http://www.bysantral.com/hacked.jpg Historia mbi udhëheqësin e panjohur Gjin Marku-n - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
Fr, 19-April-24, 1:23 PM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main Historia mbi udhëheqësin e panjohur Gjin Marku-n - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » Historia mbi udhëheqësin e panjohur Gjin Marku-n
Historia mbi udhëheqësin e panjohur Gjin Marku-n
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:38 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Gjin Marku, që nga grupet e para komuniste deri në çetën e Pezës

“Gjin Marku kishte lindur më 2 qershor 1918 (në dokumente është shënuar dy vjet më vonë, 1920), në fshatin Baz, në një familje me emër në atë krahinë. Kur vdes i ati i Gjinit, Pjetër Marku, miku i këtij të fundit, Hysen Selmani, si dhe byrazeri i tij, Abaz Kupi, e marrin Gjinin 9-vjeçar dhe e dërgojnë në Tiranë, në “Strehën Vorfënore”. Këtu Gjini mori mësimet e para të fillores dhe arsimit 5-vjeçar. Në vitet 1932-1936, Gjin Marku mbaron shkollën e mesme teknike “Harry Fultz” po në Tiranë dhe më vonë në Kavajë (vetëm dy muaj), në degën e Bujqësisë. Pas mbarimit të shkollës emërohet agronom në rrethin e Korçës. Në vitin 1945, pas luftës, Gjini, si shumë drejtues të tjerë të luftës, caktohet për të kryer studimet në fushën ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Ai ishte nga të paktët studentë nga Shqipëria që vazhdoi akademinë “Voroshillov” në Moskë. Kjo akademi ishte shkollë që nxirrte specialistë të nivelit më të lartë në fushën ushtarake dhe strategjike në të gjithë botën e asaj kohe. Studimet në këtë akademi Gjini i vazhdoi për tre vjet dhe iu ndërpre e drejt e studimit në vitin e fundit, 1948-1949, për shkak të përplasjeve që pati në Kongresin I të PKSH-së, në nëntor 1948”.

Angazhimi në luftë

Sapo u emërua në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaqo e Pilo Peristeri etj., etj., Gjin Marku njihet edhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës. Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi fashizmi ishte konsideruar rrezik për njerëzimin shumë vite më parë (sidomos kur Partia e Musolinit në Itali, e sidomos kur Partia Nacional-Socialiste e Adolf Hitlerit kishte ardhur në pushtet në Gjermani).
Gjin Marku ka qenë pjesëmarrës shumë aktiv që në fillimet e lëvizjes antifashiste e kjo duket në pjesëmarrjen e tij në demonstratë e më vonë dhe në formimin e njësiteve e çetave partizane. Në vitin 1940 formohet dega e Grupit të Korçës në Tiranë, duke shënuar dhe zgjerimin e veprimtarisë antifashiste e komuniste të këtij grupi. Shumë veta kalojnë në ilegalitet, ku njëri prej tyre ishte edhe Gjini.
Në dokumentet e kohës të zyrës Mbretnore të Policisë dhe të Kuesturës Fashiste, personat kryesorë, si: Gjin Marku, Vasil Shanto, Mihal Duri, Gaqo Nasto, Niko Llagi, Ali Reci, Ferit Xhajku, Kajo Karafili etj., ishin në ndjekje nga organet e pushtetit fashist të vendosur në Shqipëri që më 7 prill të vitit 1939.
Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut në vitin 1941 e në vazhdim ka qenë intensive dhe e shumanshme. Përveç dëshmive, këtë e mësojmë dhe në dokumentet e kohës që po analizojmë, kryesisht në ato dokumente ku bëhet fjalë jo vetëm për veprimtarinë e tij, por dhe ndjekjen e vazhdueshme të tij nga karabinieria dhe regjimi fashist. Me 8 nëntor 1941 formohet Partia Komuniste Shqiptare, ku Gjin Marku, një nga themeluesit kryesorë të saj, zgjidhet një ndër anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste Shqiptare.

Organizata e Pezës

Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare u zgjodh Komiteti Qendror Provizor, i cili kishte si detyrë parësore organizimin e Partisë në të gjithë vendin, për të luajtur rolin e saj në organizimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në këtë kuptim u përcaktua si përparësi formimi i organizatave bazë të Partisë Komuniste Shqiptare, veçanërisht pranë çetave territoriale që kishin filluar të krijoheshin në këtë kohë. Premisat për ta bërë një gjë të tillë, për të formuar një organizatë partie, ishin krijuar edhe në Pezë. Përveç kësaj, ky organizim kishte një rëndësi të posaçme edhe se Peza ishte një zonë e përshtatshme për të qenë një bazë shumë e rëndësishme e veprimtarisë antifashiste të udhëhequr nga PKSH-ja. Realisht kështu ndodhi. Komiteti Qendror Provizor ngarkoi Gjin Markun për të ndjekur dhe drejtuar këtë mbledhje themeluese në Pezë pranë çetës. Në takimin themelues morën pjesë 8 luftëtarë të kësaj çete: Vasil Shanto, Mihal Duri, Ferit Xhajko, Pandi Nashi, Baki Staria, Loni Grazhdani, Qazim Prishtina dhe Zoi Themeli, me në krye të deleguarin e KQ-së së PKSH-së, Gjin Marku.

Dëshmia

Ish-luftëtari i kësaj çete, Sali Verdha, shprehet se “i ishte bërë qejfi kur kishte parë ish-shokun e shkollës së “Harri Fultz”-it, Gjinin, si të deleguar të PKSH-së në Pezë. “Mbledhja vazhdoi me debate dhe punën për gjatë dy ditëve; nga data 8-10 dhjetor 1941. Në fillim kandidaturë për sekretar të organizatës u propozua Vasil Shanto. Ky propozim u hodh poshtë nga Gjini, duka sqaruar se Vasili ishte më i madh se sekretar organizate, pasi ishte komisari i kësaj çete. Pas kësaj ndërhyrjeje u propozua Mihal Duri si sekretar dhe u miratua njëzëri nga pjesëmarrësit. Zëvendëssekretar u zgjodh Pandi Nashi. Më vonë kjo organizatë u rrit me shpejtësi, ndërsa komandanti Myslim Peza u bë komunist vetëm pas çlirimit, në vitin 1951”, - dëshmon Sali Verdha. Kështu u formua organizata e parë e Partisë Komuniste Shqiptare dhe fati ose diçka tjetër deshi që të ishte Gjin Marku përfaqësues i Komitetit Qendror Provizor të PKSH-së.

Përtej Pezës

Peza u bë “shkollë” dhe trampolinë për t’u hedhur gjetiu në luftë. Pas transformimit të çetës së Pezës në një çetë partizane, ajo u kthye në një bazë shumë të rëndësishme të Luftës Nacional Çlirimtare. Për këtë Sali Verdha kujton: “Edhe unë u bëra pas dy muajsh komunist. Të gjithë drejtuesit kryesorë të PKSH-së, jo vetëm vinin në Pezë për të dhënë orientime e për të bërë plane, por këtu në Pezë ata vinin edhe për të mësuar artin ushtarak; veçanërisht mësonin përdorimin e armëve të ndryshme, bënin qitje të ndryshme etj. Kështu, edhe Gjin Marku, para se të shkonte në Qarkun e Beratit, aty ku e caktoi Komiteti Qendror i PKSH-së, ndenji disa ditë në Pezë dhe pastaj u hodh për një mision të gjatë në Berat”. Verdha thotë se “Gjini i njihte të gjithë luftëtarët e çetës së Pezës, komandantin Myslim Peza, por mikun më të ngushtë ka pasur Mihal Durin”.

Vlerësime

At Zef Pllumbi: “Gjin Marku, një nga komandantët-strategë ma të aftë”

“Gjeneral Gjin Marku ishte një njeri me emën në Shqipni. Që në rininë e parë kje nji nga aktivistat ma në za të grupeve komuniste të shpërndame në të gjithë vendin. Që në fillimet e saj, që u quejt “Lufta Nacional-Çlirimtare”, ai kje nji ndër komandantat-strategë ma t’aftë… Cilsitë e tij fizike, morale e shpirtnore e bajshin atë udhëheqës karizmatik, sado që origjina e tij katolike, veriore, ashtu si ajo e Zef Malës dhe e Tuk Jakovës, ishte e papëlqyeshme për kopilin e bimbashit turk të Gjinokastrës. Në moshën e tij të re kishte dhe pjekuni politike. Ai e konsideronte luftën si mjetin ma t’fundit në zgjidhjen e mosmarrveshjeve njerzore dhe aty ishte trim i cartun. Por para asaj gjendje lufte, parapëlqente bashkëjetesën paqsore dhe kompromisin. Ishte udhëheqës me ndjenja njerëzore, që donte ma shumë jetën se vdekjen”….

Anët e panjohura të një gjenerali

Duke filluar që nga numri i sotëm, gazeta sjell anët e panjohura të gjeneralit Gjin Marku, një nga figurat më të spikatura dhe më pak të njohura për nga vlerat të Luftës Antifashiste dhe në vitet e para të pasçlirimit. Përmes një studimi të plotë të historianit Gjet Ndoj, vijnë në biografinë “Gjin Marku dhe lufta” të gjitha këto mistere, të cilat do t’ua servirim lexuesve ditë pas dite. Profili i gjeneralit, që ishte nga përkrahësit e grupeve komuniste të Korçës, pjesëmarrës në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941, plotësohet në këtë monografi me dokumente arkivore, dëshmi të bashkëkohës


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:38 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Si u çlirua Skrapari nga çeta e Gjin Markut dhe Mestan Ujanikut

Në dhjetor të vitit 1941 Gjin Marku caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e atdheut. Kjo veprimtari organizative e luftës kryengritëse antifashiste e Gjin Markut përfshiu në fillim territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e deri në Skrapar e më gjerë. Kur shkoi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristaq Capon, Kristo Isaku, Kristaq Tutulanin etj. Bazat e para të organizimit të luftës u hodhën pikërisht në qytet. Puna u fillua shpejt, me aktivizimin e intelektualëve, të të rinjve të Beratit si dhe formimin e celulave komuniste dhe të njësiteve guerile. “Në fillimin e shkurtit 1942, në lagjen “Mangalem” u formua e para celulë partie për qarkun e Beratit. Në të morën pjesë Gjin Marku, i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë, Kristaq Capo, Kristo Isaku, Nure Dobruzha e Xhoxhi Bojaxhi. Pak më vonë u kooptuan dhe dy shokë të tjerë: Vasil Lacka dhe Thoma Bello. Për drejtimin e celulës u caktua Kristo Isak. Pas transferimit të Kristos në Korçë, në vend të tij u zgjodh Kristaq Capo. Përveç kësaj celule u formuan dhe celula të tjera, si në Murat Çelepi, me sekretar Iliaz Sevranin. Ndërsa celula e tretë qe ajo e Gorricës, me sekretar Kristaq Tutulanin. Për suksesin e aktivitetit antifashist në këtë qytet, por dhe në të gjithë qarkun e Beratit, pati një rëndësi vendimtare caktimi nga Gjini dhe bashkëpunëtorët e tij të disa bazave ilegale ku do të bëheshin takime, mbledhje dhe plane operacionale në kuadër të luftës antifashiste. Këto natyrisht u caktuan pranë familjeve të aktivistëve më të besuar dhe më të devotshëm. Në qytetin e Beratit deri në shtatorin e vitit 1943 numëroheshin mbi 30 baza ilegale. Disa nga familjet e para që shërbyen si baza ilegale që në fundin e dhjetorit 1941 dhe janar-shkurt 1942 kanë qenë:
- Në Kala: shtëpia e Kristaq Capos, Cac Dollanit, Vasil Sallabandës, Koço dhe Dhimitër Briskut etj.
- Në “Përrua”: shtëpia e Argjiro Lekës, Jani Gjecit, Muhamet Meqemesë etj.
- Në Mangalem: shtëpia e Kristaq Priftit, Kol Myzeqarit etj.
- Në Gorricë: shtëpia e Kristaq e Margarita Tutulanit, Nikollaq Sallabandës, Pali Pacukës etj.
- Në Murat Çelepia ishin shtëpitë e Orhan Frashërit, Ejet Xhindollit dhe të Luan Qafzezit.
Njohja me Mestan Ujanikun
Pas kësaj veprimtarie fillestare, por themelore, që do t’i shërbente për gjithë kohën suksesit të veprimtarisë antifashiste në qarkun e Beratit e më gjerë, Gjin Marku e shtriu këtë veprimtari edhe në zonat e fshatrave në të gjithë qarkun. Kjo veprimtari ka të bëjë me ngritjen e njësive luftarake legale si çeta partizane, batalione, grupe e deri në formimin e Brigadës VII Sulmuese në fillim të vitit 1944. Siç do të shohim, epiqendra e kësaj veprimtarie jo vetëm për qarkun, por për gjithë Shqipërinë, do të bëhet Skrapari me zonat përreth tij si Gramshi, Frashëri e Dangëllia, Gorë-Opari, Kuçova, Dumreja etj.
Në Berat Gjini u njoh edhe me situatën dhe gjendjen në Skrapar, duke u orientuar shpejt në planin organizativ në të gjithë rajonin. Nëpërmjet Kristo Isakut dhe dy arsimtarëve nga Skrapari, Nuro Dobruzha dhe Tajar Grepcka, Gjin Marku u njoh me çetën e Mestan Ujanikut, një grupim territorial kaçakësh, e cila ishte e tillë deri në mars të vitit 1942.
Që në bisedën e parë ku u fol për transformimin nga një çetë territoriale në një organizatë me program antifashist, komandant Mestani e shikoi me shumë simpati Gjin Markun për frymën antifashiste dhe atdhetare që manifestonte dhe sidomos për shkak të një mënyre komunikimi shumë interesante që kishte i ngarkuari nga qendra.
Pas këtij momenti, më 14 mars 1942, çeta u transformua nga çetë territoriale, në çetë patriotike-partizane, komandant i së cilës do të ishte deri në fund Mestan Ujaniku, ndërsa komisar Gjin Marku.
Me formën e re që mori çeta, me flamur në dorë shëtitën në shumë fshatra të Skraparit. Gjatë këtyre lëvizjeve Gjin Marku përcillte mesazhe antifashiste e patriotike, ndërsa mënyra e komunikimit tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar. Në lidhje me këtë marrëdhënie shumë të çuditshme të Gjinit me popullin e Skraparit, Skënder Malindi thotë: “Kjo, ndër të tjera, ndodhi edhe për arsyen se dy trevat, Skrapari e Mirdita, ngjasojnë në shumë gjëra, zakone e tradita me njëra-tjetrën. Për një kohë shumë të shkurtër Gjini fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në këtë kuptim fjala e tij ishte ligj”.
Ky autoritet dhe gatishmëria e atij populli (Skraparit) për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe udhëzimeve antifashiste të Gjin Markut, organizimi i njësive luftarake antifashiste etj., përbënin tashmë një shqetësim, jo vetëm për komandot e njësitë ushtarake fashiste në Çorovodë e Berat, por një shqetësim serioz për autoritetet fashiste italiane deri në Tiranë.
Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashist e Gjin Markut u shtri jo vetëm në qarkun e Beratit që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë-Fier-Mallakastër, por dhe jashtë tij, si: në Vlorë, Tiranë etj. Këtë veprimtari e faktojnë edhe dokumentet e asaj kohe. Kështu, në një letër të Guiseppe Paglierit, gjeneral brigade, komandant epror, që i dërgon Ministrisë së Brendshme, thuhet: “Kallëzohet se nuk është e pamundur që në rrethanën e krijuar… katundarët, të nxitur nga turbullonjës, të bëjnë një demonstratë kundra regjimit shqiptar dhe Italisë. U muarn masat e vëzhgimit”.
Çlirimi i Skraparit
Në këtë situatë, për goditjen e bazave tashmë të rëndësishme në Skrapar, komanda fashiste nga Tirana planifikojnë dhe dërgojnë njësi milicësh të armatosur të inkuadruar në një kompani prej 63 vetash. Filluan reprezaljet kundër këtyre bazave partizane, dogjën shumë shtëpi, mes tyre dhe shtëpinë e komandantit të çetës së Skraparit, Mestan Ujanikut. Pastaj kompania e milicisë fashiste u përqendrua në fshatin Mëlovë, me synimin që më vonë të rrethohej dhe të asgjësohej çeta dhe drejtuesi i saj, Gjin Marku. Por si kundërpërgjigje ai mobilizoi çetën dhe fshatarët e asaj zone dhe ishte ai që e futi në rrethim kompaninë e milicisë fashiste. Në mëngjesin e një fund-gushti të vitit 1942, kompania fashiste, e gjendur mes krismave dhe e rrethuar nga të gjitha anët prej forcave të njësitit, u detyrua që të dorëzohej. Gjini në këto kushte i mblodhi fashistët mes fshatit dhe u mori armët. Ata nuk u pushkatuan. Nuk u mori as para e as plaçkë. Atyre iu përcoll mesazhi se “ne luftojmë për liri. Ju o të mashtruar nuk duhet t’i shërbeni më fashizmit, pasi herë tjetër nuk ju falim”.
Alarmi në Tiranë
Pas këtij momenti, alarmi në Tiranë u bë akoma më i madh, pasi jo vetëm nuk e çarmatosën çetën, por u çarmatosën prej saj. Pas kësaj situate të re, Gjini nuk ndenji duarkryq, por mori masa duke i organizuar skraparllinjtë dhe duke sulmuar Çorovodën tashmë, qendrën e Skraparit. Pas disa luftimeve autoritetet fashiste (numri i forcave fashiste i kalonte 600) të shpartalluar, e dorëzojnë Çorovodën me 5 shtator 1942, duke shënuar në këtë mënyrë një eveniment të rëndësishëm të Luftës sonë Antifashiste, pasi çlirimi i Skraparit shënonte dhe zonën e parë të çliruar nga fashizmi në Shqipëri.
Kjo qe ngjarja më e madhe e luftës për vitin 1942 në Shqipëri. Edhe mëkëmbësi fashist në Shqipëri, Jakomoni, në shënimet e tij përmendte se “gjendjen më të vështirë Italia e kishte në Skrapar”. Të njëjtën gjë thotë edhe komandanti i Përgjithshëm i Karabinierisë fashiste në Shqipëri, gjeneral Volante. Të njëjtën gjë thotë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Italisë në Romë, gjeneral Kavalero. Duke iu referuar të dhënave të tilla, në nëntor 1942 foli dhe Radio Londra, duke bërë të ditur se në Shqipëri ka veprime luftarake kundër regjimit fashist italian etj.
Shqipëria, aleate kundër fashizmit
Si konkluzion mund të themi se fjalët e këtyre eksponentëve të fashizmit, pa dashje popullarizuan dhe bënë të njohur luftën tonë edhe jashtë Shqipërisë, luftë e cila tashmë ishte futur në një fazë të re, më intensive dhe më interesante. Pas çlirimit të Çorovodës, çeta e Skraparit bëhet shumë aktive duke vepruar tashmë dhe jashtë Skraparit si në Berat, në Kolonjë, ku shkatërroi postën e karabinierisë. Po kështu, në Cesarakë e Barmash të Kolonjës, në Frashër të Përmetit etj. Më 28 nëntor 1942 rreth 100 partizanë të Skraparit, nën frymën dhe udhëheqjen e Gjin Markut dhe me komandantin Gjelal Staravecka, që drejtonte një çetë tjetër të rëndësishme në Skrapar; sulmohet Përmeti, një nga bazat më të rëndësishme të fashizmit në Shqipëri. Inkursioni partizan drejt Përmetit, pavarësisht se nuk solli çlirimin e tij, pati një jehonë edhe jashtë vendit. Kështu, deri në fund të vitit 1942, në gjithë Jugun, komandant me famë ishte Mestan Ujaniku, ndërsa komisar ishte Gjin Marku. “Do të kalonte edhe ca kohë pastaj të njiheshin persona të tjerë drejtues të luftës si, Hysni Kapo, Mehmet Shehu etj.”, - kujton veterani Skënder Malindi. Ngjarjet e vitit 1942, sidomos çlirimi i Skraparit dhe sulmi partizan mbi Përmet, ndryshuan gjithë mendimin tek aleatët se Shqipëria nuk ishte vendi që përdorej nga fashistët për të sulmuar fqinjët, por se shqiptarët ishin rreshtuar në luftë kundër tij. Për këtë arsye, në dhjetor të vitit 1942, ministri Jashtëm i Anglisë, Eden, sekretari amerikan i Shtetit, Hill dhe ministri i Jashtëm sovjetik, Molotov, njohën luftën që bëhej kundër fashizmit në Shqipëri dhe projektuan idenë se Shqipëria pas luftës do të njihej nga aleatët. (Këto fakte përmenden edhe në kujtimet e oficerëve anglezë që patën ardhur më vonë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare).
Në pikëpamjen strategjike ushtarake, rëndësinë më të madhe çlirimi i Skraparit e pati të lidhur me faktin se u krijua një territor i lirë, që do të ishte baza më e rëndësishme strategjike e forcave antifashiste të Shqipërisë. Nga kjo trevë e lirë e patriotike do të kishte më vonë inkursione të forcave partizane drejt Përmetit, Korçës, Beratit, Mallakastrës, Fierit, Lushnjës etj. Ndikimi i skraparllinjve dhe i Gjin Markut në formimin e Brigadës I, Brigadës VII, por dhe e shumë formacioneve të tjera antifashiste, do të ishte përcaktues. Në këtë pikqpamje në qoftë se themi se kemi pasur një luftë antifashiste shqiptare, e themi pa hezitim se “djepi” ku lindi kjo lëvizje është Skrapari. Natyrshëm, më vonë kjo lëvizje çlirimtare zhvillohet dhe merr përmasa edhe jashtë Skraparit, sidomos në vitin 1943 e në vazhdim.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:39 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Pse u refuzua aksioni ballisto-partizan për çlirimin e Beratit

Enveri i shkruante Gjin Markut për qëndrimin që duhet të mbante ndaj Ballit Kombëtar: “Insistoni në popull që Balli ka sabotuar luftën tonë”

Në vitin 1942 Skrapari bëhet vendi ku lindi e u frymëzua Lëvizja Balliste. Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje ishin intelektualë skraparllinj si Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani etj. “Megjithëse skraparllinj, - tregon Skënder Malindi, - nuk mundën asnjëherë të kishin influencën e Gjin Markut”. Ndoshta kjo edhe për arsyen se Balli u krijua kur misioni që kishin skraparllinjtë me Gjin Markun për lirinë e vendit në luftën kundër fashizmit kishte nisur dhe ishte e pamundur të mbetej në gjysmën e rrugës. Nga ana tjetër, siç e pohojnë bashkëkohësit veteranë të Luftës, na rezulton se një nga meritat e mëdha të Gjin Markut është se ai nuk e shfrytëzoi asnjëherë fuqinë e tij për të djegur e për të vrarë kundërshtarët e tij ballistë. Kjo qe pikërisht pika më e fortë e tij, çka e bënte atë të ishte njeriu më influent jo vetëm në Skrapar, por edhe në Berat, Përmet, Gramsh, Mallakastër, Fier, Lushnjë etj.
Propozimi
Në pranverë të vitit 1943 krerët ballistë Abaz Ermenji dhe Muharrem Kapllani i propozuan Gjinit organizimin e një aksioni të përbashkët ballisto-partizan për çlirimin e Beratit. U ra dakord, por në momentin kur ballistët ngulën këmbë që në shtabin drejtues të këtij operacioni do të kishte tre ballistë dhe vetëm një partizan, Gjin Marku e hodhi poshtë këtë projekt, që mbeti vetëm në letër. Arsyeja kryesore lidhej me faktin se raporti i forcave ishte krejt tjetër në terren, në mënyrë të pakrahasueshme dhe në favor të forcave partizane të udhëhequra nga Gjini. Po kështu, kundërshtimi lidhej dhe me faktin tjetër, se në rast fitoreje, Balli kërkonte të përfitonte në kurriz të forcave partizane kredibilitetin e udhëheqjes së “Luftës”, kur në terren kishin pak forca. Megjithatë, ballistët provuan të nisnin një aksion, i cili dështoi pothuajse pa nisur. Ndërkohë në territoret e Mallakastrës dhe të Fierit e Lushnjës vepronte një qetë kaçakësh që e quante veten çetë balliste, por në fakt ishte më tepër një bandë kriminale dhe deri në atë kohë nuk influencohej nga krerët e Ballit. Komandën e kësaj bande e kishte Isa Toska, i cili jo vetëm ishte vegël dhe bashkëpunëtor i bindur i fashistëve, por kishte kryer shumë krime, duke vrarë, djegur e plaçkitur popullin e pafajshëm.
Ndihma për Mehmet Sheun
Në mes të korrikut 1943, Mehmet Shehu, i cili në këtë kohë vepronte në krye të disa forcave partizane në Mallakastër, i dërgon një letër Gjin Markut, drejtuesit kryesor të lëvizjes antifashiste në qarkun e Beratit, ku dhe Mallakastra bënte pjesë. Kjo letër ishte kërkesë për ndihmë me forca nga Skrapari (që në këtë kohë kishte forcat më të organizuara dhe më të sprovuara në luftë) në luftë kundër italianëve dhe forcave të bandës kriminale të Isa Toskës. Gjini pas kësaj dërgoi rreth 100 partizanë nga Skrapari në ndihmë të forcave të Mehmet Shehut. Pas këtyre veprimeve koordinuese luftarake deri në këtë kohë, si dhe me udhëzimet që kishte dhënë Shtabi i Përgjithshëm, u krijuan kushtet për formimin e Brigadës së Parë Sulmuese, më 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës, njësia më e madhe luftarake deri në këtë kohë. Komandant u caktua Mehmet Shehu, ndërsa komisar Tuk Jakova. Në këtë brigadë Gjin Marku dërgoi nga qarku i Beratit forca që përbënin Batalionin II të Brigadës I, shumica nga Skrapari dhe Mallakastra. Me forcat e tjera të qarkut të Beratit, që nuk u inkorporuan në Brigadën I, Gjin Marku projektoi dhe bëri rrethimin e Beratit, nga Qafa e Pasvanit deri në Vodicë. Po në këtë kohë, Isa Toska me forcat ekstremiste, bashkë me forcat fashiste italiane, përgatitën planin për zhdukjen sipas tij, të së ashtuquajturës “Republika rebele e Skraparit”. Në një bisedë që Isa Toska zhvilloi me komandantin e Xhandarmërisë së Beratit, tha se “do ta bëjmë Skraparin si Abisininë dhe drejtuesin e tij si Negusin” (ish-mbreti i Abisinisë para pushtimit nga Musolini në vitin 1935). Në gjurmët e këtij plani ranë forcat antifashiste dhe Gjin Marku, duke u informuar për detajet e planit, por dhe për deklaratat e mësipërme. “Në këtë situatë, – dëshmon veterani S. Malindi, - sa të lodhej Isaj për të ardhur te ne, vajtëm ne tek ai. Luftimet tona shpartalluese ndaj bandës së tij u zhvilluan në fshatin Luarë (afër Roskovecit)”. Në këto luftime u vranë 5 partizanë. Këtu u plagos për herë të dytë dhe veterani Skënder Malindi, një nga bashkëluftëtarët më të afërt të Gjin Markut. Në krahun tjetër, forcat e Isa Toskës u shpartalluan plotësisht, duke u vrarë me dhjetëra prej tyre, pjesa tjetër u zunë robër. Vetë Isa Toska me vëllanë e tij shpëtoi duke u larguar pa kaqakët e tij (robër e të vrarë). Kjo ishte ngjarja e fundit kundër trupave fashiste italiane pasi më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi nga Lufta II Botërore. Në këtë situatë, pas largimit të ushtrisë italiane në Berat u futën forcat partizane, në krye të të cilave ishte Gjin Marku dhe forcat balliste të drejtuara nga Ali Këlcyra e Abaz Ermenji. Pas largimit italianët i lanë depot të mbushura me ushqime, veshmbathje e armatime, shumicën e të cilave i morën partizanët. Në fillim të tetorit forcat partizane përzunë forcat balliste nga baza e Beratit. Kjo ndodhi për shkak të mosbesimit te Balli, mosbesim që ishte jo dyshim, por bindje tashmë për forcat partizane, por kryesorja kishte të bënte me kundërvënien e ashpër të Partisë Komuniste pas Marrëveshjes së Mukjes. “Çështja e Ballit besoj se s’është nevoja e madhe të të them se si është nevoja për me e zgjidh kudo ku shkoni. Shumë lodra të poshtra po lozin ballistët dhe sidomos krerët e tij. Gjini ka gabuar mjaft. Prandaj pa mëshirë në krerë dhe pak mëshirë më shumë për ushtrinë e tyre prej katundarësh të gënjyer… Të fala Shpati”.
Rrezik luftë civile
Deri në verë të vitit 1943, gjatë Luftës, marrëdhëniet mes partizanëve dhe shqiptarëve të tjerë antifashistë jo vetëm nuk ishin armiqësore, por shpesh dhe bashkëpunuese në luftën kundër fashizmit. Kjo dukuri ishte evidente që në fillim në marrëdhëniet mes forcave partizane dhe atyre të nacionalistëve, si Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Myslym Peza, Dali Ndreu, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Lleshi, Mestan Ujaniku etj. Taktika e Partisë Komuniste ishte të shndërronte gjithë përpjekjet antifashiste të këtyre nacionalistëve dhe të shumë të tjerëve në lëvizje të udhëhequr nga PKSH. Ky proces ndodhi që në fund të vitit 1941 e deri në vitin 1943, kur çetat territoriale filluan të transformoheshin në çeta partizane. Pra çetat, përveç komandantëve të tyre në shumicën dërmuese, patën dhe komisarët që ishin emisarët e PKSH-së dhe që kujdeseshin veçanërisht për fitoren pas Luftës të pushtetit nga PKSH-ja dhe vetëm nga ajo. Në fund të këtij procesi Partia Komuniste e arriti qëllimin e saj duke bërë për vete në një kohë mjaft të shkurtër komandantët dhe çetat e tyre, si: Myslym Pezën në Tiranë, Mestan Ujanikun në Skrapar, Haxhi Lleshin në Dibër, Baba Fajën në Mat e Bizë etj., por nuk arriti të fusë në vartësi çetat antifashiste–patriotike të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit të Lumës, Abaz Ermenjit në Skrapar etj. Kështu, deri në vjeshtën e vitit 1943 forcat partizane përbënin forcën kryesore antifashiste në Shqipëri, ndërsa forcat e tjera antifashiste mbetën vetëm fragmente të shkëputura dhe të destinuara të zhdukeshin plotësisht deri në çlirimin e Shqipërisë (29 Nëntor 1944). Ky fenomen pasqyrohet qartë dhe në dokumente historike, veçanërisht në qarkoret dhe porositë që jepte Komiteti Qendror i PKSH-së dhe Enver Hoxha njësive luftarake partizane. Në një letër që Enver Hoxha u dërgon gjithë komiteteve qarkore pas Marrëveshjes së Mukjes, duket qartë tendenca e tij për të dalë edhe kundër delegatëve të PKSH-së që firmosën Marrëveshjen pa kushte dhe me tendencë për të futur gjithçka në dorën e tij.
“Të dashur shokë, lajmëroheni se ju asht dërgue nga Tirana nji trakt për t’u shpërnda, i firmosur prej Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të Këshillit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën N-Ç dhe nuk aprovohet nga Komiteti Qendror i PKSH-së. Prandaj n.q.s nuk e keni shpërnda, çirreni dhe të mos flitet ma… Në rast se trakti është shpërnda, qoftë nga ju, qoftë nga Balli, atëherë nënvleftësojeni, thoni se puna është me luftue me të vërtetë kundra okupatorit dhe për nji Shqipni demokratike dhe jo për të firmosur letra që Balli deri tani i ka kundërshtuar haptas me veprat e tija…. Insistoni në popull që Balli ka sabotuar luftën tonë…. Duhet të demaskoni Ballin me qëllim që ta shkëputni nga populli, jo me luftë të hapët, por në formë apeli. Duhet, shokë, të kuptoni se Balli po mobilizohet për kolltuk, për të na luftue neve - duhet pra, të kemi kujdes të forcojmë radhët tona dhe të mobilizojmë popullin rreth nesh … Të mos lëmë që reaksioni… të na marrë frenat nga duart…. Kini kujdes të mobilizoni këshillat e miqtë. Agjitacioni jonë duhet ta mbulojë 10 herë atë të Ballit… Kini kujdes të rregulloni grupet edukative…, të forconi këshillat, forconi organizatën në Ushtrinë NÇL (pa organizatë të Partisë nuk ka çeta, s’ka luftë Nacional-Çlirimtare)… (8.08.1943). Të fala shoqnore për Kom. Qendror të Partisë Shpati”.
Preokupacioni i vetëm i Enver Hoxhës ishte pra fitorja e pushtetit nga ana e tij nëpërmjet PKSH-së dhe jo lufta, pasi fatet e saj përcaktoheshin nga veprimet e aleatëve: Në Lindje BRSS, ndërsa në Perëndim SHBA-të dhe Anglia etj. “Të dashur shokë … po ju vëmë në dijeni të gjendjes dhe të masave që duhet të merrni, e sidomos në lidhje me situatën e brendshme. Ofensiva e madhe sovjetike e kryer në një stil të gjerë dhe të ri dhe në një front prej më tepër se njëmijë kilometra, shkon pra tuj çlirue qytete dhe krahina të gjëra. Përpara tankseve, avionëve dhe përpara strategjisë gjeniale të shokut tonë të madh Stalin, banda e Hitlerit dhe strategjia e tij gjoja e pathyeshme e gjermanëve pësoi thyerjen e turpshme dhe Ushtria e Kuqe lavdiplotë e udhëhequr prej Partisë Bolshevike po përgatit çlirimin e shpejtë të B. Sovjetik dhe të popujve të tjerë…. Gjendja n’Itali pati një zhvillim shumë të shpejtë mbas hapjes së Frontit të Dytë të Perëndimit, n’Italinë Jugore. Italia u dorëzua pa kondita…”. Mesa duket, që nga kjo kohë Enver Hoxha, veçmas drejtuesve të tjerë, ka qenë shumë më i kujdesshëm për të ardhmen e pushtetit sesa fatet e Luftës, pasi pas goditjes së gjermanëve nga “Ushtria e Kuqe” në Kursk, shënohet në fakt dhe “Perëndimi” i Ushtrisë Hitleriane dhe fitorja e sigurt e “aleatëve”. Gjithashtu, në dokumentet arkivore duket qartë se Shqipëria ishte projektuar të ishte pjesë e sistemit komunist sovjetik të Europës Lindore, ku përfaqësuesi dhe emisari i këtij projekti në Shqipëri ishte fiksuar Enver Hoxha, që kur u themelua PKSH-ja (1941). Në të gjitha dokumentet që kemi parë nuk mundëm të gjenim një dokument ku të shprehej interesimi i Enverit për situatën luftarake mes forcave tona dhe atyre armike-fashiste, humbjet apo fitoret në front, gjendja e forcave tona dhe e dislokimit të forcave armike etj., etj., por gjithmonë preokupacioni i tij për largimin Ballit dhe forcave nacionaliste të tjera nga fronti i luftës kundër fashizmit, qe preokupacioni kryesor i tij.
Letrat e Enverit
Një letër që Enveri i dërgon Gjin Markut dhe Kareman Yllit më 26.09.1943 është një nga dokumentet në të cilat shprehet fryma dhe qëllimi i tij gjatë luftës, por dhe acarimin e marrëdhënies së tij me Gjin Markun, tendencën për të futur nën kontroll gjithë veprimtarinë e drejtuesve kryesorë të luftës dhe “vënien nën zap” të tyre“… shokëve Gjin Marku dhe Karaman Ylli Berat…. Përsa i përket mbajtjes në korrent të nga ana e juaj Komitetin Qendror, është bërë një sëmundje e keqe që ka një vit e ca që po vazhdon. Nuk është puna të na lini dy-tre muaj pa lajme… Është e tepërt t’ju përsërisim dhe një herë se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë puna, por ju sigurojmë se kjo do të jetë hera e fundit që kemi toleruar një gjë të tillë dhe në përsëritje do të marrim masa, të cilat nuk do të jenë në nderin e juaj si komunistë dhe si udhëheqës… Me keqardhje konstatojmë se në një raport prej tetë faqesh të bëra nga dy shokë përgjegjësia dhe drejtues të punës në gjithë qarkun e Beratit, raport drejtuar Komitetit Qendror të Partisë, nuk gjejmë asnjë radhë për gjendjen organizative të Partisë. Puna e Beratit është një mister i madh për ne. Duke qenë në një situatë të tillë, Kom. Qendror i Partisë nuk din si ta ndihmojë atë në terren, nuk din si ta drejtojë këtë organizatë. N.q.s punën e Partisë e merrni me kaq pak seriozitet dhe të mbani në korrent K. Qendror e quani të tepërt, aherë ndryshon krejt puna… nuk është një gabim i rastit… Në qytetin tuaj ekzistojnë dy pushtete, njëri ai i Ballit dhe T’oni. Gjë që s’duhet të ekzistojë. Nuk mund të tolerojmë që Balli të ngrehij pushtetin e vet krahas me tonin, nuk duhet të lejoni dualitet në këtë gjë. Prandaj duhet ta luftoni patjetër këtë pushtet dhe të njihet vetëm t’oni, të luftohet me çdo mënyrë, me propagandë, me mitingje duke folur haptazi në konferenca të gjëra se ç’është Balli dhe njerëzit e tij me radhë… që prej Abaz Ermenjit deri te Fazlli Frashëri. Bashkim nuk ka me Ballin… Shokë, vendosja e pushtetit nuk është një shaka dhe në rast se ne nuk do të dimë të veprojmë si duhet që në ditët e para, të jemi të sigurt se do të gjejmë pengesa të mëdha për më vonë. Këshillat duhet të jenë pushtet i vetëm… Mos kujtoni se tash Berati është i çliruar dhe na lejohet që të bëjmë dhe ndonji lëshim. Lëshimet më tepër se asnjëherë janë një dëm i madh për ne. Komanda ushtarake të veprojë kurdoherë duke e goditur armikun dhe duke vënë gjithmonë forcën e vet për të ndihmuar stabilitetin e pushtetit dhe forcimin e tij. Sot më tepër se kurdoherë duhet të spastroni elementët e poshtër dhe armiq të popullit dhe të Partisë…. Shtabi ju ka kërkuar shumë sende, por asnjë përgjigje s’jepni. Me raportue luftën kundra Isa Toskës ose me çarmatos ushtrinë italiane, është një gjë, me raportue dhe me u interesue për çështjet organizative të Ushtrisë është një gjë tjetër. Këtë pikën e dytë as që ju ka shkue ndër mend me i raportue Shtabit, dhe këtë punë e presim nga komisari i atij grupi, shoku Gjin. Ju keni shkruar për çështjen e elementëve që duhet të dërgoni në Brigadë, për mobilizimin e punëtorëve të Kuçovës, për armatimin e tyre, ndërsa për dërgimin e tyre në vendin ku është caktuar juve nuk na shkruani aspak. Nuk e keni kuptue rëndësinë e këtyre çështjeve dhe moszbatimi i tyre ose neglizhenca shkatërron gjithë planet tona… Komunistët duhet të jenë në radhë të luftës, këtë e kemi thënë kurdoherë, por lufta s’është gjithmonë në grykë të pushkës, është edhe në organizimin e pushtetit dhe të ushtrisë…. Situatat që po krijohen janë në favorin tonë, vetëm duhet të jemi në gjendje t’i dominojmë këto situata. Balli Kombëtar dita-ditës po diskreditohet, dita-ditës ne fitojmë tokën që ata humbasin e këto përfitime nuk vijnë vetvetiu, por me përpjekje… Nuk mjafton të thuaç në popull se Balli s’ka gjë në vijë, por me punën tonë propaganduese të shohë vetë populli se Balli me të vërtetë s’qenka gjë…. Të dashur shokë Gjin dhe Karaman. Kemi bindjen se për sa ju shkruam do të veproni ashtu si ju themi më lart dhe shpejt dhe ju dhe ne do të kemi rezultate të mira. Në rastin e kundërt do ta kemi shumë keq me ju. Shumë të fala për Komitetin Qendror të Partisë (Shpati)”.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 3:39 PM | Message # 4
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Konflikti i ri mes Enverit dhe Gjin Markut për “paktin” me gjermanët

Pas largimit të italianëve, forcat hitleriane erdhën në Berat. Krijohet çeta “Antonio Gramshi”. Enveri akuzon gjeneralin për “marrëveshje” me gjermanët. Sërish lëshon akuza ndaj tij

Konflikti i fundit, që ka të bëjë me veprimet luftarake mes forcave tona dhe forcave ushtarake fashiste italiane dhe “veglat” e tyre, bandën me frymëzim ballist të Isa Toskës, kishte sjellë shpartallimin e plotë të kësaj bande që përfundoi në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit të vitit 1943. Ky moment shënonte edhe betejën e fundit me italianët pasi më 8 shtator 1943 Italia fashiste kapitulloi pa kushte nga Lufta II Botërore. Kjo solli largimin e trupave ushtarake italiane. Për pasojë, largimin e tyre nga baza ushtarake e Beratit, një nga qendrat më të mëdha të asaj kohe në të gjithë vendin. Formacionet kryesore luftarake partizane të Qarkut të Beratit, që ishin ndër më të përgatiturat, u inkorporuar rreth dy javë më përpara në Brigadën I Sulmuese në Qarkun e Korçës. Ndërsa forcat e tjera, të lodhura nga betejat e shpeshta që nga qershori e korriku në Përmet-Kuqar, në gusht në Mallakastër dhe, së fundmi, në betejën për shpartallimin e bandës së Isa Toskës, e patën të domosdoshme një kohë të shkurtër për të marrë veten dhe gradualisht për t’u riorganizuar.
“Ardhja e gjermanëve në Berat
Në situatën e re, partizanët u vendosën në bazën e Beratit, ku magazinat e “pafundme” të mbushura me ushqime shërbyen për furnizimin e tyre me armatime, veshmbathje, etj.. Një pjesë të kapanoneve i zunë forcat balliste të Abaz Ermenjit dhe të Ali Këlcyrës.
Në këtë kohë, pa u larguar mirë ushtria italiane, pas kapitullimit të saj, në Kuçovë, shumë afër Beratit, ishte instaluar një repart ushtarak gjerman, me mjete të motorizuara dhe me një numër avionësh luftarakë, të quajtur “Stukas”. Edhe këto forca, në këtë situatë “nuk pengoheshin” nga partizanët që të merrnin herë pas here furnizime me ushqime në Beratin e “zbrazur” nga italianët.
Ndërsa në një rrëfim të bërë nga vetë Gjin Marku në lidhje me atë situatë, ai dëshmon si më poshtë: “.. Në shtator të vjetit 1943, italianët kapitulluen e na partizanët muarëm pushtetin në atë qytet. Gjermanët, kur erdhën nuk na luftuen, por shkuen e u ngulën në nji pikë strategjike jashtë Beratit. Ata thoshin se nuk kishin qëllim me luftue shqiptarët, kushdo t’ishin ata, porse donin të siguronin rrugët e ushtrisë që ishte shpërndarë gjithandej, drejt Greqisë dhe Jugosllavisë. Ata vinin në Berat për treg e na lanë të lirë, mbasi nuk na luftonin. Kjo punë na u duk e mirë mbasi Pushteti Popullor u vendos për të parën herë në një qytet të Shqipnisë dhe kurrkush nuk kje kundër. Shumë ma vonë kjo ngjarje erdh tue u hulumtue ndër shtabe të ndryeshme; tue konsiderue skandal dhe jo fitore. N’këtë kohë m’erdh nji letër prej Shtabit partizan që urdhëronte të mësyheshin gjermanët. Përgatitëm sulmin kundër gjermanëve (mesi nëntorit 1943), por humbëm Beratin, të cilin e muarën ata dhe ne dualëm përsëri në mal me vazhdue luftën…”.
Arsyet e paktit të përkohshëm
Kjo “paqe” në heshtje ekzistoi dhe ishte në favorin e forcave partizane, për disa arsye:
Arsyeja e parë lidhet me faktin se forcat partizane, të pakta në numër, por sidomos shumë të pabarabarta në logjistikën luftarake me armikun e ri, nuk mund të ballafaqoheshin në asnjë mënyrë në ato momente me ushtrinë gjermane.
Së dyti, në këto kushte, ballafaqimi me nazistët gjermanë do të sillte pasoja të rënda për popullsinë e Beratit, veçanërisht për qytetin e Beratit, për vlerat etno-kulturore dhe arkitekturore të papërsëritshme të tij, etj..
Arsyeja e tretë lidhet me nevojën që kishin forcat partizane për pak kohë për t’u riorganizuar, për t’u furnizuar, por sikurse thonë dëshmitarët veteranë: “Ne përfituam shumë, duke marrë mall pa fund (ushqime, armatim, veshmbathje, etj) dhe duke transportuar materiale në thellësi për në Skrapar për popullin dhe për të fuqizuar logjistikën tonë në shërbim të betejave të gjata që na pritnin në të ardhmen me nazistët gjermanë”.
Gjermanët nisin akuzat e Enverit
Këtë situatë Enver Hoxha e përdor si një rast për të spostuar Gjin Markun nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, duke e quajtur situatën si kompromis e bashkëpunim me gjermanët dhe Gjin Markun si përgjegjësin kryesor. Në një qarkore që po paraqesim, duket se Enveri e shfrytëzon këtë moment si të përshtatshëm për “t’i ulur kokën” Gjin Markut: “Kompromisi me gjermanët është një nga punët më të këqija që mund të ketë bërë ndonjë qarkor i Partisë. Të gjitha mund të priteshin, por një vepër e tillë nuk mund të priteshe kurrë nga juve. Këto janë konseguencat e shkëputjeve të lidhjeve me Komitetin Qendror. Ky kompromis i juaj me gjermanët do të jetë një nga pikat e bisedimeve të mbledhjes së ardhshme të Komitetit Qendror…Qarkorja që ju dërgohet duhet të punohet me kujdesin më të madh në Qarkor, ku të marrin pjesë të gjithë anëtarët e tij, si dhe shoku Gjin Marku, i cili të thrritet apostafat për këtë gjë. Të fala shoqnore! Për Komitetin Qendror Shpati”.
Në fakt, Enveri edhe vetë e dinte se në atë situatë u bë më e mira e mundshme, por “krijimi i idesë së kompromisit me gjermanët” do t’i shërbente atij si mjeti dhe mënyra më e mirë për të luftuar dhe eliminuar “një rival” sipas tij, që, për hir të së vërtetës, deri në atë kohë Gjin Marku kishte një reputacion dhe një famë që e shqetësonte Enverin. Skënder Malindi dhe ish-bashkëluftëtarë të tjerë të Gjin Markut kujtojnë dhe dëshmojnë:
“Gjini u shmang nga udhëheqja kryesore e PKSH-së pasi Enveri shihte tek ky njeri personin me reputacion dhe mbështetje të madhe jo vetëm të partizanëve, por edhe të popullit të Skraparit, Gorë-Oparit, Gramshit, Beratit, Përmetit, Lushnjës, Fierit e më gjerë. Sipas tij, “Gjin Marku deri në këtë kohë kishte më tepër emër se Enveri dhe do të ishte një pengesë për karrierën e Enverit në të ardhmen”.
Paqja zgjati vetëm dy muaj
Gjithsesi, Gjin Marku, edhe pas këtyre akuzave, mbeti drejtuesi kryesor i Qarkut të Beratit, deri në çlirimin e vendit. Më 20 shtator, Gjin Marku formoi batalionin e rinisë “Margarita Tutulani”, si dhe ndihmoi në formimin e një batalioni të përbërë nga ushtarët italianë të mbetur në Shqipëri dhe që me vullnetin e tyre u vunë në krah të forcave antifashiste të drejtuara nga Gjin Marku dhe që u pakëzuan me emrin “Antonio Gramshi”. Pak më vonë, situata ndryshoi. Në tetor, partizanët përzunë forcat e Ballit me Ali Këlcyrën dhe Abaz Ermenjin. Kjo u bë në kuadër të frymës kundërvënëse të PKSH-së ndaj vendimeve të “Marrëveshjes së Mukjes”, e cila, ndër të tjera, e konsideronte PKSH-në në pozita të barabarta me Ballin Kombëtar, që ishte joreale. Kishte mbi një muaj që Partia Komuniste kishte lëshuar një qarkore, në të cilën bëhej thirrje për një luftë pa kompromis si ndaj okupatorit dhe Ballit e forcave të tjera kolaboracioniste. Pas këtyre ndryshimeve, krijimit të formacioneve të reja partizane dhe përzënies së forcave balliste nga “baza” e Beratit, më 15 nëntor 1943 gjermanët filluan sulmin mbi forcat tona të dislokuara në Berat. Në sulmin e tyre, gjermanët përdorën avionët “Stukas”, tanke e artileri mbi forcat tona. Rezistenca e forcave partizane, veçanërisht e batalionit “Margarita Tutulani” dhe atij “Antonio Gramshi”, të drejtuar nga Gjin Marku, Mestan Ujaniku, Skënder Malindi, etj, ishte e pamjaftueshme për të përballuar furinë dhe goditjen e ushtrisë naziste me epërsi të gjithanshme. Mbetën të vrarë në fushën e betejës mbi 15 partizanë. Forcat partizane u komanduan për t’u tërhequr në drejtim të Skraparit.
Edhe këtë betejë janë përpjekur ta falsifikojnë historianët e influencuar nga fryma Enveriste e kohës, duke u shmangur nga e vërteta e asaj lufte të pakompromis kundër forcave gjermane. Në fakt, siç kemi trajtuar dhe sidomos siç do të shohim më poshtë, formacionet e themeluara prej Gjin Markut, si Brigada VII Sulmuese dhe Divizioni VI-të Sulmues, bënë betejat më të bujshme me forcat ushtarake naziste, duke u ndeshur “dhëmb për dhëmb” me gjermanët dhe duke çliruar me radhë disa qytete e krahina si: Beratin, Fierin, Roskovecin, Lushnjën, Mirditën, Lezhën, Shkodrën, Podgoricën, Vishegradin (Bosnja Jugore) e deri në Kosovën Veriore. Kështu të gjithë ata që mendojnë se Gjin Marku ka bashkëpunuar me nazistët, janë tendenciozë dhe mashtrojnë në mënyrë të paturpshme. Ai qe një kampion i vërtetë i kësaj lufte.


 
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » Historia mbi udhëheqësin e panjohur Gjin Marku-n
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Copyright MyCorp © 2024