http://www.bysantral.com/hacked.jpg AMAZONAT SHQIPTARE te 1787 - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum
Th, 28-March-24, 5:39 PM
>> (( Mitrovica Hakers Grup )) <<
Welcome Antart | RSS
Main AMAZONAT SHQIPTARE te 1787 - ((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum Registration Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » AMAZONAT SHQIPTARE te 1787
AMAZONAT SHQIPTARE te 1787
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:02 PM | Message # 1
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
AMAZONAT SHQIPTARE te 1787

--------------------------------------------------------------------------------

AMAZONAT SHQIPTARE

Nga Fotaq Andrea

Viti 1787 : një batalion prej dyqind vajzash të reja shqiptare marshon me hap krenar para princit Charles-Joseph në qytetin Kafa, ish Theodozia e lashtë pranë Detit të Zi. Princi mahnitet. Dhe me të drejtë : ishte koha kur fanatizmi fetar oriental ia ndalonte rreptësisht një vajze të re apo një gruaje të shfaqej publikisht me fytyrën zbuluar. E megjithatë, ja ku po i shfaqeshin para syve bukuroshe të armatosura, amazona të vërteta shqiptare!

Në letrën dërguar nga Kafa Markezës së Coigny-së, princi belg i Linjës
Charles-Joseph, figurë e ndritur ushtarake dhe letrare e kohës shkruante : “Gjithandej nuk pashë veçse një grua: ishte një princeshë për nga gjaku, mbesë e sulltanit të fundit Selim-Xheraj. Perandoresha, para së cilës ajo u zbulua, më fshehu prapa një perdeje : princesha ishte yll e bukur, dhe kishte më shumë diamante nga ç’kanë tërë gratë e Vienës të marra së bashku, dhe kaq është pak të thuash. Por nga ana tjetër, pashë, dhe e kam fjalën për fytyrën e zbuluar, vetëm ato të një batalioni shqiptaresh të një kolonie të vogël maqedonase vendosur në Balakllava : dyqind gra apo vajza bukuroshe, me dyfekë, kama e heshta, me gjokse amazonash dhe me flokë të gjata e gërshetuar hijshëm, kishin ardhur me rastin e vizitës sonë për të na nderuar, dhe aspak nga kërshëria.” (Letra VII, 1787).

Që këto amazona janë vasha shqiptare, as që mund të vihet në dyshim, ndonëse historikisht është njohur në Kaukaz edhe një Albania tjetër, e themeluar, siç duan të thonë mjaft autorë, nga Aleksandri i Madh. Por ja që princi belg në këtë pikë është mëse i prerë : ai shprehet qartë për një batalion vajzash shqiptare “të një kolonie të vogël maqedonase (sic) vendosur në Balakllava.” Pra, princi belg, që gjeti aty edhe një shqiptar (“albanois”) tjetër që fliste italisht dhe i shërbeu ndëkohë si “terxhuman”, e ka fjalën pikërisht për një koloni shqiptare të kohës vendosur në brigjet e Detit të Zi, ashtu siç kanë pasë qenë vendosur historikisht familje të tilla shqiptare në Kalabri, Siçili, More, Egjipt, Siri, Tunizi, e ku nuk tjetër ! Përderisa jenicerët shqiptarë e ballkanikë që mbushnin radhët e pararojës së fuqishme të ushtrive të pafunda osmane numëroheshin me dhjetra mijëra dhe degdiseshin familjarisht në të katër anët e Perandorisë - sikurse është rasti i Hasan Jeniçerit shqiptar të vitit 1516 të Leon Kahunit -, s’ka pse vihet në pikëpyetje fakti historik i amazonave shqiptare që na parashtron Princi i Linjës. Po ashtu s’ka pse joshemi a hallakatemi këtu as nga teori të tilla që e shohin prejardhjen e shqiptarëve nga albanët e Kaukazit, nga skythët apo cirkasienët e lashtë, djepi “tradicional” i amazonave, ku janë gjetur varre të grave luftëtare varrosur me armët e tyre që në vitet 600-200 para J.K. Le t’ua lëmë etnologëve, arkeologëve, gjuhëtarëve e historianëve fjalën e fundit në çështjen delikate të popullsive të lashta parahelene e parailire, përfshirë edhe çështjen e origjinës së amazonave, dhe le të shohim më nga afër se ç’përfaqësojnë historikisht amazonat tona shqiptare, si na shfaqen ato në tiparet e tyre themelore dhe ç’rol kanë luajtur në historinë e vendit tonë.

Në radhë të parë, amazonat shqiptare janë të reja bukuroshe, përgjithësisht vajza virginae, apo vajza-burrneshë, që prinin flokët dhe visheshin me rroba burri, madje këmbenin edhe emrin e vajzërisë me emrin e një djali. Por mbi të gjitha, ato mbanin gjatë tërë kohës armë, dhe dinin mjeshtërisht e burrërisht t’i vinin në përdorim. Shkaku i një veprimi dhe qëndrimi të tillë, pa shkuar menjëherë në thellësi të matriarkatit, ishte kryekëput shoqëror, me karakter sa të brendshëm, fisnor apo kanunor, aq edhe të jashtëm. Sepse, në u duhej të shmangnin një martesë të detyruar, apo një fejesë që në djep, u duhej po ashtu të merrnin gjak për një anëtar të vrarë të familjes së tyre, dhe sidomos e për më tepër, u duhej të mbanin qëndrim të prerë ndaj dushmanit që u shkelte vatanin, që kërkonte t’u merrte nderin apo t’i shiste si skllave për të mbushur haremet orientale. Historiografia shqiptare ka një dëshmi konkrete tek figura e Norës së Kelmendit gjatë shekullit XVII, të njohur ndryshe edhe me emrin Nora e Bukur. Ajo nuk ngurron të vrasë pashain turk me thikë në zemër për të mbrojtur nderin e cucërisë së maleve, si dhe për t’ua lehtësuar barrën banorëve kreshnikë të Kelmendit në përpjekjet e tyre për të qenë gjithmonë të lirë e të pavarur. Ishte pikërisht viti 1638, kur Nora e Kelmendit, në krye të shoqeve të saj burrënesha i futi pushtuesit osmanë në prita të honeve dhe vetë shkoi fill e në çadrën e Vuçe Pashë osmanit për ta vrarë me dorë të ftohtë.

Është për të ardhur keq që një Norë e tillë e Bukur, një zanë mali me bëmë kreshnike, nuk ka ende një përmendore që të lartohet mes majave të Kelmendit, në Tamarën e vendlindjes së saj për t’i hijeshuar ato maja edhe më madhërishëm, pse jo përkrah ndonjë busti të papa Klementit XI të njohur ndryshe Shën Albani. Le të japim me këtë rast një gravurë të rrallë të një autori të huaj anonim të shekullit XIX, titulluar “In Albania”, që paraqet shi një amazonë të bukur shqiptare mes kreshpave të maleve. Është duke fshirë e ledhatuar ëmbël një kamë të gjerë, armën e saj besnike, përkrah dyfekut plot barot. Gjithë zbukurime gjerdanesh në gushë e me vathë në veshë, plot feminitet e dinjitet, me leshrat krejt krela shfaqur mbi ballë, që të kujtojnë malësoret tona të derivonshme, ajo ka ngulur vështrimin paksa të ashpër tëposhtë, andej nga ku mund t’i vijë rreziku, teksa vetë ka pushtuar majën e malit dhe po gatitet për sulm. As që ia bën syri tërr. Një forcë e brendshme morale e shpirtërore, një ndjenjë lirie e lavdie, vetë shpirti i lashtë amazonik i jep asaj guxim e siguri të pashoqe. Duket sikur kjo gravurë personifikon vetë legjendën e Norës së Kelmendit.

Rreth viteve 1900, një Norë e dytë bukuroshe shfaqet sërish në historinë shqiptare : Nora e Hotit, po aq sypatrembur dhe e papërkulur përballë pushtuesit osman. Kurse gjatë kryengritjeve të përvijueshme shqiptare që i paraprijnë shpalljes së pavarësisë, lartohet figura e Tringës nga Gruda për të cilën flet etnografia Claudine Roulleau në librin e saj “Tri enigma : shqiptarë, ciganë, baskë”. Për Tringën, na flet po ashtu edhe Anastas Kondo, tek komenton bukur tablonë “Zhan d’Arka shqiptare” të vitit 1911, në të cilën ai sheh si autor të mundshëm të saj piktorin shqiptar Ndoc Martini. Në fund të fundit, te “Zhan d’Arka shqiptare”, te kjo tablo e fuqishme që tërhoqi vëmendjen e publikut francez dhe perëndimor të kohës, duhet të shohim thjesht simbolin historik të luftëtares amazonë shqiptare në krye të çetave patriotike, qoftë kjo “Janica Martiniani”, Tringa e Grudës, Shote Galica apo shoqe të tyre.


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:03 PM | Message # 2
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Shfaqet në këtë rast një tjetër tipar i fuqishëm i amazonave tona, përtej elementëve zanafillorë mitologjikë : ato nuk kanë vepruar aspak të veçuara apo të mëvetësuara, në zona që t’u përkisnin vetëm për vetëm atyre, sikurse në Lashtësinë e matriarkatit ishujt Lemnos e Lezbos. Përkundrazi, ashtu sikurse në luftën e Trojës, ku amazonat, me në krye Pentesilenë i shkuan në ndihmë trojanëve pas vrasjes së Hektorit, për t’u ndeshur ashpër me Akilin dhe shokët e tij, amazonat shqiptare gjithmonë janë rreshtuar përkrah burrave, prindërve dhe vëllezërve të tyre, duke mbushur radhët e çetave patriotike dhe më pas të batalioneve nacionalçlirimtare. Si në Veri, si në Jug, amazonat shqiptare historikisht kanë qenë përherë të pranishme, gjithëvepruese dhe shembull qëndrese e heroizmi. Po ashtu, gjeografikisht, ato kanë mbuluar krejt vendin e ilirëve të lashtë, të albanëve a arbërve, kudo në ngulimet dhe trevat shqiptare.

Shumë këngë i janë thurur 56 amazonave suliote që, me në krye Moskon e Dhespon, luftuan heroikisht me armikun. Shumë pena e penele të ndritura evropiane e botërore, deri te poeti i mirënjohur kanadez Joseph Lenoir (shek. XIX) dhe tabloja e famshme e Luvrit “Gratë suliote” të Ary Scheffer, lartësuan e stampuan përjetësisht heroizmin e tyre. Le të citojmë me këtë rast disa vargje të akademistit francez Népomucène Lemercier të fillimit të shekullit XIX për Moskon, gruan luaneshë të Xhavellës :

“O Xhavella trim i rrallë, / Jot grua jo! s’mbahet e rrethuar. / Djalnë në njërin krah, kordha më tjetrën i bie, / Lidhur me gjalmë dyfeku, krahëqafe ç’m’i ka hije; / E kur ecën, fluturon, fustanella palë-palë, / Atë futë në luftë ia tund, / Plot barut edhe plumb.”

Në një tjetër këngë : “Këtu s’shkon dot osmanlliu,/ I thonë shkëmb i Sulit, kujdes se ju përpiu. / Bandita: o kokën lini, o mbathjani nata pa ju zënë! / Moskua në këmbë, foshnjën përdhe ka lënë, / Qëllon a s’qëllon kjo grua, deli grua, / Pushka top gjithçka zhurit, / Vështrojuni një çikë more, si jeni bërë meit!”.

Pas një lufte të ashpër, amazonat suliote, përpara hordhive të pafunda armike, me një frymëzim hyjnor, zënë të vallëzojnë majë honit, me këngë në gojë, dhe hidhen njëpasnjë në greminë nga shkëmb i Zallongut tok me foshnjet e tyre, për të mos rënë në dorë të armikut :

“Edhe muret u bënë hi, po Dhespua përherë në këmbë, / Nuseve ç’u thërret, me zë e me gjëmë : / “ Skllave të turkut bija, a mund të bëhemi ne?/ Pas meje, mori nuse, vendin e kemi atje !””

Mund të vazhdojmë këtu të citojmë vargje të tëra folklorike të popullit tonë për amazonat e Sulit epirot, heroizmi i të cilave sintetizohet aq bukur tek vallja e kënduar gjirokastrite “Kënga vaj e Zallongut”. Përsëritet historia : suliotet hidhen në greminë, ashtu si dikur simotrat e tyre dalmatet ilire që, përpara taborreve romake, u vërvitën nga shkëmbi i bjeshkës përmbi Delminium.

Le të shohim një hop autorët e huaj të dëshmojnë me forcë e bukuri të veçantë për amazonat e ndritura shqiptare. Pukëvili bën një dallim rrënjësor midis grave orientale dhe skipetareve, siç shprehet ai, “armëbajtëse dhe me vështrim krenar, bashkëshorte dhe nëna të atyre burrave kalitur në sfilitje”. “Kur shtegtojnë, shkruan ai për to, me brezin gjithë pisqolla, shoqëruar nga qen të tmerrshëm që i nënshtrohen zërit të tyre, i merr për Dianë a për shoqet e veta... I sheh në luftra, kur vatra atërore kërcënohet, amazona të reja, tek zënë vend në radhët e luftëtarëve dhe tek i cysin për të bërë kërdinë. Të krishtera a muhamedane, asnjë nuk mban perçen e sajuar nga xhelozia orientale; të bukura, gjithë ndrojë e dëlirësi, veç i përkushtohen një familjeje të shumtë të burrave të tyre, duke ngacmuar tek ata dashurinë, duke prekur zemrat dhe ngrohtësinë e tyre”. Shumë shpejt, pena e tij do shndërrohet në penel të vërtetë piktori kur bën gjithë pasion përshkrimin fizik e moral të vashës shqiptare, thesar i vërtetë bukurie : “...sy të mëdhenj kaltëroshë, ndezur nga zjarr qiellor, leshra verdhane a gështenjë, gjithë krela si të Hireshave, hundë delikate, gojë të ëmbël, vetë eleganca e francezeve tona të këndshme – ja dhuntitë e grave të Toskërisë. Me shtatin e tyre të hajthëm, me delikatesën e këmbëve të tyre, i merr për perëndesha të lashta apo për nimfa me të cilat profeti zbukuroi parajsën e premtuar për të përzgjedhurit e vet; gjithçka shënon tek ato modelet më të përkryera të bukurisë”.

Një tjetër autor, Lamare-Picquot, sheh tek amazonat shqiptare jo vetëm luftëtaret që dinë të përballojnë sypatrembur rrezikun përkrah burrave, por edhe punëtoret që dinë të merren me kultimin e tokës. “Duan së tepërmi, shkruan ai, sidomos atdheun dhe pavarësinë”. E domosdo, Hyasinthe Hecquard, do të nxjerrë këtu në pah një element tepër të veçantë, se si mbrohet konkretisht vatani tek fisi i Kastratëve, kur trupat osmane, udhëhequr nga Tahir beu, sulmuan malësorët : “Ndërkohë që burrat luftonin, gratë, duke shkulur nga majë e malit shkëmbinj të mëdhenj përgatitur që më parë, bënin kërdinë mbi armikun, i cili, tek e pa veten pisk dhe se çdo gjë qe e kotë, ia mbathi me të katra”. Ja deri ku arrin forca dhe madhështia amazoneske e grave shqiptare : që edhe malin e thërrmojnë, e dërrmojnë dhe e shembin para armikut, edhe vetveten e honizojnë dhe hyjnizojnë, veç në dorë të tij të mos bien.

Në fakt, historiku i amazonave shqiptare, krahas figurave të ndritura që përmendëm, kulmon edhe me figura të tjera madhore, dhe konkretisht :

Olimbia, motra e Aleksandër Molosit dhe e ëma e Alaksandrit të Madh, grua e paepur luftarake në synimet dhe përpjekjet e saj për të drejtuar me dorë të hekurt shtetin epirot në fund të shekullit IV para J.K.;

Mbretëresha Teuta, e gjithpushtetshme dhe e gjithfuqishme në krye të shtetit dhe flotës ilire, deri në prag të luftrave iliro-romake të shekullit III para J.K.;

Princesha Argjiro : me mitin e saj lidhet krijimi i kështjellës dhe i qytetit të Gjirokastrës në vendbanimin ilir të fisit të arginëve. Duke iu përmbajtur parimit të antropologut, etnologut dhe filozofit të shquar francez Claude Levi-Strauss, që “miti ka në thelb gjithmonë një shpjegim”, te figura e Princeshës Argjiro shohim të personifikuar më së miri mitin e amazonave. Ashtu sikurse amazonat që kishin vetëm një gji, pasi e prisnin tjetrin për të mbështetur më mirë harkun në gjoks e të qëllonin në shenjë, edhe princesha Argjiro është quajtur ndryshe Argjiro Monoviza (Argjiro me një gji në greqisht dhe shqip : a-gjir = pa gji). Shumë kohë më pas, në fillim të shekullit XV, miti i Princeshës Argjiro është rimarrë për t’u “aktualizuar”, të themi, në kohën e pushtimit otoman, duke na dhënë fundin e saj epiko-tragjik, tek vërvitet nga bedenat e kështjellës drejt e në humnerë, së bashku me foshnjen në gjoks, vetëm e vetëm për të mos rënë në dorë të armikut ;


 
buli_17Date: Th, 04-September-08, 5:04 PM | Message # 3
Admin
Group: Te perzgjedhurit
Messages: 201
Reputation: 15
Status: Offline
Ruginë Balsha, e njohur ndryshe me emrin Zonja e Kaninës, që mblodhi në kuvend krerët e Labërisë në fillim të shekullit XV dhe sundoi në Kaninë përmbi njëzet vjet me radhë. Shumë toponime mbajnë emrin e saj : “Rrapi i Ruginës”, “Mulliri i Zonjës”,”Kroi i Zonjës”, “Shpella e Ruginës”, “Përroi i Ruginës” e mbi të gjitha “Shkëmbi i Ruginës”, ku ajo qëndroi për herë të fundit duke qarë e duke u mallëngjyer para se të linte atdheun e pushtuar dhe të merrte rrugën e mërgimit. Dhimbja e Ruginës ka mbetur “proverbiale” dhe pasqyrohet në shprehjen “rënkon si Rugjina” sikurse vë në dukje Fatos Mero Rrapaj në kryeveprën e tij “Këngë popullore të Labërisë”;

Mamica Kastrioti, më e vogla ndër vajzat e Gjon Kastriotit, që qeverisi feudin e Topiajve me vendosmëri, duke kundërshtuar çdo martesë pas vdekjes të së shoqit, Muzak Topisë. Skënderbeu këshillohej me të për çështje të rëndësishme. “Si i vëllai, ashtu edhe e motra”, thotë Gennaro Francione për ngjashmërinë në krejt tiparet morale dhe bukurinë fizike të Skënderbeut me të motrën. Mamica dallohej për shkathtësi e trimëri.

Donika Kastrioti, amazonë shqiptare për nga bukuria, virtyti dhe shpirti i hovshëm luftarak, mbështetje e fuqishme morale e të shoqit, së cilës Skënderbeu i besonte shtetin e Arbërit gjatë ekspeditave të shumta luftarake apo vizitave në Itali. E paepur edhe në mërgim, pas vdekjes së Skënderbeut, mbajti lidhje të fuqishme me atdheun dhe nxiti e përkrahu lëvizjet antiosmane të të birit Gjonit dhe të nipit, Skënderbeut të ri.

Arvanitja Laskarina Bubulina, heroinë e popullit grek, që në krye të flotës së saj speciote e hidriote dhe të marinarëve trima arvanitas e shqiptarë dha kontribut të çmuar në lëvizjen e madhe patriotike për pavarësinë e Greqisë, u bë shembull heroizmi e paepurie dhe mahniti rejt Evropën me bëmat e saj.

Maro Kondaj (Kozhupaj), hedh në humnerë tridhjetë e gjashtë turq, duke këputur litarin e lidhur në trup të saj, dhe vërvitet edhe vetë më pas nga shkëmbinjtë, duke shtrënguar djalin e vogël në gji, për të mos rënë në duar të tyre dhe për të shpëtuar çetën e trimit Zenel Gjolekaj. Populli i ngriti këngë, siç ndodh shpesh në të tilla raste, kur amazonat shqiptare e gjejnë rrugën e lavdisë, lartësisë dhe të përjetësisë në ndeshjen fyt më fyt me armikun majë honeve tragjike e epike shqiptare, ku ato nuk mungojnë të fluturojnë me foshnjet në gji.

Shote Galica, heroinë e popullit shqiptar, që iu përkushtua me armë në dorë për vite të tëra çështjes së çlirimit kombëtar, përkrah të shoqit ; pas vdekjes së tij, ajo udhëhoqi me guxim çetën e saj patriotike në aksione të guximshme luftarake. Është për të ardhur keq dhe në turpin e qarqeve të caktuara serbe të denigrojnë sot figurën madhore të kësaj heroine dhe amazone shqiptare, gjë që nuk i shërben aspak stabilitetit, paqes dhe harmonisë së popujve të Ballkanit në epokën e sotme të demokracisë. Historia nuk lexohet, dhe nuk ka si të lexohet me syze shovinizmi dhe urrejtjeje mesjetare. Dhe janë pikërisht ata që e ushqejnë vetë këtë urrejtje, tek bënë krimet më mizore me motrat dhe nënat therore kosovare, që përpiqen edhe sot e kësaj dite, në Beograd, Moskë a gjetkë, me frymë e gjuhë të ashpër megalomanie, sundimi, agresiviteti e armiqësie, të kthejnë prapa rrotën e historisë, kohën e nën-zhvillimit dhe të nën-njerëzve.

Të tjerë e të tjerë emra amazonash heroina dhe gra luftëtare, pjesëmarrëse në Luftën Nacionalçlirimtare mund të renditen këtu. Por tekefundit, filli i kuq që përshkon figurën historike të amazonës shqiptare është një dhe vetëm një : ato vasha luftëtare, janë dyfish trimëresha, dyfish kreshnike, dyfish heroina. Sepse jo vetëm mishërojnë vetë burrëroren, të fuqishmen e të paepurën, por janë edhe mbartëse nëna që i përcjellin e i trashëgojnë këto cilësi drejtpërdrejt tek burrat e ardhshëm, po aq kreshnikë sa dhe to. Ja ku na vjen në ndihmë këtu mitologjia jonë me shtojzovallet, t’lumet, orët dhe zanat e malit, ato që mëndën Mujin, Halilin dhe shokët e tij kreshnikë, ato që tok me qumështin e gjirit iu dhanë atyre bukuri, mënçuri, dije, guxim, forcë e nder. Dhe vërtet, a ka shprehje më të bukur shqiptare sesa cilësimi i një heroi “trim si zanat”? Apo siç thuhet në vargun e Eposit të Kreshnikëve “Nderi i armve t’mia kioftë në ndore t’zanës”? Zana është Diana, bija zanore e Zeusit Zë që, siç di të trimërojë e të guxojë, di po ashtu edhe të shitojë, të luftojë e të marrë hak.

Pa u ndalur te dukuritë e lashta të amazonisë shqiptare me zanafillë nga matriarkati, si virgjinat, apo gratë e shndërruara në burra, dhe mërkoshja, apo kuvada (lehonia e burrave kur u lindin gratë), dukuri të trajtuara tashmë nga mjaft autorë shqiptarë e të huaj, na e ka ënda ta përfundojmë këtë shkrim kushtuar lavdisë së amazonës shqiptare me vargjet e fuqishme të Thimi Mitkos :

“Shqypëria ka mal’ e gurrë, / edhe gratë i ka si burrë, / me shpirt të nxehtë si furrë, / vëndinë s’e lënë kurrë... / Sheh në luftë ato trimone [trimëresha] / Sulen si amazone”.


 
((( Mitrovica & Kercova Hakers Grup )))) - Forum » Diskutime shoqrore » histori » AMAZONAT SHQIPTARE te 1787
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Copyright MyCorp © 2024