http://www.bysantral.com/hacked.jpg Mbreteria Dardane - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
Fr, 29-March-24, 2:30 AM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main Mbreteria Dardane - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » Mbreteria Dardane
Mbreteria Dardane
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 6:37 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Mbreteria Dardane

Materiali i meposhtem eshte nje permbledhje nga Historia e Shqiperise mbi Mbreterine Dardane.

MBRETËRIA E DARDANISË

Mbretëria Dardane doli në skenën historike në shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.sonë Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake. dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 e.sonë. Mëvehtësia e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që në vitin 279 e.sonë të krijohej njësia e veçantë administrative-politike romake, Provinca e Dardanisë.

Territori dhe popullsia

Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek.III p.e.sonë, në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.

Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi.
Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit, fushave pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës së përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria Dardane në shek.IV-II p.e.sonë njohu lulëzimin më të madh.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve, galabrëve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim, fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.sonë, mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë. Në shek.V p.e.sonë këto fise banonin në hapësirën midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë) dhe Timakus (Timok).

Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë, lidhet me glosën indoevropiane dardh -a, shqip: dardha, dhe do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si Naissus-Nish, Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani, si Scardus mons (Mali Sharr), Drinus (Drini) etj.

Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire. Në epokën e hekurit, ata formuan një kulturë me veçori lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta me kulturën ilire. Vendbanimet në këtë kohë janë ngritur në kodra gjeostrategjike, pranë burimeve të qëndrueshme ekonomike. Vendbanimet rrethohen me ledhe prej dheu, përforcohen me gjerdhe, apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat gradina, gadisha e gradisha, disa prej tyre që banuan edhe në antikitetin e vonë e në mesjetë, njihen me toponimet gjytet dhe kala.
Deri në shek. IV p.e.sonë varrimi kryesor është bërë në nekropole tumulare, si në gjithë trevën tjetër ilire. Në fazat e hershme të epokës së hekurit ka edhe varrime me urna - kultura Bërnicë (shek. XI-IX p.e.sonë).

Dardania paraurbane

Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në protohistorinë dardane gjatë shek. VI-IV p.e.sonë. Në këtë fazë protourbane fuqizohet aristokracia fisnore, e cila akumulon pushtetin, duke krijuar kështu bazë për një shtresë të ardhshme skllavopronare.
Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.sonë shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët sollën në trojet dardane importe të shumta luksoze për të plotësuar nevojat e aristokracisë vendëse gjithnjë në rritje.
Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua nga mesi i shek.V p.e.sonë. Zejtarët poçarë, prodhonin enë me çark sipas traditës vendëse dhe sipas modeleve helene.

Vendbanimet e fazës protourbane gjenden ende në kodra, por me elemente më të avancuara arkitektonike, siç janë themelet me gurë e me lidhje të thatë. Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë të vendosjes së tyre rrëzë kodrave apo në rrafsh, gjë që bëhet tipike në fazën vijuese, me krijimin e qendrave urbane.
Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës së hershme ilire.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 6:39 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Dardanët në shek. IV p.e.sonë.

Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane

Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte bërë asokohe fuqia politike-ushtarake më e madhe në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.sonë ai sulmoi edhe shtetin ilir.

Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedon kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.

Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi të fuqishme. Dardania asokohe përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore, që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u nxitën, në radhë të parë, nga politika e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet ësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në mënyrë të vazhdueshme dardanët.

Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.sonë “mbreti i dardanëve” kishte dërguar delegatë te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh në luftën kundër keltëve.

Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve, nëpër të cilën deshën të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin e invazionit të keltëve.

Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III p.e.sonë. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve, dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte një forcë politike-ushtarake e fuqishme. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i sundimtarit të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjët jugorë.

Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër: gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht kufijtë e saj në veri e në jug.

Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve maqedonë kundrejt fqinjëve të tyre iliro-veriorë dhe në mënyrë të veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët herëpashere janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë, dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.

Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë, luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedon për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonë u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.sonë, duke përfituar nga rasti që shteti ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir, “një pjesë e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”.

Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise. Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që kalonte mbretëria maqedone sulmuan tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i Maqedonisë Demetri II.

Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi në duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja e re e krijuar nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni mundi të nxirrte dardanët jashtë Maqedonisë e Paionisë dhe nga të gjitha viset që kishin pushtuar në vitet e fundit të sundimit të Demetrit II. Në qytetin paion Bylazora, në luginën e lumit Aksios, maqedonët vendosën një garnizon të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një rëndësi të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur në luginën e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën në drejtim të Maqedonisë. Një forcim i tillë i maqedonëve në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq më tepër kur në brigjet perëndimore të Adriatikut kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika e Romës kishte ardhur në kontakt me Maqedoninë. Kjo gjendje herët a vonë do t’i çonte të dyja palët në luftë.

Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë burimet e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë sundimit të këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen e krijuar në Paioni, as me pretendimet hegjemoniste të Maqedonisë. Në vitin 219 p.e.sonë, kur Filipi V ndodhej në Peloponez ushtria dardane çliroi atë pjesë të Paionisë që mbanin të pushtuar maqedonët dhe bashkë me të edhe qytetin Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste luftën në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij në kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit. Forcimi i kufirit verior të mbretërisë maqedone dhe zotërimi i Bylazorës, që sipas Polibit do ta vështirësonte hyrjen e dardanëve në Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre të fundit. Në një pasazh të Livit tregohet se sundimtari maqedon u kthye përsëri në vitin 211 në kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia në pjesën jugperëndimore të Dardanisë, dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit) një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme e sulmeve të dardanëve.

Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri me shtetin maqedon gjatë sundimit të Filipit V, pavarësisht që nuk arritën të zgjidhnin në favor të tyre çështjen e vartësisë së paionëve, e dobësuan mjaft Maqedoninë dhe u bënë një pengesë serioze për realizimin e ndërhyrjeve ushtarake që synonin rivendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi. Për Mbretërinë Dardane u krijua një situatë e favorshme në konfliktin me Maqedoninë pas agresionit të Filipit V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208 p.e.sonë, dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin e një krahine ilire juglindore, sulmuan Maqedoninë. Ndërsa ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në qytetin Lyhnid dhe në zonën përreth tij, ushtria dardane zbriti deri në Orestidë, një krahinë në kufirin jugperëndimor të Maqedonisë. Kësaj radhe, duke bashkëpunuar me forcat ilire të Dasaretisë, ushtria dardane kaloi nëpër Pelagoni në kufirin perëndimor të mbretërisë maqedone.

Futja e ushtrive ilire në tokat e shtetit maqedon dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga ana e ushtrisë së dardanëve e detyruan mbretin maqedon të hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi, bënë që Filipi “të tërhiqej edhe nga lufta kundër romakëve dhe e vunë përpara domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë e vet”. Me këto ngjarje të fundit duhet të lidhet edhe një lajm i Justinit, sipas të cilit “dardanët kishin filluar të shkretojnë krahinat kufitare të Maqedonisë dhe kishin marrë 20 mijë robër”. Më pas, vazhdon ai, Filipi V duke analizuar situatën e vështirë në të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi që fushatën e parë ta bënte kundër dardanëve, sepse ata përbënin një kërcënim serioz dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake. Për zbatimin e këtij vendimi ai luftoi kundër dardanëve në vitet 208 e 206 para e.sonë.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 6:40 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i dardanëve në shek. III-II p.e.sonë

Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.sonë u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibari) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim lumi Drin e mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.

Për mungesë të dhënash burimore nuk e njohim ende mirë organizimin e brendshëm të Mbretërisë së Dardanëve.
Nga të dhënat burimore të derisotme, që janë të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin se dardanët nuk arritën atë zhvillim ekonomik e shoqëror dhe atë organizim politik e shtetëror që patën shtetet fqinje bashkëkohëse të Ilirisë së Jugut e të Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë se dardanët qenë në një shkallë të tillë të zhvillimit që përjashtonte praninë tek ata të një organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e strukturës shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane, e lindur mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka qenë thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht luftërat me Maqedoninë.

Nuk është vetëm “etja për plaçkë” ajo që i shtynte dardanët në luftë me maqedonët. Luftëra plaçkitëse nuk ka bërë vetëm Mbretëria Dardane, ato i kanë bërë në Greqi edhe sundimtarët maqedonë, sikurse edhe më vonë komandantët romakë. Luftërat dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën e dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por duhet thënë se në kohën e lulëzimit të saj edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste, kryesisht kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.

Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria Dardane, ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej nga mbretërit, të cilët janë përpjekur të mbrojnë interesat e shtetit të tyre edhe nëpërmjet lidhjeve martesore.
Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror ishte i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte fuqinë ushtarake të të gjithë dardanëve. Nga ato pak burime që njihen, del se ushtria dardane ka qenë një ushtri e rregullt, e organizuar mirë, në bazën e së cilës qëndronte falanga me tetë mijë luftëtarë. Ajo ishte një ushtri e përbërë nga këmbësorë të armatosur rëndë, që manovronte në luftë sipas një taktike të veçantë. Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria dardane po tërhiqej nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone; “dardanët, - shkruan Tit-Livi, - kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullta përballë armikut, beteja u zhvillua njëlloj si në një luftë të vërtetë”. Dhe më poshtë ai shton: “Por sapo dardanët viheshin në rrugë, njerëzit e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë e këmbësorinë e tyre të lehtë, kurse dardanët nuk kishin ushtri të këtij lloji dhe ishin ngarkuar me armë të rënda...

U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen”. Një ushtri e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore. Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.sonë mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një ushtri prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni, ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë robër, kurse në betejën e vitit 170 p.e.sonë kundër Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë. Këto shifra të larta, të cilat tregojnë fuqinë ushtarake të Mbretërisë Dardane, edhe pse mund të duken të tepruara, bashkë me të gjitha veprimet luftarake të saj, janë dëshmi e pranisë së një organizimi shtetëror në Dardani.

Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike të prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë mbështetur në radhë të parë në zhvillimin e bujqësisë. Rrafshinat e Dardanisë kanë qenë pjellore dhe të përshtatshme për të gjitha degët e bujqësisë. Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë, ka bërë që te dardanët të mbizotërojë popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet karakteri rural i popullsisë. Një burim me vlerë për të njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe format e pronësisë tokësore te dardanët në shek. III p.e.sonë janë të dhënat e Agatharkidit. Në veprën e tij “Evropaikon”, ai shkruan se “dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte një mijë... kurse një tjetër edhe më shumë. Secili nga këta [skllevër] në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet”.

Duke pranuar mendimin e përgjithshëm se me termin dulloi=skllevër, duhet kuptuar një popullsi fshatare e varur, vërtetohet prania te dardanët e një shtrese të pasur që zotëronte prona të mëdha tokësore dhe të një popullsie të shpronësuar, e cila kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm “skllevërit” që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e luftës. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që në luftën e vitit 216 p.e.sonë ushtria dardane mori me vete 20 mijë robër nga Maqedonia. Por kjo nuk ka qenë forma e vetme e pronësisë së tokës në Mbretërinë Dardane. Te dardanët ka pasur edhe një shtresë të fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët bashkë me zejtarët e lirë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit.

Edhe gjatë pushtimit romak, kur skllavëria si sistem ekonomiko-shoqëror u përhap në një shkallë të gjerë, fshatarët e lirë mbetën një forcë e madhe në provincën e Dardanisë. Një degë gjithashtu e rëndësishme në jetën ekonomike të dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve. Në mungesë të të dhënave të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet marrë parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere në kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve dhe e metalpunuesve dardanë.

Nga mesi i shek. IV p.e.sonë disa nga vendbanimet e fortifikuara të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane. Ato u ngritën pranë xeherorëve ose në rrafsh e në udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte një prej qyteteve të hershme, i cili u ngrit afër minierave të argjendit rreth shek. V p.e.sonë. Në njoftimet fragmentare të autorëve antikë ato quhen me termat polis, urbs, oppidum. Straboni përmend si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake, Novobërda etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë, përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu, autor i shek. II e. sonë përmend katër qytete të vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë: Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.

Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike mund të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të tilla, si vegla pune, stoli e prodhime qeramike që janë zbuluar në disa qendërbanime të fortifikuara dhe që janë prodhime vendase, dëshmojnë për transformimin e tyre në qendra zejtare. Monedhat maqedone, ato të Damastionit e të qyteteve Dyrrah e Apoloni etj., si edhe objekte të ndryshme të importuara duhen marrë si tregues të këmbimit mall-para dhe të një veprimtarie tregtare mjaft të gjerë që arrinte deri në Adriatik e në detin Egje.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 6:41 PM | Message # 4
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Mbretëria Dardane në luftën kundër Romës

Pas pushtimit të Paionisë e të Maqedonisë nga romakët marrëdhëniet e dardanëve me ta ndryshuan. Që nga kjo kohë për parinë sunduese dardane u bë e qartë se me romakët nuk kishte vend më për bashkëpunim, i cili nuk u kishte sjellë përveç dëmeve, asnjë përfitim. Në kufijtë jugorë vendin e shtetit maqedon e kishte zënë Roma, synimet e së cilës për nënshtrimin e plotë të ilirëve nuk mund të fshiheshin. Tradhtisë së romakëve dardanët iu përgjigjën, në fillim me sulme kundër viseve të pushtuara prej tyre ose duke mbrojtur kundërshtarët e Romës.

Më vonë, pas largimit të skordiskëve, të cilët me sulmet e tyre kishin dobësuar Mbretërinë Dardane, dardanët u radhitën në luftë kundër romakëve përkrah fqinjëve të tyre lindorë, medëve. Veprimet e përbashkëta të medëve e të dardanëve, për disa dekada e penguan depërtimin e ushtrisë romake në viset e tyre. Ekspeditat e ndryshme romake të viteve 97 e 85 p.e.sonë gjetën një qëndresë të fortë te medët e dardanët dhe përpjekjet për t’i nënshtruar jo vetëm që nuk patën sukses, por përfunduan me humbje për Romën. Në vitin 84 dardanët bënin pjesë në fiset ballkanike që duke sulmuar provincën romake të Maqedonisë arritën deri në Delf. Për komandantët e mëkëmbësit romakë u bë e qartë se dardanët ishin kundërshtarë të fortë dhe për nënshtrimin e tyre duheshin forca të mëdha ushtarake dhe një përgatitje e veçantë për luftë në të cilën objekti kryesor i goditjes do të ishin dardanët.

Këto masa i mori konsulli romak Gai Skribon Kurioni, i dërguar në vitin 76 p.e.sonë në provincën e Maqedonisë në krye të pesë legjioneve. Me këto operacione luftarake Roma donte të arrinte nënshtrimin sistematik të fqinjëve veriorë të provincës maqedone. Kryengritja që bëri njëri nga pesë legjionet fill pas zbarkimit në Iliri tregon se në qarqet ushtarake të Romës jehona e ekspeditave të dështuara kundër dardanëve dhe qëndresa e këtyre të fundit ishin një fakt tanimë i njohur. Frontini shkruan në Stratagemat, se “kur në luftën e Dardanisë, njëri nga pesë legjionet, e vendosura në rrethinat e Dyrrahut ngriti krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se nuk kishte ndërmend të ndiqte komandantin e paarsyeshëm dhe një ekspeditë të vështirë e të rrezikshme, Konsulli G. Kurioni, urdhëroi katër legjionet të dilnin të armatosura dhe të radhiteshin në formacion luftarak me armë të zhveshura”.

Katër legjionet e sjella nga Kurioni dhe ushtria romake që ndodhej në provincën e Maqedonisë sulmuan Mbretërinë Dardane dhe u futën në Dardani. Burimet e shkruara romake nuk japin të dhëna të drejtpërdrejta për atë se si u zhvillua kjo “luftë me dardanët”, që qe një luftë e vërtetë për nënshtrimin e Dardanisë, si dhe për përfundimin e saj. Por dihet se ushtria romake ka gjetur një qëndresë të fortë dhe u soll mizorisht me dardanët.

Kujtimi i masakrave romake në Dardani u ruajt për një kohë të gjatë. Në shek. IV e.sonë Amian Marcelini, duke shkruar për dënimet me dhjetim që perandori Valentinian i dha ushtrisë së tij, e krahasonte atë me mizorinë e Skribon Kurionit në Dardani. Ky i fundit pas kësaj lufte arriti me ushtrinë e tij deri në Danub dhe më vonë festoi edhe triumfin në Romë. Por në burimet e shkruara dardanët dalin edhe më vonë si kundërshtarë të romakëve. Në bazë të këtyre të dhënave kuptohet që edhe pas ekspeditës së Kurionit nuk ndodhi një nënshtrim i plotë i Dardanisë, por më tepër një varësi nëpërmjet së cilës dardanët kishin disa detyrime kundrejt romakëve.

Disa ngjarje të mëvonshme tregojnë se dardanët edhe pse të dobësuar nga luftërat kundër romakëve dhe nga pasojat e tyre, vazhduan të kundërshtonin politikën pushtuese të Romës.


 
mhg-crewDate: Th, 04-September-08, 6:43 PM | Message # 5
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 915
Reputation: 12
Status: Offline
Organizimi i mbretërisë dardane

Mbretëria dardane kishte një ushtri të rregullt, të madhe, me këmbësorinë dhe kalorësinë. Nga historia mësojmë se dardanët kishin mbretin i cili nuk e drejtonte i vetëm. Për krah tij ishin miqtë e mbretit, burrat më të mençur, drejtuesit e ushtrisë me komandantin e kalorësisë, komandantin që ruante kufijtë e mbretërisë, përfaqësues në mbretëri të tjera fqinje etj. Ajo që ne njohim më mirë në fazën e parë të organizimit të mbretërisë dardane, është organizimi i ushtrisë si dhe zhvillimi i zejtarisë. Megjithëse në Dardani ka mbizotëruar popullsia fshatare, në të ka qenë e zhvilluar edhe jeta qytetare. Qendër-banimet e fortifikuara ose gradinat e Kosovës, të zbuluara në një numër relativisht të madh, tregojnë qartazi mbi zhvillimin e jetës urbane të kësaj periudhe. Duke i krahasuar me qendrat e fortifikuara të mbretërisë ilire ato sapo kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave të vogla qytetare.

Mbretëria dardane gjatë sundimit të Longarit

Longari është sundimtari i parë dardan që ne njohim me emër, i cili çliroi Paioninë në vitin 231 para Krishtit. Në fund të shekullit III para Kr. ushtria dardane së bashku me ushtrinë ilire arritën të çlirojnë disa krahina, të cilat më parë ishin pushtuar nga maqedonasit. Në këtë betejë dardanët kapën 20000 robër. Sipas burimeve historike, dardanët kishin krijuar një mbretëri të fuqishme në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë ata forcojnë ësinë me shtetin ilir. Mbretëria dardane dhe ajo ilire të shqetësuara vazhdimisht nga ushtria ekspansioniste maqedonase, lidhën aleancë me Romën për të mbrojtur kufijtë e mbretërive. Më pas dardanët me mbretin e tyre Longar, zhvilluan luftime me mbretërinë maqedonase së bashku me mbretin ilir Skerdilaidin dhe Republikën e Epirit. Gjatë mbretërimit të Longarit, dardanët njohën një zhvillim shumë të madh ekonomik dhe ushtarak në Ballkanin Qendror. Tashmë ata kishin një ushtri të rregullt të organizuar dhe të armatosur. Kjo vërehet mjaft qartë në betejën që vuri përballë njëra-tjetrës ushtrinë e armatosur rëndë të dardanëve, kundër kalorësisë së lehtë të stërvitur mirë të maqedonasve, e cila përfundoi pa fitoren e asnjërës palë. Taktika që përdori ushtria dardane në këtë betejë bëri që ajo të mos kishte humbje dhe të mos mbetej asnjë rob në duart e ushtrisë maqedonase.

Mbretërit Bato dhe Monun

Historia e mbretërisë dardane në periudhën e sundimit të mbretit Bato dhe Monun është e lidhur në planin diplomatik me aleancat që ky shtet kishte me shtetin ilir dhe Romën. Kjo aleancë antimaqedonase shprehet mjaftë qartë në vitet 200-176 para Krishtit. Në këtë periudhë dardanët e futën në koalicionin antimaqedonas në aleancë me Romën dhe mbretëri të tjera, të cilat kishin qenë seriozisht të kërcënuara nga mbretëria maqedonase. Tek Livi përmendet në vitin 200 para Krishtit, Batoja, i biri i Longarit, si mbret i dardanëve. Ai thotë.....erdhën mbretër të ndryshëm e prijës fqinjë të maqedonasve, midis të cilëve Pleurati, i biri i Skërdilaidit dhe Batoja i biri i Longarit. Filipi V i Maqedonisë duke ndjerë rrezikun e humbjes së luftës me dardanët që tashmë kishin sulmuar mbretërinë maqedonase, thirri në këtë luftë një fis barbar i cili jetonte në veri të Danubit, që njihen me emrin bastarnëve, të cilëve ju premtua që pasi të shkatërronin dardanët të vendoseshin në tokat e tyre. Tit Livi shkruan se, qëllimi i Filipit ishte...që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ky plan më pas u realizua nga i biri Perseu.

Vendbanimet, kultura dhe veshjet

Shfaqja e një serë vendbanimesh buzë luginave të lumenjve, në periudhën e Bronzit (2100-1200 para Krishtit), shpjegohet me krijimin e një tërësie etno-kulturore gjeografike që shtrihet në territorin e Kosovës antike. Riti i varrimit, kultura materiale si dhe mjaft elementë të tjerë përbërës, tregojnë se banorët e kësaj treve në shek. XII-VIII para Krishtit, kishin krijuar një njësi etnografike e kulturore të përbashkët. Nisur nga materiali arkeologjik i zbuluar mendohet se, gjatë kësaj periudhe në Ballkanin Qendror, në Dardani, është krijuar një njësi etnografike që ka karakteristikat e veta kulturore, të cilat reflektohen dhe në zbukurimet e veshjeve. Kjo veçori e përgjithshme, përkrah shumë shenjave të tjera, dëshmon se rruga e formimit të etnosit ilir në truallin e Dardanisë nuk është e veçantë nga zhvillimi i kulturës ilire në përgjithësi. Historianët e kohës antike kanë shkruar se Dardania kishte shumë qytete të mëdha që ndodheshin afër minierave ose pranë rrugëve kryesore tregtare. Dardanët ishin dhe zejtarë shumë të zotë sa prodhimet e tyre u njohën dhe në vende të tjera të lashta të botës mesdhetare.

Mbretëria dardane në shekullin IV-I para Krishtit

Mbretëria dardane shtrihej në territorin e sotëm të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriperëndimore, në Serbinë Jugore dhe një pjesë të Sanxhakut. Dardanët, ashtu si dhe ilirët e tjerë u bashkuan 2400 vjet më parë në mbretërinë e tyre.
Ku shtrihej mbretëria dardane
Treva ku u formua mbretëria dardane ndodhej në zemër të Ballkanit dhe është trualli ku historianët e vjetër kanë vendosur fisin e madh të dardanëve. Ky rajon në kohën e lulëzimit të mbretërisë dardane arrinte në veri deri në lumenjtë e Agros (Morava e Ibari) dhe qyteti Nais, në kufirin me autoriatët e skordiskët. Në jug mbretëria dardane shkonte deri te rrjedhja e lumit Axios (Vardar) duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Ndërsa në lindje, lumi Margos (Morava Përëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia. Në përëndim lumi Drin dhe mali i Sharrit e kufizonin nga trualli i shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet territorit të sotëm të Kosovës.

Si shprehet një historian i vjetër për dardanët

…dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte njëmijë….kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta (skllevër) në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet.

Beteja e udhëhequr nga Monuni

Beteja e zhvilluar në vitin 176 para Kr. e udhëhequr nga i biri i Longarit, Monuni, ishte shumë dramatike. Ja si përshkruhet kjo nga Tit Livi...Posa mësuan këtë tërheqje, e cila i la bastarnët vetëm me forcat e tyre, ata (dardanët) i ndanë trupat në dy ushtri, njëra prej të cilave duhej të marshonte drejt armikut dhe ta sulmonte në ballë, ndërsa tjetra do ta sulmonte nga prapa pasi të sillej nëpër rrugë të fshehta. Por beteja filloi para se kjo ushtri t’i dilte prapa armikut dhe dardanët të mundur u tërhoqën në qytet, i cili nuk ishte veçse dymbëdhjetë milje larg lëmit të bastarnëve. Fituesit e rrethuan menjëherë qytetin, të bindur se armiqtë do të dorëzoheshin që të nesërmen nga frika, ose do ta pushtonin menjëherë me anë të forcës. Ndërkohë, ushtria tjetër e dardanëve, që e kishte bërë rrugën e vet, duke mos ditur humbjen e së parës, e gjeti pa mbrojtje lëmin e bastarnëve dhe e shtiu në dorë pa asnjë mundim. Ja se çfarë shkruhet për një nga betejat që zhvilloi mbreti i dardanëve me ushtrinë maqedonase, më të fortën e asaj kohe: Tit Livi.....kur dardanët kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullt përballë armikut, beteja u zhvillua si një luftë e vërtetë….

……U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu rob, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen. Në këtë kohë mbretëria dardane ishte mirë e organizuar, gjë që reflektohet në disa drejtime. Ekonomia dardane e bazuar në zejtari, bujqësi dhe blegtori ishte integruar në qarkullimin tregtar të vendeve të Mesdheut.

Prodhimet bujqësore dhe blegtorale në Dardani

Prodhimet bujqësore apo blegtorale si dhe argjendi dardan ishin shumë të rëndësishëm për qytetet ilire të bregdetit Adriatik si, Dyrrahu dhe Apollonia dhe më gjerë. Rruga që lidhte dardanët me ilirët e bregdetit ishte padyshim ajo e Drinit. Nëpërmjet saj qytetet ilire të Scodrës (Shkodrës) dhe Lisit (Lezhës) bënin tregti me qytetet dardane. Po ashtu të dhënat historike për këtë periudhë tregojnë se në mbretërinë dardane kishte marr hov rritja e jetës qytetare, si p.sh. në qytete si Domastioni, Uskana, Draudaku etj. Njëkohësisht kishte filluar zbatimi i programit të ndërtimit të një sërë kështjellave, të cilat do të mbronin tërë territorin e mbretërisë. Natyrisht, programe të tilla mund të realizoheshin vetëm nga një mbretëri e organizuar mirë, e cila administronte resurset natyrore dhe potencialin ekonomik të shtetit.


 
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » Mbreteria Dardane
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Copyright MyCorp © 2024