalitet juridik të pavarur nga Porta e Lartë. Qeveria e Stambollit, thuhej në nenin 14 të saj, “nuk do të përzihet në asnjë mënyrë në çështjet e Lidhjes”. Por ajo që e theksonte më shumë karakterin e saj të pavarur ishte e drejta që fitoi Lidhja me anën e Kararnamesë për të ngritur në këmbë forca të armatosura, të veçuara nga ushtria perandorake osmane, dhe për të hyrë në luftë kundër fuqive të huaja, pavarësisht nga qëndrimi i Portës së Lartë. Lidhja merrte përsipër edhe disa prerogativa në fushën administrative e gjyqësore.

Të gjitha këto dëshmojnë se referimi në ndonjë rast te feja islame ose përfshirja në të e shprehjes së besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, nuk përcaktonin karakterin e vërtetë të Kararnamesë, nuk cenonin përmbajtjen e saj themelore, që i përgjigjej synimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Veç kësaj, ky nuk ishte programi përfundimtar i Lidhjes, i cili do të miratohej në një mbledhje më të përgjithshme të Kuvendit, ku të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë.

Në dokumentin tjetër, që Kuvendi i Përgjithshëm miratoi po atë ditë (më 17 qershor 1878), i cili u quajt Talimat (Urdhëresë), trajtoheshin aspektet organizative, politike e ushtarake të Lidhjes. Urdhëresa, ndryshe nga Akti i Vendimeve, ishte e zhveshur nga çdo referim te feja islame, si dhe nga deklarata e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane. Veç kësaj, funksionet pushtetore të Lidhjes këtu ishin më të theksuara. Në Urdhëresë flitej haptas se Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga e cila do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga ajo e Portës së Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejt nga Lidhja. Nëpërmjet Kararnamesë, delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm shpallën Prizrenin si kryeqytetin e Lidhjes.

Lidhja vendosi të ngrinte një ushtri të rregullt, të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme, të aftë për të mbrojtur atdheun. Në Talimat përfshihej edhe një shtojcë që përmbante një varg masash konkrete për dislokimin e menjëhershëm të forcave të armatosura të Lidhjes së Prizrenit në pikat kryesore strategjike, si në Guci, në Rugovë, në Kolashin, në Prepol, në Senicë, në Tashllixhe, në Mitrovicë, në Gjilan, në Palankë, në Shkodër e gjetkë. Prej këtej ato do të mbronin viset shqiptare, nëse Kongresi i Berlinit do t’ua jepte Serbisë, Bullgarisë e Malit të Zi. Sipas Talimatit, Kuvendi Kombëtar parashihte të ngrinte, në rast nevoje, një ushtri kombëtare prej 190 mijë vetash.

Lajmi i formimit të Lidhjes në Prizren u përhap menjëherë në Shqipëri dhe pati jehonë në të katër anët e vendit. Kudo filloi një diskutim i zjarrtë rreth vendimeve të Kuvendit të Prizrenit. Me këtë rast atdhetarët përparimtarë kërkuan që të mblidhej përsëri Kuvendi i Përgjithshëm, në të cilin të merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinave shqiptare të të katër vilajeteve.

Në protestat, që popullsia e krahinave të ndryshme i drejtoi gjatë atyre ditëve Kongresit të Berlinit, mbahej një qëndrim krejt i ndryshëm ndaj Stambollit, nga ai i krahut sulltanist. “Ashtu sikurse nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte sllavë, austriakë ose grekë”, thuhej ndër të tjera në një memorandum drejtuar, më 13 qershor 1878, kryeministrit britanik, lordit Bikonsfild (Beaconsfield), nënshkruar nga rreth 500 qytetarë shkodranë, të cilët kërkonin respektimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe formimin e një shteti shqiptar të pavarur. Me telegramet që i drejtonin Kongresit të Berlinit në ditët e mëpasme, përfaqësuesit e kazave shqiptare të vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës e të Manastirit kërkonin gjithashtu, si shqiptarë, respektimin e tërësisë tokësore të atdheut të tyre, të Shqipërisë. Të tilla kërkesa iu paraqitën areopagut ndërkombëtar edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë Shqipërisë, madje edhe nga grupe shqiptarësh që ndodheshin në Stamboll. Në një memorandum, drejtuar më 20 qershor 1878 ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha nga një grup personalitetesh shqiptare që banonin në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, midis të cilëve bënin pjesë edhe disa anëtarë të Komitetit të Stambollit (Pashko Vasa, Sami Frashëri, Ali Danish Prishtina, Sermedi Seid Toptani dhe Abedin bej Dino), pasi protestohej në emër të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut, shtrohej kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë administrativ, sipas një projekti të hartuar prej një komisioni të përbërë nga shqiptarë dhe të miratuar nga Porta e Lartë.

Paralelisht me rritjen e lëvizjes masive në të mirë të platformës kombëtare, përfunduan edhe përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Në fund të qershorit në Prizren arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare. Në të njëjtën kohë u kthye nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres, Peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Shumica dërrmuese e delegatëve ishte edhe më e vendosur për ta mbrojtur deri në fund programin politik kombëtar të Lidhjes. Madje disa delegatë, si për shembull ata të Shkodrës, kishin porosi nga popullsia e tyre që “të mos pranonin asgjë që mund të interpretohej si forcim i frymës islamike” dhe “po të vinin re se Lidhja po i shmangej rrugës kombëtare për të hyrë në rrugën thjesht fetare, të largoheshin prej saj”.

Kuvendi i Përgjithshëm u mblodh në Prizren më 1 korrik 1878. Nga 300 delegatët që, sipas disa dëshmive, kishin ardhur në Prizren, njihen të paktën 140 emra, nga të cilët 96 nga Kosova, 26 nga Shkodra dhe 20 nga vilajeti i Janinës. Pas dy ditë diskutimesh Kuvendi i Përgjithshëm miratoi, më 2 korrik 1878, një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapa të rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes.

Kanuni i ri e shpalli botërisht organizatën e formuar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin e saj qendror e quajti Komitet Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishin pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ai i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhakëve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare. Kuvendi mori edhe masat e nevojshme për anët organizative të Lidhjes.

Në një mbledhje të fshehtë, që u zhvillua natën në shtëpinë e atdhetarit prizrenas Shuaip Spahiu, u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që vishej me funksione legjislative dhe, të Komitetit Kombëtar, që do të ushtronte funksione ekzekutive. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga krahinat shqiptare të të katër vilajeteve, të cilët ishin nga të gjitha besimet fetare dhe përfaqësonin forcat atdhetare të vendit. Midis tyre ishin: Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana, Qazim bej Gjirokastra etj. Si kryetar i Këshillit mbeti përsëri Iljaz pashë Dibra. Tri komisionet e Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale, mbetën siç ishin, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, të Haxhi Shabanit e të Sulejman Vokshit.

Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878, shënonte fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo fitore ishte e dyfishtë. Nga njëra anë, detyra për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, me të cilën e ngarkoi ky kanun, e ktheu përfundimisht Lidhjen e Prizrenit në një organizatë politike kombëtare dhe i dha të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë e robëruar në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, të drejtat që i dha po ai kanun për të pasur administratë, ushtri, buxhet dhe gjyqe të veçanta, e pajisën Lidhjen e Prizrenit me funksione pushtetore të veçuara nga ato të shtetit centralist osman. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:05 PM | Message # 27
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
3. MBROJTJA E TROJEVE SHQIPTARE

Shqipëria dhe Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878)

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.
Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.

Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.

Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin, që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild, kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të shërbente si një element ekuilibri në lindje.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij.

Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.

Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të Shën-Stefanit, kurse Britania e Madhe me Austro-Hungarinë përpiqeshin të pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e tyre në Evropën Juglindore. Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte Austro-Hungarinë për të mos e lënë që të bashkohej me Francën dhe ta neutralizonte kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin e marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj, kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të Austro-Hungarisë në Gadishullin Ballkanik.
Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.

Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit, mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.

Përfitime tokësore në kurriz të Perandorisë Osmane patën sidomos dy fuqi të mëdha, të cilat nuk kishin marrë pjesë fare në luftën ruso-turke: Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe. Austro-Hungaria fitoi të drejtën për të pushtuar ushtarakisht, gjoja për t’i administruar, Bosnjën dhe Hercegovinën, përveç limanit Spic, në brigjet jugore të Dalmacisë, të cilën e aneksoi zyrtarisht; po ashtu fitoi të drejtën për të mbajtur garnizone ushtarake në sanxhakun e Novi Pazarit. Britania e Madhe, e cila u paraqit në Kongres si mbrojtësja më e flaktë e Perandorisë Osmane, i shkëputi kësaj ishullin e Qipros.

Me përkrahjen e Anglisë e të Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke. Athina pretendonte të aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos Epirin (vilajetin e Janinës). Pas mjaft debatesh, Kongresi, duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha.

Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër për trojet shqiptare.

Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria, e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”. Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik.

Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike, që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i qe dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto “rregullore” t’u përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte “komisione të posaçme” për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të cilat “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta).

Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të respektuar venomet në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar. Të dyja këto vendime ishin negative për Shqipërinë.
Me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme. Reformat administrative autonomiste i kërkonin vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom.

Pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike” të veçantë, gjoja në përshtatje me nevojat e vendit, do t’i vështirësonte edhe më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl Frashëri, që t’u jepnin reformave karakter joshqiptar, por serb në vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonom.
Po ashtu, me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë vetëm si çështjen e një krahine të saj, siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur e Mirditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë tjetër, veçse të ruante statusin e saj partikularist e patriarkal. Protokolli nr.13 i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane (kultusprotektoratin), që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për ekspansionin e saj të mëtejshëm drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:06 PM | Message # 28
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-turke.

Aksioni i Gjakovës (korrik-shtator 1878)

Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe kundër Portës së Lartë. Nga të katër anët e vendit u bënë protesta për të kundërshtuar shkëputjen e trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Kudo u shpreh gatishmëria e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë në veri, qoftë në jug, asnjë pëllëmbë tokë të banuar nga popullsi shqiptare. Megjithatë, pasi mbaruan punimet e Kongresit të Berlinit, vëmendja e shqiptarëve u drejtua kryesisht nga fati i trojeve veriore, pasi vendimi i Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë në favor të Malit të Zi kishte formë të prerë. Si i tillë ai duhej të zbatohej menjëherë, kurse vendimi për viset jugore do të merrte formë përfundimtare më vonë, pasi ishte i lidhur me bisedimet turko-greke.

Tensioni i madh politik që pushtoi opinionin publik krijoi një truall të favorshëm për rritjen e shpejtë të autoritetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për shtrirjen e saj organizative, brenda pak javëve, në të katër anët e vendit.
Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Duke marrë parasysh vështirësitë e ndërlidhjes së degëve të shumta me Komitetin Kombëtar dhe për ta rritur operativitetin e këtyre degëve në përshtatje me rrethanat lokale, në fillim të korrikut u formuan në bazë vilajetesh tri komitete ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare me qendër në Prizren, në Shkodër dhe në Janinë. Me to u lidhën degët e shpërndara në sanxhakët dhe në kazatë e këtyre vilajeteve. Meqenëse më 1878 vilajeti i Manastirit ishte suprimuar, degët e formuara në sanxhakët e Dibrës, të Ohrit e të Manastirit u lidhën me Komitetin Ndërkrahinor të Prizrenit, kurse ato të sanxhakut të Korçës me Komitetin Ndërkrahinor të Janinës. Lidhjet ndërmjet Komitetit të Janinës dhe komiteteve të Prizrenit ose të Shkodrës kryheshin sipas rastit, nëpërmjet degës së Elbasanit ose nëpërmjet degës së krijuar posaçërisht për këtë qëllim në Selanik, e cila shërbente si ndërmjetëse për lidhjet e komiteteve ndërkrahinore të vilajeteve me Komitetin e Stambollit. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.

Në përshtatje me situatën e krijuar, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës u ngarkua me detyrën që të merrte masa politike e ushtarake për të parandaluar ose, në pamundësi të kësaj, për të kundërshtuar shkëputjen e Çamërisë në favor të Greqisë. Për këtë qëllim në dhjetëditëshin e tretë të korrikut 1878 u organizua në Janinë një Kuvend i gjerë Ndërkrahinor me përfaqësues të të gjitha degëve të vilajetit. Pasi vendosi të shprehte botërisht vendosmërinë e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë çdo lëshim të trojeve të tyre në favor të Mbretërisë Greke, Kuvendi Ndërkrahinor caktoi për çdo kaza numrin e forcave vullnetare, që do të mobilizoheshin për të hyrë në luftë menjëherë sapo të dilte nevoja. Në të njëjtën kohë përfaqësuesit e degëve të Jugut miratuan një memorandum, me të cilin paralajmërohej Porta e Lartë se shqiptarët ishin të vendosur të viheshin edhe kundër saj, në rast se ajo do të tërhiqej përballë pretendimeve shoviniste të Athinës.

Në mbledhjen që mbajti më 24 korrik 1878, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, Kuvendi Ndërkrahinor i Janinës, krahas vendimeve që mori për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, shqyrtoi edhe çështjen e formimit të vilajetit autonom shqiptar. Për këtë qëllim, më 24 korrik 1878, u hartua një rezolutë e veçantë, në të cilën aspirata e shqiptarëve për autonomi është formuluar nëpërmjet tri kërkesave: bashkimi i trojeve të tyre në një vilajet të vetëm, zhvillimi i gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare dhe zbatimi menjëherë në Shqipëri i reformave të përshtatshme me nevojat e saj, sikurse ishte krijimi i “milicisë shqiptare” me forca të rekrutuara nga e gjithë Shqipëria. Lidhja parashikonte që vetëm në vilajetin e Janinës të mblidhte 30 mijë burra të armatosur.
Kjo rezolutë, në të cilën shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë në dorë çdo aneksim të tokës së tyre nga Greqia, madje edhe në kundërshtim me qëndrimin e Portës së Lartë, shqetësoi qarqet qeveritare të Stambollit. Në telegramet që i dërgonte kryetarit të Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës më 3 dhe 25 gusht, kryeministri turk shpejtoi t’i qetësonte shqiptarët, duke u zotuar se nuk do t’i lëshonte Greqisë asnjë pëllëmbë tokë nga vilajeti i Janinës.

Gjithashtu, në përshtatje me situatën e krijuar, dy komitetet ndërkrahinore të Veriut u mobilizuan për të kundërshtuar me armë dorëzimin e kazasë së Gucisë (ku bënte pjesë edhe Plava) në favor të Malit të Zi. Për mbrojtjen e tyre në Shkodër u zhvillua një miting popullor, pas të cilit filluan menjëherë përgatitjet për të rekrutuar vullnetarë dhe për të grumbulluar armë. Brenda pak ditëve, në fillim të korrikut, në rrethin e Shkodrës u regjistruan rreth 6 mijë vullnetarë. Qytetarët dhe fshatarët dhanë kontribut në të holla e drithë. Një mobilizim i tillë ndodhi edhe në Kosovë, sidomos në Gjakovë e në Pejë. Më shumë se kudo mobilizimi përfshiu banorët e Plavës e të Gucisë. Shqiptarët, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të këtyre dy krahinave, u vunë në gatishmëri të plotë, duke vëzhguar ditë e natë lëvizjet e ushtrive malazeze përtej kufirit. Sipas vendimit që mori Komiteti Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit, vullnetarët e krahinave të tjera do të qëndronin në shtëpitë e tyre në pritje për t’u nisur në front sapo të lëshohej kushtrimi.

Përgatitjet politike dhe ushtarake të Lidhjes së Prizrenit tregonin se nenet e Traktatit të Berlinit, që cenonin të drejtat kombëtare të Shqipërisë, nuk mund të zbatoheshin pa dhunën e armatosur kundër shqiptarëve që do të ushtrohej ose nga Mali i Zi, ose nga Perandoria Osmane. Për ta mënjanuar këtë konflikt tepër të kushtueshëm dhe me përfundime të pasigurta për Malin e Zi, knjaz Nikolla kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, duke e akuzuar Portën e Lartë si organizatoren e Lidhjes së Prizrenit.
Për Perandorinë Osmane kazaja e Gucisë, me më pak se 10 mijë banorë, nuk kishte asnjë rëndësi ekonomike e strategjike në krahasim me territoret e gjera të Bullgarisë, të Bosnjës, të Hercegovinës etj., që asaj iu shkëputën nga Traktati i Berlinit. Por Porta e Lartë nuk donte që, për shkak të një krahine të parëndësishme kufitare, të ndizte revoltimin e mëtejshëm të 1,6 milion shqiptarëve, të cilët do të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë. Si rrjedhim, ajo ngurroi të dorëzonte Plavën e Gucinë, duke u justifikuar para Fuqive të Mëdha me arsyen e vërtetë, me rrezikun e një konflikti të armatosur ndërmjet saj dhe shqiptarëve.

Ndërkaq, në dhjetëditëshin e tretë të korrikut u acaruan marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët, për shkak të qëndrimit të këtyre të fundit ndaj pushtimit të Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Kur më 22 korrik ushtritë austro-hungareze filluan marshimin drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, autoritetet shtetërore osmane u kërkuan krerëve të Lidhjes Shqiptare që t’u vinin në ndihmë me forcat e tyre të armatosura boshnjakëve, që kishin rrëmbyer armët kundër pushtuesve të huaj. Kërkesën e Stambollit e miratuan vetëm qarqet sulltaniste, të cilat u përpoqën të bindnin Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes për të marrë pjesë në luftën kundër Austro-Hungarisë, ndërsa anëtarët e tij nuk pranuan, duke përdorur si argument nevojën e ngutshme që kishte vendi për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Presioni i qarqeve qeveritare dhe i elementëve turkomanë vijoi katër javë, derisa më 19 gusht 1878 Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur posaçërisht për këtë qëllim, e hodhi përfundimisht poshtë kërkesën e Portës së Lartë. Lidhja vendosi të mos dërgonte forcat e saj të armatosura kundër invazionit austro-hungarez në Bosnjë, me arsyen e thjeshtë se ato ishin krijuar për të mbrojtur interesat kombëtarë të Shqipërisë e jo të Perandorisë Osmane. Me këtë qëndrim Lidhja e Prizrenit u dha, pas miratimit të kanunit kombëtar më 2 korrik 1878, goditjen e dytë planeve të sulltanit. Goditjen e tretë ajo ua dha tre javë më vonë me vrasjen në Gjakovë të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxhari.
Pas dështimit të planeve të saj në lidhje me Bosnjën e me Hercegovinën, Porta e Lartë filloi të shqetësohej si nga rruga e veprimeve të pavarura në të cilët tashmë kishte hyrë Lidhja Shqiptare, ashtu edhe nga trysnia e madhe që po ushtronin Fuqitë e Mëdha në lidhje me zbatimin e Traktatit të Berlinit kundrejt Malit të Zi e Mbretërisë Greke.

Trysni të fuqishme ushtronte sidomos Rusia cariste, e cila po e kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të veta nga Rumelia Lindore me dorëzimin nga ana e Perandorisë Osmane të trojeve që i qenë premtuar Malit të Zi. Kërkesën e plotësimit të detyrimeve, që rridhnin nga Kongresi i Berlinit, ia parashtroi Stambollit edhe princi i Malit të Zi, më 13 gusht 1878. Për t’u çliruar nga ky presion e sidomos nga ai që ushtronte Rusia, ushtritë e së cilës ndodheshin në afërsitë e Stambollit, Porta e Lartë vendosi të shpejtonte veprimet për dorëzimin e këtyre trojeve, duke përfshirë këtu edhe Plavën e Gucinë. Në përgjigjen që i dha princit të Malit të Zi, më 20 gusht, Ministria e Jashtme e njoftonte knjaz Nikollën se qeveria perandorake kishte caktuar mareshalin Mehmet Ali Pashën si komisar i jashtëzakonshëm për të kryer formalitetet e dorëzimit të Plavës e të Gucisë.

Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit.
Qysh në fillim u mor vesh se mareshali turk kishte marrë përsipër të shpërndante Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Prizren dhe, pasi të kryente dorëzimin e Plavës e të Gucisë, do të vinte në Shkodër për të shpërndarë edhe aty Komitetin Krahinor të Lidhjes. Prandaj lajmi i misionit të Mehmet Ali pashës u prit me zemërim në Shqipëri. Në Prizren, Komiteti Kombëtar i Lidhjes u shpreh kundër pjesëmarrjes së mareshalit në komisionin e kufirit. Po kështu, në një mbledhje të fshehtë që u mbajt në Shkodër nga aktivistët më radikalë, u vendos që të mos e linin komisarin e sulltanit as të hynte në qytetin e tyre.

Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare. Ai u përpoq të bindte veçan udhëheqësit e saj për kotësinë dhe dëmin e kundërshtimit të shqiptarëve, pasi, sipas tij, jo vetëm Porta e Lartë, por as Fuqitë e Mëdha nuk do të tërhiqeshin; ato do ta zbatonin me çdo kusht Traktatin e Berlinit. Në një mbledhje të përbashkët me të gjithë krerët e Lidhjes, më 26 gusht, ai përdori, midis të tjerave, edhe kërcënimin, duke u lënë një afat prej 24 orësh për t’u menduar. Por të nesërmen askush nuk u paraqit në mbledhje. Për më tepër, atë ditë u vra nga njerëzit e Lidhjes Shqiptare me atentat, në kafenenë “Marash” të Prizrenit, telegrafisti i Mehmet Ali pashës, të cilin mareshali e kishte sjellë me vete për të ruajtur sekretin e raporteve që do t`i drejtonte Portës së Lartë. Vrasja e telegrafistit ishte një paralajmërim që Lidhja e Prizrenit i drejtonte Maxhar? Pashës dhe nëpërmjet tij qeverisë osmane, për të hequr dorë nga dorëzimi i trojeve shqiptare.

Mehmet Ali pasha nuk qe në gjendje as t’i bindte udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, as edhe të shpërndante Komitetin Kombëtar sipas porosive të posaçme që kishte marrë në Stamboll. Megjithatë, mareshali turk nuk hoqi dorë nga misioni i tij. Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte që t’i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej rrugën drejt kufirit malazez.

Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni (në sarajet e të cilit ishte strehuar Mehmet Ali pasha) dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t’u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.

Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta.
Përpjekja e armatosur e Gjakovës ishte frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa me organizimin e saj të drejtpërdrejtë u mor dega e Lidhjes për Gjakovën. Udhëheqësit kryesorë të saj ishin Ahmet Koronica, Sulejman Vokshi, Ali bej Gucia, Jakup Ferri dhe Ismail Myderizi, së bashku me krerët e esnafëve të qytetit të Gjakovës.

Përpjekja e Gjakovës pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Në saje të pjesëmarrjes së gjerë të masave popullore dhe të gjakut të tyre të derdhur në këto luftime, kjo ngjarje shënoi fitoren e plotë të vijës atdhetare shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Aksioni i Gjakovës tregoi se Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta e Lartë, madje ajo ishte e vendosur që, për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, të luftonte edhe kundër saj. Në të vërtetë, Lidhja e Prizrenit, e cila u formua për të kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe u përgatit për të hyrë në luftë kundër ekspansionit të shteteve fqinje, dëshmorët e saj të parë i la në luftë kundër Perandorisë Osmane.

Luftimet e Gjakovës patën jehonë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë në tri drejtime: si një akt që cenonte Traktatin e Berlinit në lidhje me detyrimet territoriale të Perandorisë Osmane ndaj Malit të Zi; si një aksion që keqësoi më shumë marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët; si një veprim që e vështirësonte më keq zgjidhjen e problemeve të krijuara nga Kriza Lindore në Gadishullin Ballkanik.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:06 PM | Message # 29
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Kuvendi i Dibrës dhe rezoluta e tij (1 nëntor 1878)

Me aksionin e Gjakovës, Lidhja e Prizrenit bëri një hap të rëndësishëm përpara. Opinioni shqiptar priste tani që Porta e Lartë të ndërhynte energjikisht për të vënë në vend dinjitetin e saj, të shkelur rëndë. Nga ana tjetër, vëzhguesit e huaj, të cilët e vlerësuan këtë aksion si një kryengritje kundër Stambollit, prisnin që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të Shqipërisë.

Porta e Lartë në fillim mendoi të ndërhynte duke ndërmarrë një fushatë ushtarake ndëshkimore kundër gjakovarëve dhe Lidhjes Shqiptare. Për këtë, më 8 shtator u nisën nga Selaniku për në Kosovë forca të shumta ushtarake, të cilat, me urdhër nga Stambolli, u ndalën më pas një pjesë në Ferizaj dhe të tjerët në Shkup. Qeveria e sulltanit arriti në përfundimin se në atë situatë nuk mund të ndërmerrej asnjë masë ushtarake e ndëshkimore ndaj shqiptarëve, sepse nuk ishte në interesin e saj të shkaktonte një luftë, që funksionarët e saj e quanin civile, me shqiptarët. Një veprim i tillë do të bëhej shkak për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri, të cilën, siç dëshmojnë dokumentet bashkëkohëse, Stambolli nuk ishte në gjendje në atë kohë ta shtypte. Prandaj Porta e Lartë e la në heshtje përleshjen e Gjakovës, duke ua ngarkuar përgjegjësinë e gjakderdhjes disa personave të “pandërgjegjshëm”, kundër të cilëve deklaroi se do të merreshin masa në kohën e duhur.

Për një kryengritje të armatosur kundër Stambollit në këtë periudhë, kur rreziku i copëtimit territorial ndodhej në momentin e tij më të mprehtë, nuk qenë të interesuara as qarqet atdhetare shqiptare. Megjithatë, ato mendonin se tani që lëvizja kishte ecur mjaft përpara, ishin krijuar rrethana të favorshme për ta detyruar Portën e Lartë që të lëshonte pe në lidhje me të drejtat autonomiste të Shqipërisë pa qenë nevoja për një kryengritje të armatosur kundër saj. Kjo çështje u trajtua nga Komiteti i Stambollit gjatë dhjetëditëshit të tretë të muajit shtator 1878.

Pasi analizoi gjendjen e re politike, Komiteti i Stambollit, në mbledhjen e fshehtë që zhvilloi nën kryesinë e Abdyl Frashërit, vendosi ta ngrinte me forcë para Portës së Lartë çështjen e formimit të Vilajetit Shqiptar. Vendimi i Komitetit u shpall botërisht si lajm, pa emër autori, më 27 shtator 1878, në gazetën “Terxhuman-i Shark”, që botohej nën drejtimin e Sami Frashërit në kryeqytetin perandorak. Sipas këtyre lajmeve, Lidhja Shqiptare kishte hartuar një program prej 7 pikash. Në pikën e parë thuhej se sovraniteti i sulltanit do të ruhej në Shqipëri dhe se asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk duhej t’u jepej shteteve të tjera. Në pikën e dytë kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë, domethënë bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative. Pikat e tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetore që duhej të kishte ky vilajet.

Të gjithë nëpunësit do të ishin shqiptarë. Në administratë e në shkollë do të përdorej gjuha shqipe. Osmanishtja do të përdorej vetëm në korrespondencën me Portën e Lartë. Vilajeti i Shqipërisë do të kishte gjithashtu ushtrinë e vet kombëtare. Shqipëria autonome do të qeverisej nga një regjim demokratik. Të gjithë banorët, pa marrë parasysh dallimet fetare e shoqërore, do të kishin të drejta dhe detyra të barabarta. Vendi do të qeverisej nga organe pushtetore të zgjedhura demokratisht prej tyre. Çdo nahije (lokalitet), çdo kaza (rreth) dhe çdo sanxhak (prefekturë) do të kishte këshillin e vet të zgjedhur periodikisht. Organi më i lartë do të ishte Kuvendi i Madh i Vilajetit i zgjedhur nga këshillat e sanxhakëve, i veshur me pushtet legjislativ dhe ekzekutiv. Kuvendi i Madh do të zgjidhte qeverinë e vilajetit (Këshillin e Vilajetit). Qeveria do të përgatiste ligjet, do të studionte reformat, do të hartonte buxhetin dhe do të zgjidhte gjykatën e përgjithshme, të cilat do t’ia paraqiste për miratim Kuvendit të Madh. Vendimet e Këshillit të Vilajetit, thuhej në këtë program, do të zbatoheshin nga të gjithë banorët e vilajetit. Ato do të ishin të detyrueshme edhe për qeverinë perandorake osmane.

Pasi programi i ri u shpall botërisht, u ftuan të gjitha degët e Lidhjes së Prizrenit që ta miratonin dhe të ngarkonin një delegacion të përbërë nga personalitete shqiptare të njohura për t’ia paraqitur atë Portës së Lartë. Në shumë krahina të vendit u hap një diskutim i zjarrtë ndërmjet aktivistëve atdhetarë, që e mbështetën programin e ri dhe qarqeve sulltaniste, të cilat u ngritën kundër përmbajtjes së tij. Me qëllim që të tërhiqnin në anën e tyre përkrahësit e krahut të moderuar, në mjaft krahina udhëheqësit u detyruan të bënin një lëshim, - të hiqnin dorë nga pjesa e fundit e programit (nga parimet kushtetore që duhej të kishte Vilajeti i Shqipërisë), rreth të cilave u përqendrua diskutimi më i rreptë.
Në fillim programi u shtrua për diskutim në degën e Lidhjes Shqiptare për Dibrën, me nismën e së cilës u mbajt në Dibër, më 14 tetor, një kuvend i jashtëzakonshëm, ku morën pjesë krerët e qytetit të Malësisë dhe të Fushës së Dibrës, që miratuan një rezolutë, të hartuar mbi parimet e programit të Komitetit të Stambollit. Pasi protestohej kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit dhe pasi flitej për rrezikun e asgjësimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, në rezolutë vihej në dukje se për të larguar këtë rrezik është e domosdoshme që të gjithë sanxhakët shqiptarë të bashkohen në një vilajet të vetëm autonom (Vilajeti i Shqipërisë).

Vilajeti i Shqipërisë do të kishte kryeqytetin e vet, organet e tij ekzekutive e legjislative, nëpunës shqiptarë, arsimim në gjuhën shqipe, buxhetin e tij etj. Rezoluta që doli nga ky Kuvend do t’i nënshtrohej një diskutimi më të gjerë në një kuvend të posaçëm, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të sanxhakut.

Kuvendi i posaçëm i Lidhjes u mblodh më 1 nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në Kuvend mori pjesë si përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për mbarë Toskërinë (vilajetin e Janinës) Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë në trajtën e një memorandumi, të hartuar nga dora e Abdyl Frashërit.

Rezoluta e Kuvendit të Dibrës përmbante po ato kërkesa, që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë në rezolutën e mbledhjes së Dibrës të 14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, pajisja e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Nga programi i Komitetit të Stambollit nuk u përfshinë haptas në rezolutë vetëm parimet demokratike të strukturës shtetërore të Vilajetit të Shqipërisë. Vendin e tyre këtu e kishte zënë e drejta që do të kishte Kuvendi i Madh për të zbatuar “reforma të dobishme për shtetin dhe për kombin”. Më në fund në rezolutë thuhej se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda një muaji në emër të të gjithë popullit shqiptar, Portës së Lartë, me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë. Anëtarët e delegacionit, para se të vinin në Stamboll, duhej të merrnin pëlqimin, me mandat të shkruar, nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë. “Shqipëria, - thuhej në fund të rezolutës, - do të rezistojë duke qenë e lidhur dhe e bashkuar si një trup i vetëm, derisa të arrihet plotësimi i kërkesave të lartpërmendura”.

Sipas marrëveshjes që u arrit në Dibër, delegacioni që do ta paraqiste dhe do ta mbronte rezolutën para Portës së Lartë do të përbëhej nga 14 veta, midis të cilëve ishin Iljaz pashë Dibra, Sheh Mustafa Tetova, Hasan pashë Prizreni, Mustafa pashë Vlora, Abedin bej Dino, Mehmet Ali Vrioni, Sabri Gjirokastra, Mihal Kristo, Abdyl Frashëri etj. Detyrën për të nxjerrë mandatet, me të cilat miratohej nga përfaqësuesit e kazave e të sanxhakëve shqiptarë rezoluta dhe mandatet e përbërjes së delegacionit, e morën përsipër Iljaz pashë Dibra për krahinat veriore dhe Abdyl Frashëri për krahinat jugore.

Misionin e vet të vështirë e të lodhshëm Abdyl Frashëri e kreu brenda një muaji. Pasi la Dibrën, ai u nis në drejtim të Elbasanit, kaloi në Berat, në Fier e në Vlorë, pastaj në Gjirokastër, në Delvinë e në Filat dhe, pasi përshkoi Çamërinë deri në Prevezë, u kthye në Janinë. Që këtej ai e njoftoi, më 2 dhjetor 1878, Iljaz pashë Dibrën për entuziazmin që kishin shkaktuar kudo vendimet e Kuvendit të Dibrës dhe për gatishmërinë e përfaqësuesve të popullit shqiptar për të nënshkruar mandatet e përfaqësimit. Në veri mandatet e miratimit të rezolutës dhe të pjesëtarëve të delegacionit Iljaz pashë Dibra i përfundoi aty nga mesi i janarit 1879.

Por delegacioni shqiptar e pezulloi nisjen për në Stamboll, pasi ndërkohë lindi rreziku i aneksimit të pjesës jugore të Çamërisë nga Greqia. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e kufijve jugorë dhe ta linin për më vonë paraqitjen e rezolutës së Kuvendit të Dibrës në Portën e Lartë.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:07 PM | Message # 30
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Mbrojtja e trojeve jugore. Kuvendi i Prevezës (11 janar 1879) dhe misioni diplomatik i Abdyl Frashërit (pranverë 1879)

Gjatë kohës që patriotët shqiptarë po merreshin me çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte presion të vazhdueshëm Portës së Lartë që të zbatonte menjëherë Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit, domethënë të fillonte bisedimet me palën greke për të caktuar kufirin e ri midis tyre sipas vijës Kalamas-Selemvria që kishin rekomanduar Fuqitë e Mëdha. Nën trysninë e protestave shqiptare, Porta e Lartë e zvarriti për muaj me radhë përgjigjen e saj, me shpresë se me kalimin e kohës do të krijoheshin rrethana më të favorshme për të. Por në fund të vitit 1878 ajo u detyrua të pranonte se ishte gati të fillonte bisedimet me qeverinë greke. Konferenca dypalëshe u vendos të zhvillohej në Prevezë, në fund të janarit 1879.

Sapo u hap lajmi i mbledhjes së afërt të konferencës, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës ftoi të gjitha kazatë e Shqipërisë së Jugut dhe të gjithë sanxhakët e Shqipërisë së Veriut, që të dërgonin sa më parë përfaqësuesit e tyre në një kuvend të jashtëzakonshëm në Prevezë, për të përcaktuar qëndrimin që duhej mbajtur ndaj konferencës turko-greke. Në Kuvend u ftuan të merrnin pjesë posaçërisht përfaqësuesit e komiteteve ndërkrahinore të Prizrenit dhe të Shkodrës.

Kuvendi i Prevezës u hap më 11 janar 1879 me pjesëmarrjen e rreth 400 delegatëve, të cilët, pasi e shpallën veten si krerë të mbarë Shqipërisë, morën një sërë vendimesh politike e ushtarake. Kuvendi nuk e kundërshtoi plotësisht Protokollin nr.13. Delegatët deklaruan se e pranonin rekomandimin e Fuqive të Mëdha për bashkimin e Thesalisë me Greqinë (deri te lumi Selemvria), porse ishin kategorikisht të vendosur për ta kundërshtuar deri në fund lëshimin e Epirit Mbretërisë Greke (deri te lumi Kalamas). Në rast se Fuqitë e Mëdha, thuhej në rezolutën e Kuvendit, nuk do t’i marrin parasysh interesat e Shqipërisë, atëherë shqiptarët do t’i kundërshtojnë me armë vendimet e tyre. Për këtë qëllim, thuhej më tej, “do të mobilizohen, me shpenzimet e Lidhjes, të gjithë shqiptarët e aftë për luftë”. Në fundin e janarit 1879 filluan të vinin në Prevezë edhe delegatë nga viset e Shqipërisë së Veriut, nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Ulqini, Prizreni, Dibra, Novi Pazari etj.

Para se të shpërndahej, Kuvendi i Prevezës formoi tri komisione me detyra të posaçme. I pari, komisioni politik, që do të qëndronte në Prevezë për të ndjekur nga afër punimet e konferencës turke-greke; i dyti, komisioni ushtarak, që do të shpërndahej në Shqipëri për të organizuar forcat luftarake të Lidhjes; i treti, komisioni diplomatik, që do të shkonte në Stamboll për t’i bërë trysni Portës së Lartë që të mos pranonte lëshimin e trojeve shqiptare Greqisë. Në krye të komisionit të tretë u vu Abdyl Frashëri, meqenëse ky do të merrte pjesë edhe në delegacionin e Kuvendit të Dibrës. Për këtë arsye ai e shtyu për më vonë nisjen e tij për t’i paraqitur Portës së Lartë rezolutën e 1 nëntorit 1878.

Delegacioni osman arriti në Prevezë javën e fundit të janarit 1879. Atë e kryesonte mareshali Ahmet Muhtar pasha, i cili gëzonte një konsideratë të veçantë në Perandorinë Osmane për qëndresën që kishte bërë gjatë luftës së fundit kundër ushtrive ruse. Sulltani shpresonte se, për hir të kësaj konsiderate, mareshali do t’i zbuste shpirtrat e revoltuar të shqiptarëve. Për të njëjtin qëllim, në delegacionin prej tre komisarësh, siç u quajtën anëtarët e tij në atë kohë, ishte vënë edhe një personalitet i njohur shqiptar, Abedin bej Dino (komisar i Bursës së Stambollit), anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës, i cili u emërua nga sulltani që të qetësonte opinionin publik shqiptar. Por as njëri, as tjetri nuk patën sukses. Sapo delegacionet turke e greke arritën në Prevezë, më 28 janar, delegatët e Kuvendit së bashku me popullsinë qytetare shpërthyen një demonstratë në rrugët e Prevezës, duke shprehur përpara selive të komisioneve turke e greke vendosmërinë e tyre për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe për të mos pranuar asnjë lëshim të trojeve të tyre në dobi të Greqisë.

Po më 28 janar 1879 përfaqësuesit e krahinave shqiptare, që ndodheshin në Prevezë, u drejtuan Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në këtë qytet, një protestë kategorike, me të cilën paralajmëronin se do të ndërmerrnin një luftë vendimtare me pasoja të thella për paqen në Gadishullin Ballkanik, në rast se nuk do të merreshin parasysh të drejtat territoriale të Shqipërisë dhe do të cenohej tërësia e saj tokësore.
Për shkak të demonstratave kërcënuese të shqiptarëve, të cilat vijuan për disa ditë me radhë, konferenca turko-greke filloi me vonesë, më 6 shkurt 1879. Veç kësaj, presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin osman që të mos u nënshtrohej kërkesave greke. Duke u justifikuar me rrezikun e shpërthimit të kryengritjes kundërosmane në Shqipëri dhe duke u kapur pas faktit se vija Kalamas-Selemvria, që kishin shënuar Fuqitë e Mëdha në Protokollin nr.13 nuk kishte formën e një vendimi, por të një rekomandimi, Ahmet Muhtar pasha u tregua më në fund i gatshëm t’i lëshojë Greqisë Thesalinë, por jo Epirin. Meqenëse Athina nuk e pranoi këtë zgjidhje, pas gjashtë javësh konferenca e Prevezës u mbyll.

Menjëherë pas dështimit të bisedimeve dypalëshe qeveria e Athinës kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të cilat në të vërtetë ishin të prirura për të vënë në jetë Protokollin nr.13. Ndërkohë edhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare formuan bindjen se lufta paraprake kundër vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha për një çështje të tillë, siç ishte tërësia territoriale e Shqipërisë, nuk mund të zhvillohej me sukses vetëm me anë të memorandumeve e të protestave. Kërkohej një ballafaqim me përgjegjësi me politikën e jashtme të Fuqive të Mëdha për të argumentuar ballë për ballë tezat themelore dhe për të sqaruar çdo pikë të errët, që mund të ngrinte aparati i tyre diplomatik. Për këtë qëllim Komiteti Ndërkrahinor vendosi që, krahas peticioneve e memorandumeve, të niste një mision diplomatik në kryeqytetet kryesore të Evropës për të mbrojtur çështjet e parashtruara në ato dokumente dhe për të argumentuar para kancelarive të tyre padrejtësinë që kishin kryer me Protokollin nr. 13 ndaj interesave jetikë të Shqipërisë. Barra e këtij misioni diplomatik iu ngarkua Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit.

Misioni diplomatik i përfaqësuesve të Lidhjes Shqiptare zgjati tre muaj. Ata u nisën nga Preveza në fund të muajit mars 1879, shkuan në Romë, në Paris, në Londër, në Berlin, në Vjenë e në Stamboll?. Kudo ku shkuan ata u paraqitën si të dërguar të Lidhjes Shqiptare, e cila përfaqësonte gjithë Shqipërinë. Ata u dorëzuan ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha (dhe për njoftim edhe Portës së Lartë) një memorandum me të njëjtën përmbajtje që ishte hartuar nga Abdyl Frashëri qysh më parë.

Në këtë memorandum dënoheshin haptas vendimet që kishin marrë Kongresi i Berlinit në dëm të Shqipërisë, duke shkëputur shumë krahina të saj në favor të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë. Megjithatë diskutimi kryesor këtu sillej rreth Protokollit nr. 13. Qeveria greke, theksohej në këtë memorandum, kishte përdorur prej kohësh të gjitha mjetet për ta shtënë në dorë Epirin. Ajo kishte harxhuar shuma të mëdha për të nxitur popullsinë lokale që të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë. Por të gjitha orvatjet e Athinës kishin dështuar, sepse popullsia e Epirit në shumicën e saj dërrmuese ishte shqiptare dhe jo greke. Pasi u bind se në Epir ajo nuk kishte mbështetjen e popullsisë lokale, thuhej më tej, qeveria greke iu drejtua Kongresit të Berlinit, duke shpresuar se me përkrahjen e Fuqive të Mëdha do t’i kënaqte lakmitë e saj shoviniste. Por Kongresi i Berlinit, nënvizohej në memorandum, ndonëse nuk i miratoi me vendim të prerë kërkesat greke, fakti që rekomandoi t’i lëshohen Greqisë krahinat në jug të lumit Kalamas tregonte se nuk u shqetësua për të drejtat e popullit shqiptar. Më tej në memorandum rreshtoheshin argumentet etnike, historike, ekonomike e strategjike që provonin karakterin shqiptar të këtyre krahinave dhe domosdoshmërinë për të mos i shkëputur nga trupi i Shqipërisë. “T’i japësh Greqisë, - theksohej po aty, - vendet që ajo kërkon në këtë krahinë, do të thotë t’i shmangesh detyrës që ka çdo popull për të mbrojtur atdheun dhe kombin e tij, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur t’i jepje që tani çelësat e Shqipërisë një vendi të huaj (Greqisë - shën. i aut.), i cili me përpjekjet e tij nuk synon tjetër veçse ta pushtojë dhe ta sundojë atë tërësisht”.

Në lidhje me qëndrimin e shqiptarëve ndaj Protokollit nr.13, gjuha e memorandumit ishte e prerë. Shqiptarët, thuhej aty, si një popull i frymëzuar nga ndjenja atdhetare, nuk do të lejojnë që vendi i tyre të pushtohet dhe të sundohet nga të tjerët. Dhe më tej: “Shqiptarët kanë ruajtur atdheun e tyre, kombësinë e tyre, gjuhën e tyre dhe zakonet e tyre duke prapsur sulmet e romakëve, të bizantinëve e të venedikasve. Si mund të lejohet që në këtë shekull të diturisë e të qytetërimit, një komb kaq trim e kaq i lidhur me truallin e tij të sakrifikohet duke ia dhënë një fqinji kaq të pangopur, pa asnjë arsye të ligjshme?” Memorandumi drejtuar Fuqive të Mëdha shpallte në fund se përballë lakmive të egra të fqinjëve shqiptarët qenë bashkuar me njëri-tjetrin dhe qenë betuar solemnisht se do ta mbronin me armë atdheun e tyre deri te njeriu i fundit dhe se në të njëjtën kohë do të përpiqeshin për të zbatuar në atdheun e tyre reformat për të cilat kishte nevojë vendi, në mënyrë të veçantë zhvillimin e arsimit publik.

Tezat e parashtruara në memorandum Abdyl Frashëri i shtjelloi më hollësisht gjatë takimeve që pati me ministrat e Jashtëm dhe me personalitete politike të vendeve që vizitoi. Argumentet që ai solli, se shqiptarët do t’i mbronin me armë të drejtat e tyre kombëtare, në rast se Fuqitë e Mëdha do të merrnin një vendim të prerë në lidhje me lëshimin e Epirit në favor të Greqisë, lanë kudo një përshtypje të thellë. Mbrojtësi më i flaktë i pretendimeve greke, ministri i Jashtëm frëng V. Vadington (Waddington), u detyrua të pranonte se Franca nuk do të ngulte këmbë për zbatimin me çdo kusht të Protokollit nr.13 dhe se kufiri i ri turko-grek nuk do të caktohej përfundimisht pa u dëgjuar edhe teza e shqiptarëve. Një premtim të tillë Abdyl Frashëri mori edhe nga kryeministri italian Depretis dhe nga ministri i Jashtëm britanik Solsbëri (Salisbery). Para se të ktheheshin në Shqipëri, gjatë qëndrimit në Stamboll, Abdyl Frashëri e Mehmet Ali Vrioni i drejtuan sulltanit, më 23 qershor 1879, një memorandum, në të cilin i kërkonin që të mos pranonte në asnjë mënyrë zbatimin e Protokollit 13, pasi copëtimi i Shqipërisë, thuhej aty, do të sillte asgjësimin e kombit shqiptar dhe kjo, nga ana e vet, do të vinte në rrezik vetë Perandorinë Osmane.

Sikurse shkruanin autorët e këtij memorandumi, të pesë Fuqitë e Mëdha, përveç Francës, të cilat ata sapo i kishin vizituar, ishin tashmë të prirura që të mos i jepej Greqisë tokë nga Epiri. Ata i kërkonin sulltanit që të thyente këmbënguljen e Francës, duke kënaqur Greqinë me më tepër toka nga ato që i ishin premtuar në Thesali. Trajtimi i mosmarrëveshjeve turko-greke rreth Protokollit nr.13 nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha zgjati gati dy muaj. Por këto fuqi u treguan të pavendosura për të dhënë një vendim të prerë, ngurruan që ta caktonin vetë kufirin turko-grek. Me propozimin e Francës, në qershor 1879, ato kërkuan bashkërisht nga Perandoria Osmane dhe nga Mbretëria Greke që të rifillonin bisedimet dypalëshe rreth kufirit të tyre të ri. Konferenca e re turko-greke do të zhvillohej në Stamboll dhe do të ndiqej së afërmi nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar pranë Portës së Lartë. Fakti që Fuqitë e Mëdha pranuan të vihej në diskutim Protokolli nr. 13, qe fitorja e parë diplomatike që korri Lidhja Shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Por vendimi që ato morën për rifillimin e bisedimeve turko-greke i nxiti shqiptarët që ta vazhdonin presionin e tyre si ndaj Portës së Lartë, ashtu dhe ndaj Fuqive të Mëdha. Në qershor të vitit 1879, Lidhja Shqiptare deklaroi se nuk kishte hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për të luftuar me armë jo vetëm kundër Greqisë, por edhe kundër Stambollit, në rast se do të miratoheshin pretendimet e Athinës në Epirin shqiptar. Për t’ia paraqitur Portës së Lartë këtë vendim, në muajin gusht shkoi në Stamboll një delegacion i përbërë nga Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni dhe Vesel Dino. Një muaj më vonë, në shtator 1879, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në një mbledhje të jashtëzakonshme që zhvilloi në Prizren, ripohoi vullnetin e mbarë Shqipërisë për të mbrojtur trojet e saj përballë lakmive të Greqisë dhe në të njëjtën kohë formoi një Komitet të Luftës të përbërë nga 37 anëtarë, për të vazhduar përgatitjet e nevojshme ushtarake në krahinat jugore.

Vendosmëria që treguan shqiptarët për të mbrojtur trojet e tyre dhe rreziku i shpërthimit të kryengritjes kundërosmane në Shqipëri, e detyruan Portën e Lartë që t’i zvarriste përsëri nga njëri muaj në tjetrin bisedimet me palën greke, duke mos pranuar tezën e Athinës, e cila ngulte këmbë për të marrë si bazë në këto bisedime Protokollin nr.13. Në të njëjtën kohë, edhe Fuqitë e Mëdha vijuan përherë e më tepër të bindeshin se zbatimi i këtij Protokolli nuk varej vetëm nga nënshkrimi i Perandorisë Osmane dhe se aneksimi i Epirit nga Mbretëria Greke nuk mund të arrihej pa luftë me shqiptarët ose, siç shprehej një diplomat frëng në nëntor 1879, pa një gjakderdhje të madhe, e cila mund të ishte fatale për Greqinë. Kështu, pas gati 10 muaj përpjekjesh, edhe Konferenca e Stambollit u shpërnda pa asnjë rezultat. Në këto rrethana Fuqitë e Mëdha vendosën ta merrnin vetë në dorë caktimin e kufirit turko-grek. Për këtë qëllim ato thirrën në qershor të vitit 1880 një forum ndërkombëtar, Konferencën e Berlinit.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:07 PM | Message # 31
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar 1880)

Me revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin diplomatik të pranverës së vitit 1879, Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto të drejtën që të fliste në emër të Shqipërisë. Veç kësaj, me qëndresën e saj energjike, ajo bëri që të zvarriteshin e të mos zbatoheshin menjëherë dy vendimet e rëndësishme të Kongresit të Berlinit, që cenonin interesat kombëtarë të Shqipërisë, njëri në favor të Malit të Zi (neni 28 i Traktatit) dhe tjetri në dobi të Greqisë (Protokolli nr. 13 i Kongresit).

Megjithatë Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar ende përfundimisht programin e saj. As gjashtë Fuqitë e Mëdha nuk ishin të prirura t’i anulonin vendimet që kishin marrë në Kongresin e Berlinit, as dy shtetet fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga viset që u kishin premtuar Fuqitë e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi, parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme.

Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut, të Plavës, të Gucisë e të Rugovës, të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin Perandorisë Osmane.
Presionin më të fortë ndaj Perandorisë Osmane e ushtroi Rusia cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të saj pushtuese nga Traka me dorëzimin e krahinave që i qenë premtuar Malit të Zi. Fuqitë e tjera të Mëdha u bashkuan me presionin carist, pasi e shikonin me shqetësim qëndrimin e mëtejshëm të ushtrive ruse në afërsi të Stambollit. Kështu, në fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi t’i zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi.

Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen e re u mblodh menjëherë, në fillim të janarit 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin e Podgoricës, të Shpuzës e të Zhabjakut, pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera sllavo-shqiptare, por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e Plavës dhe të Gucisë, popullsia e të cilave ishte në masën dërrmuese shqiptare. Vendimin e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet ndërkrahinore të vilajeteve të Shkodrës dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879 mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme, pothuajse në atë kohë që zhvilloi punimet e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës, barrën e drejtimit dhe të organizimit të luftës për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi një shtab ushtarak të posaçëm, me Ali pashë Gucinë në krye.

Ndërkaq u mblodh në fshatin Virpazar, në afërsi të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez, i cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen dypalëshe për formalitetet e dorëzimit brenda një jave të krahinave të vilajetit të Shkodrës, që i takonin njëra-tjetrës sipas Traktatit të Berlinit. Nga frika e kryengritjes së shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte në marrëveshje dorëzimin e Plavës e të Gucisë, duke e lënë çështjen e tyre për t’u zgjidhur më vonë. Sipas marrëveshjes, dorëzimi i Podgoricës, i Shpuzës dhe i Zhabjakut nga ana e autoriteteve turke u krye pa vështirësi. Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit dhe i Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze.

Por Mali i Zi nuk deshi ta linte punën të zgjatej më tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë Fuqive të Mëdha, duke kërkuar prej tyre që ta detyronin Perandorinë Osmane t’ia dorëzonte dy krahinat shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit të Zi. Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fuqive të Mëdha të dërgonin në Plavë e në Guci një Komision Ndërkombëtar për t’u bindur për vështirësitë që gjente te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë e Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato dërguan Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e vijës së kufirit, të përbërë nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me radhë u mor me caktimin e pikave të kufirit turko-malazez në vilajetin e Shkodrës. Por gjatë verës, kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte në Plavë e në Guci, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një notë me shkrim, me të cilën deklaronin se nuk do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me Malin e Zi pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar të krerëve të Lidhjes Shqiptare dhe pa u miratuar vendimet e tij nga e “gjithë” Shqipëria. Pas kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar e ndërpreu punën e vet, pezulloi udhëtimin e tij për në Plavë e në Guci.

Me këtë rast filluan përsëri protestat e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte sa më parë çështjen e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë provoi t’i bindte banorët e dy krahinave kufitare që të hiqnin dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën sundimin malazez, se do t’u jepte tokë në vendbanime të reja dhe se do t’i çlironte nga taksat për dhjetë vjet. Por shqiptarët nuk u lëkundën nga vendimi i tyre. Atëherë knjaz Nikolla filloi të kërcënonte se do ta zgjidhte këtë çështje me anën e luftës së armatosur dhe se në një rast të tillë nuk do të aneksonte vetëm Plavën e Gucinë, por edhe vise të tjera shqiptare.
Në këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze erdhën duke u keqësuar vazhdimisht. Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të armatosura.

Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës. Të gjithë burrat plavianë e gucianë të aftë për armë u shpallën luftëtarë që do të qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë gjakovarë të armatosur u nisën për në Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu edhe vullnetarë nga Shkodra e Malësia.
Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi.

Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t’i sistemuar.

Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.

Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.

Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës për të vazhduar më tej luftën alarmuan si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo nisi menjëherë për në Kosovë mareshal Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit Kombëtar të Lidhjes për t’i bindur që t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve që të merrnin në konsideratë gjendjen kritike të Portës së Lartë dhe të mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”.

Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë e në Guci. Për këtë qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj u nis për në Gjakovë, ku gjeti një gjendje më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën drejt kufirit, do të pësonte fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe Peja e kishte bllokuar rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali osman e ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në Prizren.
Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë.

Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat mbrojtëse. Me thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan mijëra vullnetarë nga e gjitha Shqipëria, nga Plava, Gucia, Peja, Prizreni, Gjakova, Shkodra, Dibra dhe nga krahinat më të largëta të Shqipërisë së Jugut. Por shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin e operacioneve luftarake, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta.
Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë.

Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër.

Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin.
Vrulli patriotik që përshkoi luftën në Velikë e në Pepaj dhe fitorja që shqiptarët korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar 1880, la përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar. Disa ditë më vonë, kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker, i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës, i raportonte qeverisë së vet: “Vetë malazezët pohojnë se në luftën e Velikës e të Pepajt shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes (së Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ideja kombëtare”. Pas kësaj, opinioni publik evropian filloi të interesohej për historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat e tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë kritikuan Kongresin e Berlinit që nuk i kishte përfillur të drejtat e një kombi aq trim dhe aq liridashës, siç ishte populli shqiptar.

Me fitoren që korrën në Nokshiq, në Pepaj e në Velikë shqiptarët i dhanë të kuptonte diplomacisë evropiane se Perandoria Osmane, sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve të saj dhe se zotër të këtyre trojeve ishin banorët shqiptarë.
Disfata që pësoi në front e bindi qeverinë malazeze se ajo vetë nuk ishte në gjendje ta thyente qëndresën e Lidhjes Shqiptare me anën e luftës së armatosur. Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:08 PM | Message # 32
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)

Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më tej bindjen e shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë. Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të kundërshtuar me armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare.

Pas disfatës që pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin e saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë. Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me shqiptarët, protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.

Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re diplomatike që arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së bashku me ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës. Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse, ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me themelimin e saj. Për këtë arsye, më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit italian, pra një muaj para se të nënshkruhej Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga banorët e krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të tyre. Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”.

Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për të mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u përgatit kështu përsëri për luftë.

Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të popullsisë së qytetit e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës. Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi vendosur që të derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë”. Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë Preng pashë Bibë Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar të Shtabit Ushtarak.

Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që treguan krahinat e ndryshme të vendit për të dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve.

Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor, një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri atëherë. Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.

Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci, edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.

Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.

Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.

Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.

Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën, që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i Lidhjes Shqiptare.

Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë. Përveçse nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha.
Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër ushtrive malazeze për ta detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të Kosovës, i cili për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për t’iu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake.

Sipas tyre, presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit.
Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë. Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato javë korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan të vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të përbashkët të Fuqive të Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare.

Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve, në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme të mbrojtjes së tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë më e rëndësishme dhe jetike.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:08 PM | Message # 33
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
4. LËVIZJA PËR AUTONOMINË E SHQIPËRISË

Lëvizja kundër administratës osmane gjatë vitit 1879

Me gjithë përqendrimin e vëmendjes së tyre kundër rrezikut të copëtimit territorial të atdheut, patriotët nuk hoqën dorë nga programi autonomist, nuk e lanë pas dore kërkesën për vilajetin autonom të Shqipërisë, që u formulua në rezolutën e Kuvendit të Dibrës, më 1 nëntor 1878. Si qendra e Lidhjes Shqiptare, ashtu edhe komitetet e saj ndërkrahinore e ngritën herë pas here me anën e memorandumeve çështjen e të drejtave autonomiste të vendit. Ndërsa Porta e Lartë, e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim, vijoi ta zvarriste përgjigjen, në shumë krahina të Shqipërisë mori hov lëvizja popullore kundër administratës shtetërore osmane.

Në të vërtetë, në viset shqiptare, administrata qeveritare e vilajeteve ishte paralizuar qysh në verën e vitit 1878. Gjyqet shtetërore nuk funksiononin. Qeveria e Stambollit, që nga vera e vitit 1879, nuk kishte mundur të nxirrte nga viset shqiptare as taksa dhe as nizamë. Në shumë raste një pjesë e këtyre taksave ishte vjelë nga organet e Lidhjes Shqiptare për të përballuar luftën mbrojtëse dhe sistemimin e muhaxhirëve. Rekrutët shqiptarë, në vend që të vinin nizamë në ushtrinë perandorake, ishin regjistruar vullnetarë në ushtrinë e Lidhjes së Prizrenit. Degët e saj kishin filluar të ushtronin në të njëjtën kohë edhe funksionet gjyqësore.

Porta e Lartë nuk mund të pajtohej gjatë me këtë gjendje. E shqetësuar nga rrjedha që po merrnin ngjarjet në Shqipëri, ajo u orvat në pranverën e vitit 1879 ta rivendoste autoritetin e saj në viset shqiptare, duke rimëkëmbur në këto vise administratën e saj të mëparshme. Por rivendosja e administratës së vjetër osmane shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve. Ata e kundërshtuan rreptësisht urdhrin që lëshoi Stambolli për të vjelë taksat e reja dhe ca më tepër taksat e prapambetura jo vetëm për faktin se pagesa e tyre ishte një barrë e rëndë për popullsinë e varfëruar nga lufta, por edhe për arsye politike. Fshatarët e qytetarët e quanin pa vend t’i paguanin taksa Perandorisë Osmane që nuk ishte në gjendje të mbronte trojet e tyre, madje, që po tregohej e gatshme t’i shiste, siç shpreheshin ata, tek armiqtë e vendit.

Qëndresa kundër taksave mori përpjesëtime aq të mëdha, sidomos në vilajetet e Kosovës e të Shkodrës, sa tagrambledhësit nuk guxonin t’u afroheshin fshatarëve e qytetarëve. Për ta shpënë urdhrin e saj deri në fund, Porta e Lartë i porositi valinjtë që, po ta shihnin të nevojshme, të përdornin për vjeljen e taksave edhe dhunën ushtarake. Por, siç raportonte më 7 qershor 1879 ministri serb në Stamboll, për shkak të kësaj porosie shqiptarët e Prizrenit e të Prishtinës u revoltuan aq shumë ndaj qeverisë osmane, sa ishin gati të rrëmbenin edhe armët kundër saj. Si pasojë e kësaj qëndrese Stambolli u detyrua të hiqte dorë përkohësisht nga përdorimi i dhunës në vjeljen e taksave.

Të njëjtën qëndresë ndeshi te shqiptarët edhe orvatja tjetër e Portës së Lartë për të rekrutuar nizamë në Shqipëri. Nizamët shqiptarë nuk iu përgjigjën thirrjes nën armë ose, edhe kur u paraqitën, u arratisën sapo u pajisën me armë, duke deklaruar se do ta kryenin shërbimin ushtarak nën urdhrat e Lidhjes së Prizrenit. Lëvizja përfshiu edhe nizamët shqiptarë të rekrutuar gjatë viteve të kaluara, të cilët ndodheshin ende në radhët e ushtrisë osmane. Në mjaft raste, ata që kryenin shërbimin ushtarak jashtë Shqipërisë i braktisën repartet e tyre, sapo u formua Lidhja e Prizrenit. Përpjesëtimi që mori arratisja e detyroi Portën e Lartë që t’i mbante ata në reparte të dislokuara në trojet shqiptare.

Hov të madh mori sidomos lëvizja kundër gjykatave shtetërore osmane, që urreheshin nga masat popullore për shkak të procedurës së ndërlikuar, të ligjeve të papërshtatshme, të gjuhës së pakuptueshme dhe të korrupsionit të thellë që sundonte në to. Në mars të vitit 1879, në Prishtinë, në qendrën e vilajetit të Kosovës, filloi agjitacioni ndërmjet qytetarëve për të kërkuar krijimin e gjykatave popullore, të pavarura nga pushteti qendror, të cilat duhet t’u përshtateshin kushteve dhe zakoneve të vendit, pra të ishin shqiptare nga ligjet, nga gjuha dhe nga gjyqtarët. Në prill agjitacioni u shtri edhe në fshat. Në këtë kohë kërkesa për krijimin e gjykatave popullore shqiptare mori formën e një lëvizjeje për vetëqeverisjen e vendit, në krye të së cilës ishte vënë Zija Prishtina, anëtar i Komitetit të Stambollit.

Në maj të vitit 1879 Zija Prishtina i paraqiti Portës së Lartë peticionin e popullsisë së sanxhakut të Prishtinës, në të cilën kërkohej të mos bënte asnjë lëshim të trojeve shqiptare, të lejonte formimin e gjyqeve të pavarura shqiptare dhe të largonte ushtrinë nga Kosova. Më 12 maj 1879 sulltani lejoi që në sanxhakun e Prishtinës të formoheshin gjykatat shqiptare, të cilat të vepronin krahas gjykatave shtetërore, duke ua lënë në dorë shtetasve që t’i drejtoheshin, sipas dëshirës, njërës prej tyre. Por disa ditë më vonë, me zgjerimin që mori lëvizja në viset e tjera, ai u detyrua ta shtrinte këtë të drejtë në gjithë vilajetin e Kosovës.

Lëvizja për gjykatat shqiptare, ashtu si edhe lëvizjet kundër taksave shtetërore e rekrutimit të nizamëve, ndonëse u zhvilluan nën hijen e Lidhjes së Prizrenit, në fillim patën karakter spontan e lokal. Por hovi i madh që ato morën, tërhoqi menjëherë vëmendjen e organeve udhëheqëse të Lidhjes së Prizrenit, të cilat morën në dorë drejtimin e tyre. Lëvizja kundër pagesës së taksave dhe rekrutimit të nizamëve u përhap kështu në pjesën më të madhe të vendit. Kërkesa për gjykatat shqiptare u shtri në vilajetin e Shkodrës, kurse në atë të Kosovës u thellua më tej. Qysh në maj, nën drejtimin e degëve të Lidhjes, u parashtrua në Gjakovë e në Pejë kërkesa që me krijimin e gjykatave shqiptare të suprimoheshin gjykatat osmane. Madje, më 19 maj 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes vendosi ta shtrinte kërkesën e vetëqeverisjes jo vetëm në institucionet gjyqësore, por në mbarë administratën shtetërore të vilajetit. Meqenëse Porta e Lartë nuk pranoi t’i suprimonte gjykatat shtetërore, Lidhja e Prizrenit shpalli bojkotimin e tyre.

Popullsia u ftua t’u drejtohej vetëm gjykatave shqiptare, madje u shpallën ndëshkime kundër atyre që do të trokisnin në gjykatat shtetërore.
Porta e Lartë u përpoq ta shuante lëvizjen popullore pa hyrë në konflikt të armatosur me shqiptarët. Për këtë qëllim ajo dërgoi në Shqipëri emisarë dhe agjitatorë të posaçëm, të cilët i përsëritën premtimet e zakonshme për reforma administrative. Në të njëjtën kohë, me qëllim që të shkaktonin përçarje ndërmjet udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare, ata e shtuan trysninë ndaj qarqeve të moderuara. Megjithatë, në mbledhjen që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes mbajti më 24 korrik 1879, vendosi me shumicë votash që t’i kujtonte Portës së Lartë se shqiptarët do të detyroheshin ta përmbysnin vetë pushtetin lokal në rast se Stambolli nuk do të plotësonte kërkesat e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, atdhetarët radikalë, duke mos pasur besim në gatishmërinë e Stambollit për reforma, kërkuan ta thellonin më tej lëvizjen popullore kundër administratës osmane për ta detyruar sulltanin që ta merrte parasysh rezolutën e Kuvendit të Dibrës.

Porta e Lartë, pasi e zvarriti për një kohë të gjatë përgjigjen për rezolutën e Kuvendit të Dibrës, deklaroi, në verën e vitit 1879, se kërkesat e shqiptarëve do të zgjidheshin në kuadrin e “ligjeve organike” (reformave administrative) që ajo detyrohej të zbatonte në territoret e saj evropiane sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Me këtë deklaratë ajo linte të kuptonte se nuk kishte ndërmend ta ndryshonte ndarjen administrative të vilajeteve që ishte në fuqi.

Në këto rrethana qarqet atdhetare shqiptare e ngritën menjëherë zërin, duke theksuar se zbatimi i nenit 23 të Traktatit të Berlinit, pa bashkuar më parë trojet e tyre në një vilajet të vetëm, ishte një shkelje e hapur e të drejtave kombëtare të Shqipërisë. Me një parashtresë drejtuar kryeministrit osman, më 27 gusht 1879, Abdyl Frashëri kërkonte që në kushtet aktuale të mos zbatohej në Shqipëri neni 23 i Traktatit të Berlinit, domethënë të mos formoheshin komisione të posaçme për të hartuar reforma të ndryshme për çdo vilajet. Që Shqipëria të shpëtonte nga rreziku i asgjësimit, që ajo të bëhej e aftë për veten e saj dhe për Perandorinë Osmane duhej, theksonte Abdyl Frashëri, që reformat e nevojshme të hartoheshin nga një komision i vetëm për të gjitha trojet shqiptare, gjë që kërkonte paraprakisht bashkimin e të gjitha këtyre trojeve (të ndara në 11 sanxhakë) në një vilajet të vetëm. Veç kësaj, shtonte ai, ishte e domosdoshme që ky komision i posaçëm t’i studionte reformat e dobishme për Shqipërinë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këto rrethana, kur u acaruan edhe marrëdhëniet shqiptaro-malazeze dhe forcat e Malit të Zi u vunë në gatishmëri luftarake në kufijtë e Shqipërisë, u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në të cilin u trajtuan dy çështje themelore që shqetësonin vendin: qëndrimi që duhej mbajtur ndaj provokacioneve ushtarake të Cetinës e përgatitjeve të saj për luftë dhe zhvillimi i lëvizjes për autonominë e Shqipërisë. Për çështjen e parë nuk pati diskutime të shumta. Të gjithë qenë të një mendimi për t’iu përgjigjur ushtrive malazeze me armë, nëse ato do të orvateshin të merrnin me dhunë Plavën e Gucinë. Diskutime të shumta u bënë brenda e jashtë Kuvendit për çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Delegatët e Kuvendit dhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare jashtë tij ishin të mendimit që këtë herë Lidhja Shqiptare të kërkonte jo si një vit më parë me rezolutën e Dibrës (të 1 nëntorit 1878) një “Vilajet Shqiptar”, por një “Principatë Shqiptare” ose një “Republikë Shqiptare”, me kryeqytet Manastirin, nën suzerenitetin e sulltanit, duke i paguar atij një tribut vjetor. Një kërkesë e tillë, që do të çonte në shkëputjen gati të plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, u parashtrua nga përfaqësuesit e krahut radikal të Lidhjes, ndërsa pjesa tjetër e delegatëve të Kuvendit dhe e udhëheqësve të saj mendonte se, për shkak të konfliktit me Malin e Zi, që po trokiste në derë, nuk ishte e volitshme që në ato ditë të hyhej në luftë kundër Portës së Lartë.

Në këto rrethana, delegatët radikalë u tërhoqën nga kërkesa e një “Principate Shqiptare” ose të një “Republike Shqiptare” dhe vendosën të kërkojnë nga Stambolli “Vilajetin e Shqipërisë”, pa bërë asnjë hap të mëtejshëm prapa. Por qeveria turke e kundërshtonte edhe këtë kërkesë dhe, duke qenë në dijeni të punimeve të Kuvendit, kaloi në përdorimin e forcës ndaj tij. Më 13 tetor 1879 organet qeveritare të Prizrenit vunë në përdorim garnizonin ushtarak dhe e shpërndanë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pa i lënë kohë atij të përfundonte punimet e tij dhe të miratonte rezolutën përkatëse.
Në një nga seancat e para Kuvendi i Përgjithshëm arriti të zgjidhte sërishmi Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare. Kryetar i Lidhjes Shqiptare u zgjodh në vend të Sheh Mustafa Tetovës (që kishte zëvendësuar Iljaz pashë Dibrën) Haxhi Ymer efendiu (Prizreni), myderriz (profesor i së drejtës islame), përkrahës i krahut radikal të lëvizjes kombëtare.

Në fillim të nëntorit 1879, kur filluan sulmet e ushtrive malazeze në sektorin e Plavës e të Gucisë, të cilat u pasuan nga mësymja që ato zhvilluan në fillim të dhjetorit 1879 dhe në javën e parë të janarit 1880, lëvizja popullore kundër administratës shtetërore osmane ra përkohësisht.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:09 PM | Message # 34
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Lëvizja autonomiste gjatë pranverës 1880

Mbrojtja me sukses e Plavës dhe e Gucisë nga sulmet e ushtrive malazeze u dha zemër rretheve atdhetare që ta drejtonin vëmendjen përsëri në marrëdhëniet e tyre me administratën osmane. Rastin për ta tërhequr lëvizjen spontane popullore nën flamurin e kërkesave autonomiste e dha përsëri Porta e Lartë.
Menjëherë pas fitores që korrën shqiptarët në Velikë e në Pepaj, qeveria osmane shpalli reformat administrative (ligjet organike) që do të zbatoheshin në zotërimet e saj të Gadishullit Ballkanik. Reformat u shpallën pa krijuar asnjë komision lokal, për të cilin flitej në nenin 23 të Traktatit të Berlinit, dhe pa e përfillur fare kërkesën e Lidhjes së Prizrenit për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Sipas këtyre reformave, në viset shqiptare, të copëtuara ndërmjet katër vilajeteve, do të forcohej më shumë se më parë zgjedha politike, ekonomike, shoqërore e kulturore e pushtetit qendror osman. Shqiptarët nuk fitonin asnjë të drejtë kombëtare; nuk kishin të drejtë as për arsim në gjuhën amtare, madje as të drejtën të quheshin “shqiptarë”, sepse Porta e Lartë nuk e njihte kombësinë shqiptare. Karakteri burokratik i administratës së vilajeteve forcohej, po ashtu edhe vartësia e saj prej Portës së Lartë. Në reformën gjyqësore nuk kishte vend për gjykata shqiptare. Gjykatat e reja perandorake, edhe pse formalisht ndaheshin nga pushteti administrativ, mbeteshin organe të pushtetit qendror osman. Sistemi fiskal dhe shërbimi ushtarak nuk prekeshin. Nga të ardhurat buxhetore vetëm një e dhjeta u lihej këshillave administrativë lokalë për t’u shpenzuar në vend dhe vetëm në rast se të ardhurat realizoheshin plotësisht.
Në të njëjtën kohë me shpalljen e reformave administrative, Porta e Lartë e shtroi me forcë kërkesën e saj të mëparshme për të mbledhur taksat e nizamët e prapambetur; madje tani taksat e nizamët ajo i kërkonte për llogari të tre vjetëve.

Në këto rrethana, qëndresa popullore shqiptare kundër administratës perandorake osmane hyri në një fazë të re. Në mjaft raste ajo u shpreh me sulme të armatosura kundër saj. Gjatë pranverës së vitit 1880 këto sulme u drejtuan jo vetëm kundër vjeljes me dhunë të taksave, por edhe për pastrimin e vendit nga administrata shtetërore e vilajeteve.

Në vilajetin e Kosovës përpjekjet e para të armatosura ndërmjet fshatarëve shqiptarë dhe ushtarëve turq, që shoqëronin tagrambledhësit qeveritarë, u shfaqën qysh në muajin shkurt 1880. Në mars qëndresa e armatosur u shtri në krejt rrethet e Prizrenit e të Prishtinës. Në fillim të prillit u grumbulluan në Shtimje gati 3 mijë fshatarë për të sulmuar Prizrenin dhe për ta zëvendësuar administratën osmane me organe shtetërore shqiptare. Garnizoni turk i Prizrenit u doli përpara dhe në fshatin Krushe sulmoi një pjesë të tyre, por nuk i shpërndau dot. Për raprezalje autoritetet turke burgosën 6 udhëheqës të Lidhjes Shqiptare. Atëherë kryengritësit sulmuan Prizrenin, hynë brenda në qytet dhe pasi çliruan të burgosurit, ia dorëzuan pushtetin Komitetit të Lidhjes Shqiptare. Përballë këtij aksioni të armatosur garnizoni turk u detyrua të qëndronte i mbyllur në kala. Sulme të tilla ndodhën edhe në sanxhakët fqinjë të Prishtinës e të Pejës, ku pushteti lokal kaloi gjithashtu në duart e degëve të Lidhjes Shqiptare.

Lëvizja autonomiste u shtri, ndonëse në përpjesëtime më të vogla, në mjaft vise të vilajetit të Manastirit e të Janinës. Përkundrazi, në vilajetin e Shkodrës ajo u shpreh në një formë të tillë që la përshtypje të thellë si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Më 9 prill 1880, kur popullsinë e vilajetit e kishte pushtuar vala e përgatitjeve ushtarake për të mbrojtur Hotin e Grudën, u mblodh një Kuvend i jashtëzakonshëm i Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Pas dy ditë punimesh Kuvendi miratoi një rezolutë, me të cilën kërkohej nga sulltani që ky t’i largonte ushtritë turke nga Shqipëria dhe t’u njihte autonominë administrative mbarë viseve shqiptare të bashkuara në një vilajet të vetëm. Ky vendim u përsërit me ceremoni të veçantë në mitingun popullor, që u zhvillua në Shkodër më 19 prill 1880, me rastin e nisjes së vullnetarëve të parë për në Tuz. Në fillim të majit Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes e ktheu gazetën qeveritare turqisht të vilajetit, me emrin “Shkodra”, në një gazetë shqip dhe në një organ të tij.

Në numrin e saj të parë shqip, që doli më 7 maj 1880, u botua një deklaratë, në të cilën thuhej se tani e tutje duhej të merrte fund sundimi osman në Shqipëri.
Megjithatë ky sundim nuk mori fund dhe Lidhja e Prizrenit nuk e kishte ende në duart e saj pushtetin politik të vendit. Me fitoret që ajo arriti në saje të lëvizjes popullore në pranverën e vitit 1880, në Shqipëri u krijua një diarki (dypushtet) e ndarë ndërmjet Portës së Lartë dhe Lidhjes Shqiptare. Edhe Porta e Lartë kishte formuar tanimë bindjen se kërkesa e autonomisë së Shqipërisë kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e popullsisë shqiptare dhe kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nën trysninë e kësaj aspirate të shqiptarëve dhe për t’u dhënë fund kërkesave të vazhdueshme të Lidhjes së Prizrenit për krijimin e një “vilajeti të bashkuar të Shqipërisë”, qeveria turke, pas diskutimeve të shumta që u zhvilluan në prill-maj 1880, më 5 qershor miratoi vendimin për formimin e “Vilajetit të Rumelisë”, në të cilin, siç thuhej në këtë vendim, “do të bashkoheshin vilajetet që janë në Shqipëri, domethënë ai i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës”. Edhe pse ky do të quhej “Vilajeti i Rumelisë”, nuk do të mbante emrin “Vilajeti i bashkuar i Shqipërisë” dhe do të kishte në krye një guvernator turk, Ejup Pashën, krijimi i tij do të shënonte një hap të rëndësishëm në bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm, prandaj u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, nën presionin e të cilave edhe sulltani hoqi dorë nga ky vendim.

Ndërkaq, atdhetarët më të vendosur shqiptarë arritën në përfundimin se tani ishin krijuar kushtet për të përmbushur kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, hap i parë drejt së cilës do të ishte pajisja e Lidhjes Shqiptare me atributet e një qeverie të përkohshme. Kjo çështje u shtrua në mbledhjen që u mbajt në Frashër, në fillim të muajit qershor 1880. Këtu morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të Shqipërisë Juglindore, të cilat administrativisht vareshin nga vilajetet e Janinës e të Manastirit (afërsisht rrethet e sotme të Përmetit, të Skraparit, të Korçës e të Kolonjës). Midis çështjeve të tjera që kishin të bënin me mbrojtjen e trojeve shqiptare, mbledhja miratoi edhe propozimin për të formuar një qeveri të përkohshme për krejt Shqipërinë, e cila të merrte në dorë administrimin e të gjithë vendit. Qeveria do të formohej nga një kuvend i përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit, ku duhej të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare. Barra kryesore e plotësimit të kësaj detyre historike iu ngarkua Abdyl Frashërit.

Fill pas mbylljes së punimeve të mbledhjes së Frashërit, Abdyli së bashku me aktivistët e tjerë atdhetarë u shpërndanë në viset e Shqipërisë Jugore për të popullarizuar idenë e qeverisë së përkohshme shqiptare. Përpara se të thirrej kuvendi i përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, u mendua që çështja të shqyrtohej nga Kuvendi Ndërkrahinor i vilajetit të Janinës. Kuvendi Ndërkrahinor u vendos të mblidhej në Gjirokastër pasi të shiheshin përfundimet e Konferencës së Berlinit, e cila do të fillonte punimet e veta së afërmi, më 16 qershor 1880.

Konferenca e Berlinit dhe çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare (qershor-gusht 1880)

Zyrtarisht Konferenca e Berlinit, në të cilën morën pjesë ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha, nën kryesinë e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, princit Bylov (Bülov), u mblodh për t’u dhënë fund çështjeve të Traktatit të Berlinit, që kishin mbetur pas dy vjetësh ende të pazgjidhura. Në të vërtetë, dy qenë çështjet e rëndësishme të pazgjidhura dhe që të dyja ishin pasojë e qëndresës shqiptare: kufiri turko-grek dhe kufiri turko-malazez. Megjithatë, edhe pse shqiptarët e kishin mbajtur në tension dy vjet me radhë diplomacinë ndërkombëtare, Fuqitë e Mëdha vijuan të mos i përfillnin aspiratat e tyre kombëtare. Shqiptarët nuk u lejuan as në Konferencën e Berlinit që të parashtronin dhe të mbronin interesat e tyre jetikë.

I vetmi mjet për ta çuar zërin e tyre në Konferencën e Berlinit qenë protestat dhe memorandumet. Për këtë qëllim, në të katër anët e vendit u organizuan përsëri nën drejtimin e organeve të Lidhjes së Prizrenit mbledhje të gjera popullore, në të cilat u shpreh edhe njëherë vendosmëria për të mos lejuar asnjë copëtim të trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Nga të katër anët e vendit u hartuan, me një përmbajtje të tillë, një varg protestash, të cilat iu drejtuan telegrafisht Konferencës së Berlinit. Rëndësi të veçantë patën tri peticionet dërguar veç e veç në qershor nga Komitetet Ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës, për atë të Kosovës (i Prizrenit) dhe për vilajetin e Shkodrës. Nënshkruesit e këtyre akteve kërkonin respektimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në fushën e tërësisë territoriale, vinin në dukje padrejtësinë e pretendimeve territoriale greke dhe pasojat që do të kishin shqiptarët nëse ato do të pranoheshin. Në peticione, me një ton diplomatik, shprehej besimi se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin në konsideratë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por theksohej njëkohësisht, se ata ishin të vendosur të kundërshtonin me armë copëtimin e trojeve të tyre amtare. Por krahas këtyre protestave të rrepta, qarqet atdhetare rilindëse u përpoqën t’u tërhiqnin vëmendjen Fuqive të Mëdha edhe ndaj problemit të të drejtave autonomiste të Shqipërisë.

Këtë radhë Porta e Lartë u ndodh më ngushtë se herët e tjera. Meqenëse Fuqitë e Mëdha nuk i përfillnin shqiptarët, gjithë përgjegjësinë e çështjeve të pazgjidhura të Traktatit të Berlinit ia ngarkonin Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, presioni i tyre për t’u dhënë fund këtyre çështjeve në favor të Greqisë e të Malit të Zi qe më i fortë se kurrë. Por tani që në Shqipëri lëvizja autonomiste kishte marrë hov të madh dhe autoriteti i Stambollit ishte dobësuar shumë, Porta e Lartë më shumë se kurdoherë e pati të vështirë t’u impononte shqiptarëve vullnetin e Fuqive të Mëdha. Ajo ishte e ndërgjegjshme se çdo ndërhyrje e saj ushtarake për t’i detyruar shqiptarët të pranonin copëtimin e trojeve të tyre do ta ndizte më keq flakën e luftës kundërosmane në Shqipëri. Për këtë arsye, me gjithë presionin e Fuqive të Mëdha, ajo vendosi të kundërshtonte në këtë Konferencë çdo zgjidhje territoriale në dëm të shqiptarëve. Madje, për t’i qetësuar në këtë drejtim, sulltani emëroi, në pragun e Konferencës së Berlinit, ministër të Jashtëm të Perandorisë Osmane Abedin pashë Dinon, ish-anëtarin e Kryesisë së Lidhjes së Prizrenit.

Konferenca e Berlinit i filloi punimet më 16 qershor 1880. Pothuajse të gjitha çështjet që trajtoi kishin të bënin me Shqipërinë. Midis tyre, ajo që pati më shumë debate ishte çështja e kufirit turko-grek. Prirja që tregonin Fuqitë e Mëdha për ta zmadhuar Greqinë, me qëllim që ta kishin si një ledh kundër ndikimit rus në Ballkan, e nxiti Athinën të kërkonte në Epir më shumë troje shqiptare se ato që rekomandoheshin në Protokollin nr. 13 të Kongresit të Berlinit, jo deri në lumin Kalamas, por deri në jug të Sarandës, duke përfshirë edhe qytetin antik të Butrintit. Por Fuqitë e Mëdha kërkuan ta kënaqnin Greqinë në sektorë të tjerë, pasi, sipas tyre, prania e shumë shqiptarëve në Mbretërinë Greke do ta dobësonte fuqinë e saj. Perandoria Osmane kundërshtoi si njërën, si tjetrën zgjidhje. Përfaqësuesi i saj la të kuptojë edhe njëherë se Porta e Lartë ishte e prirur për të bërë lëshime vetëm në Thesalinë greke, por jo në Epirin shqiptar. Përfundimisht, Konferenca e Berlinit nuk bëri në këtë çështje asnjë hap përpara. Ajo miratoi propozimin e Francës për ta kthyer nga “rekomandim” në “vendim” vijën kufitare Kalamas-Selemvria, për të cilin flitej në Protokollin nr. 13.

Megjithatë vendimi ishte përsëri i cunguar, pasi nuk parashikonte asnjë mjet për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta çonte deri në fund zbatimin e tij.
Konferenca e Berlinit nuk e trajtoi drejtpërdrejt çështjen e kufirit turko-malazez, pasi kjo, sipas pikëpamjes së Fuqive të Mëdha, kishte gjetur zgjidhje dy javë më parë. Por gjatë ditëve që konferenca vazhdonte punimet e saj, ambasadorët e tyre në Stamboll ia propozuan variantin e ri Portës së Lartë, duke ia lënë asaj në dorë që të zgjidhte për t’i dorëzuar Malit të Zi ose krahinën e Hotit e të Grudës, ose qytetin e Ulqinit me rrethinat e tij.

Edhe pse Konferenca e Berlinit nuk i përfilli interesat kombëtarë të Shqipërisë, lufta e masave shqiptare nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur tërësinë territoriale dhe për të fituar të drejtat e saj autonomiste, tashmë kishte filluar të bënte jehonë edhe në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Kush më shumë e kush më pak, ato filluan të bindeshin se lëvizja shqiptare nuk ishte, siç kishin pohuar deri atëherë, një makinacion i Stambollit, se ajo ishte shprehje e protestës së një populli që kishte aspiratat e veta kombëtare dhe se faktori shqiptar nuk duhej lënë pas dore në qoftë se dëshironin që vendimet e tyre të mëtejshme të viheshin me të vërtetë në jetë. Megjithatë, qëndrimi që mbajtën ndaj faktorit shqiptar nuk qe i njëjtë. Në secilën prej tyre ndikuan interesat e veçantë politikë dhe ekonomikë që ato kishin në Evropën Juglindore.

Qëndrimi më i papajtueshëm për çështjen shqiptare u duk midis Rusisë cariste dhe Britanisë së Madhe. Rusia vijonte të mos e pranonte idenë e një shteti autonom shqiptar, për ta lënë gjithnjë të hapur rrugën e përmbushjes së aspiratave pushtuese që ushqenin shtetet sllave të Ballkanit. Anglia udhëhiqej nga parime të kundërta. Ajo donte, si edhe më parë, forcimin e Perandorisë Osmane, të cilën, përveçse e kishte kthyer në një gjysmëkoloni të saj, vijonte ta shihte si një ledh të rëndësishëm për të penguar ekspansionin rus në Evropën Juglindore. Për këtë arsye, qeveria britanike ishte e prirur që t’u jepeshin shqiptarëve disa të drejta autonomiste, me qëllim që ta çlironte Perandorinë Osmane nga telashet që i vinin prej tyre, të cilat çonin në dobësimin e saj. Një qëndrim të ndërmjetëm mbajti Austro-Hungaria, e pasuar nga Gjermania. Edhe Vjena udhëhiqej nga synimi për të penguar ekspansionin rus në Ballkan, por tani kishte filluar të shqetësohej edhe nga pavarësia që po fitonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë nga fryma antiaustriake, që kishte shkaktuar në Shqipëri vendosja e garnizoneve të saj ushtarake në hyrje të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Për këtë qëllim, Vjena nuk ishte për shtrirjen e të drejtave kombëtare në mbarë viset shqiptare, por vetëm në Shqipërinë Veriore me popullsi të dendur katolike, të cilën ajo shpresonte ta mbante nën kontrollin e saj nëpërmjet kultusprotektoratit.

Gjatë ditëve të Konferencës së Berlinit ngadhënjeu pikëpamja e Vjenës. Më 26 qershor 1880 ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, së bashku me variantin e zëvendësimit të krahinës së Hotit e të Grudës me qytetin e me rrethinat e Ulqinit, e këshilluan Portën e Lartë që të shqyrtonte mundësinë për t’i dhënë të drejtën e vetëqeverisjes administrative vetëm vilajetit të Shkodrës.
Por disa diplomatë të huaj, të cilët e ndiqnin nga afër gjendjen e Shqipërisë, dyshonin se me këtë zgjidhje Perandoria Osmane përsëri nuk do të kishte qetësi të brendshme. Sikurse i raportonte qeverisë së vet në korrik të vitit 1880 ambasadori anglez në Stamboll, Goshen, dhënia e autonomisë administrative vetëm për vilajetin e Shkodrës, nuk i shërbente Perandorisë Osmane, as politikës britanike në Ballkan. “Kombësia shqiptare, - shkruante ai, - është një element që nuk duhet lënë pa përfillur në çdo kombinim politik në të ardhmen. Edhe në qoftë se është e parakohshme, unë do të rekomandoja që formimi i një province shqiptare të bashkuar, të mbahej të paktën gjithnjë parasysh”. Sipas diplomatit britanik, ishte në interes të Anglisë që Shqipëria të bëhej e fortë dhe ajo mund të bëhej e tillë vetëm nëse bashkoheshin të gjitha viset shqiptare në një provincë të vetme autonome. “Ky popull, - nënvizonte Gosheni, - që në pjesën më të madhe është mysliman, do të bëhet burim vështirësish nga më të mëdhatë për vendet sllave e greke” të Gadishullit Ballkanik. Qeveria britanike e Gladstonit e përvetësoi tezën e ambasadorit të vet, por Fuqitë e tjera të Mëdha qëndruan në pikëpamjen e Vjenës, e cila vijoi të ngulte këmbë për t’i dhënë autonominë administrative vetëm vilajetit të Shkodrës, madje as krejt territoreve të tij, por kryesisht malësive katolike që bënin pjesë në këtë vilajet.

Megjithatë, çështja shqiptare tashmë kishte fituar të drejtën e qytetarisë në arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të injorohej si më parë nga Fuqitë e Mëdha. Kjo u duk qartë në mbledhjet që zhvilloi gjatë verës së vitit 1880 Komisioni Evropian për Rumelinë Lindore, i krijuar nga Fuqitë e Mëdha për të shqyrtuar, në mbështetje të nenit 23 të Traktatit të Berlinit, projektin e reformave administrative që kishte përgatitur Porta e Lartë për të zbatuar në vilajetet e saj të Gadishullit Ballkanik. Me këtë rast përfaqësuesi britanik Ficmoris (Fitzmaurice) i paraqiti komisionit një projekt, me anën e të cilit kërkonte jo bashkimin e menjëhershëm të trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, por organizimin e tyre në katër sanxhakë me qendër në Shkodër, në Prizren, në Elbasan dhe në Janinë, si hap të parë për bashkimin e tyre në të ardhmen në një shtet të vetëm shqiptar. Por projekti britanik ndeshi përsëri në kundërshtimin e fuqive të tjera. Madje Komisioni Evropian, me përjashtim të përfaqësuesit rus, miratoi më 23 gusht 1880 projektin e hartuar bashkërisht nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë, i cili shënonte një hap prapa në krahasim me idenë e formuluar dy muaj më parë, pasi tani i sugjerohej Portës së Lartë të jepte autonominë administrative jo për krejt vilajetin e Shkodrës, por vetëm për malësitë patriarkale të Veriut. Megjithatë, me këmbënguljen e përfaqësuesit britanik, në deklaratën e Komisionit Evropian për Rumelinë Lindore u vu si shtesë shënimi se Fuqitë e Mëdha “nuk do të kishin asnjë kundërshtim”, në rast se Porta e Lartë do ta shihte me vend që t’i bashkonte krahinat shqiptare në një vilajet të vetëm.
Por Porta e Lartë nuk pranoi asnjë nga këto sugjerime.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:10 PM | Message # 35
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Kuvendi i Gjirokastrës (23 korrik 1880)

Sukseset që u arritën gjatë pranverës kundër administratës osmane të vilajeteve, paaftësia e Portës së Lartë për ta ndaluar vrullin e luftës së masave shqiptare dhe jehona që patën këto suksese në arenën ndërkombëtare i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes autonomiste në Shqipëri. Por vendimi që morën Fuqitë e Mëdha brenda e jashtë Konferencës së Berlinit, për ta detyruar Portën e Lartë që t’i kënaqte Athinën dhe Cetinën me lëshime territoriale në Çamëri e në Ulqin, krijoi një rrethanë thellësisht të ndërlikuar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Qarqet atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke qenë të bindura se Porta e Lartë në gjendje paqeje nuk do t’i jepte asnjë të drejtë kombëtare Shqipërisë dhe se këto mund të siguroheshin vetëm nëse asaj i krijohej një gjendje pa rrugëdalje, këmbëngulën që lufta për autonominë e vendit të vijonte edhe në këto kushte. Sipas pikëpamjes së tyre, ishte e nevojshme që lufta kundër copëtimit të trojeve shqiptare të shkrihej me luftën për të drejtat autonomiste të Shqipërisë. Në një rast të tillë, mendonin ato, Porta e Lartë do të ngurronte të hapte një luftë frontale kundër gjithë Shqipërisë, aq më tepër që fuqitë perëndimore, në radhë të parë Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria, do ta detyronin Perandorinë Osmane ta shmangte me çdo kusht këtë konflikt me shqiptarët për të mos përfituar prej tij Rusia cariste.

Këto çështje pritej të diskutoheshin në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare që u mbajt në Prizren në dhjetëditëshin e fundit të korrikut të vitit 1880. Këshilli do të vendoste rreth masave që duheshin marrë për të pranuar lëshimin e territoreve që Konferenca e Berlinit ia kishte dhënë Greqisë, si edhe për të kundërshtuar vendimin e Konferencës së Stambollit për Ulqinin. Mbledhja e korrikut e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes kishte një përbërje mjaft të gjerë, megjithatë burimet dokumentare të njohura deri më sot heshtin rreth vendimeve të tij.

Në të njëjtën kohë Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut, sapo mori njoftim për rezolutën e 1 korrikut të Konferencës së Berlinit për ratifikimin në favor të Greqisë të kufirit greko-turk, vendosi të mbledhë në Gjirokastër një kuvend tjetër të Lidhjes Shqiptare. Ndryshe nga sa ishte menduar në fillim, Kuvendi i Gjirokastrës nuk pati karakter ndërkrahinor, por mbarëshqiptar. Sipas njoftimit që jep konsulli rus, Trojanski, Kuvendi u vendos të mblidhej në Gjirokastër për të qenë më afër qendrës së trojeve shqiptare, më larg presionit të qendrës së vilajetit dhe ndërhyrjes së agjentëve të huaj që ndodheshin në Janinë.

Kuvendi u mblodh më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë kryesisht krerët shqiptarë myslimanë e të krishterë të Beratit, të Përmetit, të Vlorës, të Labërisë dhe të Çamërisë. Por, sipas të dhënave të konsullatës austro-hungareze në Prevezë, në këtë Kuvend kanë marrë pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga jugu, por edhe nga Gegëria, ndërsa krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit e tyre, i miratuan vendimet e tij me shkrim.

Punimet e Kuvendit i drejtoi Abdyl Frashëri. Çështja themelore që u trajtua aty ishte: autonomia e Shqipërisë, koha e shpalljes dhe mënyra e realizimit të saj. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që, në rast se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të zbatonte rezolutën e Konferencës së Berlinit ose në rast se Greqia do të orvatej t’i merrte me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar, Lidhja Shqiptare do të shpallte menjëherë një qeveri të përkohshme kombëtare. Me formimin e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri. Sapo të shpallej qeveria e përkohshme shqiptare, do të pushoheshin nëpunësit turq dhe do të zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë pa dallim feje. Të ardhurat shtetërore do të administroheshin nga qeveria e përkohshme për nevojat e Lidhjes Shqiptare. Menjëherë do të hartohej një kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria e përkohshme do të merrte të gjitha masat për të vendosur rendin dhe qetësinë shembullore në mbarë vendin. Për këtë qëllim do të dënoheshin me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por edhe tradhtarët e vendit. Në të njëjtën kohë do t’i kushtohej një kujdes i veçantë ushtrisë kombëtare, në radhët e së cilës do të inkuadroheshin të gjithë nizamët, rezervistët dhe oficerët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane.

Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria të mos kalonte përtej caqeve të një shteti autonom nën sovranitetin e sulltanit. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë autonome dhe Perandorisë Osmane do të kufizoheshin në minimum. Sulltani do të kishte vetëm një të drejtë: të emëronte guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë, kurse Shqipëria detyrohej t’i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor në të holla dhe të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për kompensim Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm.

Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit të 1 korrikut 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbajti të njëjtin qëndrim që kishte përcaktuar më parë Lidhja. Shpalli se shqiptarët nuk kishin punë me Thesalinë, por ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht një copëtim të Shqipërisë së Jugut (të Epirit). Kuvendi shprehu gatishmërinë e shqiptarëve për t’u hedhur menjëherë në front, në qoftë se ushtritë greke do të shkelnin kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa konkrete ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, duke ngritur për këtë qëllim ushtrinë kombëtare.

Për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta njihte de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit mendonin të tërhiqnin në veprime luftarake shtresat e gjera popullore dhe ta vinin Portën e Lartë para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të siguronte në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që do ta dobësonin më shumë Perandorinë Osmane. Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre duke tërhequr simpatinë e opinionit botëror në favor të kryengritjes çlirimtare dhe duke dhënë prova se shqiptarët ishin të përgatitur për të organizuar shtetin e tyre kombëtar.

Kuvendi zë një vend të rëndësishëm në historinë e Lidhjes Shqiptare. Ai shënoi një shkallëzim të mëtejshëm të luftës për autonominë e Shqipërisë dhe shtroi për herë të parë, në shkallë kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare. Me vendimet e tij Kuvendi i Gjirokastrës ua parashtroi edhe njëherë Fuqive të Mëdha përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë copëtimin e territoreve të atdheut të tyre.

Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri në viset e tyre, me qëllim që të mobilizonin forcat ushtarake për të mbrojtur tërësinë e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare.
Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë në platformën atdhetare të krahut radikal të Lidhjes i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në mjaft krahina të Jugut u rritën veprimet e popullsisë për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata lokale dhe për kthimin e saj në administratë shqiptare. Një muaj më vonë, në gusht 1880, konsulli rus në Janinë, Trojanski, raportonte në lidhje me gjendjen në Çamëri: “Qeverisja e vilajetit tani po kalon dalëngadalë në duart e shqiptarëve, të cilët përpiqen të largojnë që këtej të gjithë nëpunësit me origjinë joshqiptare dhe kanë pasur aq sukses në këtë punë, saqë në rrethet e Epirit Veriperëndimor Lidhja Shqiptare vepron pothuajse në mënyrë të pavarur”. Dëshmi e rritjes së autoritetit të Lidhjes Shqiptare ishte vendosja e qetësisë së plotë jo vetëm në Shqipërinë e Jugut, por në mbarë vendin. Lidhja arriti të vendoste qetësinë e rendin edhe në vilajetin e Manastirit e të Kosovës. Me vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës u solidarizua edhe opinioni publik i vilajetit të Kosovës e të Shkodrës, veçse në këto treva shqiptarët mbetën të gozhduar për shkak të shqetësimit që vijoi të shkaktonte çështja e Ulqinit.

Vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës shkaktuan shqetësim në Stamboll. Porta e Lartë mori masa për ta shtypur lëvizjen autonomiste me anë të përçarjes ose të dhunës në rast se acarohej situata në sektorin e Ulqinit. Për çështjen e Çamërisë ajo vendosi të fitonte kohë duke e vazhduar kundërshtimin ndaj Protokollit nr. 13 dhe duke i zvarritur përsëri bisedimet me palën greke.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 6:11 PM | Message # 36
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
5. MBROJTJA E ULQINIT. KUVENDI I DIBRËS
(GUSHT-NËNTOR 1880)

Demonstrata navale (gusht-tetor 1880)

Mali i Zi e pranoi propozimin që bënë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor 1880, për të zëvendësuar krahinat e Hotit e të Grudës me qytetin dhe rrethinat e Ulqinit. Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi, nxori përsëri në shesh pengesën që do të ndeshte në dorëzimin e tij nga ana e shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm qyteti bregdetar i Ulqinit, por edhe hinterlandi i tij fshatar banohej krejtësisht nga popullsi shqiptare. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë, Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në detin Adriatik. Ai ishte njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme bregdetare që lidhte tregtinë e jashtme të Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut.
Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë për këtë padrejtësi të re që Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Në të njëjtën kohë ata ia përsëritën Portës së Lartë vendosmërinë për ta mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë për të hyrë në luftë edhe kundër saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha ishin të vendosura për të mos i marrë në asnjë mënyrë parasysh justifikimet e qeverisë osmane. Me një notë kolektive, që i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin Portën e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’ia dorëzonte Ulqinin Malit të Zi.

Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare. Ajo u përpoq më shumë se kurdoherë me anë të kërcënimeve për t’i bindur udhëheqësit e saj të hiqnin dorë nga qëndresa, por orvatjet nuk patën sukses. Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe u përgatitën për ta shtënë në dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga qyteti.

Për ta zgjidhur çështjen e dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë navale në bregdetin shqiptar, madje më vonë se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën turke të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe për të shmangur ndërlikimet ndërkombëtare, Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në Shkodër gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë, me detyrën që ta dorëzonte Ulqinin pa konflikte të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në Shkodër më 19 gusht, u përpoq t’i bindte krerët e Lidhjes me të holla e me premtime që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një takim të veçantë që pati më 22 gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24 gusht 1880 Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin e ndalimin e qarkullimit dhe të lidhjeve me Ulqinin nga mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk dhanë rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve të Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij nuk i prapsën vullnetarët nga vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë shqiptarë (ndër të cilët 600 ishin shkodranë), të komanduar nga Muftar agë Reçi, zunë pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të Mozhurës për të penguar kalimin e forcave të Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake, nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin në gatishmëri kundër marshimit të mundshëm të forcave malazeze.

Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave të Ulqinit dhe më 4 shtator 1880 rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat në ujërat e Raguzës.
Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shkodrën nuk u nënshtruan; ata u treguan të vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e Ulqinit u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes që u mblodh në Prizren në fillim të shtatorit. Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione osmane, të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës dhe u drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare, që ndodheshin në Ulqin e në Mozhurë, u dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin e tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin u dërgoi Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër, një memorandum ku protestonte në mënyrë kategorike kundër lëshimit të Ulqinit dhe shprehte gatishmërinë e popullsisë së tij për të qëndruar deri në fund.

Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të Gjashtë Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3 ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më 17 shtator ushtritë e Lidhjes, të përbëra nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë e mbanin të rrethuar Ulqinin, sapo morën lajmin për demonstratën navale, sulmuan ushtritë osmane dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke u mbyll në kazerma dhe më pas u largua fshehurazi nga qyteti.
Më 20 shtator flota e gjashtë Fuqive të Mëdha la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk hyri në ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë e Lidhjes Shqiptare, të cilat tani qëndronin përballë flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më 25 shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër, bllokoi rrugën e Ulqinit për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve, çarmatosi forcat e armatosura të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet dhe shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes. Njëkohësisht bëri arrestime. Më 29 shtator Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte masa ushtarake kundër tij, nëse nuk shpërndahej. Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo tashmë nuk e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak të vilajetit dhe e kërcënonte se do ta dëbonte atë së bashku me garnizonin e tij nga Shkodra.

Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i marrëdhënieve ndërmjet Lidhjes së Prizrenit dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit të armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë për të penguar mbrojtjen me armë të Ulqinit. Duke parë se as demonstrata detare e flotës ndërkombëtare, as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë u përpoqën të bindnin krerët e degëve të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë të veçantë anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha ishin të prirura t’u jepnin shqiptarëve të drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që këta të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit dhe të mos shkaktonin konflikt të armatosur me Portën e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një mashtrim, si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën pa efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara, të cilat menduan se ia vlente të sakrifikohej Ulqini për të siguruar të drejtat autonomiste pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim, disa nga anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe Hodo Sokoli, përkrahës i njohur i lëvizjes autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta për mbrojtjen e Ulqinit.

Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë detyrën e atdhetarëve për të mbrojtur me armë Ulqinin dhe për të siguruar autonominë e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga qëndrimi i tyre, por u përpoqën të mbanin gjallë frymën luftarake në të katër vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin përçapjen e fundit për të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara, në mënyrë të veçantë forcat luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për këtë qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në qytetin e Dibrës.

Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor).

Lufta e Ulqinit

Kuvendi i Dibrës i filloi punimet më 20 tetor 1880. Aty morën pjesë rreth 300 delegatë të ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, të shoqëruar nga 5 mijë veta të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara. Midis delegatëve ishin Ali pashë Gucia, Iliaz pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj.
Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme.

Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme. Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij. Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë.

Si pasojë e këtyre divergjencave, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Ejalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar. Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. Megjithatë, vendimet e tij patën jehonë pozitive si brenda vendit, ashtu edhe në opinionin publik evropian.

Gjatë ditëve të Kuvendit të Dibrës qeveria e Stambollit mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve për të siguruar dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor 1880 Porta e Lartë largoi nga Shkodra gjeneral Riza Pashën dhe në vend të tij dërgoi mareshal Dervish Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga Ulqini.

Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën kontrollin e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit. Në fillim të nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë nga Prizreni, nga Gjakova e nga Dibra.

Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në 16 nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën për ta detyruar të dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor Fuqive të Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit.

Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës për ta bindur të hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt e huaj do të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880 shumë anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të moderuar kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare për Shkodrën. Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka etj.

Por ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi të madhe. Përçarja në udhëheqjen e Lidhjes dobësoi forcat e saj ushtarake, sidomos ardhjen e vullnetarëve të tjerë. Komiteti i ri nuk pati kohë të mobilizonte popullin dhe të organizonte qëndresën e armatosur kundër ushtrisë osmane. Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike, Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare te Kodra e Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane të pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i tyre Isuf Sokoli u plagos rëndë dhe pak më vonë vdiq.
Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880, të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan ushtrive malazeze.

Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe çështja e kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të Portës së Lartë la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës. Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën zëra proteste kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar


 
Arlindi_17Date: Th, 04-September-08, 6:23 PM | Message # 37
Ushtar
Group: Users
Messages: 21
Reputation: 1
Status: Offline
6. LËVIZJA KULTURORE SHQIPTARE NË VITET
E LIDHJES SË PRIZRENIT
(1878-1881)

Mendimi politik, filozofik e shoqëror në vitet e Lidhjes së Prizrenit

Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u shpreh vetëm me luftën e përditshme politike, diplomatike e ushtarake për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar. Ajo u shfaq në të njëjtën kohë edhe me zhvillimin e vrullshëm të mendimit politik, filozofik e shoqëror, si edhe të veprimtarisë publicistike, letrare e shkencore.
Nga frymëzimi atdhetar e nga karakteri përparimtar, lëvizja kulturore shqiptare e viteve të Lidhjes së Prizrenit ishte pjesë përbërëse e lëvizjes kulturore rilindëse, e cila kishte marrë jetë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm. Por gjatë viteve të Krizës Lindore ajo përshiu të gjitha sferat e jetës kulturore të vendit dhe u kthye, më shumë se në të kaluarën, në një lëvizje atdhetare. Si e tillë ajo u frymëzua nga lufta politike, diplomatike e ushtarake që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, por me përmbajtjen e saj atdhetare e demokratike ndikoi në ngritjen ideologjike të lëvizjes kombëtare në një shkallë të paparë deri atëherë.
Lëvizjen kulturore të kësaj periudhe e udhëhoqën po ata atdhetarë, të cilët përpunuan edhe platformën politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atë e udhëhoqën figura të shquara, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Thimi Mitko, Ymer Prizreni, të cilët me veprimtarinë e tyre si ideologë e si aktivistë, si shkrimtarë e si organizatorë, zënë një vend të rëndësishëm në historinë e gjithë Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në fushën e mendimit politik e shoqëror, lëvizja kulturore trajtoi problemet kryesore që shqetësonin lëvizjen kombëtare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70: konsolidimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar autonom si hap drejt krijimit të shtetit kombëtar të pavarur, demokratik e iluminist.

Një vend qendror në platformën ideologjike, të përpunuar në një varg shkrimesh nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare të këtyre viteve, zuri koncepti filozofik për kombin. Çështja kishte rëndësi jetike për shqiptarët, pasi në arenën ndërkombëtare sundonte ende koncepti mesjetar, i cili e mbante bashkësinë fetare të një populli si një përbërës të domosdoshëm për të qenë një komb. Sipas këtij koncepti, shqiptarët të ndarë në tri besime fetare të ndryshme nuk merreshin ende si pjesëtarë të një kombi të vetëm as nga Perandoria Osmane, as nga Fuqitë e Mëdha, as nga shtetet fqinje ballkanike. Si rrjedhim, atyre u mohohej e drejta për të formuar një shtet kombëtar më vete. Kundër këtij koncepti të prapambetur u ngritën të gjithë ideologët dhe aktivistët e lëvizjes kulturore shqiptare. “Të ngresh besimin fetar në parim kombësie dhe të marrësh dogmën për racë apo ritin për atdhe, nuk është aspak e pranueshme”, shkruante Pashko Vasa më 1879.

Veç kësaj rilindësit nuk u pajtuan as me konceptin tjetër që qarkullonte në disa teoricienë të kohës së tyre, sipas të cilëve një popull quhet komb kur ka formuar shtetin. Konceptin filozofik për kombin e formuloi në mënyrë më të plotë Abdyl Frashëri qysh në pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në artikujt e tij, të botuar në pranverën e vitit 1878, ai shikonte si përbërës të një kombi gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. Lëvizja kulturore shqiptare përvetësoi kështu në fushën ideologjike një nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX.

Added (2008-09-04, 6:15 Pm)
---------------------------------------------
Lëvizja kulturore shqiptare e shtriu këtë koncept të përparuar edhe në truallin e veprimtarisë politike. Ideologët rilindës të këtyre viteve, më shumë se paraardhësit e tyre, i dhanë lëvizjes kulturore shqiptare, ashtu si edhe lëvizjes politike kombëtare, një përmbajtje laike. Madje, për hir të unitetit kombëtar, ata u bënin thirrje bashkatdhetarëve që të mos dëgjonin predikimet e xhamisë e të kishës, kur ato binin ndesh me interesat kombëtarë, u shërbenin sunduesit të huaj dhe propagandave të shteteve fqinje; kështu ata ishin në konflikt të hapur me institucionet klerikale dhe të palëkundur përballë kërcënimeve të tyre. Thirrje të tilla si ajo e Pashko Vasës: E mos shikjoni kisha e xhamia / Feja e shqyptarit asht shqyptaria! u bënë shumë popullore në Shqipëri. Ky laicizim i ndërgjegjes kombëtare, i cili gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit përparoi me hapa të shpejtë, pushtoi pothuajse të gjitha fushat e jetës kulturore të vendit.

Një vend po aq të rëndësishëm në platformën ideologjike të lëvizjes kulturore zuri edhe koncepti politik për territorin kombëtar të shqiptarëve. Kjo çështje kishte gjithashtu rëndësi jetike, pasi në kushtet e Krizës Lindore shqiptarëve u duhej të afirmonin sa më parë në arenën ndërkombëtare tërësinë territoriale të Shqipërisë si njësi politike, për të parandaluar përmbushjen e lakmive të huaja shoviniste në kurriz të saj. Ashtu si në konceptin e kombit, edhe në atë të territorit ideologët atdhetarë nuk ndoqën rrugën e udhëheqësve nacionalistë të monarkive ballkanike, të cilët, për të përligjur aspiratat e tyre shoviniste në kurriz të kombeve të tjera, ngritën të ashtuquajturin kriter historik.

Siç dihet, ky kriter krijoi te Serbia, Bullgaria e Greqia prirjen për të rimëkëmbur, në antagonizëm me njëra-tjetrën, e para Perandorinë e Stefan Dushanit, e dyta Perandorinë e car Samuilit, e treta Perandorinë Greke-bizantine, të cilat patën në mesjetë nën zgjedhën e tyre një varg kombësish të Ballkanit. Edhe shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kishin mundësi të merrnin nga historia e tyre e lashtë argumentin e trevës ku banonin mbarë fiset ilire për të përligjur krijimin e një shteti të madh shqiptar. Por ky kriter do të ishte i padrejtë, pasi në mjaft nga ato vise tashmë banojnë popuj të tjerë, të cilët nuk do të pranonin në kushtet e reja të qytetërimit të hynin nën një zgjedhë të huaj. Rilindësit kërkonin që të zbatohej në radhë të parë kriteri etnik dhe jo ai historik, të respektoheshin gjendja reale dhe të drejtat territoriale të sotme të të gjithë popujve. Vetëm kriteri etnik, theksonte Abdyl Frashëri, do të vendoste një paqe të qëndrueshme në Gadishullin Ballkanik dhe një harmoni të vërtetë ndërmjet kombeve të tij. Me këtë koncept politik lëvizja kulturore shqiptare u rreshtua gjithashtu në pozitat më të përparuara të lëvizjeve kulturore evropiane të shek. XIX.

Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit lëvizja kulturore shqiptare ngriti në një shkallë më të lartë edhe koncepte të tjera politike, filozofike ose shoqërore, të cilat ishin shfaqur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Ajo i dha konceptit atdhe ose mëmëdhe një përmbajtje të re politike jo vetëm si një bashkësi krahinore të vendlindjes, por si një bashkësi të mbarë trojeve amtare dhe si një ideal të shenjtë, për çlirimin ose mbrojtjen e të cilit të gjithë shqiptarët duhej të përpiqeshin me çdo mjet, duke mos kursyer as jetën e tyre. Ajo e pasuroi më tej kulturën politiko-shoqërore, duke e trajtuar konceptin e autonomisë së Shqipërisë nga këndi i interesave kombëtarë shqiptarë, si një hallkë kalimtare për të sendërtuar, në kushte kombëtare më të përshtatshme, pavarësinë e saj të plotë.

Procesi i laicizimit të ndërgjegjes politike kombëtare ia hapi dyert një depërtimi më të hovshëm të mendimit iluminist në jetën kulturore të vendit, gjë që shpejtoi emancipimin ideologjik të shqiptarëve nga presioni i dogmatizmit obskurantist i institucioneve fetare. Veç kësaj, ajo e shtriu konceptin e vëllazërimit të shqiptarëve jo vetëm në fushën e detyrave, por edhe në atë të të drejtave. Si rrjedhim, ajo e shkriu atë me konceptin e barazisë së tyre qytetare, pavarësisht nga përkatësia fetare, shoqërore e krahinore, e cila nuk ishte në rendin shoqëror osman. Përveç të tjerave, ajo e konceptoi edhe vetë kulturën jo si një stoli, por si një armë që duhej të forconte unitetin kombëtar të shqiptarëve në luftë për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.

Added (2008-09-04, 6:15 Pm)
---------------------------------------------
Letërsia politike

Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit mendimi politik shqiptar u shpreh me mjete të panjohura më parë. Të tilla ishin protestat e memorandumet drejtuar Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë, të cilat vetëm fare pak u redaktuan nga kryesia e Lidhjes së Prizrenit, ndërkohë që shumica dërrmuese u hartua me nismën e degëve krahinore të saj ose të qarqeve të ndryshme atdhetare të vendit. Pavarësisht nga autorët, ato pajtohen ndërmjet tyre në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve themelore që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Pothuajse të gjitha flasin në emër të kombit shqiptar. Kudo spikat fryma e vëllazërimit të shqiptarëve pavarësisht nga dallimet fetare, spikat krenaria e tyre për traditat e përbashkëta liridashëse dhe vendosmëria për të mbrojtur të drejtat kombëtare. Takimi i tyre në këto çështje të rëndësishme politike tregonte se platforma ideologjike kombëtare kishte depërtuar thellë në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare.

Por shprehjen e vet më të lartë, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, ajo e gjeti te traktatet politike dhe te shkrimet publicistike të hartuara nga personalitetet e lëvizjes kombëtare për publikun ndërkombëtar. Patriotët shqiptarë e kishin ndier prej kohësh nevojën për një tribunë shtypi të pavarur. Por Porta e Lartë e kishte kundërshtuar vazhdimisht lejen për të nxjerrë një organ periodik shqip brenda kufijve të Perandorisë. Edhe përpjekjet për të botuar një gazetë shqiptare jashtë Perandorisë Osmane kishin dështuar pjesërisht për mungesë mjetesh financiare, pjesërisht nga qëndrimi armiqësor i qeverive të huaja. Me përpjekje të mëdha Sami Frashëri arriti ta shtinte në dorë, në qershor të vitit 1878, drejtimin e gazetës turke “Terxhuman-i Shark” (“Interpreti i Lindjes”), që botohej në Stamboll, por kjo nuk pati jetë të gjatë, pasi pas katër muajsh u mbyll nga censura osmane. Një vit më vonë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i erdhi në ndihmë një nga arvanitët më përparimtarë të Greqisë, Anastas Kullurioti, i cili filloi në shtator 1879 botimin në Athinë të gazetës “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”), por edhe kjo u mbyll pas një viti.

Ndër penat publicistike Abdyl Frashëri u dallua në mënyrë të veçantë për gamën e problemeve, për forcën e argumenteve dhe për qartësinë e mendimeve në shkrimet e tij të botuara në shtypin turk, austriak e frëng. Ai shtjelloi në mënyrë koncize pothuajse të gjitha aspektet e platformës ideologjike e politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në veçanti. Një veprimtari po aq të pasur zhvilloi gjithashtu Sami Frashëri, i cili u shqua në fushën e publicistikës polemizuese kundër armiqve të çështjes kombëtare shqiptare. Veç kësaj, ai trajtoi në gazetën e vet “Terxhuman-i Shark”, nga këndi i interesave të Shqipërisë, edhe ngjarjet e përditshme ndërkombëtare. Në publicistikën e këtyre viteve morën pjesë gjithashtu, ndonëse në mënyrë më të kufizuar, Jani Vretoja, Thimi Mitkoja dhe shumë atdhetarë të tjerë, të cilët i botuan shkrimet e tyre pa emrin e autorit. Një kontribut të rëndësishëm dha në këtë fushë edhe Jeronim de Rada, një nga arbëreshët më të shquar të Italisë.

Ndërmjet traktateve politike të këtyre viteve, vendin kryesor e zë vepra e Pashko Vasës “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e gjermanisht, kurse një vit më vonë u përkthye turqisht e greqisht. Me këtë vepër autori kishte për qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar “me cilësitë, me të metat, me nevojat dhe me shpresat e tij”, të tregonte origjinën e tij si një nga popujt më të lashtë të Evropës, të përshkruante fazat që ai kishte kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës që e kishin përbuzur dhe të argumentonte të drejtat kombëtare që i takonin, duke përfshirë edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, që do të shënonte një hap drejt autonomisë së Shqipërisë.

Çështjes së aleatëve të shqiptarëve në luftën e tyre kombëtare iu kushtuan dy traktate të veçanta. Në njërin prej tyre, të botuar bullgarisht në Sofje më 1879 nga Jusuf Ali beu, me titull “Bisedime të ditës që meritojnë vëmendje”, autori shprehte mendimin se shqiptarët e bullgarët kishin mjaft interesa të përbashkëta, të cilët krijonin mundësinë për të qenë bashkëluftëtarë. Në tjetrën, të botuar greqisht në Athinë më 1880 nga Thimi Brandi, me titull “Ankime të shqiptarëve”, mbrohej teza se shqiptarët e grekët rrezikoheshin njësoj nga rritja e shteteve sllave, se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të shpresonte te Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë bashkëpunim e pengonin vetëm qarqet zyrtare greke, të cilat mendonin pa të drejtë se me zhvillimin e saj lëvizja kulturore shqiptare do të pakësonte shkëlqimin e helenizmit. Një vend të rëndësishëm në letërsinë politike të këtyre viteve zë, më në fund, broshura “Shqiptarët dhe demonstrata navale përpara jurisë eprore të shtypit”, që një autor anonim shqiptar e botoi frëngjisht më 1880, për qëndresën që organizoi Lidhja e Prizrenit në mbrojtje të Ulqinit. Në këtë broshurë autori u bën një akuzë të ashpër Fuqive të Mëdha në përgjithësi dhe qeverisë britanike në veçanti, të cilat, në vend që të përkrahnin idenë e krijimit të një shteti kombëtar shqiptar si e vetmja rrugë e drejtë e zgjidhjes së Krizës Lindore, dërguan flotën e tyre luftarake për të shtypur me dhunë të drejtat legjitime të një populli liridashës.

Shkrimet publicistike dhe traktatet politike trajtojnë po atë temë që frymëzuan protestat e memorandumet e kësaj periudhe - njohjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare si një komb i formuar plotësisht dhe miratimin e të drejtës së tyre supreme për të pasur shtetin kombëtar në kufijtë e tyre etnikë.

Me këto shkrime e traktate autorët sollën një varg argumentesh historike, filozofike, etnografike, filologjike e politike, që provonin se shqiptarët i kishin të gjitha vetitë për të qenë një komb dhe për të formuar shtetin e vet. Një nga argumentet e dorës së parë ishte prejardhja e shqiptarëve nga ilirët, të cilët njiheshin si pasardhës të pellazgëve, pra, lashtësia e tyre shprehej në lashtësinë e autoktonisë, të gjuhës e të kulturës. Ata kritikuan tezën pseudoshkencore të përhapur në ato vite, sipas së cilës nuk kishte një gjuhë të vetme shqipe, por aq gjuhë sa ishin dialektet e saj ose tezën tjetër se të folmet e saj ishin “dialekte të bastardhuara” të greqishtes a të latinishtes dhe mbrojtën pikëpamjen, të cilën e kishin pranuar gjuhëtarët më të shquar të kohës, se gjuha shqipe ishte një gjuhë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, se dallimet dialektore brenda saj nuk kishin rëndësi themelore dhe se lidhjet ndërmjet saj e greqishtes ose latinishtes ishin pak a shumë njësoj si lidhjet ndërmjet gjuhëve të ndryshme indoevropiane. Po ashtu, ata sollën argumente të reja me të cilat provuan se shqiptarët e të gjitha besimeve e të të gjitha krahinave kishin të njëjtin formim shpirtëror. Shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kanë pasur kulturën e tyre të veçantë qysh në kohët parahistorike; ata u kanë qëndruar besnikë, deri në njëfarë shkalle, traditave të lashta pasi përqafuan jo vetëm krishterimin, por edhe islamizmin. Në Shqipëri dallimet fetare, nënvizonte ai, nuk kanë ndonjë rëndësi përballë dallimeve shoqërore. Shoqëria shqiptare karakterizohej, sipas tij, nga ndarja në krerë e në popull dhe jo nga ndarja në myslimanë e të krishterë.

Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë, shkruante Pashko Vasa, “flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Midis tyre nuk ka pasur kurrë smirë të rrënjosur, as armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë nuk ka qenë kurrë shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike”.
Pothuajse të gjithë autorët e kësaj periudhe evokuan në shkrimet e tyre politike figurën e ndritur të Skënderbeut si mishërim i njësisë kombëtare, si simbol i atdhedashurisë shqiptare dhe si flamur i luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet emrit të tij të lavdishëm, ata u kujtonin sundimtarëve osmanë se shqiptarët ishin gati, në rast se nuk do t’u njiheshin të drejtat e tyre kombëtare, të përsëritnin epopenë e shek. XV. Veç kësaj, ata u kujtonin popujve të Evropës se vendet e tyre kishin detyrime të mëdha ndaj Shqipërisë, e cila me luftën e saj heroike që kishte zhvilluar nën udhëheqjen e Skënderbeut, e kishte mbrojtur lirinë e tyre nga pushtimi osman. Një vend të rëndësishëm në publicistikën e këtyre viteve zunë shkrimet që mbronin karakterin e programin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit nga akuzat e shpifjet e armiqve të çështjes shqiptare, të cilët e paraqitnin atë si një organizatë fanatike islamike të manipuluar nga Porta e Lartë dhe të drejtuar kundër popujve fqinjë të krishterë.

Sami Frashëri, i cili u dallua më shumë se të tjerët në këtë fushë, argumentoi me një varg artikujsh të botuar në shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë nuk ka pasur gisht në formimin e saj. “Si mund të thuhet, - shkruante ai, - se Lidhja e Prizrenit është formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur aty kanë marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të krishterë, domethënë mbarë bijtë e atdheut?”. Porta e Lartë, shkruante Samiu në një artikull tjetër, jo vetëm “nuk ka pasur gisht në formimin e saj”, por ajo as “nuk është në gjendje t’i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në të”. Lidhja e Prizrenit, theksonin njëzëri patriotët e këtyre viteve, ka për qëllim të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk drejtohet kundër kombeve të tjera të Ballkanit. “Lidhja Shqiptare, - shkruante më 1879 një atdhetar anonim nga Shqipëria e Mesme, - është lidhje kombëtare. Ajo nuk dëmton asnjë komb tjetër. Ajo dëshiron, kërkon dhe përpiqet me të gjitha fuqitë e saj të shpëtojë kombin e vet duke bashkuar Shqipërinë në një vilajet të vetëm autonom dhe të shkëputet nga prapambetja duke zhvilluar shkrimin në gjuhën e kombësisë së saj. Ajo dëshiron e kërkon të ketë paqe dhe ësi me të gjitha kombet që e rrethojnë. Ajo respekton e nderon të gjitha kombësitë e huaja dhe të gjitha gjuhët e tjera që mund të ndodhen në gjirin e saj”.

Më në fund, të gjithë autorët dhanë të njëjtin vlerësim për politikën e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen shqiptare. Të gjithë e dënuan njësoj Traktatin e Shën-Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Askush nuk pati iluzione se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin parasysh me vullnetin e tyre interesat kombëtarë të Shqipërisë. Ata qenë njëzëri të mendimit, se në kushtet e atyre viteve rreziku më imediat vinte nga politika pansllaviste ruse, se me synimet e veta ekspansioniste Perandoria Cariste kërcënonte jo vetëm ekzistencën e kombësisë shqiptare, por edhe atë të kombësive të tjera ballkanike, madje edhe ekzistencën e kombësive sllave të gadishullit. Sipas mendimit të përgjithshëm të atdhetarëve shqiptarë, e vetmja rrugëdalje nga situata dramatike, që kërcënonte jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian, ishte respektimi i parimit të kombësisë për tërë popujt. Në rast se Shqipëria do të copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli Ballkanik nuk do të kishte kurrë qetësi, pasi shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë nga lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi, theksonte Abdyl Frashëri, në rast se Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj, “do të vijë dita kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i Lindjes”.

Added (2008-09-04, 6:16 Pm)
---------------------------------------------
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit-1879)

Hovi që mori lufta për autonominë e Shqipërisë i dha gjithashtu një shtytje të fuqishme lëvizjes në fushën e arsimit e të letërsisë shqipe, të cilat tani synonin jo vetëm të ngrinin në një shkallë më të lartë ndërgjegjen atdhetare të masave popullore, por edhe të përballonin nevojat që shtronte zëvendësimi i administratës osmane me administratën shqiptare.

Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, u ndje më shumë se kurdoherë nevoja e ngutshme për të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe dhe për t’i dhënë fund anarkisë që sundonte në këtë fushë. Po ashtu, tani u ndje më shumë se më parë nevoja e ngutshme për të formuar një organizatë qendrore ose, siç thuhej atëherë, një shoqëri kulturore, e cila të merrte përsipër barrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe.

Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së vitit 1878 një komision të gjerë prej 25 vetash, i cili ngarkoi një komision të ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët.

Sikurse shprehej disa ditë më vonë Thimi Brandi në një letër që i drejtonte Jani Vretos, formimi i Komisionit Kulturor u përshëndet si një hap i rëndësishëm që “do të vinte themelet e gjuhës shqipe”. Por përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të formuar një shoqëri kulturore të ligjshme, e cila ta zhvillonte lirisht veprimtarinë e saj në Perandorinë Osmane, përsëri dështuan. Porta e Lartë dhe nën shembullin e saj Patrikana e Fanarit e kundërshtuan kërkesën e paraqitur prej tyre si për formimin e organizatës kulturore, ashtu dhe për botimin e një gazete shqip.

Ndërsa i vijuan përpjekjet për formimin e shoqërisë kulturore, atdhetarët u morën me çështjen e alfabetit. Në fillim të vitit 1879 para komisionit të alfabetit u paraqitën katër projekte të ndryshme për shkrimin e shqipes, të cilat u diskutuan duke pasur parasysh kriteret shkencore, politike e praktike që duheshin për gjuhën shqipe. Prej tyre komisioni miratoi projektin e Sami Frashërit, i cili ishte i ndërtuar sipas parimit fonetik (për çdo tingull një shkronjë) dhe sipas alfabetit latin, të plotësuar për tinguj të veçantë të shqipes me shkronja të huajtura nga alfabeti grek ose të sajuara nga autori. Projektet e tjera nuk u pranuan për arsye të ndryshme, ose pse mbështeteshin vetëm në alfabetin grek (J. Vreto), ose pse nuk i përmbaheshin parimit fonetik (P. Vasa), ose pse për përdorimin e tij duheshin shtypshkronja të posaçme (H. Tahsini).

Added (2008-09-04, 6:17 Pm)
---------------------------------------------
Në një letër që anëtarët e komisionit u dërgonin më 5 mars 1879 bashkatdhetarëve që banonin në Egjipt, i porositnin të përdornin, sikurse thuhet aty, “këtë alfabet (të cilin) ne shokë vëllezër shqiptarë... me një mendje, me një zemër, me një fjalë, vumë themeli për të shkruar gjuhën tonë shqipenë”. Ai shënonte një hap të madh përpara në fushën e lëvizjes kulturore dhe për rrjedhim pati një përhapje të gjerë në masën e shqiptarëve. Megjithatë, edhe ai nuk ishte shumë praktik, pasi shtypshkronjat duhej të pajiseshin dhe me disa shkronja të posaçme. Kjo e metë shkaktoi më vonë kundërshtime nga mjaft personalitete shqiptare, si pasojë e të cilave çështja e alfabetit të njësuar mbeti përsëri në rend të ditës.

Tre muaj më vonë, komisioni botoi veprën e parë me alfabetin e ri, me titull “Alfabetare e gluhësë shqip”, e cila përmbante, përveç alfabetit të Stambollit, disa shkrime mësimore të përgatitura nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e Koto Hoxhi.
Për të mos e acaruar më shumë pakënaqësinë e shqiptarëve, të cilët në këtë periudhë i kishte pushtuar vala e lëvizjes autonomiste, Porta e Lartë ngurroi të ndërhynte menjëherë kundër kësaj veprimtarie që po zhvillohej brenda në kryeqytetin e Perandorisë. Këtë rrethanë e shfrytëzuan atdhetarët shqiptarë, të cilët shpejtuan të formonin, pa lejen e qeverisë, edhe shoqërinë kulturore. Pas disa ditë bisedimesh paraprake, ata thirrën në Stamboll, më 12 tetor 1879, një konferencë të posaçme, e cila do të themelonte shoqërinë dhe do të miratonte statutin e saj, sipas projektit që kishte përgatitur Jani Vreto qysh në tetorin e vitit të mëparshëm.

Në konferencën e Stambollit morën pjesë 27 veta, të cilët përfaqësonin, aq sa lejonin rrethanat politike, popullsinë shqiptare të tri besimeve dhe të krahinave kryesore të vendit, që nga Kosova deri në Çamëri. Veç kësaj, ata vinin nga radhët e të gjitha shtresave shoqërore të Shqipërisë. Ndërmjet tyre kishte bejlerë çifligarë dhe intelektualë qytetarë, por shumicën dërrmuese e përbënin emigrantë me origjinë fshatare, të cilët kishin lënë vendlindjen për të punuar në kurbet. Krahas këtyre njerëzve të thjeshtë, aty morën pjesë edhe figurat më të shquara të Lidhjes së Prizrenit, të cilët ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Komitetit të Stambollit, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina etj.

Më 12 tetor 1879 konferenca vendosi themelimin e shoqërisë kulturore dhe miratoi kanonizmën (statutin) e saj, të cilën e nënshkruan të gjithë pjesëmarrësit. Zyrtarisht organizata u quajt “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, kurse shkurtimisht u bë zakon të thirret “Shoqëria e Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Kryetar i saj u zgjodh Sami Frashëri, kurse pjesëmarrësit e konferencës formuan këshillin qendror të shoqërisë.

Programi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip u shpreh në mënyrë të qartë në kanonizmën e saj. Ai nisej nga teza e shpallur qysh prej rilindësve të parë, se çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar është një komb i prapambetur. Prandaj qëllimi i shoqërisë ishte ta nxirrte popullin shqiptar nga prapambetja duke zhvilluar arsimin kombëtar dhe letërsinë shqipe. Ajo synonte të mobilizonte në këtë veprimtari të gjithë shqiptarët atdhetarë, kudo që ndodheshin, në atdhe ose në mërgim, duke i grumbulluar organizativisht, në degë krahinore të varura prej qendrës.

Ajo mendonte gjithashtu të krijonte një fond për të përballuar nevojat materiale të programit të saj. Fondi do të krijohej nga kuotizacionet e anëtarëve dhe nga të ardhurat që do të mblidheshin nga shitja e librave. Sapo të shtoheshin të ardhurat, thuhej në nenin 18, shoqëria do të pajisej me një shtypshkronjë, me anën e së cilës do të shtypte libra, gazeta e revista shqipe. Më vonë, thuhej në nenin 19, kur të ardhurat do të rriteshin më shumë, shoqëria do të ngrinte me shpenzimet e saj edhe shkolla shqipe. Këto shkolla do të ishin krejt të pavarura dhe do të formonin bërthamën e rrjetit arsimor kombëtar.

Krerët e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip iu përveshën punës për të zbatuar menjëherë programin e saj. Disa javë pas themelimit të shoqërisë ata shtypën në një shtypshkronjë të Stambollit kanonizmën e saj, të cilën e shpërndanë brenda e jashtë Shqipërisë. Në të njëjtën kohë u nis në Shqipëri një grup aktivistësh për të ndihmuar në formimin e degëve të Shoqërisë. Por gjatë vitit 1880 Porta e Lartë kaloi në reaksion të hapur kundër lëvizjes kulturore shqiptare. Administrata e saj ndërhyri me ashpërsi dhe me kërcënime për të ndaluar veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Ajo nuk dha leje as për botime librash, as për krijim degësh, as për ngritje shkollash shqipe.

Në të njëjtën kohë edhe përfaqësues të turkomanëve e të grekomanëve, të institucioneve klerikale islamike e ortodokse, ndërmorën një fushatë të egër kundër veprimtarëve të lëvizjes kulturore shqiptare. Peshkopi ortodoks i Drinopojës (Gjirokastrës) lëshoi një mallkim publik kundër shkrimit shqip. Hovi që mori lëvizja kulturore shqiptare shqetësoi jo vetëm kishën fanariote, por edhe qeverinë greke. Si pasojë e këtij shqetësimi, organet shtetërore të Athinës ndaluan në vjeshtën e vitit 1880 botimin e mëtejshëm të gazetës “I foni tis Alvanias” dhe filluan persekutimet kundër botuesit të saj, Anastas Kulluriotit.
Në këto rrethana Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip nuk pati mundësi ta zhvillonte veprimtarinë e saj kulturore brenda Perandorisë Osmane dhe ca më pak në Shqipëri. Madje ajo u detyrua të kalonte në ilegalitet. Ndjekjeve u shpëtoi vetëm dega e Shoqërisë së Shkronjëzave që u formua më 1880 në Bukuresht (Rumani), e cila më vonë luajti një rol të rëndësishëm për plotësimin e programit kulturor të Shoqërisë së Stambollit.

Added (2008-09-04, 6:17 Pm)
---------------------------------------------
Letërsia popullore dhe artistike

Një vend të rëndësishëm në lëvizjen kulturore të viteve të Lidhjes së Prizrenit zë letërsia popullore dhe artistike shqip.
Në letërsinë popullore një zhvillim shumë të begatshëm pati epika historike. Në qershor të vitit 1878, në ditët e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të Egjiptit vepra madhore e Thimi Mitkos “Bëleta shqiptare”, në të cilën qenë përfshirë mjaft këngë popullore historike të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga poetët anonimë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në hullinë e këtyre këngëve eci edhe vepritmaria popullore e viteve të Lidhjes së Prizrenit. Si më parë, edhe tani ajo pati për qëllim të përjetësonte në vargje ngjarjet tronditëse historike dhe të frymëzonte brezat e rinj për betejat e ardhshme. Por poezia popullore historike e kësaj periudhe dallohet nga ajo e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm për frymën e saj më të theksuar kombëtare. Uniteti kombëtar i shqiptarëve që krijoi Lidhja e Prizrenit në fushën politike, u pasqyrua kështu edhe në krijimtarinë popullore historike.

Sipas traditës, rapsodët popullorë krijimet e tyre letrare më monumentale ua kushtuan ngjarjeve historike më të shënuara. Në qerthullin e këtyre ngjarjeve tani nuk hynë vetëm momentet dramatike madhore, siç ishin përpjekjet e armatosura me armiqtë e tyre, por edhe momentet politike kulmore. Kështu, krahas këngëve epike që iu kushtuan luftës për mbrojtjen e Lëkurësit e të Gjashtës, të Plavës e të Gucisë, të Hotit e të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, të Slivovës e të Shtimjes, u thurën gjithashtu këngë historike për kuvendet e Prizrenit e të Gjirokastrës, të Gjakovës e të Frashërit, të Shkodrës e të Dibrës, madje edhe për forume të tilla ndërkombëtare, siç ishte Kongresi i Berlinit. Po ashtu, tani poetët anonimë u ngritën monumente në vargje jo vetëm kryetrimave që u shquan në fushën e luftës, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Isuf Sokoli, Col Delia, Çel Shabani ose Sef Kosharja, por edhe ideologëve ose udhëheqësve politikë të Lidhjes së Prizrenit, siç ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali pashë Gucia, Haxhi Ymeri (Ymer Prizreni) etj.

Të gjitha këngët popullore historike të këtyre viteve kanë karakter epik ose retorik. Pavarësisht se janë thurur nga rapsodë të viseve të ndryshme dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ato bashkohen qoftë nga boshti tematik, qoftë nga frymëzimi atdhetar. Nëpërmjet vargjeve të tyre të pasura me figura dhe shprehje poetike, autorët anonimë himnizojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi luftën atdhetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të njëjtën kohë ata stigmatizojnë herë me tallje, herë me sarkazëm armiqtë, kryesisht “shtatë krajlat” (gjashtë Fuqitë e Mëdha së bashku me Perandorinë Osmane), rreshtimi i të cilëve kundër Shqipërisë shkaktonte te shqiptarët jo frikë, por krenari.

Krenaria kombëtare, e lidhur ngushtë me besimin për të ardhmen, mbizotëron pothuajse në të gjitha këngët popullore historike të kësaj periudhe. Shqiptarët janë krenarë, sepse asnjëherë nuk i kanë lëshuar armët kundër sundimtarit osman: “Se Shqipnia e ka pas adet / Nga një pashë me mbyt për vjet!”, thuhet në një këngë popullore të këtyre viteve. Sef Kosharja nuk e ndien veten të turpëruar, si dikur kreshnikët mesjetarë, kur mareshali osman Dervish Pasha e dënoi me varje në majën e një lisi. Përkundrazi, ai është krenar se vdes për atdhe (“Po hije m’ka mue, o djemt’e mi / Se kam lanë shpirtin për Shqipni”). Në një këngë tjetër popullore, Dervish Pasha, pasi e shtyp Lidhjen e Prizrenit pyet: Ku ndodhet Sulejman Vokshi, që nuk po e kap dot? Ku u zhduk populli që shkon pas tij? Dhe rapsodi përgjigjet: Janë atje lart në bjeshkë, atje ku zbardhin retë dhe së shpejti do të takohen përsëri me të (“N’ato bjeshkë, te retë e bardha / Q’atje nelt, ku zbardhin ret’/ Kjoft kysmet do’i shihsh opet!”). As Abdyl Frashëri nuk e ndien veten të mundur ose të turpëruar kur kalonte përmes Manastirit i lidhur me hekura dhe i shoqëruar nga xhandarët osmanë, të cilët po e çonin në burgun e Prizrenit. Përkundrazi, këndon rapsodi popullor, “emiri i Shqipërisë” (“udhëheqësi” i Shqipërisë) iu drejtua me krenari e me optimizëm një konsulli të huaj, i cili qeshi me ironi kur e pa të lidhur me pranga: “Ne e mbollëm këtë farë / Po të tjerë shqiptarë / Do ta korrin më të mbarë!”.

Edhe letërsia artistike e këtyre viteve u dallua për karakterin më të theksuar kombëtar luftarak, për lidhjen e ngushtë me detyrat politike, për rolin më të fuqishëm edukativ atdhetar dhe për vëllimin më të pasur të krijimeve letrare.
Vrulli i lëvizjes atdhetare që shpërtheu gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit tërhoqi në fushën e letërsisë mjaft pena të reja, por shumica e krijimeve të tyre letrare mbetën të pabotuara. Përveç “Alfabetares” dhe “Kanonizmës” së Shoqërisë së Stambollit, të cilat ishin një përjashtim, Porta e Lartë nuk lejoi asnjë shkrim tjetër shqip që të botohej në Perandorinë Osmane. Por edhe jashtë kufijve të saj mundësitë e botimit ishin të kufizuara. Vetëm pak shkrime shqipe arritën të botoheshin në ndonjë organ periodik të jashtëm, siç ishte gazeta “I foni tis Alvanias” që dilte në Athinë, ose revista “Iris”, që shtypej në Bukuresht. Për të siguruar një përhapje më të gjerë në rradhët e bashkatdhetarëve, disa krijime letrare shqipe, siç ishte poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës dhe himni me titull “Marsejeza” i Thimi Mitkos, u botuan në fletë qarkulluese dhe u shpërndanë në atdhe me anën e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit.

Pati gjithashtu krijime letrare, të cilat u shpërndanë në dorëshkrim midis bashkatdhetarëve. Kështu ndodhi, për shembull, me poemën “Shqipëria”, të shkruar nga Naim Frashëri.
Lëvizja letrare shqipe u zhvillua kryesisht në gjininë e poezisë luftarake. Kjo u lidh me detyrat politike e kulturore më të ngutshme që shtroheshin para lëvizjes kombëtare në përgjithësi dhe Lidhjes së Prizrenit në veçanti. Si rrjedhim, tematika e rrahur prej saj ishte po ajo që trajtoi edhe letërsia politike e atyre viteve. Në çdo poezi spikat thirrja për bashkimin e shqiptarëve si një trup i vetëm pavarësisht nga dallimet fetare. Të gjithë autorët e tyre dënojnë armiqtë e atdheut - Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha, monarkitë ballkanike dhe institucionet klerikale. Të gjithë lëshojnë kushtrimin për të rrëmbyer armët jo vetëm për të fituar lirinë e Shqipërisë, por edhe për të mbrojtur tërësinë e saj tokësore. Në të njëjtën kohë ata ftojnë bashkatdhetarët e tyre për të shkruar gjuhën amtare, lëvrimin e së cilës e vlerësonin si një armë të fuqishme jo vetëm për përparimin e vendit, por edhe për thellimin e lëvizjes atdhetare.

Krijimi letrar më i frymëzuar i viteve të Lidhjes së Prizrenit dhe në të njëjtën kohë një nga poezitë më përfaqësuese të mbarë Rilindjes Kombëtare është poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës. Me një pasuri figurash poetike, me një patos romantik atdhetar dhe me një gjuhë të rrjedhshme, autori synon të ngrejë peshë zemrat e bashkatdhetarëve në luftë për lirinë e atdheut. Ai e fillon poemën e vet duke kundërvënë mjerimin e atëhershëm të Shqipërisë me madhështinë e saj të dikurshme. Shqipëria, këndon poeti, dikur zonjë e nderuar, nënë trimash të dëgjuar, të cilët në të kaluarën i kallnin tmerrin armikut, tani ishte e shtrirë përdhe si një lis i lartë, gjithkush e shkelte me këmbë trupin e saj dhe askush nuk e thoshte një fjalë të ëmbël për të. Pse ndodhte kjo? Kjo ndodhte, theksonte autori, jo se shqiptarët e kishin humbur trimërinë dhe atdhedashurinë e dikurshme, por se ishin të përçarë nga institucionet fetare, se ishin të ndarë nga krerët në njëqind “çeta” dhe, si rrjedhim, në vend që të bashkoheshin kundër armiqve, luftonin kundër njëri-tjetrit.

Pas tablosë dramatike, fillon shpërthimi epik i poetit atdhetar, i cili i fton shqiptarët të lënë mënjanë fetë, të bashkohen të gjithë si vëllezër, të lidhen të gjithë në një besë, të rrëmbejnë të gjithë armët dhe “Para se të humbasë kështu Shqipnia / Me pushkë në dorë le të vdesë trimnia”. Poema arrin pikën e vet kulmore kur autori lëshon thirrjen për të mbrojtur me çdo kusht tokën shqiptare: “Asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë / Kush mos e preki! Të vdesim të tanë! / Të vdesim si burrat qi diqen motit”.

Këtë kalim nga nota heroike për të kalurën në gjëmën elegjiake për të tashmen, e përdorën edhe autorë të tjerë të këtyre viteve, si Thimi Mitkoja, Naim Frashëri dhe Nikolla Çako, pasi u jepte dorë që të ndiznin me patos atdhetar zemrat e bashkatdhetarëve në luftën për çështjen e madhe të Shqipërisë.
Të gjithë krijuesit letrarë të periudhës së Lidhjes së Prizrenit janë krenarë për të kaluarën e shqiptarëve, e cila zë fill me pellazgët parahistorikë, ata krenohen për figurat e mëdha që kanë hyrë në historinë e njerëzimit, si Aleksandri i Maqedonisë, Pirroja i Epirit, sidomos Skënderbeu (që, siç theksonte Naim Frashëri, i dha “dërmën” Perandorisë Turke) ose Marko Boçari (që, siç shprehej Nikolla Çako, fitoi kundër “skllavërisë” osmane). Nëpërmjet këtyre evokimeve ata i përgjigjeshin në të njëjtën kohë atij opinioni konservator evropian, që e paraqiste kombin shqiptar si një popull pa histori. Madje, si poetë, ata reagonin më me pasion sesa si prozatorë, duke arritur deri në atë shkallë sa lashtësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk e shprehnin me argumente historike, por me hiperbola letrare (për Naimin Shqipëria ka qenë gjallë që kur u krijua bota, për Mitkon shqiptarët kanë lindur para se të formohej hëna).

Ashtu si Pashko Vasa, edhe poetët e tjerë e përshkruajnë gjendjen e Shqipërisë së atyre viteve me ngjyrat më të errëta. Ata kanë pika takimi edhe kur trajtojnë detyrat që shtroheshin para vendit. Ç’na duhet trimëria, theksonte Naimi, në qoftë se prej saj nuk fiton gjë Shqipëria? Madje, vijonte ai, sot Shqipëria ka nevojë jo vetëm për trimërinë e bijve të saj, por edhe për diturinë e tyre e në mënyrë të veçantë për lëvrimin e gjuhës amtare. Në një thirrje të vargëzuar Thimi Mitkoja u kujtonte bashkatdhetarëve se për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe për ta ndritur kombin e tyre, duhej të luftonin për tri çështje: për lirinë, për vetëligjësinë (autonominë) dhe për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç detyrës që ishte në rend të ditës - mbrojtja e trojeve shqiptare. Madje, të pushtuar nga patosi atdhetar, shpeshherë ata shkuan më larg se kërkesat që përmbante programi politik i Lidhjes së Prizrenit. Në shumicën e rasteve ata u bënë thirrje vëllezërve të tyre jo aq për “vetëligjësi”, sesa për “zbimin e Turqisë” dhe “lirinë e Shqipërisë”, si në kohën e Skënderbeut.

Karakteristikë tjetër e përbashkët e poetëve të këtyre viteve ishte optimizmi për të ardhmen e atdheut. Ashtu si në shkrimet politike, edhe në krijimet letrare autorët ishin të bindur se, me djem trima si ata që luftuan në Guci dhe me udhëheqës të ndritur si Abdyl Frashëri me shokë, Shqipëria e robëruar dhe e prapambetur do ta fitonte një ditë lirinë e humbur e do të hynte shpejt në rrugën e qytetërimit. Në një poezi greqisht, një poet anomin e shprehte optimizmin e vet për luftën e mëtejshme të shqiptarëve me këto katër vargje: “Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh / në Shqipëri, / Sa kohë që ata kanë moshën rinore / dhe shquhen për trimëri, / Sapo të vijë pranvera dhe tërfili / të mbijë përsëri, / Karejfili? i shqiptarit do të ushtojë / prapë për liri!”.

Added (2008-09-04, 6:18 Pm)
---------------------------------------------
7. LUFTA PËR REALIZIMIN E AUTONOMISË
DHE SHTYPJA E LIDHJES SË PRIZRENIT

Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së përkohshme (dhjetor 1880-janar 1881)

Pas dorëzimit të Ulqinit forcat politike shqiptare dhe veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përqendruan vëmendjen në dy çështje kryesore: në atë të pretendimeve greke ndaj Çamërisë dhe në problemin e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Në këtë periudhë u rrit më tej vendosmëria e shqiptarëve për të mos i lëshuar Greqisë asnjë pëllëmbë tokë të Çamërisë.
Të gjitha forcat atdhetare kishin qëndrim të njëjtë për këtë çështje, vijuan të kërkonin që Protokolli nr.13 të korrigjohej në mënyrë të tillë që Greqia të kënaqej jo me vise shqiptare, por me troje greke në Thesali.
Edhe Porta e Lartë, duke qenë e bindur se përdorimi i dhunës për t’i detyruar shqiptarët të hiqnin dorë nga Çamëria do të shkaktonte një kryengritje të re, me përmasa të mëdha në Shqipëri, po kundërshtonte zbatimin me forcë të këtij vendimi. Stambolli u përpoq të përfitonte nga zvarritja e çështjes së Çamërisë për të marrë masat për rivendosjen e autoritetit të tij të tronditur në Shqipëri dhe për të shtypur lëvizjen autonomiste. Megjithëse krahu i moderuar i Lidhjes Shqiptare hoqi dorë nga lufta për autonominë e Shqipërisë, atdhetarët radikalë e vazhduan atë më me forcë pas ngjarjeve të Ulqinit. Në një mbledhje të veçantë që u mbajt në Prizren në nëntor, në të cilën mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, u vendos që ky (Abdyl Frashëri) të nisej për në Stamboll për t’i paraqitur edhe njëherë Portës së Lartë kërkesën për bashkimin e vilajeteve dhe veç kësaj kryengritja kundërosmane të niste sapo të shihej se Porta e Lartë do të kalonte në sulm kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Qysh në javën e parë të muajit dhjetor 1880 Porta e Lartë filloi të kalonte shkallë-shkallë në sulm kundër lëvizjes autonomiste shqiptare. Goditjen e parë ua dha forcave atdhetare në Shkodër. Menjëherë pasi përfundoi dorëzimin e Ulqinit, Dervish Pasha u turr me egërsi të jashtëzakonshme kundër organeve të Lidhjes së Prizrenit në vilajetin e Shkodrës, të cilat arriti t’i shpërndante me terror, duke rivendosur pushtetin e administratës centraliste osmane. Mareshali turk u tregua më i egër me partizanët e lëvizjes autonomiste, sesa me pjesëmarrësit e luftës së Ulqinit. Më 11 dhjetor ai arrestoi pabesisht dhe internoi në Anadoll edhe figura të tilla si Hodo Sokolin e Preng Bibë Dodën, të cilët nuk morën pjesë në luftën e Ulqinit, por ishin përkrahës të kërkesave autonomiste, ndërsa Daut Boriçin e izoloi në Stamboll. Arrestime të tjera ndërmori ai në qytetin e Shkodrës.

Disa ditë më vonë Porta e Lartë e thirri në Stamboll Dervish Pashën dhe i ngarkoi detyrën të hartonte planin e një ekspedite të madhe ushtarake kundër Shqipërisë, për të shtypur në mbarë vendin Lidhjen Shqiptare dhe prirjen e saj për kryengritje të armatosur kundërosmane. Në relacionin që i paraqiti sulltanit më 27 dhjetor, Dervish Pasha kërkonte që lëvizja autonomiste shqiptare të shtypej para se të shpërthente një kryengritje e përgjithshme e armatosur dhe për këtë qëllim të dërgoheshin në Shqipëri 40 batalione ushtarësh me dy qendra drejtuese, njëra në Shkodër, tjetra në Shkup, që ekspedita ushtarake të fillonte në Veri dhe pas zgjidhjes së çështjes së Çamërisë të shtrihej edhe në Shqipërinë e Jugut. Në të njëjtën kohë sulltan Abdyl Hamiti II u drejtoi shqiptarëve një thirrje të jashtëzakonshme, ku i cilësonte të gjithë ata që kërkonin krijimin e një vilajeti të vetëm shqiptar si armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane.
Udhëheqësit shqiptarë i morën vesh synimet e Stambollit, prandaj i shpejtuan përgatitjet për organizimin e aksionit të armatosur autonomist. Sipas planit të tyre, ai do të fillonte në vilajetin e Kosovës, do të shtrihej menjëherë në vilajetin e Janinës dhe pastaj do të përhapej në viset shqiptare të dy vilajeteve të tjera.
Në Kosovë veprimet e armatosura filluan në sanxhakun e Prizrenit, qysh në muajin dhjetor 1880, me një varg sulmesh nga ana e fshatarëve kundër administratës osmane. Fill pas tyre u ngritën banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan nga qyteti mytesarifin e sanxhakut së bashku me nëpunësit e huaj. Këtu mbërriti në ato ditë edhe Abdyl Frashëri, që u largua fshehurazi nga Stambolli. Brenda pak ditëve qytete e krahina të tjera, si Shkupi, Gjakova, Luma e Gucia, u çliruan e u pastruan nga administrata perandorake dhe u bashkuan me pushtetin e ri që u ngrit në Prizren.

Vrulli i lëvizjes kundërosmane i nxiti udhëheqësit kryesorë të rrymës radikale, të grumbulluar në Prizren, të bënin hapat e parë për zbatimin e programit të tyre autonomist. Në fund të dhjetorit ata riorganizuan Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare, ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin edhe ndër themeluesit e saj, si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra etj. Komiteti Kombëtar mori vendime të rëndësishme: të përhapte kryengritjen kundërosmane në krejt vilajetin e Kosovës dhe të thërriste mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare për të formuar qeverinë e përkohshme.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare u mblodh në Prizren në fillim të dhjetëditëshit të dytë të muajit janar. Në Kuvend mbajti një fjalim programatik Abdyl Frashëri, në të cilin tha, midis të tjerave: “Porta e Lartë nuk do që të bëjë asgjë për Shqipërinë. Ajo i trajton me përbuzjen më të madhe si lutjet tona, ashtu edhe neve… Le të mendojmë e le të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim ndërmjet toskëve e gegëve. Të jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë një Shqipëri të bashkuar”. Me këtë formulim Abdyl Frashëri nënkuptonte krijimin e “një shteti autonom shqiptar”, i cili, nëse nuk do të njihej nga Stambolli dhe do të sigurohej me anën e kryengritjes së armatosur, do të shpinte vetvetiu në shpalljen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.

Në përfundim të punimeve Kuvendi i Jashtëzakonshëm miratoi, me pak ndryshime, Komitetin Kombëtar të mëparshëm të Lidhjes Shqiptare. Duke marrë parasysh detyrën e re që shtrohej para vendit - zëvendësimin e administratës osmane me administratën shqiptare autonome - Kuvendi e veshi organin qendror të Lidhjes Shqiptare me funksione të plota pushtetore. Për këtë qëllim ai e shpalli Komitetin Kombëtar qeveri të përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin, nënkryetar Shuaip Spahiun dhe me dhjetë anëtarë, midis të cilëve ishin Abdyl Frashëri, i ngarkuar për punët e jashtme dhe Sulejman Vokshi, i ngarkuar për punët ushtarake.
Fill pas formimit të saj qeveria e përkohshme u përpoq ta përhapte flakën e kryengritjes çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të Kosovës e të shtrinte pushtetin e saj në gjithë vilajetin e Kosovës dhe shkallë-shkallë edhe në tre vilajetet e tjera shqiptare. Në të njëjtën kohë ajo iu përvesh organizimit të forcave ushtarake. Brenda pak ditëve u formuan njësi ushtarake të rregullta dhe pranë tyre reparte shëtitëse që do të shërbenin ku ta lypte nevoja. Në viset e çliruara u ngrit menjëherë administrata shqiptare, e cila hyri nën vartësinë e qeverisë së përkohshme të Prizrenit.

Lëvizja e armatosur autonomiste u përhap me shpejtësi edhe në viset e tjera të vilajetit të Kosovës. Në saje të përkrahjes që gjetën në masat popullore, repartet e Lidhjes Shqiptare të komanduara nga Sulejman Vokshi, më 4 janar shtinë në dorë Shkupin, më 18 janar çliruan pa luftë Prishtinën (kryeqendrën e vilajetit) dhe më 25 janar Mitrovicën. Ndërkohë u lidhën me qeverinë e përkohshme edhe qytetet e tjera të vilajetit të Kosovës, si Peja, Ferizaj, Vuçiterna etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan nga të gjitha këto qendra, ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta turke u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat hekurudhore në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qendër në Shkup mori urdhër të mos transportonte trupa e municione për ushtrinë turke.

Në shkurt autoriteti i qeverisë së përkohshme u shtri në Tetovë, në Gostivar e në Dibër. Në Dibër dëbimi i nëpunësve turq ndeshi në kundërshtimin e feudalëve sulltanistë, që kryesoheshin nga Sadik pashë Hoxholli, të cilët, duke mos pasur mbështetje në popullsinë vendase, thirrën në ndihmë dy batalione turke nga Manastiri. Qeveria e përkohshme e Prizrenit dërgoi në Dibër Abdyl Frashërin, që u vendos drejtpërdrejt në selinë e prefekturës, para së cilës u mbajt një miting i madh. Duke iu përgjigjur thirrjes së Abdylit, që në fjalën e tij u kërkoi dibranëve të bashkoheshin me qeverinë e përkohshme, popullsia e Dibrës së Sipërme, qytetarë e malësorë, dëboi më 19 shkurt mytesarifin turk dhe vendosi pushtetin e Lidhjes Shqiptare. Dibra u lidh kështu me qeverinë e përkohshme.

Porta e Lartë u përpoq t’i mbyste me anën e censurës lajmet mbi ngjarjet tronditëse që po zhvilloheshin në Kosovë. Madje jo vetëm shtypi turk, por edhe shtypi ndërkombëtar nuk botoi asgjë mbi këto ngjarje. Atdhetarëve shqiptarë nuk u mbeti asnjë mjet në dorë për të njoftuar zhvillimin e lëvizjes autonomiste, përveçse letrave personale që shkëmbenin fshehurazi ndërmjet tyre. Në një letër të tillë që Sami Frashëri i dërgonte nga Stambolli Jeronim de Radës në Itali në valën e këtyre ngjarjeve, më 20 shkurt 1881, shkruante: “Lidhja e Shqiptarëve që ka kërthizën në Prizren, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë, që nga tre vjet e tëhu, bashkimin e Shqipërisë me një provincë me autonomi; po mbretëria gjer më sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë shqiptarët e kuptuan fort mirë që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, dhe Lidhja e Prizrenit ka nevojë të bashkojë Shqipërinë e ta bënjë një me autonomi, a mbase me shkëputje fare pas punësë. Kështu Lidhja mori emrin e guvernës së përdorme (qeverisë së përkohshme - shën. i aut.) dhe përzuri guvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizreni, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10 000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupin dhe udhënë e hekurtë; 10 000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një kryengritje të madhe në Shqipëri”.

Në të vërtetë, në fund të shkurtit qeveria e përkohshme arriti të shtrinte autoritetin e saj në katër nga pesë sanxhakët e vilajetit të Kosovës (me përjashtim të Novi Pazarit): në të Prizrenit, të Pejës, të Shkupit e të Prishtinës. Pushteti i ri u krijua nëpërmjet shndërrimit të komiteteve të mëparshme të Lidhjes në organe pushteti në çdo sanxhak. Po kështu ndodhi edhe me komitetet e kazave që vareshin nga ato të sanxhakëve.
Qeveria e përkohshme synonte ta shtrinte kryengritjen e armatosur çlirimtare në krejt viset shqiptare, në vilajetin e Shkodrës, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një kujdes të veçantë i kushtoi ajo sanxhakut të Dibrës, si një hallkë që lidhte gjithë trevat shqiptare.

Veprimtaria e qeverisë së përkohshme u përqendrua në ngritjen e forcave të armatosura shqiptare, në vendosjen e rendit publik, në organizimin e administratës së re e sidomos të gjykatave shqiptare (që u krijuan në çdo sanxhak duke zëvendësuar ato osmane), në krijimin e një buxheti të shtetit shqiptar, nëpërmjet përqendrimit në duart e Lidhjes të taksave shtetërore.
Krahas veprimeve ushtarake, të cilat çuan në çlirimin e shpejtë të vilajetit të Kosovës dhe të disa viseve të vilajetit të Manastirit, qeveria e përkohshme i kushtoi kujdes të veçantë edhe ngritjes së pushtetit të ri shqiptar. Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga funksionarët turq, por edhe nga ata sulltanistë shqiptarë. U morën masa të rrepta kundër veprimeve arbitrare dhe shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm. Duke i dhënë një rëndësi të madhe vendosjes së një qetësie shembullore, organet e Lidhjes Shqiptare ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e arratisur. Masa të rrepta u morën gjithashtu edhe kundër parisë reaksionare, që u përpoq të minonte pushtetin e ri me veprimtarinë e saj armiqësore. Mjaft prej përfaqësuesve të saj u arrestuan. Për sukseset që pati pushteti i ri i vendosur nga Lidhja Shqiptare në viset e Kosovës, kryekonsulli austro-hungarez raportonte nga Shkodra, më 5 mars 1881, midis të tjerave: “ ... Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga Lidhja; gjyqtar është një qytetar i Prizrenit; taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të Lidhjes; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. Lidhja ka kujdes për mbajtjen e rendit qoftë në qytet, qoftë në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull se ç’ishte në kohën kur administratën e drejtonin funksionarët e sulltanit”.

Sukseset që arriti lëvizja çlirimtare në Kosovë ngjallën një entuziazëm të madh në radhët e atdhetarëve shqiptarë. Madje shumë prej tyre filluan të shpresonin se me këtë hov që po merrte aksioni revolucionar çlirimtar po krijohej mundësia për të fituar jo vetëm autonominë e Shqipërisë, por “mbase”, siç shprehej Sami Frashëri ato ditë, edhe shkëputjen e saj të plotë nga Perandoria Osmane. Në këto rrethana qarqet atdhetare filluan të mendonin edhe për formën e qeverisjes që duhej të kishte shteti i ardhshëm shqiptar. Lidhur me formën e regjimit, opinioni publik shqiptar anonte kryesisht nga regjimi monarkist. Ai e përfytyronte Shqipërinë e lirë si një principatë a si një mbretëri me një fisnik shqiptar ose të huaj në krye. Sipas këtij koncepti, Shqipëria nuk duhej të bënte përjashtim nga vendet e tjera të Ballkanit që u formuan si shtete monarkiste. Përkrahësit e regjimit republikan ishin më të pakët. Ndër ta u shqua Sami Frashëri, i cili propozonte për Shqipërinë një zgjidhje origjinale, një republikë me një kryesi kolegjiale. “Në u bëftë dot Shqipëria më vete, - shkruante Sami Frashëri në letrën e përmendur drejtuar De Radës, - nuk do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë që të na rrjepnë e të na pinë gjaknë. Vendi ynë mund edhe do të guvernohet (të qeveriset - shën. i aut.) prej një farë dhimokratije, prej pleqet”. Kjo pikëpamje për të vendosur në Shqipëri një regjim republikan me një presidencë kolegjale përfaqësonte mendimin më përparimtar të shprehur deri atëherë nga lëvizja demokratike shqiptare.

Pas sukseseve që korri lëvizja në vilajetin e Kosovës e në sanxhakun e Dibrës, pritej që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të vendit. Në të vërtetë, në Shqipërinë e Jugut atdhetarët prisnin çastin e përshtatshëm për t’u hedhur në veprim. Shenjën do ta jepte Abdyl Frashëri në varësi të ecurisë të bisedimeve turko-greke dhe të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Meqenëse këtu Porta e Lartë kishte përqendruar forca ushtarake të mëdha për të përballuar një sulm të mundshëm nga ana e Greqisë, qeveria e përkohshme e Prizrenit filloi të përgatiste reparte vullnetarësh për të ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës, sapo këta të hidheshin në veprim. Por pikërisht ato ditë u krijua një gjendje ndërkombëtare shumë e ndërlikuar, e cila e pengoi shtrirjen e lëvizjes në viset jugore.

Ngjarjet e reja në Shqipëri, të cilat po çonin në prishjen e status quo-së në Evropën Juglindore, pra në ndryshimin e hartës politike të Kongresit të Berlinit, shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Shqetësimin e tyre e rriti më tej qëndrimi i Greqisë, e cila, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, filloi ta kërcënonte Perandorinë Osmane me luftë për ta detyruar që t’i lëshonte asaj Çamërinë e Thesalinë. Ndërlikimet e mëdha që po krijoheshin në Gadishullin Ballkanik nga sukseset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i detyruan Fuqitë e Mëdha të ndërhynin energjikisht për t’i detyruar Stambollin e Athinën që t’i jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek, me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart të lira për të shtypur Lidhjen e Prizrenit dhe kryengritjen e saj të armatosur.

Për t’i bërë ballë këtij komploti ndërkombëtar që po organizohej kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit u orvatën përsëri të siguronin një pikëmbështetje të jashtme. Rastin ua dha Greqia me gatishmërinë e saj për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare me Abdyl Frashërin në krye, u kthyen te projekti i tyre i vjetër për të lidhur një aleancë politike e ushtarake me Greqinë, sipas së cilës, në përfundim të luftës së përbashkët kundër Stambollit, Athina do të aneksonte provincën greke të Thesalisë, kurse shqiptarët do të fitonin pavarësinë kombëtare në kufijtë e tyre etnikë, duke përfshirë këtu edhe viset shqiptare të Çamërisë.

Në fillim qeveria e Athinës u tregua e interesuar për bisedimet shqiptaro-greke, të cilat u zhvilluan në Korfuz. Por shpejt u pa se ajo nuk kishte hequr dorë nga platforma e saj, që parashikonte aneksimin e vilajetit të Janinës nga Greqia dhe bashkimin e Shqipërisë me Greqinë në formën e një shteti dualist. Veç kësaj, ndërsa vijonin bisedimet e Korfuzit, presioni i Fuqive të Mëdha ndaj Stambollit dhe Athinës u rrit aq shumë, sa Porta e Lartë e qeveria greke u detyruan të bënin lëshime dhe t’i jepnin fund grindjes rreth kufirit të tyre të ri. Sipas protokollit, që u nënshkrua më 27 mars 1881, Perandoria Osmane pranoi t’i lëshonte Greqisë pjesën më të madhe të Thesalisë, afërsisht deri në lumin Selemvria dhe një pjesë shumë të vogël në këndin juglindor të Epirit, konkretisht qytetin e Artës së bashku me rrethinat e tij. Ky vendim i Fuqive të Mëdha u mor për shkak të qëndresës gati trevjeçare të Lidhjes Shqiptare, e cila luftoi me vendosmëri për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare në vilajetin e Janinës (Epir).

Qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare dhe ndërhyrjet e konsujve të tyre kundër lëvizjes autonomiste ushtruan një ndikim negativ në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Shqipërinë e Jugut. Veç kësaj, me nënshkrimin e marrëveshjes turko-greke, Athina nuk dëshironte më trazira në vilajetin e Janinës. Madje tani lindi rreziku që, sapo të shpërthente kryengritja autonomiste në Shqipërinë e Jugut, Greqia t’i sulmonte shqiptarët prapa krahëve për të bërë aneksimin e vilajetit të Janinës. Në këto rrethana atdhetarët shqiptarë të viseve jugore ngurruan të fillonin veprimet kryengritëse kundër Portës së Lartë.

Added (2008-09-04, 6:19 Pm)
---------------------------------------------
Betejat e fundit të Lidhjes dhe shtypja e saj (prill 1881)

Sapo u bind se çështja e kufirit turko-grek po hynte në rrugën e zgjidhjes, Porta e Lartë mendoi se tashmë i kishte duart të lira për të shtypur me forcë lëvizjen autonomiste shqiptare. Për këtë qëllim, disa ditë përpara se të nënshkruhej protokolli i marrëveshjes së kufirit, ajo i dha urdhër Dervish Pashës që të vinte në zbatim planin e ekspeditës ushtarake kundër Shqipërisë. Atij iu dha grada e kryegjeneralit dhe detyra e kryekomandantit të Rumelisë, domethënë të forcave të armatosura të dislokuara në vilajetet e Kosovës, të Manastirit, të Janinës, të Shkodrës e të Selanikut. Ekspedita e tij, e përbërë nga 30 batalione, do të ndihmohej edhe nga garnizonet ushtarake të vendosura në qytetet e Kosovës. Ekspedita do të kishte edhe 7 gjeneralë të tjerë nën komandën e Dervish Pashës.
Goditjen e parë ushtria osmane ia dha Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Shkup, të kryesuar nga Jashar bej Shkupi. Ky komitet, ndryshe nga ata të qyteteve të tjera te Kosovës, nuk preku as administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit. Ai nuk pengoi gjithashtu futjen e forcave të tjera ushtarake osmane më 27 shkurt 1881 dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës si komandant i garnizonit. Më 23 mars Ibrahim Pasha thirri në selinë e tij 11 anëtarët e Komitetit të Lidhjes për Shkupin me Jashar bej Shkupin në krye, të cilët i arrestoi pabesisht.

Pushtimi i Shkupit, pati rëndësi të madhe për forcat osmane, pasi për nga madhësia dhe pozita strategjike qyteti ishte një pikëmbështetje e fortë për zhvillimin e ekspeditës së tyre në mbarë vilajetin e Kosovës. Për këtë arsye, gjatë ditëve të mëvonshme u shpërngulën nga Selaniku në Shkup forcat kryesore të ekspeditës ushtarake osmane (30 batalione me rreth 20 mijë ushtarë). Më 7 prill 1881 arriti edhe vetë Dervish Pasha, i cili vendosi këtu shtabin e vet. Në të njëjtën kohë aty u shpall shtetrrethim

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Copyright MyCorp © 2024